Disa “ilaçe” për problemet e farmacive

Maksi Bratko* March 4, 2016 18:09

Disa “ilaçe” për problemet e farmacive

Personalisht nuk e njoh farmacisten Jona Xholi (Dyrmishi), por më bëri përshtypje që ajo, me intuitën e saj, ka ngritur një problem, i cili këto dekadat e fundit pothuajse nuk është përmendur nga askush. Njerëzimi, qysh në fillimet e tij, midis të tjerave është ndeshur dhe me problemin e mbijetesës. Ka filluar të luftojë bashkudhëtarët e tij, sëmundjet për të cilat i është dashur të mbrohet, duke prodhuar një sërë ilaçesh. Në fillim të thjeshta dhe vazhdimisht më të përmirësuara. Kështu lindi dhe dega, që sot quhet farmaci. Në fillim u veçuan disa persona ,të cilët duke studiuar ecurinë e mjekimit, përcaktuan përbërësit e ilaçit me të cilin do të luftonin sëmundjen. Pra, lindën ata mjekë popullorë, që nga dita në ditë përmirësuan punën e tyre dhe i transferuar dijet nga brezi në brez, duke lindur ata që populli do t’i quante “xherahë” dhe atë që mori emrin e mjekut më të mirë të lashtësisë, Galenika. Për çdo person të sëmurë pëgatiteshe një ilaç i veçantë. Mëtej, filluan të përgatiten edhe barna në sasi më të mëdha për t’i patur reserve, jo për një, por për shumë persona. Më vonë u hapen edhe punishte për prodhimin e këtyre ilaçeve, derisa u arrit në prodhimet magistrale dhe ato industriale. U krijua kështu shkenca farmaceutike dhe industria farmaceutike.

Çlirimi i vendit e gjeti sektorin farmaceutik shumë të dobët, me pak farmaci dhe më pak kuadro të përgatitur, pa industri farmaceutike. Pas Çlirimit filloi ngritja e një sistemi të përparuar farmaceutik. Në fillim u dërguan jashtë shtetit mjaft të rinj për të studiuar në këtë degë. Më vonë u hapën edhe në vend degët për përgatitjen e studentëve farmacistë dhe n/farmacistë. U ngritën në të gjithë vendin, duke përfshirë edhe fshatrat e largët, farmaci, të cilat u kompletuan edhe me mjetet më moderne të punës. Në punën e përditëshme një përqindje e madhe e ilaçeve përgatiteshin në farmaci, ndërsa pjesa tjetër (specialitet) importoheshin nga jashtë. Gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, shitja e këtyre ilaçeve ecte krah për krah. Në farmaci tregtoheshin ilaçet magistrale e oficinale të përgatitura aty dhe ato të quajtura “specialitete” (tablet, ampulë, etj). Nga studimet e bëra në atë kohë dilte që rreth 35% e ilaçeve përgatiteshin nëpër farmacitë, ndërsa sot në pjesën dërmuese të farmacive nuk ekziston as peshore, cilindër apo havan d.m.th. përgatitjet galenike nuk zenë as 1%, ndërsa në farmacitë e spitalit është katandisur kokoshi një thelë. Por, mund të themi me plot bindje që dhe sot mund të përgatiten shumë kremra, locione, pomada, shurupe të ndryshme ‘ex tempore’ (të çastit), të cilat nuk kanë nevojë për lëndë stabilizuese, apo konservantë të ndryshëm, të cilat kanë edhe efekte kancerogjene. Po kështu, në qoftë se krijohen kushtet e punës, duke u plotësuar me kuadro të specializuar dhe me veglat e nevojshme të punës, në farmacitë e spitaleve mund të përgatiten mjaft solucione injektabile, të cilat janë përgatitur përpara, duke plotësuar mbi 80% të nevojave të spitalit. Ato, përveç se do të jenë të freskëta, do të ulin në mënyrë drastike çmimet e tyre, duke bërë që këto lekë të shfrytëzohen për blerjen e medikamenteve, apo aparaturave të ndryshme.

Me të drejtë mund të themi që përgatitjet industriale janë të çertifikuara, të kontrolluara dhe nuk shkaktojnë kokëçarje në punën e përditshme të farmacistëve, të cilët sot në pjesën më të madhe, mjerisht, janë kthyer në disa shitësa të diplomuar pa peshore, pa havan, apo pa një mezurë a cilindër, vegla të pandara për punën e tyre të përditëshme. Por megjithatë, prodhimet industriale nuk kanë marrë parasysht disa veçori fizioterapeutike të njeriut, si p.sh.: gjendje shëndetësore të veshkave nga e cila varet koha e eliminimit të ilaçit prej organizmit; nuk është marrë parasysh gjendja shëndetësore e mëlçisë, tëmthit apo zemrës në njerëz të ndryshëm, ku sipas gjendjes së veçantë të individit, duhet të përgatitet edhe doza e barit. Pra, është marrë një person me peshë dhe shëndet mesatar.

Nga këto që përmendëm, del e domosdoshme që nëpër farmacitë tona duhet të rifillojë edhe përgatitja e disa ilaçeve të vecanta. Por, sot kjo është shumë e vështirë, sepse: 1- Farmacisti me ligj nuk ka të drejtë të prodhojë dhe të tregtojë pjesën më të madhe të ilaçeve pa recetën e mjekut. Pra, del nevoja e krijimit të lidhjeve të ngushta farmacist-mjek, që kanë ekzistuar dhe ka qenë e detyruar më parë, por që sot, fatkeqësisht, nuk ekzistojnë më. Duhet ta përshkruajë mjeku që të përgatisë ilaçin farmacisti, duhet ta rekomandojë mjeku që ta përgatitë me shumicë farmacisti, etj. 2-Del problemi që farmacisti të furnizohet me lëndën e parë, me veglat e punës, me reactive, etj. Por, ku do t’i gjejë ato? Del bashkëpunimi farmaci-depo-laboratori i kontrollit, që duhet t’i analizojë dhe miratojë këto lëndë. 3- Në kohën e farmacive shtetërore, receta kalonte në katër duar, derisa vinte në përdoruesi: nëpranuesi(receptori), përgatitësi (asistenti), kontrollori dhe në fund dorëzuesi. Pra, mundësia e gabimit ishte shumë e vogël, ndërsa sot me atë recetë do të merret vetëm një person. Kështu që dhe gabimi mund të jetë më i madh. Këtu del edhe problem më i mpehtë: përgatitja dhe aftësitë e farmacistit, që sot në shumë raste le për të dëshiruar, sepse: a) Nga shkollat e sotme nuk dalin aq të përgatitur sa më pare, pasi në disa raste ka ngarkesa të tepërta dhe të pa nevojshme në kuriz të lëndëve shumë të nevojëshme. b) Puna laboratorike le për të dëshiruar në krahasim me kërkesat e kohës. c) Sot del problemi më akut: ai i praktikës 6 mujore pas mbarimit të studimeve dhe para provimit të shtetit. Dhe ja pse: Si universiteti shtetëror dhe aq më pak ato private, nuk u përgjigjen për t’u siguruar studentëve të tyre farmacitë ku duhet të kryejnë praktikën duke e lënë këtë në dorën e studentit dhe në gatishmërinë e disa faracistëve për t’i pranuar ata dhe për t’u udhëhequr atyre praktikën. Ndërsa, në kohën tone, këtë problem e zgjidhte dekanati në bashkëpunim me drejtoritë rajonale të farmacive. Çdo praktikanti i caktoheshe një farmacist me ekperiencë, i cili zbatonte me përpikmëri programin e caktuar nga fakulteti. Në fund të çdo dite firmoste ditarin e mbajtur nga stazhieri. Por sot, farmacitë janë private, pjesa më e madhe e farmacistëve shikojnë punën e tyre dhe duke mos patur ndonjë interes, veç humbjes së kohës, u bëjnë bisht lutjeve të praktikantëve, apo prindërve të tyre për t’i pranuar këta praktikantë të lënë si jetimë nga drejtuesit e shkollave, të cilët për 4-5 vjet i kanë studiuar, apo ata privatë u kanë marrë edhe një sasi të konsideruar lekësh.

Për t’u mënjanuar këto të meta, duhet të merren disa masa të menjëhershme (mendoj që ky problem të vihet edhe një nga pikat e akreditimit të universiteteve): -Universitetet të kontaktojnë në mënyrë zyrtare me farmacitë dhe të merren vesh që ato të pranojnë praktikantët. Kjo është më e lehtë për universitetet private, por që kanë edhe numrin më të madh të studentëve, sepse ata, nga pagesa e plotë që u marrin studentëve edhe në vitin e fundit, mund të paguajnë farmacistin që do të marrë në patronazh praktikantin. Ndërsa, universiteti shtetëror mund të merret vesh me ministrinë e Financave, ose me pushtetin lokal për t’u ofruar disa lehtësi fiskale.

Sot ka ardhur koha që duhet të vihen sa më shpejt disa pika mbi “i”. Nuk është e drejtë që praktikantët të copëtohen dhe të luten që ndonjë farmacist shpirtmirë të tregojë mëshirë dhe t’i pranojë. Këtë procedurë duhet ta ndjekin katedrat, ku ata kanë studiuar. Ata mund të hapin edhe farmaci të tyre dhe aty të udhëheqin njëkohësisht dhe praktikat e studentëve të tyre, ose të lidhin edhe kontrata me disa farmaci. Në ditët e sotme të ekonomisë së tregut, shkoi koha kur shumë gjëra bëheshin falas. Sot, sidomos universitetet private, që janë futur kryekëput në ekonominë e tregut, duhet të planifikojnë edhe disa vlera monetare për të paguar ato farmaci, që do të shprehin dëshirën për t’i pranuar dhe edukuar studentët e tyre. Si konkluzion, farmacistët para se të fillojnë përgatitjet galenike, duhet të jenë shumë të përgatitur dhe të aftë.

*Farmacist në pension

Maksi Bratko* March 4, 2016 18:09
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*