Mbi politikën primitive kanunore dhe dinjitetin e njeriut shqiptar

October 4, 2019 10:52

Mbi politikën primitive kanunore dhe dinjitetin e njeriut shqiptar

Nga Moikom Zeqo

Në 1494 mbylli sytë Piko Della Mirandola, një nga kontestatorët viganë të Rilindjes Europiane, humanist dhe filozof italian (lindur në vitin 1463).

Të jetosh vetëm 31 vjet dhe të bësh kaq shumë për kulturën dhe qytetërimin botëror si Mirandola është një mrekulli, është një nga provat më të pabesueshme të shpirtit të njeriut të lirë, që synon infinitin, koefiçentin maksimal të inteligjencës.

I takoi qerthullit të Akademisë së Re të Platonit, themeluar nga Mediçët në Firence. Piko Della Mirandola me jetën dhe veprën e tij paraqet në vetvete sintezën e një kulture njerëzore ku ndikimi i Platonit, Aristotelit, e rigjeneruar në një neoplatonizëm intelektual, jo pa pika takimi dhe me teoritë hebraike të Kabalës, konstruktohet si një Humanizëm i Ri.

Ai shtjellon tezën se njeriu është një mikrokozmos, që rri ndaj makrokozmosit, pa e humbur identitetin e veçantë. Sipas këtij mësimi, njeriu ka liri të plotë për t’u përcaktuar ndërmjet tri llojeve të qenieve botërore, që janë dhe te njeriu, materiale, shtazore dhe qiellore.

Këto koordinata nuk e humbasin esencën njerëzore. E afirmojnë.

Mirandola duke besuar te arsyeja dhe dija, te plotfuqishmëria e mendimit luftoi me sarkazëm ideologjinë mistike të astrologjisë, që kishte paralizuar lirinë e mendimit dhe nismat ambicioze të dijes, të kulturës dhe të artit.

Në 1486 apelon botërisht, hedh sfidën e tij madhështore, i fton tërë dijetarët e kohës për të diskutuar për 900 teza filozofike dhe humaniste (nga të cilat 55 e kanë burimin nga Prokli).  Kisha e Romës e ndalon këtë diskutim të rrezikshëm duke e blasfemuar dhe përjashtuar filozofin rebel dhe dyshimtar dhe nga vetë kisha.

Nga vepra e Proklit “Mbi lirinë” është frymëzuar Mirandola për të argumentuar qënien etike si qenie të lirisë së brendshme. Në 1486, në moshën 26-vjeçare Mirandola botoi kryeveprën e tij “De dignitate hominis” (“Mbi dinjitetin njerëzor”).

Tezat e Mirandolës ngrenë lart autonominë e njeriut si individ. Dinjiteti i tij përcaktohet deri në fund nga liria e tij. Nëse cenohet liria vetvetiu kemi frakturën e qenies njerëzore dhe shkatërrimin në rrafsh politik, ku shteti koncentron të “drejta” që nuk i takojnë nga natyra dhe nga Krijuesi.

Nuk mund të mos bindesh për saktësinë e këtij mendimi, kur shekuj më vonë Loku dhe Monteskje arrijnë në të njëjtën tezë, që përbën pikën gravitacionale të kodit të sotëm të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Sipas Mirandolës askush nuk ka targ dhe fuqi ekzekutive për të prekur integritetin e qenies njerëzore, prandaj pushteti gjyqësor dhe ligjet e mbrapshta, kur veprojnë në kundërshtim me të drejtat e vetëkuptueshme të qenies njerëzore bëjnë dhunimin e historisë së individit dhe të shoqërisë.

Dinjiteti i njeriut si teori është përsosja e tij.

Është kërkesa e pashtershme për afirmim ndaj forcave negative dhe subjekteve të nihilizuara. Në këtë hulli, Mirandola mbështet dhe mendimin e një filozofi tjetër rebel, tepër radikal, Savonarolës, (1452 1498), që duke u shtjelluar teoritë etiko politike, aristoteliane  akuiniste shpalli se funksioni i qenësishëm i shtetit është realizimi i virtutit.

Kur shteti realizon të kundërtën, antivirtutin, atëherë vihet në dyshim karakteri logjik i jetës së individit e shoqërisë.

Nuk është pa vend të shtojmë se intelektualët dhe artistët gjenialë të Firences si Mikelanxheloja dhe Botiçelli ishin të impresionuar nga mendime të tilla dhe të ndikuar fuqishëm, duke qenë edhe ata kontestatorë të lindur.

Çdo vjetor jubilar i Piko Della Mirandolas është një rast i përshtatshëm eksorcizmi dhe reflektimi, duke bërë ballafaqime horizontale dhe vertikale në shoqërinë shqiptare. Për të besuar dhe për të bërë dinjtetin e njeriut, një apotezë të demokracisë e jo një apendiks të shtetit.

Një aktualitet të madh ka dhe teza e Mirandolës se edhe një njeri i vetëm të preket në dinjitetin e tij padrejtësisht është i prekur secili nga ne, pavarësisht nga aspekti juridik.

Liria e individit është integrale vetëm kur ky integralitet nuk cënohet dhe preket edhe te të tjerët. S’ke ç’i thua: një mendim i plotfuqishëm! Nuk mund të mohohet as të harrohet në shekuj.

Nëse politika vizionare bëhet matrica e dinjitetit të njeriut kjo nuk është thjesht një aspiratë apo strukturë hipotetike. Është një synim që sjell zhvillimin.

Për fat të keq, e them me trishtim dhe brengë këtë gjë, politika shqiptare është retrograde, primitive dhe kanunore. Dinjiteti i njeriut shqiptar nëpërkëmbet mizorisht. Kryetarët e partive të mëdha nuk dalin nga skema.

Qëniet njerëzore karakterizohen siç thotë Hanah Arend (po kush pyet për Hanah Arendin në Shqipëri!) nga sensi i zhvillimit drejt përsosjes. Kjo është e pandalshme. Askush nuk ka të drejtë, as partia qeverisëse dhe as partia opozitare ta injorojë këtë thelb të jetës. Kryetarët e partive janë institucione shumë më tepër sesa janë njerëz. Ky konvencionalitet duhet respektuar detyrimisht nga të dyja anët. Demokracia bazohet në ruajtjen e dinjitetit njerëzor, totalitarizmi e manipulon. Në demokraci ajo që thuhet si metaforë mediatike si diktatura e ligjit në fakt është logjika e ligjit.

Kjo do të thotë që legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori, duke përfshirë edhe pushtetin e katërt që përbëhet nga mediat dhe shtypi ruajnë pavarësinë e tyre diçka që i bashkon në një ide unike: në dinjitetin njerëzor të individëve, që përbën emancipimin dhe kulturën superiore të shoqërisë. Sa pak, sa në mënyrë konfuze kuptohet kjo gjë nga klasa politike shqiptare.

Flitet për integrimin me botën dhe krijohet shkatërrimi i këtij integrimi brenda për brenda. Kjo duket shumë e thjeshtë por ja që në Shqipëri vështirësia është apokaliptike.

Dinjiteti njerëzor krijon fuqi shpirtërore dhe emancipim të pandërprerë.

Lufta politike e sotme është kapërcimi i së drejtës.  Ka tërbim dhe mungesë vizioni. Nëse politikanët janë thjesht gladiatorë, ne duhet të shmangim idenë e publikut të amfiteatrove romake, për të reflektuar dhe për të arritur tek ideja e një populli të vërtetë.

Pa dinjitet njerëzor të çdo lloj qenieje, qoftë dhe të atij që duket më i parëndësishmi në shoqëri, është prova e emancipimit dhe qytetërimit demokratik, nuk ka politikë serioze dhe institucionale por dilentatizëm marramendës të politikës.

Unë nuk dua të shpjegoj, unë nuk besoj se të gjitha mendjet janë të politizuara me absurditet. Dhuna verbale dhe psikologjike është primitivitet i papranueshëm më. Përjetojmë një situatë që kërkon gjakftohtësi. Politika është për t’i shërbyer njerëzve, jo aq krerëve të partive, madje as ngushtësisht maxhorancës qeverisëse dhe opozitës sesa krejt popullit shqiptar.

Madje më e rëndësishme është të kuptohet se shtresat më të varfra dhe më të pambrojtura kërkojnë atë që është kurora e dinjitetit njerëzor, mundësinë e punësimit dhe të jetesës me djersën e ballit, – një e drejtë kjo thelbësisht natyrore sa është e drejta e jetës shumë e rëndësishme- sesa të drejtat konvencionale -që quhen të drejta politike.

 

*****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë. Njoftojmë lexuesit se Moikomi sapo ka lënë spitalin dhe ndodhet në shtëpi në gjendje të lehtësuar shëndetësore, shpresojmë të qëndrueshme. Ai do rikthehet shumë shpejt me një intervistë në Dita mbi aktualitetin politik.

October 4, 2019 10:52
Komento

13 Komente

  1. Zani Burimi October 4, 12:39

    Dita,
    Se pari, gezohemi qe Moikomi ka lene spitalin dhe eshte permiresuar dhe i urojme shendet te mire!
    Shkrimi eshte me te vertete filozofi e paster, por shume i kuptueshem per te gjithe. Ndoshta kjo e fundit eshte nje merite e madhe e Zeqos sone.
    Respekte!

    Reply to this comment
  2. Tahiri (jo ministri i suksesshem) October 4, 12:42

    Lufta politike sot sipas Moikomit ka terbim dhe mungese vizioni.
    Lufta politike eshte njesoj e terbuar kudo, por ajo qe i mungon luftes politike ketu nuk eshte vizioni, por rregullat e lojes. Ne politiken gjetke te terbuar ka rregulla. Atje zgjedhjet organizohen nga Ministria e Brendeshme, ajo eshte pergjegjese dhe askush nuk dyshon ne pergjegjesine e saj.
    Prandaj ne ketu kemi lufte te terbuar plus pa rregulla! Sepse ajo qe eshte garant zgjedhjesh kudo ne bote, ajo qe organizon dhe monitoron zgjedhjet gjithandej, ketu eshte qesharake ta mendosh te tille. Mjafton ato pergjimet e botuara ne gazeten Bild per te kuptuar se sa larg eshte kjo Ministri e Brendeshme nga simotrat e saj neper bote ne raste zgjedhjesh dhe sa xhungel pa rregulla eshte rrjedhimisht dhe politika ketu qe ka asgjesuar rregullat e veta te lojes. Ato rregulla qe kane vendet e tjera, ministri e brendeshme qe monitoron zgjedhjet! Dicka qe ketu do vite drite te behet sepse Ministria pergjegjese per monitorim zgjedhjesh eshte pala qe konkuron ne zgjedhje.

    Reply to this comment
  3. Goni October 4, 12:55

    KOMENT I FSHIRË NGA MODERATORI

    Reply to this comment
  4. Robert October 4, 14:59

    Sa mire, qe lexojme Moikomin tone!

    Reply to this comment
    • Arban October 4, 19:12

      Nga Gjeneva, Kadri Abdullahi uron nga zemra qe i madhi Moikom te behet sa me mire, per familjen, por edhe per dashamiret e shumte ne Shqiperi dhe ne diaspore. Dikur e kemi takuar gjate nje vizite ne muzeun e Durresit dhe na ka bere pershtypje elokuenca dhe argumentat e tij bindese per zbulimet e shumta arkeologjike. Shkrimet dhe librat e tij i pasurojne Letrat dhe historine mijevjecare te Kombit tone.
      Me urimin per sherim te shpejte te fisnikut Moikom, bashkohen dhe bashkeatdhetare te tjere si Alfredi, Samiu, Genci e shume miq te tjere.

      Reply to this comment
  5. Afrimi October 4, 15:07

    Kujt i flet o Moikom, plebejve?

    Reply to this comment
    • Gerand October 5, 08:17

      Microcozmos? Njeriu eshte krijjese polifunksionale dhe superinteligjente. Lufta brenda llojitt sjell evolim shume planor ndersa kooperimi me veten dhe ambjentin con ne afrimin me Zotin. Nje keshille per lexuesit. Nuk eshte mekat te kerkosh dijen por mekat eshhte tja japesh atij qe ska moral dhe meshire. Moikomin nuk e njoh . Te shkuara. Z. Moikom!

      Reply to this comment
    • jeni te afte te...KORIGJONI dhe perendimin (siç benit deri dje), apo...harruat ? October 6, 08:33

      po mire..ore, ti ketej e qosja andej, se kadareja (per mua) eshte thjesht nje narcist dhe s’ merr vesh nga humanizmi dhe ..dinjiteti njerezor; pse s’thoni, qe pasuria e individit, eshte pasuri e perbashket, (e gjithe njerezimit, si .. pasuri e natyres) dhe per kete, te krijohen ligje, qe te ndahet ne menyre te barabarte midis njerezve ? apo keni frike, se ju thone komuniste te “flliqur” ? ! dhe komunistet ishit te ..”felliqur” me te vertete ?! po a s’kishte komuniste dhe ne usa (te ligjeshme) ? kush e shpalli komunizmin diktatur te “urryer” ?! jo askush . vetem halabak ose mendje perverset arriten ne kete perfundim . komunizmi u zevendesua me kapitalizmin “popullor” e ” social” se me te vertet ne parim eshte i tille, pra “bizneset” behen me aprovim te ligjit te shtetit dhe “biznesmeni” taksohet sipas llogarise qe i bene shteti . dhe shteti tatim fitimin, mund t’a beje nga 0- 0/0 ne 99 0/0 ose sa nje mesatare ne rastin me te mire te perparuar te gdp-se, pra si ne socializmin e djeshem . dhe kete kushtetutat demokratike e lejojne . por kur thua; “t’i kthehet prona ish pronarit” dhe kjo u be dhe po behet, je kthyer ne te drejten feudale ose osmane te prones (per shqiperine) dhe kushtetuten “DEMOKRATIKE” e ke hedh ne ..”Kosh te Plehrave” . pra me te vertete socializmi i djeshem ka dallim me kapitalizmin e sitem , por vetem si strukture ndertimi dhe jo si strukture , SHPERBLIMI . mirpo ju “mendjet e medhaja” ne te vertete keni mendje te madhe, ama ca gjera te “vogla”, as i dini dhe as i thoni, ose i dini dhe s’i…THONI…

      Reply to this comment
  6. Mihal Xhamo October 4, 16:01

    Plural izmi politik ne ve ndin tone nuk er dhi si tradite dhe kesisoj qe diten e pare etiketuan nj era tjetren si arm ike.Ende sot,rrota cionin politik te p ushtetit e quajne si rrotacion regji mesh.Keshtu,regj imi i Berishes,i Na nos,i Rames,flitet e shkruhet per di te ne parlament, ne medja e shtyp. A thua,ne demok raci,rrotacioni i p ushtetit eshte pe rmbysje ligjesh e parimesh e jo vaz hdimi te njejtes r ruge. Sot e kesaj dite,kjo gjuhe e d runjte,e po(rdhe)l itikaneve tone na kane bere gazin e Evropes e me gje re. Kjo tregone qa rte prapambetjen demokratike te p opullit e shoqeri se civile ne vendi n tone.Persa i per ket politikaneve t one,tashme, ata j ane kthyer ne Ja go kunder vendit e popull te tyre. D eri kur?
    Mihal Xhamo

    Reply to this comment
  7. Anti-Rryma October 5, 02:24

    Moikom Zeqo e ka vendin (per se gjalli) ne panteonin e burrave te mençur e te ditur te Kombit tone.

    Fjala jote eshte ushqim i vertet i mendjes dhe i zemres, njekohesisht.

    Shkruaj o fjal-art, shkruaj, Mendimi yt eshte nevoj e domosdoshmeri per njerzit e vertet.

    Reply to this comment
  8. demo October 6, 04:32

    Antirryma nuk ka nevoje per Reklame.
    Driteroin e pame dhe degjuam me ze dhe figure.
    Driteroit ju versulen enveristat e terbuar.
    Ishte AY qe tha:-Me mire i share,se i poshteruar.
    Dafinat merren ne Lufte.
    Paskerka qene edhe Zeqo(!)
    Si Shen Pjetri mbi mangall.
    Po Jezu Krishti e vuajti Kryqin.
    Shenojeni edhe kete tek apostujt.Ja kane ruajtur proces-verbalin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim