Disa vlerësime fragmentare për librin “Përjetësia e dyfishtë” të Bedri Islamit

March 16, 2018 11:15

Disa vlerësime fragmentare për librin “Përjetësia e dyfishtë” të Bedri Islamit

Profesor Rexhep Qosja

Njëri prej këtyre idealistëve të fjalës dhe të pushkës, idealisti më idealist, ishte Fehmi Lladrovci me gruan e tij Xhevën.

Dhe, qe, për të e për gruan e tij, besniken e tij në jetë e në vdekje, kemi sot një vepër publicistike të madhe në disa pikëpamje: të madhe për nga vëllimi, të madhe për nga koncepti dhe të madhe për nga përkushtimi i autorit të saj ndaj figurës historike së cilës i është kushtuar ajo.

E ka shkruar shkrimtari, publicisti dhe veprimtari i njohur për pavarësinë e Kosovës, Bedri Islami.

E ka shkruar, thotë në parafjalën e saj, me një frymë, por pas mendimesh të gjata. Dhe, kjo që e thotë shihet prej faqeve të para e deri në faqet e fundit të kësaj vepre të rëndësishme për historinë e lëvizjes sonë kombëtare dhe të luftës çlirimtare. Veprat si kjo, me vlerën që ka kjo, me gjykimet, përfundimet dhe të vërtetat që sjell kjo s’ka se si të mos përgatiten gjatë, s’ka se si të mos jenë fryt i kërkimeve të gjata dhe s’ka se si të mos mbahen thellë në mendje e në zemër.

Cilësia e tyre shkencore doemos varet prej rëndësisë historike të protagonistit për të cilin shkruhen por edhe prej dhuntisë krijuese të autorit. Në veprën e Bedri Islamit, me titullin shumë të qëlluar, Përjetësia e dyfishtë, janë bashkuar të dyja: dhuntia krijuese e autorit dhe madhështia historike e protagonistit të saj.

Një jetë e jashtëzakonshme, jeta dhe lufta e Fehmi Lladrovcit, e ka gjetur jetëshkruesin e vet më të mirë.

Shkrimtari Adem Gashi

Vepra

Duke e lexuar dorëshkrimin “Përjetësia e dyfishtë” gjeta pikërisht kreaturën e heroit, të Bedri Islamit që jo vetëm i shëmbëllen modelit jetësor, Fehmiut, por është një interpretim së brendshmi. Shkrimtari ka kapur profilin e luftëtarit mu si fotografi pasionant që me një aparat të thjeshtë kishte kapur çastin e shkrepjes së plumbit, atë që quhet laudhë, rrugë e përshkuar nga plumbi pas daljes nga gryka. Unë nuk e di nëse ishte ai Xhon Milli a ndonjë tjetër, autori i fotografisë që zura ngoje pra, unë nuk e di nëse Bedri Islami parapëlqen të quhet poet, dokumentarist a romansier, por di të them se kjo vepër, pavarësisht zhanrit teorik e stilistik të prozës së eseistikës dokumentare, mund të quhet vepër letrare në plotëninë e saj, me dramën, tragjedinë, epikën, lirizmin e intrigën tok me ironinë brenda. Struktura e saj thyen konventën kronologjike dhe didaskalitë e tjera teoriko-letrare.

Sa përshkruhen detajet e jashtme, papritmas ndërhyn fragmenti i letrës që mund të lexohet si dialog e monolog njëkohësisht; sa shfaqen vlerësimet dhe kujtimet e shokëve të heroit, kur befas, përmes prezentit historik shfaqet heroi në burg, në betejë a në ekzil. Ndërtimi i profilit të heroit, të personazhit, të luftëtarit pa praninë e tij të drejtpërdrejtë, ndërtimi i pranisë së papranishme është një shkathësi dhe mjeshtri e rrallë rrëfimore dhe tepër për lakmi e autorit.

Nganjëherë kam mbresën se po e lexoj tekstin e një pastruesi të palimpsesteve, i cili shkruan e rishkruan sa dramën e personazhit, po aq edhe të vetvetes e të bashkëkohësve e bashkëkombësve.

Gjithsesi një vepër e denjë që sa lartëson autorin në lagjen e krijuesve letrar, për aq i bën nder veprës së lavdishme të Fehmi Lladrovcit.

Shkrimtari Sulejman Mato

Shënime rreth monografisë “Përjetësia e dyfishtë” të autorit Bedri Islami.

Këtë libër të mrekullueshëm, frymëzuar nga jeta dhe veprimtaria heroike e dy heronjve të njohur, të rënë në luftën për çlirimin e Kosovës, e kam lexuar me një frymë. Sa mbarova së lexuari, e ndjeva për detyrë, që lind nga respekti që ne kemi për heronjtë tanë, të hidhja në letër mbresat për këto dy figura të ndritura të kombit tonë dhe për vlerat e padiskutueshme të këtij libri.

Së fundi dhe dy fjalë për autorin. Kush e dinte se Bedri Islami, autori i këtij libri, i njohur si djali i Zenel Islamit, Zenelit të Migjenit, do të vinte një ditë të bëhej i njohur në letërsinë shqipe me disa libra poetike, disa drama e romane e po kështu me disa libra të rëndësishëm publicistike, por, libri që do ta lartësojë dhe më lart penën e tij është rrokja me guxim i veprës heroike të dy figurave të shquara, të cilat, për nga përmasa, u ngjajnë heronjve të mëdhenj të kombit. Të tillë ishin Fehmiu dhe Xheva, të tillë do të mbeten në kujtesën tonë dhe në historinë e kombit shqiptar.

Ky libër kaq voluminoz për nga faktet është ndërtuar si një mozaik kujtimesh të përshkruara herë në formën e dialogut e herën të monologut, gjithmonë në funksion të dy figurave qëndrore. Autori e kalon kamerën lehtësisht, herë në jetën ilegale e herë në ngushticat e burgjeve, duke e ndjekur si me kamerë të fshehtë jetën e thjeshtë të Xhevës dhe jetën heroike të Fehmiut, kudo që janë ndodhur; në Kosovë, në Kroaci, në Slloveni, në Zvicër, në Gjermani e gjetkë.

Libri “Përjetësia e dyfishtë” është një vepër që aq sa lartëson figurën e lavdishme të dy heronjve, aq i bën nder vetvetes si krijues dhe lexuesit.

 

 

March 16, 2018 11:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*