Dinjiteti i deputetit dhe zoti Lu

July 5, 2016 21:52

Dinjiteti i deputetit dhe zoti Lu

Nga Bedri Islami

 

Deputetët janë njerëz të lumtur. Ata mund të flasin çfarë të duan dhe si të duan dhe pak kush i merr seriozisht. Ata mund të thonë një mijë e një të zezat për njëri-tjetrin, natyrisht kur janë në sallë, dhe asnjë prokuror të mos marrë mundimin të hetojë nëse ka diç të vërtetë në të gjithë këtë zallamahi. Ata mund t’i thonë njëri-tjetrit vrasës, mashtrues, grabitës, linçues, hajdut, vagabond, trafikant, pra çfarë të duan dhe askush të mos vihet në lëvizje për të hequr, të paktën merakun, nëse është diç e vërtetë apo jo. Deputetët mund të bëjnë çdo gjë dhe askush nuk i heton, dhe këmisha e deputetit që kanë veshur është si një korracë aq e fortë, sa që nuk përshkohet nga asgjë tjetër. Në fund të fundit ata janë të lumtur se, duke vegjetuar aty, në atë sallë të madhe, mund të bëhen papritmas, një ditë të bukur, të pasur, bosë të financës, por edhe të ngjallin interesin e një personaliteti diplomatik perëndimor, si është zoti Donald Lu.

Po dal në thelbin e gjithçkaje që desha të shënoj:

Ka disa ditë, e do të vazhdojë edhe më tej, që zoti Lu, ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara, në përpjekje për të gjetur “vota-pro” reformës së shumë përfolur në drejtësi, organizon takime, jo të paditura, megjithëse mund të ketë edhe të tilla, me deputetë të opozitës. Nuk është e rëndësishme vendi ku takohen, e nuk është as interesante të dihet se për çfarë flasin, pasi asgjë nuk është enigmë. Ngulmimi i zotit Lu për të gjetur vota në bllokun opozitar tashmë është një gjë kaq e ditur, sa që ka edhe deputetë, të cilët po rrinë në rradhë për të qenë në një takim të nesërm.

Ajo që bën zoti Lu, dorën në zemër, nuk është normale, por në anormalitet edhe pranohet. I mashtruar nga dy shefat shqupas, i  pashpresë për të realizuar njërën nga ëndrrat e tij, çka përkon edhe me ëndrrën e mbi 95 për qind të popullsisë, me kohën e humbur nga ecejaket nëpër mbledhje të panumërta, duke mos gjetur asnjë mundësi tjetër për të hapur dyert e një votimi, që në momentin e fundit mund të tradhtohet edhe nga pjesë të mazhorancës, ai bën atë që e sheh të arsyeshme të bëjë dhe duam të besojmë se këtë nuk e bën pa miratimin e dikujt tjetër që është më sipër se ai në jetën politike.

Ajo që nuk dihet ende, po se është ende e mjegullt, rradha e thirrjes për një votë “pro” është sipas kandarit të mbështetjes pro perëndimore që mund të kenë të thirrurit apo sipas dosjes që mund të jetë përgatitur për ata, prej së cilës, edhe pak fletë do të ishin të mjaftueshme për të qenë përjetësisht jashtë politikës.

Por unë fjalën e kam për dinjitetin. Si dëgjova të thotë zoti Xhafaj, kryetari i Komisionit për Reformën, reformë që na plasi buzën, dhe ky është përfaqësuesi i mazhorancës, edhe në rradhët e kësaj të fundit, ka deputetë që nuk e duan reformën, por që do e miratojnë atë.

Ashtu si jam i bindur se edhe në mesin e opozitës ka mjaft deputetë që do të kishin dashur të miratohej kjo reformë, ndoshta të gjithë do e kishin dashur, por me kushtin e vetëm: Të ishin ata në pushtet; pra të mund të sendërtonin vetë ata pjesën më të rëndësishme të reformës: njerëzit e vendosur në krye të punëve, ashtu si edhe kanë bërë.

Ne kemi aq shumë deputetë dhe aq pak mendje; ne kemi një sasi deputetësh dhe një boshllëk dinjiteti, ne kemi një shumësi votash dhe një pakicë mendimi; idetë janë zevendësuar nga zvetnimi, vizioni nuk ekziston as si terminologji.

Në të dy krahët, mjerisht, më shumë mendohet se si do të jetë shefi asaj dite; do të jetë në qejf apo jo, i afërt apo jo, i mërzitur apo jo, cila është dëshira e tij dhe nga do e çojë era, se sa për mendimin e tij vetjak. Ne kemi deputetë – vota, por jo deputetë mendimi.

Le të sjell dy shembuj: e keni parë kur hyn në sallën e mbledhjeve të grupit parlamentar të PD-së, atje në Shqup, ish shefi i qeverisë dhe shefi de fakto i opozitës. I keni parë pamjet që marrin njerëzit rreth e rrotull tij: nuk kanë asnjë shprehje njerëzore: janë kthyer në prehistori. Mund të jenë krejtësisht kundër me mendimin e tij, por askush nuk guxon të thotë, qoftë edhe një herë, nuk bën kështu. Edhe ata që mendojnë ndryshe, belbëzojnë, tkurren dhe, duke menduar për pasuritë që kanë, e gjejnë të arsyeshme heshtjen dhe bjerrjen e dinjitetit. Në fund të fundit, aq u bën ky i fundit.

E keni parë se si shkalla e lëshimeve ndaj opozitës në reformën për drejtësi mbërriti dalëngadalë deri në atë cak ku nuk mbante më. Për të gjitha vendosi vetëm një njeri: Shefi i qeverisë dhe pak vetë rreth tij. Deputetët në sallë e jashtë saj, as nuk u pyetën, të paktën për të thënë një fjalë dhe ata, kur nuk pyeten, heshtin. Shefi i qeverisë e zgjidhi aq fort litarin e lëshimeve, sa që opozita kërkonte përditë e më tepër, deri në atë cak të rikthimit në drejtësinë e sotme, por me një petk të ri.

Si mund të përcaktosh një deputet apo ish ministër të dinjitetshëm, kur të gjithë kabinetin e tij e vendos në shërbim të djalit të ish shefit të qeverisë, e po edhe sot, bën të njëjtën gjë. Si mund të quhet i dinjitetshëm një deputet që futet dorëzanë që një kandidat për kryetar bashkie në një qytet të madh, i opozitës, të hiqet prej kandidimit, sepse rivali i tij e gjen derën ku duhet të trokasë, dhe në vend të tij të vendoset një figurë tjetër, që mgjithëse e di lojën që po luhet, hyn në të duke menduar dy gjëra: Paratë që do i dalin dhe të ardhmen. Si mund të bisedojmë për dinjitetin e parlamentarizmit në Shqipëri kur, pasi qeveria e sotme, dje në opozitë, hodhi gjithë bateritë kundër koncensioneve, tani po i përdor ato si lojë pingpongu, por gjithnjë brenda vetes, dhe, për fat të keq, askush nuk kujtohet se çfarë është thënë dikur. Vërtet kemi dinjitet parlamentar kur vetë shefi i opozitës është një i kërkuar për gjykim dhe i shpëtuar me proçedurë, pasi kishte “humbur” diku, rrugës së Kombit, më shumë se 230 milionë euro?

E kam cituar edhe në një shkrim të mëhershëm vetinë dalluese të parlamentit të vitit 1946, pas zgjedhjeve të dhjetorit për asamblenë kushtetuese. Ai ishte parlamenti më i shquar që ka pasur ky vend, dhe njerëzit që e përbënin atë, pranuan të ishin theror të parlamentarizmit, por nuk pranuan të bjerrnin dinjitetin e tyre. Sot, megjithëse nuk kërkohet asnjë sakrificë, pra, askush nuk u kërkon të bëjnë heroin, as nuk belbëzojnë pa marrë leje nga shefi i tyre.

Një mik i imi, që i takon shpirtërisht opozitës, më tha një ditë, nëse gjithçka e kam parë si zezonë në atë pluhi politike dhe nuk kam asnjë shembull që mund të ringjallë shpresën e së ardhmes.

Iu përgjigja se, po dhe këtë desha ta bëj edhe publike.

Nuk e njoh Florian Mimën, e kam parë kur jam në Tiranë rrugëve afër Bllokut “Vasil Shanto”, nuk e di se ku banon, por, të afërmit e mi, megjithëse socialistë të  thekur, shfaqin të gjithë nderimin për të. Nuk e di se si do të jetë qëndrimi i ij ndaj reformës dhe kjo nuk më intereson, por përmes figurave të tilla, dhe të tjerë si ai, opozita mund të ribëhet ajo çka duhet të jetë.

Shembulli i dytë është nga ato që njoh mirë. Pasi jemi bashkëqytetarë. Është deputete e re, Irma Alushi-Kopliku. Kam njohur babain e saj, Musa Alushin, një personalitet i veçantë në mendimin shkencor dhe njeri i pashoq. Irma Kopliku është tërësisht e mendimit të djathtë politik, ka qenë që në ditët e para kështu, dhe, mund të them ndershmërisht se është një shembull që ka aq shumë vlera njerëzore. Profesoreshë e çmuar e lëndëve ekzakte në Universitetin e Shkodrës, e rreptë dhe e rregullt, askush nuk mund të mburret se i ka dhënë një notë më shumë apo i ka hequr një notë; në profesionin e saj të gjithë kanë qenë të njëjtë dhe vetë jeta e saj modeste, e gjitha mbi punën e palodhur, sjell edhe një tipar më shumë të dinjitetit të saj. Pas 23 qershorit, kur erdhi në pushtet qeverisja e sotme, një krah i kësaj qeverisjeje i bëri propozimin bashkëshortit të saj, Ilirit: eja në partinë tonë, dhe qëndro në vendin e punës. Refuzoi, megjithëse ishte i shkëlqyer në punën që bënte. Tani, i papunë. Nëse ndonjëherë do të kisha kandiduar përballë saj, do të isha tërhequr. E vetmja gjë që më vjen keq: nuk është në anën tjetër të parlamentit.

Fjalën e kishim për dinjitetin. Kam hequr shumë për të gjetur disa raste të veçanta, e nuk kam pse heq keq për të gjetur humbjen e tij.

Do të vijë një ditë dhe sistemi i drejtësisë do të reformohet. Edhe pse nuk e duan, do të bëhet.

Mendoj për ditën kur vetë sistemi ynë elektoral do të ketë reformimin e tij dhe që në në atë sallë të ketë më shumë mendje se sa vota. Atëherë zoti Lu, ose kushdo tjetër në vendin e tij, do u kërkonte të pinin një kafe sëbashku, jo për të bërë të mundur një votë pro apo një votë kundër, por për të ditur diçka më shumë për këtë vend.

Kjo do të ishte një ditë e lumtur.

 

July 5, 2016 21:52
Komento

2 Komente

  1. andromeda July 6, 11:17

    Ti mirë e ke, o Bedri,por ndershmëria (si ajo e 46) ka ikë me kohë e me vakt. Se për të bërë punë të mira duhet së pari të jesh i ndershëm, por të jesh i ndershëm sot është budallallëk. Po të ishte i ndershëm dhe ai Lu-ja nuk i lëpinte bythën Salës, Lulit dhe çetës së hajdutëve me siglën PD, për kaq kohë, por kishte propozuar që reforma të aprovohej me referendum dhe bashkë me reformën edhe ca çeshtje të tjera kushtetuese si zgjedhja e presidentit nga populli.

    Reply to this comment
  2. Kariz Matik July 6, 14:23

    Nje “big like” per Bedriun.

    Shqetesimi i z.Xhafa per medyshjen e socialisteve “te pathekur”, nese do ta votojne ata reformen apo jo, ka te beje edhe me kontradiktat qe kane lindur prej disa muajsh brenda grupit PS-ist. Fakti qe ai deklaron hapur se reforma ja ka plasur shpirtin, eshte shprehje e qarte e paqartesise se tij per rjedhojen e metejshme te ketij procesi. Ka nje konfuzion aq te paimagjinueshem rreth reformes, sa qe edhe z.Topi ishte i mendimit, se nje pjese e deputeteve nuk jane ne dijeni te permbajtjes se materialit.

    Ashtu sic e thekson dhe autori, mungesa e dinjitetit te deputetit, cekesia e mendimit personal, por dhe paaftesia e tyre per t’ju kundervene bindshem dhe me argumente egoizmit te pashfrenuar te paranojakeve, ka bere qe edhe sot te parafytyrojme po te njejten tablo, po te njejten institucion sharlatanesh, i cili si per nga struktura dhe nga shumllojshmeria e provokimeve, sharjeve, sajimeve dhe hamendjeve te njerit apo tjetrit, i perngjan me teper nje SUPER-PISSOIR-i 140-vendesh.

    Prehistoriket shpirtshitur e gojekycur mund t’i gjesh si brenda njeres pale, po ashtu dhe brenda tjetres. Jane vemje te peshtira, te predispozuara per t’ju bere ure kalimi cilitdo qe e shohin si pengese karriere, pa u sikletosur se me sjelljet e tyre te shpifura prishin imazhin e politikaneve ne pergjithesi.

    Eshte shtuar aq shume numri i atyre qe fshehin surratin e bythlepirsit te shitur nen masken e politikanit, sa qe sot deputetet te ndershem, te perkushtuar e me dinjitet gjenden ne minorance.

    A bejne pjese te kjo minorance deputete kurajoze si z.Mima, z. Hafizi, z.Blushi, etj.?

    Une mendoj se po.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*