Nga ARBEN DUKA (1957-2021)
E ç’të shkruajmë-e ç’të themi,
tani në muzgun e jetës,
padyshim në dorë s’e kemi,
formulën e së vërtetës.
Se neve jemi poetë,
zili Zoti do na kish,
s’pyetëm në të vërtetë,
né u derdh -a në u prish!
Se neve jemi poetë,
muzat me nektarë i shkundën,
s’pyetém në këtë jetë,
sa fituam dhe sa humbëm!
Dridhet syri ndënë vetull,
dridhet si ky muzg i murrmë,
do kuptohet për një shekull,
nëse lamë ndonjë gjurmë.
Në mëngjes sa shkrepi drita,
trëndafilja lulëzojë,
kush na desh ju shtoftë dita,
kush s’na desh s’ka pse mos rrojë.
Dimëroj si Zog i Detit,
pres e pres të vijë pranvera,
se në zemrën e poetit,
s’mbijnë kurrë gjemba dhe ferra.
Dimëroj si Zog i Detit,
pres e pres për lulëzimin,
s’mban dot zemra e poetit,
as urrejtjen-as mallkimin.
Rëntë borë e më mbuloftë,
nata me qefin të artë,
dashtë Zoti më kuptoftë,
Zoti i Tokës atje larté.
Shkrova vargje të magjishme,
se magji kisha në kokë,
dhe në jetën e stuhishme,
vetëm Zotin pata shok.