Diplomohen studentët e Gjuhëve të Huaja, Veliaj: Mundësi për praktikë pune pranë Bashkisë së Tiranës

November 2, 2017 19:12

Diplomohen studentët e Gjuhëve të Huaja, Veliaj: Mundësi për praktikë pune pranë Bashkisë së Tiranës

Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja kurorëzuan me sukses punën e tyre disavjeçare, që kulmoi me hedhjen e kapelave të diplomimit.

I pranishëm në këtë ceremoni, përveç drejtuesve të pedagogëve të këtij fakulteti, ishte dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i cili u uroi të sapo diplomuarve suksese në karrierë, ndërsa u shprehu mirënjohjen stafit pedagogjik për sakrificat që kanë bërë për edukimin e brezit të ri.

Kryebashkiaku ftoi studentët që të aplikojnë pranë Bashkisë së Tiranës për të realizuar praktikën e punës, ndërsa deklaroi se kryeqyteti u ofron një mundësi të gjithë studentëve më të mirë që të gjejnë një vend pune. “Tirana ka një energji, ndonjëherë Tirana është pak e ashpër, pak abrazive nga vrulli dhe shpejtësia e madhe, por unë besoj që kjo e bën edhe magjike Tiranën. Ndaj dua t’ju them që nëqoftëse keni nevojë për një praktikë, Bashkia e Tiranës është vendi ideal. Nëqoftëse keni nevojë dhe doni të aplikoni për një vend pune, Bashkia e Tiranës është ndoshta punëdhënësi më i madh i atyre që kanë mbaruar shkencat sociale dhe që kanë dashuri dhe zemër për qytetin dhe për njerëzit”, tha ai.

 Tirana konsiderohet edhe si një nga bashkitë me numrin më të madh të punësuarve, ndërkohë që shumë prej atyre të cilët përfundojnë studimet, vendosin që të jetojnë dhe të krijojnë familje në kryeqytet. Veliaj garantoi se Bashkia e Tiranës do të jetë gjithnjë në mbështetje të tyre. “Rreth 90% e juaja me shumë gjasë do vazhdojë të rrijë në Tiranë. Kështu që, bashkë do takohemi sot, do takohemi kur të martoheni, do takohemi kur të bëheni me bebe, do takohemi kur të bëni letrat për shtëpinë e parë. Kështu që ky është vetëm një nga stacionet  me të cilët do takoheni shpesh me Bashkinë e Tiranës gjatë viteve që do të vijnë. Unë dua t’ju them që sot nuk jeni më vetëm vizitorë, nuk jeni vetëm studentë, sot jeni me të drejtë të plotë, pas diplomimit, edhe qytetarët më dinjitozë të Tiranës. Kështu që sot realisht mund t’ju them : Mirëseerdhët në Tiranë, për të qëndruar gjithë jetën tuaj! Tiranën e bën të bukur fakti që ka talent që vjen nga e gjithë Shqipëria dhe nga të gjithë trevat shqiptare, si dhe fakti që ky talent garon përditë”, u shpreh kreu i Bashkisë.

 

November 2, 2017 19:12
Komento

1 Koment

  1. Duna November 3, 10:06

    Edhe ketu kryetari? A do na hiqet nga ekrani dhe mediat ky njeri, e te shkoje ne zyre e te beje punen per te cilen paguhet.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*