Dilaver Radëshi iku si rebel dhe u kthye me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”

July 15, 2018 13:03

Dilaver Radëshi iku si rebel dhe u kthye me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”

 

Nga Bashkim Koçi

Qëkurse jam njohur me historitë rrëqethëse të luftëtarit të Luftës së Dytë Botërore, Dilaver Radëshit, ai njeri në mendjen dhe ndërgjegjen time më është shfaqur me portretin e legjendarit, si një personazh i çuditshëm i cili guxoi të thoshte të vërtetën ballë për ballë rrezikut që i kërcënonte jetën. Për aq sa kam mësuar të di rreth jetës së tij si luftëtar, si studiues dhe orator ushtarak, nuk është e mjaftë të thuhet se ai është një hero, që siç thoshte Julius Fuçik, “në çastin vendimtar bën atë që duhet bërë për interesat e shoqërisë njerëzore”.

Dilaver Radëshi (Sulçe) është lindur në qershor të vitit 1922 në fshatin Radësh të Skraparit, emri i të cilit do t’i bashkangjitej si mbiemër për shkak të cilësive të tij të rralla, si njeri i drejtë e i guximshëm.

Prova e parë e guximit jepet në rreziqet që njeriut i dalin përpara. Sigurisht termi guxim është një fjalë goje dhe, siç thuhet në kësi rastesh “nga e thëna në të bërë është një det i tërë”. Por për Dilaver Radëshin nuk kishte as mal e as det që ta ndante mendimin nga veprimi. Ai ishte shumë konkret, njeri që nuk mendohej gjatë për të ndërmarrë vendimin e duhur. Dhe këtë mendje ai e paskësh patur që kur ishte kërthi, pa mbushur ende 10 vjeç. Është si një veprim paksa i pabesueshëm, si diçka që futet tek bëmat e sajuara, por meqë bashkëkohësit e tij e kanë shkruar dhe treguar si të vërtetë, edhe mua, shkruesit të këtyre rradhëve, më mjafton ky “autorizim”. Dilaveri kur vinte në shkollën fillore, aty në Radësh, shkonte i armatosur. Nuk po e vendos në thonjëza fjalën armatosur sepse ky veprim i tij është shumë i vërtetë. Ai mbante në brez jataganin e gjysh Hysenit të famshëm, të “Hysenit me pallë”, siç njihej tej e tej krahinës së Skraparit. Është fare e lehtë të kuptohet e të merret vesh se ishte më i madh jatagani se vet ai.

Dilaver Radëshi qysh në vogëli paska shfaqur guxim. Por, edhe siç thuhet e dihet, guximi ka një magji të brendshme, të padukshme, diçka hyjnore që e ka emrin fuqi. Dhe pastaj fuqia i bën të gjitha, të trimëron, të bën të jesh dikush me atë që ke përballë. E solla këtë dhunti të Dilaver Radëshit për të arsyetuar përse ky njeri arriti të ndërmerrte lëvizje e veprime që do ta çonin tek ëndrra e tij e vërtetë, të radhitej tek ajka e rinisë shqiptare, e cila po merte në dorë fatet e atdheut. Në vitin 1939, atëherë kur vendi u pushtua nga fashistët italianë, pushtuesit rekrutuan shumë të rinj shqiptarë, duke i futur në garnizonet e famshme të “balilëve”. Aty, kur iu kërkua të mohonte flamurin e vendit të tij, atë me dy krerë të shqiponjës, iu shfaq portreti i mësuesit në shkollën fillore të fshatit, e patriotit Nure Dobrusha. Në vitet që rrodhën më pas, ata të kohës së luftës, mësues Nuren do ta kishte bashkëluftëtar, por fjalët e tij, këngën për flamurin, nuk do ta harronte kurrë, gjë që u bë shkak për të dezertuar nga ushtria dhe të shkonte në Skrapar për t’ju bërë pjesë e luftëtarëve të Çetës Plakë. Çuditërisht, kur binte fjala për çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazifashistë, partizani i ri, me shumë pak përvojë si luftëtar, udhëhiqej nga mendimi se për të realizuar gjëra të mëdha nuk duhet menduar shumë, ngaqë frika për t’u ndërgjegjësuar të sjell dhe të shuan zjarrin e guximit. Dilaver Radëshi nuk e peshonte rrezikun, nuk donte t’ja dinte për të, ishte kokëkrisur dhe i çartur.

Në luftë e sipër, edhe pse shumë i ri në moshë, Dilaver Radëshi bënte plane si të ishte një burrë i urtë dhe i pjekur. Burri i vërtetë, u thoshte ai bashkëluftëtarëve, duhet të guxojnë e të arrijë atë që i ka hije një burri. Nuk kaloi shumë kohë dhe, sapo u krijua Brigada e I-rë Sulmuese, më 15 gusht të vitit 1943 në Vithkuq të Korçës, luftëtari nga Radëshi i Skraparit do të gjendej në radhët e saj si partizan i thjeshtë, por me mendimin për t’u bërë një ndër luftëtarët më të guximshëm të këtij formacioni partizan, legjendës së Luftës Nacionalçlirimtare.

Në luftë jeta është e rrezikuar, pra edhe mund të vritesh. E, luftëtari për të cilin po shkruajmë këto radhë, kishte shkuar me mendjen top se edhe mund të vritej. Pra partizani Dilaver Radëshi nuk ishte nga ata që të zvarritej me bark për të shpëtuar kokën. Përkundrazi, ai qëndronte në këmbë, pa ia bërë syri tërr, pa patur frikë nga ndonjë plumb i mundshëm që do ta rrëzonte përtokë. Nga luftimet që zhvilloi Brigada e I-rë Sulmuese Dilaver Radëshi u plagos plot katër herë.

Ishte e vështirë, në mos e pamundur, të trembej zemra e panjollosur e këtij trimi të pashoq. Kur i rikthehemi figurës së tij për ta bërë të njohur vlerat si njeri e patriot, na dalin disa emra të tjerë të mirënjohur për sakrificat që bënë sa ishin gjallë në shërbim të vendit, të atdheut. Dhe si padashje na vjen ndërmend fjala e urtë “trimi i mirë me shokë shumë”. Në brigadën e I-rë Sulmuese Dilaver Radëshi e nisi si partizan i thjeshtë i skuadrës së sulmit. Detyrë luftarake shumë e rëndësishme dhe e vështirë. Apo jo? Po e merrni me mend se cili ishte komandanti i kësaj skuadre të sulmit? Ai ishte “Heroi i Popullit” Hekuran Pobrati. Ja, këta trima e burra të guximshëm kishte në krah Dilaver Radëshi. Bëhu trim, i paskësh thënë në një ditë sulmi Hekuran Pobrati Dilaverit, që të mund të nderohesh e respektohesh nga trimat.

Guximi duhet të rrjedhë nga arsyeja dhe jo nga zemërimi që s’pyet për asgjë. Dilaveri, apo Dilua, siç e thërrisnin shokët, ishte nga ata luftëtarë që për çka merrte vendim ish shumë i sigurt për drejtësinë e tij. Ai nuk fliste kurrë me zë të ulët, ndërsa akti që do të merrej kërkonte vetëm zë të lartë, zërin e arsyes së vërtetë. Në luftimet që zhvilloi Brigada e I-rë Sulmuese në krahinën e Mallakastrës si në Ballsh, Patos, Symizë, Gllavë etj. Vëmë re se Dilaver Radëshi ka treguar kujdes, të mbajë shënime, të mbajë edhe ditar, e që disa kanë mbetur e na vijnë ashtu si i ka shkruar dora e tij nën krismat e armëve të pushtuesit. “Më 10 Djetor të ’43 më thërret Mehmet Shehu, shkruan ai në ditar, dhe më jep detyrë të ndaloj në prapavijën e armikut, për të mbledhur informata rreth tij bashkë me Qemal Kalenjën, Ibrahim Zoton e Axhem Abazin. Armiku ndodhej kudo dhe kishte filluar terrori. Ishin pushkatuar 11 këshilltarët e Hekalit. Këtu, në një bazë, takuam edhe Bilbil Klosin. Me ne erdhi dhe një fshatar, Dino Drizari, njeri shumë guximtar.”

Ky trim i pazakontë e tregoi më se një herë që meritonte të ishte dikushi në një formacion partisan, siç ishte Brigada e I-rë Sulmuese. Deviza e tij prej luftëtari ishte: Nëse shkoj përpara, më ndiq, nëse vdes, më merr hakun, nëse tërhiqem, më vra. Duke e parë e ndjekur hap pas hapi luftëtarin skraparas komandanti i brigadës, Mehmet Shehu, kur mbritën në Skrapar, në fshatin Vërzhezhë në shkurt të vitit 1944, e ngarkoi me detyrën e zv/komandantit të Batalionit të Dytë. Ishte vetëm 22 vjeç.

Për këtë trim, i cili ishte pjesë e komandës të formacionit më të lavdishëm të luftës Nacionalçlirimtare, siç ishte Brigada e I-rë Sulmuese, duhej më shumë guxim për t’u tërhequr sesa për t’u hedhur në sulm. Nuk kishte bërë vaki të tërhiqej nga fronti sulmues, apo të jepte shenjë dëshpërimi kur trupin ia goditën plumbat, Dilaver Radëshi. Jo, nuk kishhte ndodhur anjëherë. Në një dyluftim të ashpër ai u plagos rëndë nga dy plumba që e morën në supin e djathtë. Si kishte reaguar pas dhimbjeve të forta dhe kur shikonte sesi i rrithte gjaku nëpër trup? Kur kishte parë se aty pranë, vetëm pak metra larg tij, u shtri i pajetë shoku i tij, miku me të cilin kishin qarë hallet nga më të ndryshme, për veten dhe për familjen , nuk e kishte bërë veten, nuk e kishte thyer zemrën. Vrasja e Jovan Gjikës nga Pleshishti i Mokrës, të cilit pas çlirimit iu dha titulli “Dëshmor i Atdheut”, e kishte bërë më të përgjegjshëm për detyrën në krye të Batalionit. Në librin e tij “Inkursioni i Brigadës së Parë Sulmuese”, botuar në vitin 1963, Dilaveri ka shkruar gjatë, ka përshkruar në detaj veprimet luftarake të Brigadës së I-rë, por mu dukën të veçanta dy-tre rradhë ku lexuesit pa dashje i krijohet ndjesia sikur edhe ai të jetë në luftë, krah partizanëve. “Lufta filloi. Terreni ishte i thyer, mali i mbuluar me dëborë. Sulmoheshim nga armiku nga poshtë lart.” Vetëm me tre rrjeshta ai ta jep të plotë e krejt të qartë mjedisin dhe rrethanat që zhvillohej lufta. Dhe prapa këtyre radhëve na çfaqet vendosmëria, besimi, guximi për të mposhtur e dalë fitimtar mbi të padrejtën.

Heroi është njeri si gjithë të tjerët. Ai qan si ti, si unë. Qesh po aq me shpirt, ashtu si ia dikton zemra një të ngopuri nga mirësia. Zëmërohet e trimërohet ashtu si njeriu i drejtë që nuk i njeh djallëzitë. Dilaver Radëshin e ndimoi fati që virtytet e tij të çmuara t’i çfaqte për herë të parë në luftë e më pas në kohë paqeje. Në luftë cilësitë si luftëtar i besës e i nderit ia zbuluan shokët, ia bënë publike ata që dinin çdo të thoshte të ishe trim në mesin e guximtarëve. Në një komunikatë të muajit Nëntor të vitit 1944, pas çlirimit të Tiranës nga Brigada e I-rë Sulmuese dhe formacionet e tjerë partizane, u gjet vendi të shkruhej edhe për Dilaver Radëshin. Ja ç’shkruhet në komunikatë, përmbajtjen e të cilës na i sjell mësues Neim Mustafaraj në librin “Radëshi, tre mijë vjet histori” : “Në këto veprime luftarake vlen të përmendët heroizmi i komandantit të Batalionit të Dytë të Brigadës së I-rë Sulmuese, i cili ndodhet në vijën e parë të luftës dhe plagoset për të katërtën herë. Pushka e Dilaver Radëshit u dëgjua në të gjitha betejat luftarake që zhvilloi brigada. Gjithë efektivi i strukturave që drejtoi Dilaveri, nga ushtari më i thjeshtë e deri tek kuadrot e shokët e tij më të afërt, e ndjejnë nga afër kujdesin prej shoku e vëllai që ai tregonte për secilin”.

Një ëndërr nuk bëhet realitet në mënyrë magjike. Duhet punë, dëshirë, duhet djersitur. Ashtu si edhe lufta mbi armikun për të fituar lirinë. Dilaver Radëshit iu desh të luftonte, të merrte plagë e të gjakosej, madje të humbiste edhe dhjetra shokë për të arritur deri tek çlirimi i Shqipërisë. Pas kësaj, si djalë i ri që ishte, iu shfaqën ëndrra të tjera, akoma më të guximshme. I kish shkuar në mendje për t’u bërë aviator, të zaptonte qiejt. Do të bëhem pilot, i kishte thënë vetes “kokëkrisuri” skraparas sepse, sipas tij, karakteri rritej e formohej nëpër shtrëngata. Më të mirë se qielli, për t’u kalitur e formuar si ushtarak, nuk gjeje.

Për sakrificat që kish bërë në luftë, për trimëritë dhe plagët që kishte marë në shumë pjesë të trupit, Dilaveri e kishte të drejtën për të zgjedhur, për të studiuar në ata sektorë që edhe kishte dëshirë të kontribonte. Në vitin 1945 i doli e drejta për të studiuar e përgatitur për pilot në një nga shkollat profesionale të Jugosllavisë. Por…, por fati nuk e deshi që ky ëdërrimtar i madh të realizonte një ëndërr po kaq të madhe. Komisioni mjekësor, i cili ishte “i ngrirë” në vendimet që merrte, nuk mund t’i jepte viston për të studjuar për pilot një personi që kishte katër plagë në trup. Po atëherë?

Në korrik të vitit 1946, së bashku me 90 oficerë të tjerë, edhe ata të ardhur nga flakët e luftës, u dërguan për studime në Odesë, në Bashkimin Sovjetik. Ishte shkollë ku përgatitëshin ushtarakë këmbësorë e që studimet do të zgjasnin tre vjet. Për ish partizanin kjo shkollë iu shfaq si një sfidë, por ai e dinte mirë, e kishte mësim të nxjerrë nga lufta, se është vet sfida që e bën jetën interesante. Madje tejkalimi i tyre është ajo që e bën jetën më kuptimplotë. Ai, midis qindra ushtarakësh, i përfundoi studimet shkëlqyshëm, një sinjal ky që e paralajmëronte se kur të vinte në atdhe, do të krynte detyra të rëndësishme në ushtri. Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe. Në vitin 1949 Dilaver Radëshi emërohet komandant regjimenti i qytetit të Korçës. Aty qëndroi vetëm disa muaj. Në fillim të vitit 1950 Dilaverit iu afrua një detyrë tjetër, e cila kishte përputhshmëri të plotë me korrektësinë e tij, me paraqitjen e tij si ushtarak, me zërin e tij të fortë e kumbues. I ngarkuan detyrën e komandantit të truprojes për pritjen e përcielljen e delegacioneve të huaja. Ky pozicion, i cili zgjati deri në vitin 1955, Dilaverin sikur e ngopi, ia bëri më frymore ëndrrën për t’u bërë ushtarak. Dhe këtë gjë e bënte vetëm reagimi i qytetarëve, i kolegëve të tij, të cilët kur shikonin dhe shijonin qëndrimin, komandën që jepte, zëri, prezenca etj. nuk mungonin të thoshnin: ky paska lindur për ushtarak!

Thuhet se kur një derë e lumturisë mbyllet, një tjetër hapet. Edhe për Dilaver Radëshin në vitin 1955 ishte hapur një derë tjetër, tashmë më afër aftësive të tij për të kontribuar në fusha të tjera, interesante, por edhe të dobishme nëse kjo gjë shikohej në rraport me talentin dhe këmbënguljen e tij për t’i çuar punët deri në fund. Atij iu dha e drejta për të studiuar në Akademinë “Frunze”, të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Ai e dinte që fati zakonisht nuk i plotëson të gjitha dëshirat, por kur të dhuron diçka më shumë sesa ke menduar të arrish, atëherë ai të ka dhënë të marrësh përtej asaj që ke ëndërruar. Në këtë kuptim ish komandanti dhe luftëtari i dikurshëm i formacioneve partizane e ndjente veten të kompletuar, më të zotin, të gatshëm për të realizuar ca gjëra që dikur i konsideronte pronë të tjetërkujt.

Sapo erdhi në atdhe mori emërimin si petagog i historisë të artit ushtarak në Shkollën e Lartë të Oficerëve. Paralelisht studjoi dhe e përfundoi me nota shumë të mirë Institutin e Historisë në Universitetin e Tiranës. Dilaveri u mor me tema të rëndësishme të historisë së vendit, të cilat kishin rëndësi të jashtëzakonshme. U mor në mënyrë të posaçme me historinë e Skënderbeut, gjë për të cilën shkoi edhe në Stamboll e në Romë, për të zbuluar e publikuar dokumentë të rralla. Për këto tema me karakter kombëtar mbajti leksione, përgatiti dhe botoi artikuj në organe shkencorë, përgatiti libra, por këta të fundit, për shkak të kthesës që mori jeta e tij, mbetën sirtarëve të pabotuar.

Ç’ndodhi më pas me Dilaver Radëshin, me këtë njeri këmbngulës dhe plot guxim për të arritur majat? Ç’ngjau me komandantin dhe luftëtarin trim, të cilit iu shkaktuan ca plagë shumë më të rënda, shumë më të dhimbshme, shumë më të pashërueshme nga ato që mori në luftë? Kjo është histori më vete dhe mua, shkruesit të këtyre radhëve, përveç përuljes përpara emrit dhe qëndresës të Dilaver Radëshit, na duhet të shkruajmë të vërtetën, e cila pas viteve ’90 besoj se i është lënë hapësira e nevojshme që të mund të ndriçohet.

Në vitin 1963, atëhere kur u ndërmor lëvizja e madhe për të kryer reforma të thella në ushtri, në ndonjë rast pa asnjë kuptim, Dilaver Radëshi doli kundër rrymës dhe, si trim që ishte, nuk lëshoi pé rreth mendimeve që kishte si ekspert, si studjues e ushtarak i shkolluar, si njeri praktik nga më të spikaturit. Në të gjithë atë çka ngjau me Dilaver Radëshin lidhej me karakterin e tij të pathyeshëm, me formimin e tij për të mos u tërhequr përpara së drejtës, të vërtetës. Ai, mbi gjithçka, vinte dinjitetin, ndershmërinë, zemrën e pastër që nuk dinte ç’ishte ligësia. Jemi shqiptarë, ngrinte zërin Dilaver Radëshi, jemi me ata që kanë si udhërrëfyes modernizimin e ushtrisë dhe jo kopjues të rëndomtë, zbatues të kinezërirave që nuk kanë asnjë lidhje me ushtrinë shqiptare. E ngriti zërin ky njeri i pafajshëm, por nuk e dëgjoi kush. Bëri letra ku silleshin agumente, ndërmori edhe lëvizjen e fundit duke i shkruar Enver Hoxhës. Me mendje studjuesi, të një njohësi të artit ushtarak, të një luftëtari që mbante mbi shpatulla përvojën e luftës, por përsëri nuk ia vuri veshin kush. As ata që dikur e thërrisnin “Dragoi i Skraparit”, e as të tjerët që shikonin tek Dilaver Radëshi kundërshtarin për të bërë karierë, ushtarakun e zot që dinte të thoshte se “zemra ime është vetëm e imja.”

E dënuan me burg, e syrgjynosën këtë njeri që mbante jataganin e gjyshit sa ishte çilimi për t’i shërbyer vendit të tij. Nuk e kam konsideruar asnjëherë çudi që për Dilaver Radëshin të flitej me konsuderatë, me fjalë të zgjedhura nga populli i thjeshtë, edhe kur ai vuante vitet e burgut apo ata të interrnimit që ia blojtën shpirtin. Nuk kam dëgjuar kurrë të flitej keq për të, në mos kam konstatuar të kundërtën, që ai, me aftësitë e skraparasit babaxhan e të drejtë, kish mundur që këto cilësi të rralla, të kishin mbetur në ndërgjegjen dhe zemrat e atyre që e kishin njohur. Kur jam njohur me disa shënime të tij ku pasqyrohen vitet e internimit, jeta e tij e vështirë e privuar edhe nga kërkesa elementare, kupton se Dilaveri e paskësh patur të gjithë këtë gjëmë nga “të mëdhenjtë”, nga njerëzit me pushtet e që nuk dëshironin të lëshonin pushtet.. Po të shkosh sot në fshatrat Kajan apo atë të Belshit, ku ai kreu vite të tëra internimi, dhe të pyesësh për Dilaver Radëshin, merr përgjigje, të cilat do të dëshiroje të thuheshin edhe veten tënde. E merrni me mënd kush ishte një ndër kërkesat që shtronte ai që të mund t’i plotësohej? Qesharake. Vetëm të mund ta lejonin të regjistrohej në bibliotekën e fshatit për të lexuar libra!

Gjithë shpirtrat e njerëzve janë të pavdekshëm, por shpirtrat e të drejtëve janë edhe të pavdekshëm, edhe hyjnorë. Kjo thënie filozofike e dalë nga Sokrati i lashtësisë të duket sikur u shkon më për shtat, që e meritojnë një përcaktim si ky, njerëzve si Dilaver Radëshi. Sigurisht që kjo racë njerëzish, të cilët për fat të keq janë të paktë dhe një specie në zhdukje, nderohet e respektohet nga shoqëria, nga institucionet shtetrorë dhe nga brezat që vijnë më pas. Dhe s’kishte pse të ndodhte ndryshe me Dilaver Radëshin. Për shërbimet ndaj atdheut, si patriot e luftëtar, ai ishte nderuar me rreth 13 urdhëra, medalje e dekorata, të cilat, për fatin e tij të keq, për çka e akuzuan dhe e dënuan, nuk patën asnjë vlerë. Ai u nda nga jeta në 6 tetor të vitit 1996, në moshën 74 vjeçare dhe nuk arriti t’i gëzohej një tjetër dekorate të lartë dhënë në liri, “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, akorduar nga Presidenti i Republikës në 5 Shtator të vitit 2002.

Tani, përpara se të mbyllim këtë kapitull të jetës me plot vuajtje e peripeci pa fund të Dilaver Radëshit, më duhet të pyes ty lexues: A e meritonte jetën dhe lirinë ky njeri, ai që e fitoi çdo sfidë, sa lindi e deri kur u nda nga jeta, përballë shtrëngatash?

July 15, 2018 13:03
Komento

9 Komente

  1. Çika July 15, 16:13

    Bashkim , ty bravo të qoftë për shkrimin e sotëm dhe për shkrimet e tjera !
    E kam njohur nga larg Dilaverin , por , jehona e guximit të tij u perhap në gjithë ushtrinë .
    Nëse kuadrot e larta, të ushtrisë e të pushtetit , do kishin guximin dhe sinqeritetin e Dilaverit , oh, sa gjak e djersë do qe kursyer !
    Bashkim , të keqen vëllai , t’a lemë me kaq se këtu ka shumë gjera per të thënë – diktatura edhe heronjtë i ktheu në lepuj , Dilaverin s’e mundi dot !

    Reply to this comment
  2. hysa July 15, 19:34

    Z.Bashikim, une nuk te njoh as ty as e kam njohur radeshin, por me duket se i fryn pak si teper bemave te radeshit. Ne ate kohe sigurisht nuk ka qene i vecante radeshi, si ai ka pasur dhe ka me qinda e mijera, qe jetojne me djersen e mendjen e tyre. Nga artikulli shoh se te ndjerit radeshi i ka qene rritur pak mendja, e cila sigurisht e ka cuar ne ate gjendjen e fundit. Artikulli me duket si ai: doni me per belulin?

    Reply to this comment
  3. Jimi July 15, 22:21

    Autori thote: Qe ne moshen 10 vjecare ai shkonte ne shkolle me jatagan, i cili ishte me i madh se ai qe e mbante!? Mua me duket se pa dashje autori ne vend qe ti vere vetullat i ka nxjerre syte. Kalamaj me jatagan ne klase, ku shkohet per te mesuar dhe jo per te luftuar!? Mua me duket se evidentimi i ketij fakti nga ana e autorit nuk besoj se tregon ndonje cilesi te vecante per tu admiruar per kete personazh!?
    Ose ai luftonte ne kembe dhe gjate luftes u plagos 4 here!? I nderuar autor, ky “heroi” nuk e dinte qe plumbat ishin prej verteti dhe qe shponin jo vetem mishin dhe kockat!? Mire u plagos nje here se lufte ishte por heren e dyte dhe te trete e te katert nuk arriti te kuptioj se c’do te thote plumb?
    Aspak nuk kam ndermend te denigroj “heroin”, apo autorin e artikullit, por keshtu sic ky e trajton kete figure mua me duket se ky “heroi” paska qen nje derr budallai qe se paska patur shokun! Kote nuk thone! Budallenjte jane trima. Dhe ne fund, duket qe e paska merituar ate trajtim qe i paskan bere edhe pse ka studiuar ne BRSS, ai nuk pasakesh nxene gje fare, po i paskesh mbetur mendja tek jatagani!

    Reply to this comment
  4. Fidel July 15, 22:24

    Difekti me i madh i ketij shkrimi eshte se autori pjesen kryesore te trij duhet te saktesonte se per cfare kundershtonte Dilaveri ne ato reforma dhe cilat nga ato ishin kopje e jo shqiptare!
    Jam i sigurte qe ky Dilaveri u denua si njeri qe nuk donte te hiqeshin gradat dhe te nxitej roli i partise ne ushtri,se donte te ishte pasha si Muhamet Prodani qe hante nga nje qingj te pjekur neper stevitjet qe beheshin ,ndersa ne ushtaraket e thjeshte hanin buke me caj ne darke!
    Ne se nuk denoheshin keta dilaveret dhge Balluket,Dumet,Cakot,Parllaket etj Shqiperine do ta kishte mare lumi me kohe!

    Reply to this comment
  5. pensionisti July 16, 07:01

    Edhe une jam Skraparli, por per Dilaver Radeshin ( Sulcen) kam degjuar vetem ,kur Enveri e flaku nga Ushtria si nje mendjemadh. Vepra “heroike” e Dilaverit ishte se kundershtoi per heqjen e gradave. Sigurisht, Bashkimit,si djale i atij fshati i takon ta zmadhoj bemat e fshatarit te tij. Kishim degjuar per shyme gjeneral,por per Dilaverin s’na i kishte zene veshi edhe pse ishte djale Skrapari. Sot eshte shume e lehte qe qimen e djeshme sot ta besh tra. Te gjithe kane shkolle e shkruajne ,po edhe gazeta qe duane te shiten ka plot… Shrauani ,shkruani. Madja Bashkimit i takon te shkruaj edhe per te vellane e Dilaverit si nje veprimtar i demokracise ne Skrapar.

    Reply to this comment
  6. Fatmiri July 16, 17:06

    Pershendetje Bashkim Koci ! I kam lexuar me vemendje shkrimet e tua dhe te pergezoi qe shkruan ; por nuk mund te rri edhe ket here pa e thene mendimin tim sic kam bere edhe me pare!
    ” Heroin e dallon thjeshtesia ,me gjithse vepra qe kryen eshte e jashtzakonshme”Tek Ky “heroi yt” nuk ka as thjeshtesi ,as heroizem .Ne luften Nac.Cl.u vrane 28mij deshmore dhe u plagosen e u gjymtuan shume here me teper se kaq.! Me thjesht, me shkurt ,me qarte sigurisht me mire !

    Reply to this comment
  7. shipska July 16, 21:51

    Te nderuar zoterinj anonime! Duhet te kemi me shume respekt per nje gazetar qe na sjell ne vemendje njeez qw nuk duhen harruar, per njerez qw kane luftuar dhe pun ur per Shqiperine, madje u treten si qiriri! Bashkim Koçi mbetet nje gazetar i tille qw i do njerezit, e do krahinen dhe fshatin e tij. Promovimit qw i ben partizanit te Breig. Pare Sulmuese dhe ushtarakut Dilaver Radeshi eshte nje grimce ngasubkoshienca e tij si intelektual dhe gazetar progresist qw nuk ben kauze te perbashket me sharlatanet dhe puthadoret e pushtetit. Dilaver Radeshi nuk shkroi leter KQ si anonim por foli me emer dhe u ballafaqua atje ku duhej. Perderisa u shpreh hapur me shkrim, nuk rsye te thuash se nuk qe guximtar. Ai, ne kohen e duhur dhe ne vendin e duhur shprehu ato qw mendonte. Pra ai ishte nje ze i kundert. Ai e pesoi se ishtepartizan i brig. Pare dhe oficer anti komfromist. Shkrime te tilla lexohet me endje sepse kane nje te vertete brenda. Urime Bashkim Koçit qw di te shkruaj dhe te evidentoj vlera te tilla!

    Reply to this comment
  8. Guri Naimit D(Dh.Xh.) July 17, 02:52

    Me barin e thate,shpesh digjet dhe i njomi…
    Ky ishte Dilaver Radeshi-fatkeqesisht.
    .
    Bashkim Koci te pacim,qe sot na ke ardhur me nje shkrim te persosur nga ana letrare,qe, po te ishe ne vede qe japin vleresim,do ju jepie te parin cmim.Shume lexojne deri dhe shkruajme,po Bashkimin e sotem, se konkurojne dot.Me te lumte,mjeshteri krijuese. vertete . Sa per vereshtie pa tjeter qe dhe do te kete,se secili ka mendien e tij,po une do te thosha,dhe per permbajtien, meriton vendin e pare. Te lumte.Hiq ca iperbolizime.
    “shipcka”(pa tjeter eshte kolonjar se atje ka nje fshat me kete emer), ju ka vleresuar drejt pse jo,dhe shumica e komentuesve,qe duhen pergezuar,si ralle komente cilesore sa njerzore.qe shpesh lexojme.
    Ky i ndieri, Dilaver Radeshi(Sulce),vertet eshte per tu admiruar,per korektesine se pari ndaj vetvetes dhe bindies se tij,ani se per kohen u denua.Mbetet Dilaver (Sulce) Radeshi, me tere ato arritie,qe ka nderuar sa familien e tij, Skraparin sa shqiperine tone. Besojse ai Dilaveri ndiere,sido qe i ndodhi,mbetet atdhetar mbi atdhetare. I perjetshem kujtimi tij,ku dominonin miresite.
    Si Dangelliot,rritur me EREN e tyre,si FQINJE, me Skraparin,deri gjysherit basheluftetare,i kam dobesi. Te metat ua them ne sy cilitdo,.Kete duhet ta beje dhe Ti i nderuar Bashkim Koci,
    Po shkrimi juaj,megjithate,mbetet NOBEL-shkrim.
    Na iku ai kuader nga jeta,deri dale nga lufta,kur i duhej atdheut MEME.ani se nje kohe te gjate intenimeve, Ndiese.paste.
    Jeta ka perjashtime te tilla,fatkeqesisht dhe nga cmira.
    Guri Naimit D.

    Reply to this comment
  9. H.I P.SH.N.SH. July 17, 18:28

    Per trima legjendare si Dilaver Radëshi (Sulçe) nuk ka nevoje ti thuresh lavde me keto artikuj si ky i shkruar nga zoti Koçi sepse ja ul vlerat..
    .
    Nese deri ne 1963 Dilaveri ishte ne rradhet e Ushtrise dhe i takon “Medaljen e Artë të Shqiponjës” kjo nuk duhet te ngaterrohet me “garipllikun” qe cfaqi ne kohen e heqjes se gradave.
    .
    Te kuptohemi heqja e gradave ne pamje te pare dukej se ishte kopjim nga kinezet kurse ne fakt sherbeu per cmontimin e nje kaste ushtarakesh qe ishin bere te padureshem dhe te semure nga pozita-rroga-veshja-e drejta per makine etj etj semundje keto qe ti jep pushteti..
    .
    Pra nuk duhet te bejme akoma se te ai emisioni “heroizmi i popullit shqiptar ne shekuj” ku te gjitha ndeshjet me kundershtarin ishin fitore,,asnje humbje asnje barazim…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*