Dialogu Kosovë-Serbi, Veseli: Kërkojmë një vend në OKB

May 28, 2018 12:34

Dialogu Kosovë-Serbi, Veseli: Kërkojmë një vend në OKB

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëkohësisht dhe kryetar i PDK, ka folur në edicionin e lajmeve në Top Channel rreth krijimit të konsensusit politik midis Kosovës dhe Serbisë.

Vesili është shprehur se Kosova duhet ta mbyllë njëherë e mirë kapitullin me Serbinë, pasi i duhet kushtuar rëndësi perspektivës dhe gjeneratave të së ardhmes.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kosova synon ulëse në organizatat e Kombeve të Bashkuara, anëtarësime në organizata të tjera ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë jo cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial, më lejoni të theksoj, edhe institucional. Këto janë prioritete, të cilat ne si lidership i Kosovës, lidership institucional kemi mandatin politik, këtë drejtim do ta mbajmë fuqishëm. Në të njëjtën kohë pres nga qytetarët që të kemi përkrahje. Kosova përfundimisht duhet ta përfundojë kapitullin me Serbinë. Problemet që i kemi pasur në të kaluarën, gjenerata jonë duhet t’i përfundojë, në mënyrë që t’i japë perspektivë vendit dhe gjeneratave që vijnë, në shtetin tonë sovran dhe të pavarur”, ka thënë Veseli.

I pyetur se çfarë mendon ai se mund të pritet nga Serbia dhe nëse Kosova është e gatshme të bëjë lëshime të reja, Veseli është shprehur:

“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në progres, po flas për liritë dhe të drejtat e komuniteteve. Jemi i vetmi vend që u japim të drejta maksimale një përqindjeje shumë të vogël komunitetesh të cilat janë jo-shqiptare, jo vetëm komunitetit serb por përfshirë edhe atë, ne do të punojmë edhe më tutje. Nuk është çështje që na dekurajon kjo pjesë. Por ajo që është kryesore: sovraniteti, integriteti territorial dhe institucional i shtetit tonë të pavarur dhe sovran është i shenjtë. Në të njëjtën kohë kemi garancinë nga partnerët tanë ndërkombëtarë se në procesin e finalizimit të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë nuk do të cenohen këto parime, të cilat i kemi ngritur edhe bashkarisht.”

Ai ka thënë se Kosova e pret rekomandimin pozitiv, për arsye se të gjitha kushtet të cilat kanë qenë të vëna për Kosovën janë plotësuar.

“Unë, tani nga fillimi i qershorit, do të kem një tur të vizitave në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian, duke filluar nga Brukseli. Përkatësisht në këto vende të cilat specifikisht kanë një rol, por mund të jenë edhe pengesë në procesin e liberalizimit të vizave. Ne e meritojmë liberalizimin e vizave dhe në të njëjtën kohë unë e besoj shumë se skepticizmi i cili është brenda BE nuk duhet kurrsesi ta ndëshkojë qytetarinë e Kosovës”, ka shtuar së thënuri ai.

I pyetur për zgjedhjet e parakohshme të paralajmëruara nga opozita, Veseli tha:

“Nuk e konsideroj as të sinqertë dhe as serioze kërkesën e opozitës për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, përkundrazi e shoh më tepër një frikë nga zgjedhjet e parakohshme, dhe në të njëjtën kohë një konsumim për të pasur një axhendë, kur s’ka axhendë më të mençur.”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës e ka cilësuar si sfidë reale përfundimin e dialogut me Serbinë, e cila pritet të nisë në qershor.

s.a/dita

May 28, 2018 12:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*