Dialog mes profesorëve/ Rendi i ri botëror: Fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe pozita dominuese e Amerikës

July 31, 2020 10:15

Dialog mes profesorëve/ Rendi i ri botëror: Fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe pozita dominuese e Amerikës

Fatos Tarifa dhe Ksenofon Krisafi

Bashkëbisedimi mes profesorëve dhe diplomatëve të njohur Fatos Tarifa dhe Ksenofon Krisafi, që gazeta Dita ka nisur të botojë duke filluar nga java e kaluar, fokusohet sot në rrethanat politike, ekonomike e ushtarake të krijuara pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, që mundësuan krijimin e një rendi të ri botëror, të dominuar nga dy superfuqi dhe një marrëdhënie të re mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës Perëndimore.

 

 

 

Tarifa: Pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore shënoi një kthesë rrënjësore dhe një strategji të re në politikën e jashtme amerikane. Ndryshe nga roli që luajti ajo në Luftën e Parë Botërore, pas së cilës Amerika u tërhoq përsëri në “punët e saj”, hyrja në Luftën e Dytë Botërore—në aleancë me fuqitë e tjera—dhe triumfi në këtë luftë mbi Gjermaninë dhe Japoninë, shënuan krijimin e një bote të re, arkitektura e sigurisë të së cilës nuk mund të mendohej atëherë—dhe nuk mund të përfytyrohet dot as sot—pa Shtetet e Bashkuara. Në fakt, edhe pse Amerika i kishte pasur edhe më parë mundësitë për të luajtur një rol kryesor në skenën botërore, ajo vendosi që të marrë lidershipin e saj vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, kur u pa qartë se, as Britania e Madhe dhe as ndonjë fuqi tjetër, ose ndonjë organizatë ndërkombëtare, nuk mund t’i menaxhonte dot çështjet e globit.

 

Krisafi: E shoh të dobishme të hap këtu një parantezë të shkurtër, për të vënë në dukje se,  me fillimin e Luftës së Ftohtë, ideja e një Amerike “eksepsionale”, për të cilën ju keni shkruar gjerësisht më parë, si një vend i krijuar nga vullneti hyjnor dhe me një mision të veçantë për të transformuar mbarë njerëzimin, iu përshtat fare mirë retorikës politike të elitës drejtuese në Shtetet e Bashkuara për të gjeneruar e mobilizuar mbështetje popullore në përpjekjet për të udhëhequr “Botën e Lirë” në atë çka mund të quhej një “luftë e shenjtë” kundër “komunizmit të pafe”. Ju, nuk kam dyshim, me siguri e keni lexuar një libër të një autori të njohur amerikan, William Inboden, Feja dhe politika e jashtme amerikane (Religion and American Foreign Policy, 1945-1960, 2008), në të cilin ai vë në dukje se, në gjysmën e dytë të viteve 1940 dhe në vitet 1950, presidentët Harry Truman (demokrat, 1945-1954) dhe Dwight Eisenhower (republikan, 1953-1961), siguruan një mbështetje të konsiderueshme nga qarqet fetare, brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara, në Luftën e Ftohtë.

 

Tarifa: Sigurisht që po. Në atë periudhë, “tradita hebreje-kristiane” (Judaeo-Christian) u bë, në fakt, një “moto qytetëruese”. Madje, Shtëpia e Bardhë inkurajoi në atë kohë një autor të tillë, si Will Herberg, i cili më parë kishte aderuar në Partinë Komuniste të Shteteve të Bashkuara, që të shkruante një prej librave më të shitur mbi sociologjinë e fesë në Amerikë—Protestant, Catholic, Jew: An Essay in American Religious Sociology (1955). Këto ishin vitet kur, me vendim të Kongresit Amerikan, betimit përpara flamurit iu shtua formula “Under God” dhe kur Presidenti Eisenhower, në një mënyrë shumë kundërthënëse, shprehu pikëpamjen e tij se: “Forma jonë e qeverisjes nuk do të bënte asnjë kuptim nëse ajo nuk do të mbështetej në një besim të thellë fetar, dhe unë nuk dua t’ia di se cili [besim] është ai”. Këto ishin, gjithashtu, vitet kur retorika presidenciale në Shtetet e Bashkuara filloi t’i ngjante gjithnjë e më shumë asaj që sociologu i njohur Robert Bellah e ka qujtur “God-Talk”, dhe kur John F. Kennedy, i cili u bë i pari president katolik i Shteteve të Bashkuara, e luajti kartën e një feje civike të amerikanëve më mirë se cilido president tjetër amerikan deri në kohën e Reagan-it. Duke përgjithësuar rolin që ka luajtur ideja e “eksepsionalizmit” amerikan në historinë politike të Shteteve të Bashkuara pas Luftë së Dytë Botërore, Walter McDougall ka argumentuar se “miti i eksepsionalizmit amerikan, ironikisht i frymëzuar nga katolikët dhe marksistët, hyri në leksikonin tonë si një shpjegim historik në përpjekjet për të motivuar dhe inkurajuar një popull skeptik e të lodhur nga luftrat, se angazhimet globale të Amerikës, si Kombet e Bashkuara, Doktrina Truman dhe NATO, nuk ishin vërtet një shkëputje nga tradita, por një përmbushje e misionit më të hershëm e më të shenjtë të kombit amerikan”.

 

Krisafi: Në këtë që sapo thatë ka një të vërtetë të rëndësishme. Megjithatë, siç besoj edhe ju bini dakord, madje këtë pikëpamje e keni shprehur edhe më parë në studimet tuaja mbi këtë çështje, nuk ishte kjo retorikë politike ajo që e dominoi mendimin politik dhe strategjinë e Shteteve të Bashkuara pas fitores në Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Përkundrazi, ishin interesa më të mëdha për vetë sigurinë dhe prosperitetin e Shteteve të Bashkuara si dhe për krijimin e një arkitekture të re globale, në të cilën, përmes bashkëpunimit mes fuqive kryesore të globit, do të behej e mundur ruajtja e paqes dhe e sigurisë në shkallë ndërkombëtare.

 

Tarifa: Keni plotësisht të drejtë. Në librin tim Saga e dy kontinenteve (2007), kam argumentuar se, në kuptimin më real të fjalës, të suksesshme kanë qenë dhe janë vetëm ato shoqëri, të cilat konsideratat dhe preferencat e tyre politike dhe ekonomike të sotme i kanë vënë dhe i vënë në shërbim të interesave të së ardhmes. Nëse Amerika është sot shoqëria më e zhvilluar, më kreative, më dinamike dhe më e suksesshme që ka njohur historia e njerëzimit, kjo ka ndodhur për shkak se, veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, ajo e ka aplikuar këtë parim qytetërues më mirë sesa çdo shoqëri tjetër moderne.

 

Krisafi: Unë do të shtoja se, madje, pikërisht për këtë shkak, Amerika ka qenë dhe është në gjendje të luajë rolin e lidershipit botëror, duke përcaktuar drejtimet themelore të zhvillimit ekonomik, politik e kulturor në kohën e sotme. Këtë rol global të saj, Alexis de Tocqueville, në veprën e tij klasike Demokracia në Amerikë (Democracy in America), e kishte paralajmërouar më shumë se një shekull e gjysmë më parë, me diktumin e tij të famshëm: “Unë pashë në Amerikë më shumë se Amerikën” (In America I saw more than America).

 

Tarifa: Deri në fillimin e viteve 1940, Amerika nuk ndryshonte shumë në këtë drejtim nga fuqitë e tjera të mëdha. Por sfidat e Luftës së Dytë Botërore dhe Lufta e Ftohtë, që nisi menjëherë pas saj, bënë që, pothuajse çdo qeveri amerikane, si në rastet kur ajo kishte në krye një president demokrat, ashtu edhe kur në krye të saj ishin republikanët, të aplikonte këtë parim të rëndësishëm jo vetëm në shkallë kombëtare, por edhe në shkallë globale, në emër të një të ardhmeje më të mirë për mbarë njerëzimin. Është e vërtetë se Perandoria Britanike kishte krijuar të parin precedent në këtë drejtim. Ajo ishte e para që iu kundërvu piraterisë në dete, që ndaloi me ligj tregtinë e skllevërve, që vendosi parimin e lirisë tregtare në dete dhe ndërtoi fanarë dhe porte anë e mbanë globit, të cilët mund të përdoreshin nga kushdo. Sidoqoftë, strategjia me të cilën Shtetet e Bashkuara hynë në skenën politike globale pas Luftës së Dytë Botërore dhe me të cilën zhvilluan—dhe fituan—Luftën e Ftohtë, ka qenë shumë më grandioze, qoftë si një filozofi politike, ashtu dhe nga pikëpamja e transformimeve që solli aplikimi i saj.

 

Krisafi: Lufta e Dytë Botërore duket se i bindi amerikanët se izolimi ose mënjanimi nga çështjet globale nuk mund të ishte më një doktrinë politike, në të cilën Shtetet e Bashkuara do të mund të mbështeteshin në të ardhmen, dhe se Amerikës i duhej të përgatitej për të krijuar një rend të ri botëror, për të garantuar jo vetëm sigurinë e saj kombëtare, por edhe paqen dhe sigurinë në shkallë globale, të cilat, pas luftës, dukej se i kërcënonte vetëm një fuqi e madhe, Bashkimi Sovjetik i Stalinit.

 

Tarifa: Pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara fituan një pozitë ndërkombëtare të panjohur nga asnjë fuqi tjetër e madhe deri atëherë dhe morën përsipër përgjegjësi globale dhe një rol, të cilin jo vetëm nuk mund ta luante asnjë prej fuqive të tjera të mëdha, por nga i cili ajo nuk ka hequr dorë as sot. Amerika u bë jo thjesht pjesë e arkitekturës politike dhe ekonomike të globit, por fuqia kryesore që ka garantuar dhe garanton stabilitetin, sigurinë dhe paqen në të. Thuajse që nga fillimi, kjo detyrë u bë më e lehtë—dhe më e domosdoshme—për shkak të aleancës transatlantike që ajo krijoi me aleatët e saj europianë, aleancë e cila, në periudhën e Luftës së Ftohtë, e vuri efektivisht Europën Perëndimore nën mbrojtjen e ombrellës amerikane nga kërcënimi i superfuqisë sovjetike. Në fakt, edhe sot e kësaj dite, Europa, siç ka vënë në dukje Zbigniew Brzezisnki, vazhdon të mbetet “de facto një protektorat ushtarak i Shteteve të Bashkuara”. Kjo shpjegon edhe shqetësimin e madh që ka ngjallur në Berlin dhe te shtetet e tjerë anëtarë të NATO-s vendimi i kohëve të fundit i Presidentit Donald Trump për të tërhequr 25,000 trupa amerikane nga Gjermania. Edhe pse shumica e europianëve të sotëm mund të mos duan ta pranojnë këtë varësi thuajse të plotë nga Amerika lidhur me sigurinë e tyre, është fakt, siç thekson me të drejtë Robert Kagan, se “stabiliteti i Europës edhe sot e kësaj dite mbështetet në garancinë se Shtetet e Bashkuara mund të ndërhyjnë në këtë kontinent për t’u siguruar se në të nuk ka ndonjë zhvillim të rrezikshëm. Në një botë të vërtetë multipolare, kjo do të ishte e pamundur pa rrezikuar një luftë botërore”.

 

Krisafi: Presidenti Franklin Roosevelt dhe gjeneralët e tij të famshëm, George Marshall, Dwight Eisnhower, Douglas MacArthur, Omar Bradley etj., i udhëhoqën Shtetet e Bashkuara me sukses në luftën kundër fuqive të Boshtit, në një mënyrë të tillë që, pas luftës, Amerika u bë fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake e globit. Qoftë edhe vetëm ky fakt do të mjaftonte për t’i siguruar presidentit Roosevelt një vend nderi në panteonin e njerëzve më të shquar të kombit amerikan. Presidenti Roosevelt vdiq vetëm një muaj para kapitullimit të Gjermanisë, dhe pesë muaj para kapitullimit të Japonisë. Ai vdiq, siç shprehet një historian amerikan, “pikërisht në kohën e duhur”, për të ruajtur reputacionin e tij si njëri prej presidentëve më të shquar të Shteteve të Bashkuara, por duke i lënë pasardhësit tij, Harry Truman—i cili kishte qenë zëvendëspresident vetëm për tre muaj kur mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, në prill të vitit 1945—një barrë të rëndë historike mbi supe.

 

Tarifa: Franklin Roosevelt kishte menduar—dhe ishte përgatitur—për një botë pas Luftës së Dytë Botërore, në të cilën bashkëpunimi mes katër Fuqive të Mëdha të kohës së luftës (“Big Four”)—Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe Kinës—do të mund të siguronte një epokë paqeje dhe prosperiteti për njerëzimin përmes zhvillimit të tregtisë së lirë. Sipas vizionit të tij, roli i Europës, por veçanërisht i Gjermanisë dhe i Francës, do të ishin shumë më të kufizuar pas Luftës së Dytë Botërore sesa para Luftës së Parë Botërore dhe sesa në periudhën midis dy luftrave. Sidoqoftë, edhe pse Presidenti Roosevelt parashikonte—dhe dëshironte—që Shtetet e Bashkuara të mbeteshin të angazhuara në çështjet e mëdha të globit pas luftës, ai nuk mundi ta parashikonte dot angazhimin e vërtetë politik, ekonomik, ushtarak e ideologjik të Amerikës në Europë dhe në botë pas luftës.

 

Krisafi: Dhe, në fakt, nuk kishte se si ta parashikonte se ç’do të vinte më pas. Duke besuar se Bashkimi Sovjetik, si fuqia që mbajti peshën më të madhe të luftës kundër Gjermanisë naziste, do të luante një rol esencial në periudhën e pas-luftës, Presidenti Roosevelt u përpoq të zhvillonte një marrëdhënie bashkëpunimi me Moskën. Në një mënyrë që sot mund të duket naive, ai shpresonte, siç ka shkruar sociologu amerikan Robert Nisbet, se mund të ndikonte për ta civilizuar dhe zbutur “bishën” sovjetike duke krijuar një marrëdhënie personale me Stalinin, në mënyrë që të siguronte bashkëpunimin e tij. Kjo edhe ishte arsyeja që, për të siguruar pjesëmarrjen e Moskës në Jaltë, në atë konferencë, Presidenti Rossevelt i bëri lëshime Stalinit. Duke mos dashur kthimin e Shteteve të Bashkuara në politikën izolacioniste të periudhës midis dy luftrave, ai besonte sinqerisht se një organizatë ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara, tek e cila ushqente shpresa të mëdha, do të shërbente që Amerika të vazhdonte të mbetej edhe në të ardhmen e angazhuar në problemet e mëdha të globit.

 

Tarifa: Kjo është e vërtetë. Madje, një shpresë dhe një besim i tillë idealist bënë që Presidenti Roosevelt të mos i vlerësonte realisht kushtet e reja të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore dhe të mos vepronte edhe kur Moska dhe Ushtria e Kuqe po e shtrinin kontrollin e tyre në pjesën më të madhe të Europës Lindore dhe Qendrore. Ndoshta në atë kohë ende nuk dihej se, qysh në vitin e fundit të Luftës së Dytë Botërore, midis pranverës së vitit 1944 dhe pranverës së vitit 1945, forcat sovjetike që hynë në Europën Qendrore dhe Lindore, deri në Beograd, në Vjenë dhe në Berlin, sollën me vete komunistë europiano lindorë në mërgim, të trajnuar në Moskë për të formuar bërthamat e regjimeve komunistë në vendet e tyre. Dhe pastaj dihet mirë se si komunistët morën fuqinë në të gjithë vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.

 

Krisafi: Këtë subjekt ju e keni trajtuar gjerësisht dhe mjaft qartë në studimin tuaj Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë. Unë do të shtoja se, pas vdekjes së Presidentit Roosevelt, Presidenti Truman “trashëgoi” një Europë dhe një botë tërësisht të shkatërruar nga lufta, që kishin nevojë të ngutshme për t’u rimëkëmbur dhe për t’u bërë pjesë e një rendi të ri ndërkombëtar. Mbi të gjitha, arkitektura e sistemit global që u krijua fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe me fillimin e Luftës së Ftohtë përfaqësonte, për herë të parë në historinë moderne, një sistem dypolar (bipolar). Struktura e sistemit të ri politik ndërkombëtar u konturua rreth dy “poleve”, ose dy superfuqive të vetme të kohës: Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik.

 

Tarifa: Ai sistem u strukturua dhe funksionoi si një sistem dypolar nga pikëpamja e potencialit ushtarak, e tipit të regjimit politik, e formës së sistemit ekonomik dhe e ideologjisë sunduese. Pas krijimit të NATO-s (në vitin 1949) dhe të Traktatit të Varshavës (në vitin 1955), ky sistem u identifikua me dy blloqe të mëdha politiko-ushtarake, çdonjëri prej të cilëve dominohej nga interesat, ideologjia dhe perceptimet e secilës superfuqi. Ky ishte një realitet i ri global, me të cilin duhej të përshtateshin dhe të akomodonin interesat e tyre jo vetëm të dyja superfuqitë, por edhe fuqitë e tjera të rangut të dytë e të tretë. Sot, kur ky sistem dypolar nuk ekziston më, është relativisht e lehtë të flasësh për të dhe ta analizosh atë por, në kohën kur ai krijua dhe kur fatet e globit vareshin në një balancë shumë delikate, bashkekzistenca paqësore midis dy poleve armiqësorë të globit dhe ruajtja e paqes dhe e sigurisë globale duhet të kenë qenë një punë shumë e vështirë. Dean Acheson, në kujtimet e tij nga periudha (1949-1953), kur ai shërbeu si Sekretar i Shtetit në administratën e Presidentit Truman, shkruan se “vetëm gradualisht ne filluam të kuptojmë se e gjithë struktura e botës dhe i gjithë rendi botëror që kishim trashëguar nga shekulli i 19-të nuk ekzistonin më, dhe se përpjekja për t’i zëvendësuar ato do të drejtohej nga dy qendra pushteti tërësisht kundërshtare me njëra-tjetrës dhe ideologjikisht të papajtueshme”.

 

Krisafi: Ndoshta nuk është e nevojshme të trajtojmë këtu rivalitetin sovjeto-amerikan në fushën ekonomike e ushtarake, por dëshiroj të theksoj se, edhe pse askush nuk e vë në dyshim natyrën dypolare të sistemit global gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, dy polet e tij—Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik—nuk ishin asnjëherë të barazvlefshëm mes tyre. Madje, duke vështruar në retrospektivë, sot mund të habitemi se si Bashkimi Sovjetik mundi të mbetej një superfuqi, krahas Shteteve të Bashkuara, për një kohë kaq të gjatë. Kjo, sidoqoftë, nuk do të thotë në asnjë mënyrë se kërcënimi sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë nuk ishte real dhe serioz.

 

Tarifa: Ajo që ka rëndësi të vihet në dukje—dhe unë besoj se ju jeni tërësisht i një mendjeje me mua—është se presidentët amerikanë Franklin Roosevelt dhe Harry Truman mblodhën rreth vetes një gjeneratë të jashtëzakonshme politikanësh, si Cordel Hull, George Marshall, Dean Acheson, George Kennan, Paul Nitze, Paul Hoffman e të tjerë, të cilët, me mbështetjen e të dy krahëve të politikës amerikane, iniciuan krijimin e një vargu institucionesh globale shumë të rëndësishëm, pa të cilët, askush nuk mund ta dijë se ç’drejtim do të kishte marë bota pas Luftës së Dytë Botërore. Në librin tim Fati i një shekulli (2010) kam argumentuar se, me krijimin e këtyre institucioneve dhe të klimës së re politike e të marrëdhënieve ekonomike që mundësuan ato, në fakt, mund të thuhet se u krijua vetë Perëndimi, apo koncepti që kemi ne sot për të, si një makinë ekonomike globale që bashkoi pasuritë, tregjet dhe kreativitetet e Amerikës së Veriut, të Europës Perëndimore, të Australisë e të Japonisë.

 

Krisafi: Jam tërësisht dakord me ju. Kjo klasë e shkëlqyer politikanësh amerikanë, (në bashkëpunim edhe me disa personalitete nga vende të tjerë), krijoi Organizatën e Kombeve të Bashkuara (United Nations) në vitin 1945, për të zëvendësuar Lidhjen e Kombeve (League of Nations) dhe për të vendosur një rend të ri ndërkombëtar; Fondin Monetar Ndërkombëtar (International Monetary Fund—IMF) në vitin 1945, për të krijuar stabilitet ekonomik në shkallë globale; Bankën Botërore (World Bank) po në vitin 1945, për të mundësuar zhvillimin global ekonomik dhe shoqëror; Marrëveshjen e Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë (General Agreement on Tariffs and Trade—GATT) në vitin 1947—sot Organizata Botërore e Tregtisë (World Trade Organization)—për të ndihmuar zgjerimin e tregtisë botërore; si dhe Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (North Atlantic Treaty Organization—NATO) në vitin 1949, si një organizatë politiko-ushtarake, me një strukturë ushtarake të integruar, nën komandën supreme të Shteteve të Bashkuara, për të ruajtur e forcuar sigurinë kolektive në të dy anët e Atlantikut.

 

Tarifa: Arkitektura globale e krijuar nga ky sistem institucionesh ndërkombëtare vazhdon të jetë e qëndrueshme edhe sot, në dekadat e para të shekullit të 21-të dhe nuk gabojmë nëse themi se sot, ne jetojmë në një botë, të cilën amerikanët e përfytyruan dhe e krijuan si “të ardhmen” e tyre dhe që ne e quajmë globalizëm.

July 31, 2020 10:15
Komento

8 Komente

  1. Drenova July 31, 11:06

    Ne faqen e pare te DITA per sot jane 7 artikuj per historine e kaluar te botes dhe tonen,por asnje shkrim per poshterimin qe politika shqiptare dhe ajo nderkombetare po i ben popullit shqiptar,duke mos e pyetur fare se cfare mendimesh kane per te ardhmen e tyre!
    STAMBOLLI DIGJET DHE KURVA KRIHET!

    Reply to this comment
  2. popull July 31, 11:41

    Z. Tarifa, ndryshe nga ju, une mendoj se Amerikes i eshte liruar llastiku i brekeve dhe pak nga pak do ta shikojme me breke neper kembe.

    Me vjen keq, z. Krisafi qe thoni se pas L2B paqen dhe sigurine ne bote i kercenonte Bashkimi Sovjetik. Mendoj se eshte e kunderta.

    Do deshironim qe ju dy profesore t’i benit nje analize politikes amerikane ndaj Shqiperise sidomos keto 30 vjetet e fundit se, me thene te drejten, nuk po shikojme fare drite ne fund te tunelit.

    Reply to this comment
  3. Katiu July 31, 12:15

    Po , Drenova , Stambolli digjet e kurvat krihen !
    Nuk kam lexuar asnjë rresht nga bisedat e këtyre dy llafazanëve – Tarifa e Krisafi .
    Janë intelektualët tipikë të kohës sonë – të tredhur e debilë .
    Mendojnë se na mahnitën me erudicionin e tyre në një temë bajate jashtë halleve të Shqipërisë . Hallet e Shqipërisë janë patate e nxehët për këtë lloj intelektualësh që Lenini i quante , jo truri i kombit , por , muti i kombit ( tekstualisht kështu ) .
    Pse ne kemi lntelektualë të tillë , prandajë jemi këtu ku jemi !

    Reply to this comment
  4. Claus July 31, 12:38

    Keta sikur jane mbledhur te “Rrapi ne Mashkullore” dhe llomotitin gjera qe jo vetem nuk jane aktuale, por as qe i lexon njeri..
    Une jo e jo.

    Duket qe ora e tyre ka mbetur tek koha sikur te kendohej kenga “burrat nen hije lozin dhe llafosin”.

    Ai vend sot eshte bere si thertore gjigande duke therur dele dhe desher duke u falur qe me nate ne ato xhamite e Erdoganit, keta merren me Churchiller dhe Staliner!

    Nuk ke c`te besh kur ke mbetur ne mes te Europes si enklave turke sot dhe kesaj dite, ndersa keta merren me gjera qe ne Shqiperi as qe nuk kane kaluar ndonjehere.

    Me duken si anetare te Klubit te Selanikut!

    Reply to this comment
  5. ILIRO-OSMAN July 31, 13:04

    Amerika nuk ka pasur dhe nuk ka pozit dominuese. Amerika eshte INFILTRUAR. A egziston Amerika qysh prej 1913 ?

    Reply to this comment
  6. kur u bene dhe turqit "hileqar", qe betohen ne..allah se s'bejne ..."Harram"?!?... August 1, 13:47

    bo bo bo . cfar problemi . futja kote . ngelen profesoret e “nderuar” (te lartepermendur) dhe publiku, “gjithe sy e vesh”, per te “mesuar” gjera, qe dihen e sterdihen, vetem e vetem te rreken te …lexojne e sterlexojne . si…ne nje nga filmat turq me permbajtje “sociale”, qe po na bene te..”qajme” . vriten gocat e shkreta me plumb barkut ne gjume dhe prap “sherohen” per te vazhduar fimin, qe s’mbaron kurre . ndersa egersia e vrasesve qe bejne krime te atilla, do cudiste dhe te..vdekurit .

    Reply to this comment
  7. Epiriot me Zemer e Shpirt August 2, 12:43

    amelika mbaroi, aq e pati.
    Europa u ngrit per te shporrur kolonialistet amelikane.
    Dhe ja arriti qellimit.
    Vetem zezakeria maloke skllever te lindur, e perkrah ameliken.
    Amelika ka 70+ ,vjet qe kryen genocid kunder popullit dhe shtetit shqiptar.
    Ambassadorja amelikane shkel hapur perdite kushtetuten e shtetit Shqiptar.
    Nderhyrje e hapur e punet e brendeshme te popullit Shqiptar.
    30 vjet qe mban Shqiperine peng,duke mos e lejuar te futet ne Europe.
    Evropa po clirohet nga barbaret mongolo amerikane.
    Mbas dhe Shqiperia.
    Kelyshet e amelikes ne Europe dhe Shqiperi do te persekutohen njejte si kelyshet e fashisteve dikur.
    Kelysha te amelikes ,Ktheni mendje sa nuk eshte vone.
    Mos paguani faturat e demeve amelikane.

    Reply to this comment
  8. ED TIRONCI August 3, 12:15

    o profesore te nderuar…lufta e dyte boterore e beri ameriken supershtet…covid19 qe eshte e treta lufte boterore do beje kinen supershtet…kinezet e prodhuan virusin ..e shperndane per hegjemonine e tyre…historia dihet eshte shkence ekzakte si matematika…por eshte histori..dmth e kaluar…e ardhmja eshte e kines..ate qe beri amerika me bomba para 70 vjetesh…po e ben kina sot me covid19…kini ndershmerine intelektuale te pranoni luften e 3 boterore…dhe lereni te dyten..ajo eshte thjesht fakt historik..dhe arkeologjik.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim