Rama, ministresha e Shëndetësisë dhe dialogu që duhet të vijojë

May 8, 2019 16:00

Rama, ministresha e Shëndetësisë dhe dialogu që duhet të vijojë

Nga Pajtim Lutaj

Prej shumë vitesh, Kryeministri i shtetit  shqiptar sillet, ëndërron, trumbeton dhe flet alla frënga, por produkti, fakti, realiteti tregojnë se ai është ulur këmbëkryq në një tepsi të madhe alla turka që duket se e ka verbuar, se, duke kënduar këngën e Legen-Kazan-Tepsisë, ka harruar punët e Shqipërisë.

Kjo sjellje i është induktuar shoqërisë sonë, e cila, edhe pse me shumicë është transformuar realisht në alla frënga, sepse emigron, punon, aspiron dhe dashuron Europën, në realitet po i nënshtrohet diktatit të drejtuesve të paaftë dhe të një  administrate politike primitive.

Përqasja anadollake e braktisur edhe nga vetë Turqia, fatkeqësisht është përqafuar nga politika dhe administrata shqiptare vetëm për t’ju kacavjerrë pushtetit.

Kjo kulturë, ky mentalitet shprehet në çdo veprim të Kryeministrit, i cili të tjera thotë dhe të tjera bën. Për përzgjedhjen e profesorëve që do të drejtojnë mjekësinë shqiptare dhe do të përgatisin mjekët e rinj për të ardhmen, ai ngriti një komision me ekonomiste-juriste-sekretare dhe jo me akademikë, profesorë, mjekë. Ky komision bedelësh vlerësoi doktorët më shumë se profesorët se kështu ka bërë edhe kryeministri: Doktoreshën ka Ministre dhe Profesoreshën zv/Ministre! Dhe pyetja vjen vetiu: Përse K/Ministri nuk veproi si në rastin e përzgjedhjes se arkitektëve për vepra të veçanta, të përzgjedhjes se dirigjentes së orkestrës RTSH?

Amullia dhe indiferenca deri në përbuzje e Ministrave, por edhe e Kryeministrit, kundrejt vërejtjeve që i bëhen nga intelektualë, profesionistë, specialistë të fushave përkatëse, tregon se ata as duan ta zhvillojnë këtë vend dhe as duan ta çojnë në Europë.

Mishërim i kësaj politike anadollake janë Universiteti Mjekësor i Tiranës (UMT) dhe Qendra Spitalo-Universitare e Tiranës (QSUT), dy institucione publike kult, me traditë e histori, që po shuhen gradualisht nga partitizmi i kriminalizuar, nga politikat klienteliste, nga paaftësia monumentale dhe nga korrupsioni kapilar. “Rilindja” e këtyre dy institucioneve, që u mori mendjen shumicës prej nesh, rezultoi një fiasko aq sa rezultati përfundimtar mund të krahasohet vetëm me rezultatin e kongresit të vazhdimësisë.

Për sqarim publik, UMT-ja , FM dhe QSUT-ja janë identitete të pandashme. Spitali merr dije nga Universiteti dhe Universiteti merr frymë nga Spitali.

Duke konsideruar se Kryeministri u bashkua “sinqerisht” me protestat e studentëve, më rezulton se shuplaka e studentëve të mjekësisë nuk i ka bërë efektin e duhur, prandaj unë, si protestues à vie që jam formuar në vendin e Revolucionit Francez dhe edukuar me thënien e Viktor Hygoit “Sikur edhe një protestues i vetëm të ngelet, ai do të jem unë!”,  i kërkoj Kryeministrit  të vazhdojë dialogun  për ndryshimin e madh, t’i analizojë drejt problemet e ngritura nga profesionistët.

Studentët e UMT-së qenë përfaqësia më dinjitoze e masës studentore shqiptare dhe kërkesa bazë e tyre qe: Më shumë dije për më shumë formim.  Problemet thelbësore në UMT dhe në QSUT, të ngritura nga kjo protestë, me e kulluara e kohërave, Kryeministri i anashkaloi tinëzisht.

Studentët e UMT u organizuan shumë mirë, krijuan përfaqësinë e vet me 120 student (dy për çdo grup) të gatshëm të dialogonin, por u mashtruan nga hienat parti, të cilat aktivizuan paraushtarakët e tyre, kamikazët, të paaftët, ngelësit, të fortët, ata që shesin e blejnë notat, diplomat, titujt, duke e shuar shpresën e protestës.

Dinjitoz në fundin e protestave ata rifilluan mësimin për sezonin e provimeve, për të mos humbur vitin akademik me mendimin e trishtë: «Profesor në këtë vend nuk të dëgjon njeri, nuk të vlerëson njeri, nuk duan dijen, nuk duan progresin, ne do futemi në provime për të marrë diplomën dhe do ikim në Europë »

Duke iu drejtuar Kryeministrit, dua ta pyes: Përse nuk rishikoni nenet e Ligjit të Arsimit të Lartë nr 80 të vitit 2015, që përkeqësuan gjendjen  e Arsimit Universitar dhe pengojnë formimin e studentëve dhe mjekëve të rinj? Njëri prej atyre është  neni 45. Në cilin universitet të botës gjeni të formuluar pohime të tilla si “titulli më i ulët drejton titullin më të lartë”?

Përse nuk u zbatua orientimi i Komisionit Europian « Drejtues në Universitete dhe klinika universitare zgjidhet titulli më i lartë »? Ky nen qe shkak i dekadencës universitare, sepse  prishi hierarkinë mjeko-shkencore dhe uli shumë cilësinë e shërbimit mjekësor dhe arsimor, uli shumë nivelin e përfaqësimit në nivel ndërkombëtar,uli nivelin e shërbimit ndaj pacientit dhe i hoqi Qendrës Spitalore  “U”-në!

Përse nuk rishikoni titujt shkencorë të funksionarëve shtetërorë dhe të titullarëve universitarë?  Si mund të pranohet që drejtorë apo ministra të marrin tituj pa shkollë doktorature duke bërë trafik influence? Ku e keni parë që doktori me diplomë nga Universiteti i Mjekësisë të marrë Gradë e Titull nga shkolla e infermierisë? Ku e keni parë që në komisionet për titujt të mos ketë profesionistë të fushës? Ju po harxhoni kohë e energji për plagjiaturat, duke bërë sikur kërkoni gjilpërën në kashtë ndërkohë që doktor gjilpërën e keni në strukturat drejtuese. Meqë e pëlqeni Vettingun,do t’ju këshilloja ta lini Vettingun e punëtorëve dhe të bëni Vettingun e tutorëve!

Përzgjedhja e Shefave të Shërbimit në QSUT konfirmoi politikat klienteliste antieuropiane. Konkursi që u shpall në shtator 2018 dhe që s’ka mbaruar as sot drejtohej nga Ministria e Shëndetësisë, e cila krijoi një komision me anëtarë që nuk kishin aftësitë e nevojshme për nivelin e kësaj gare dhe që ishin të panjohur nga trupa konkurruese. Komisioni ka bërë një pakt të pistë me shkrim, që rezultatet analitike të çdo komisioneri të mos bëhen publike. Gjashtë muaj iu deshën ufo-komisionit të jepte verdiktin gjysmagjel të deformuar, sipas të cilit për 8% të shërbimeve nuk u gjetën kandidatë, për 50% të tyre pati kandidatë unikë, pra nuk pati garë, ndërsa në 20 shërbime ku pati garë 40% u kundërshtuan, kurse 2 kandidatë ishin jashtë kritereve.

Katër muaj që profesorët e UMT i shkruajnë kryeministrit, ministrave dhe komisionit famëkeq, shumë denoncime në portalin që rekomandon K/ministri orë e çast por as një përgjigje, heshtje varri, kur rrjetet sociale gumëzhijnë nga përgjigjet që kryeministri u jep atyre që e shajnë apo e ofendojnë. Harxhon kohë K/ministri me reklama fasadike, me fjalime bombastike se do vazhdojë të dëgjojë njerëzit, do vazhdojë të punojë për njerëzit, do vazhdojë të qeverisë… Po pse këta profesore/ë që po përçmohen nga ministrja e Tij, që po injorohen nëpër seanca gjyqësore të turpshme nuk janë njerëz? Këta student/e, mjek/e që dalin të pa përgatitur nuk janë njerëz? Këta pacient që sorollaten, nuk mjekohen në kohë, nuk kurohen si duhet… nuk janë njerëz?

Përse nuk pranoni të bëhet transparenca? Dihet që në çdo konkurrim ka rregulla për barazinë në garë dhe për paanshmërinë në vlerësim, ndërsa komisioni juaj as i njeh, as i zbaton parimet bazë të garës, ministresha ulërin se ka zbatuar ligjin dhe fsheh rezultatin dhe as tronditet fare kur komisionierja e saj i konfirmon se: «secili komisionier ka bërë vlerësim por ne kemi firmosur që këto vlerësime të mos bëhen publike».

Atëherë kush e garanton ndershmërinë, barazinë dhe meritokracinë në garë, kush na siguron se komisionerët nuk manipulojnë, nuk korruptohen? Komunikimi i rezultateve analitike deri edhe përsëritja e garës janë detyrim ligjor nëse kërkohet nga kandidati. Ne, pedagogët, e përsëritim garën, e rishikojmë vlerësimin sa herë ta kërkojë studenti. Nëse ju nuk e bëni këtë, lind pyetja: Mos vallë ky komision ka zëvendësuar Gjykatën Kushtetuese që mungon apo keni ngatërruar komisionin e përzgjedhjes së profesorëve me komisionet e numërimit të votave?

Nuk duhet humbur kohë dhe energji për ta mbuluar diellin me shoshë, duke promovuar të paaftët apo duke trembur ankimuesit dhe denoncuesit e marrëzive të ufo-komisionit tuaj, ky proces duhet korrigjuar urgjentisht sepse Europa nuk e pranon.

UMT-ja dhe QSUT-ja: Në kundërshtim me praktikat Europiane, ku Universitet bashkohen, UMT u nda nga UT për qëllime klienteliste, u la 3 vite  ne kaos total pa zgjedhje, u deformua nga zgjedhjet e fundit të cilat prodhuan një senat «steril », i pa aftë të prodhojë asnjë organizëm vartës. Si është e mundur që ju ta quani normalitet mos konstituimin e komisioneve të senatit tre vjet pas zgjedhjeve? Çfarë do të bëhej me një parlament pa komisione? Po ata bordistët profesionistë çfarë bëjnë?

Dypërkatësia është në rrezik, ndarja e administratës nga profesionistët ka demotivuar trupën mjekësore, bashkëpunimi UMT-QSUT nga sinergjist është kthyer në antagonist, hierarkia nuk njihet, politika e personelit është partiake, programet të deformuara, ku mësimi bëhet nga pedagogë të jashtëm se ata të brendshmit marrin rrogat…

Ku është parë që studentët e ciklit të tretë të studimeve mjekësore (specializantët) të diplomohen pa bërë asnjë orë mësim, pa bërë asnjë provim? Ku është parë që 50% e mjekëve të rinj mezi presin të mbarojnë studimet për të ikur jashtë? E ndërsa këta tregues janë shumë shqetësues për të ardhmen e vendit pushteti në vend që të analizoje shkaqet e shkretëtirës mjekësore në vend, ndez motorin ERTV për të shushatur shqiptarët me imazhe në 3D e grafiqe keqinformuese duke u krahasuar me periudhën e rrënimit; publikon dhe komenton me zell tabelën e emigrimit të mjekëve, ku Shqipëria krahasohet me Finlandën, Gjemaninë, Anglinë.

Po mirë moj ERTV, a e dini ju se ka një rregull në vendet e zhvilluara që profesionet e Juristit dhe Mjekut nuk emigrojnë por lëvizin lirisht në botën e lirë që JU politika nuk ua keni siguruar shqiptarëve.

Në QSUT, me gjithë  investimet pa kritere në ndërtime dhe aparatura shërbimi ndaj pacientit, formimi i mjekëve të rinj lë shumë për të dëshiruar. Më gjeni një QSU në botë si kjo e jona? Ku bëhen të gjitha përveç mjekësisë, ku nuk ka sistem informatizimi, ku ka kompjutera por nuk ka programe, ku nuk ekziston sistemi i planifikimit, ku shërbimet funksionojnë me urdhra dhe jo me protokolle,  ku shërbimi parësor, dytësor dhe terciar nuk lidhen fare me njëri- tjetrin,  ku pacienti më shumë sorollatet se sa kurohet, ku 90% e referimeve janë të pavlefshme,  ku nepotizmi, sekserët dhe vullnetarët kanë krijuar partinë e tyre të paaftësisë dhe drejtojnë ministren e Shëndetësisë, ku pseudo konferencat shkencore i organizon sponsorizuesi, ku institucioni i profesorit është fshirë nga administrata arrogante, ku menaxherët menaxhojnë doktorin dhe jo pacientin, ku administratori bën brigadierin dhe jo organizatorin, ku ekonomisti bën inventarë dhe jo llogari, ku recepsionisti bën shpërndarje dhe jo planifikime, ku harxhohen shuma marramendëse për rezultate minimale, ku mungojnë hallka të tëra shërbimesh… ku i pa zoti i bënë të gjitha dhe i pa dituri bënë sikur i di të gjitha.

Të tëra këto më duket se mjaftojë për të arritur në përfundimin e dhimbshëm se në QSUT nuk bëhet mjekësi, nuk jepet formim e as edukim, se po të flasësh për hierarki mjeko-shkencore, organizim europian, stafe, konferenca, kongrese, eksperimente apo kërkime shkencore, shpallesh në mos armik, të paktën i panevojshëm për institucionin!

Po e mbyll këtë shkrim me një thënie të Marguerit DURAS: «Écrire, c’est hurler sans bruit  = Të shkruash do të thotë të ulërasësh pa zhurmë »

*****

Autori është profesor i UMT & QSUT / Diplomë Oftalmologji Paris 6 Francë / Ish Shef Shërbimi & Departamenti QSUT / Ish-Intern, Attashé, Asistent i Spitaleve të Parisit. 

Botuar sot në Dita. Ndalohet ribotimi i pjesshëm ose i plotë pa lejen me shkrim të redaksisë

 

 

May 8, 2019 16:00