“Dimri i fundit” i Aleksandër Lalos

November 20, 2017 18:06

“Dimri i fundit” i Aleksandër Lalos

 

Entela Resuli – DITA

Këtë të hënë të bukur me diell, u përcoll për në banesën e fundit, kompozitori Aleksandër Lalo. Dy ditë më parë ai u nda nga kjo jetë pas një infarkti në zemër. Askush nuk e priste! Ai ishte aktiv në jetën artistike, madje këto kohë ishte pjesë e një programi televiziv në Tv Klan ( C’est la vie).

Por, kjo është jeta, dhe Lalo nuk do të jetë më fizikisht pranë familjarëve të tij, miqve dhe dashamirësve, duke lenë të ta një boshllëk të madh.

Njerëz si Aleksandër Lalo, kanë fatin që, kur largohen nga kjo botë e të jenë gjithmonë me ne, me veprat që kanë lenë pas. Dhe Lalo ka jo pak të tilla.

Madje, krijimtaria e tij është lehtësisht e dallueshme për këto që ka njohuri minimale mbi muzikën shqiptare.

Teksa dëgjoj disa nga kolonat zanore të kompozuara nga Aleksandër Lalo, në filmat shqiptar, mbushem me shumë refrene që mbesin në mendje për gjatë gjithë ditës. Është bukur të kesh një melodi në kokë!

Filmi shqiptar, pa muzikën e Aleksandër Lalos do të ishte ndryshe. Tingujt e ëmbël që i ka dhuruar kinematografisë e bëjnë atë një artistë shumëdimensional.

Për vdekjen e kompozitorit ka shkruar edhe kryeministri, Edi Rama, i cili e vlerësoi lartë veprën e Lalos.

“Aleksandër Lalo, poeti i tastierës u nda nga jeta duke lënë pas një pemë të bukur mbushur plot me cicërima. U prehtë në paqe! ”, shprehet Rama.

“Ndarja nga jeta e kompozitorit tonë të shquar Aleksandër Lalo përbën një humbje për botën e muzikës dhe kulturës. Por veprat e tij frymëzuese do mbeten përgjithmonë”- shkruan Presidenti i vendit, Ilir Meta.

Ndërkohë Gramoz Ruçi, kreu i Kuvendit ka qenë prezent në hollin e Radio Televizionit Shqiptar për t’i dhënë lamtumirën e fundit njeriut të artit.

“Unë jam këtu si kryetar i Parlamentit, për të marr pjesë në homazhe, mbi të gjitha për këtë njeri të madh, për këtë kompozitor të madh, i cili në mënyrë të papritur dhe në mënyrë të parakohshme, u nda nga kjo jetë. Sigurisht, duke na lënë pas veprën e tij, duke lënë pas një boshllëk për kompozicionin shqiptar”- ka thënë pas daljes nga homazhet, Ruçi.

“Me muzikën e filmit “Dimri i fundit” ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka shoqëruar fjalët e lamtumirës për kompozitorin e njohur. “Muzika shqiptare hedh vellon e zisë në prag të dimrit të fundit të kompozitorit më energjik. Lamtumirë Aleksander Lalo”, shkruan ministrja e kulturës Mirela Kumbaro.

Mevlan Shanaj: Lalo nuk reshti së kërkuari të bukurën

Për Dita-n ka folur kineasti Mevlan Shanaj, i cili ka patur një miqësi të vjetër me Lalon, më të cilin ka bashkëpunuar.

Jam njohur me Lalon, kur erdhi nga Instituti Bujqësor në Institutin e Arteve , një djalë timid dhe pasionant, Lalo ishte një artist i dukshëm që nga pamja dhe mënyra e komunikimit. Më vonë ishim edhe komshi. Gjatë gjithë viteve të miqësisë, sa herë do ndesheshim, në rrugë apo në tavolinë për ndonjë gotë, ndjejë se të mbetej brenda vetes një dëshirë njerëzore e bukur dhe kënaqësi artistike. Erdhi çdo vit në rritje krijimtaria e tij lirike sidomos në muzikën e filmit dhe këngët aq sociale.

Me 1986 bashkëpunuam për filmin “ Të shoh be sy” që arriti të bëhet ndër krijimet më të suksesshme.

Ai ka disa filma ku njëra është më mbresëlënëse se tjetra. Ne filmin “Dimri i fundit”, ishte i pari që futi lirizmin në filmat e luftës.

Miqësia me të ndër vite bëhej si puna e verës që sa vinte dhe forconte shijen. Takimin e fundit me këtë ”rebel” të artit e kam në një intervistë për dokumentarin “Koha e pelikulës” (Xhanfise Keko) që nuk arriti dot ta shikonte. Ruaj kujtime njerëzore dhe krijuese për këtë talent kombëtar që me veprën e tij ka kapur lartësitë. Nder të jesh mik dhe bashkudhëtar e bashkëpunëtor me një njeri të quajtur Aleksandër Lalo. Artist rebel apo i trazuar, i butë apo shpërthyes! Di që kishte shpirt prej bohemi pa reshtur se kërkuari të bukurën”- shprehet Shanaj .

November 20, 2017 18:06
Komento

3 Komente

  1. IP November 20, 18:47

    Ngushellime te sinqerta familjes. I paharuar kujtimi per nje njeri te madh, qe na ka dhene lumturi me tingujt e muzikes se tij

    Reply to this comment
  2. bureto November 20, 18:51

    Nga shkrimi nuk mesoj dot nese ky artist, tashme i ndjere, eshte nderuar qe ne gjajje me ndonje titull a dekorate. nese jo, eshte per te ardhur keq. Puna dhe talenti duhen vleresuar, kur vleresime te ndryshme, shpesh edhe te pamerituara, u jepen edhe anonimeve.

    Reply to this comment
  3. Xh.Baho November 21, 16:59

    Nuk jemi te perjetshem, por jeta dhe vepra qe le mbrapa
    te ben te perjetshem. E njoha Aleksandrin ne Institutin e Arteve kur filloj studimet e tij dhe mbaj mend kur me pyeti mua pedagogun e fiskultures: Pse edhe fiskulture do te bej ketu? E tha kete se ishte i dobet fizikisht.Por si nje student dhe nje njeri me cilesirat me te mira njerezore,shume i dashur, ishte jashtzakoniht i rregullt ne oren e mesimit dhe fantastik ne krijimtarine tjj dhe mendoj se eshte i paperseritshem ne krijimtarine muzikore. I qofte i lehte dheu ku ai do te prehet.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*