Dita e kujt do të jetë e diela në Kosovë?

October 5, 2019 08:31

Dita e kujt do të jetë e diela në Kosovë?

Bedri Islami

Pasnesër në Kosovë do të jenë zgjedhjet e jashtëzakonshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Si e kam shkruar, nëse do të isha në Kosovë, vota ime do të ishte për PDK-në, por, më shumë se sa për liderët e saj, do të ishte për ata që iu bashkuan asaj me aspirata të mëdha, me vuajtje e sakrifica; ata, të thjeshtët dhe të ndershmit, të cilët, megjithëse partia që besojnë ishte në pushtet, nuk përfituan asgjë prej saj. Dhe nuk krijuan klane politikë e as agallarë të rinj!

Por dëshira e një njeriu të vetëm është thjeshtë një dëshirë, megjithëse kësaj here është një mendim i lëkundur.

Përse i lëkundur?

Sepse në kaq vite pjesë e pushtetit, herë herë me të LDK-së, e herë të tjera me sivllezërit e luftës, AAK dhe Nisma, nuk u bë asgjë e pazakontë në Kosovë; ecuritë ishin të pakta, përdallimi mes të varfërve dhe shtresës së pasur pranë qeverisë u bë më i ndjeshëm; ndikimi i lobit serb u rrit dukshëm, zhvillimi i Kosovës u bë i padukshëm, pranë strukturave të larta u afruan njerëz , e shkuara e të cilëve kishte qenë pranë makinerisë serbe, qoftë politike apo ushtarake; me përjashtime të veçanta, si në Drenas apo Skenderaj, nderimi ndaj të rënëve u bë thjeshtë fushatë zgjedhore dhe jo linjë meditimi , mendimi e veprimi.

E, megjithatë, unë do të ishte pranë tyre. Shumë e shumë vite më parë, kur vendosa të largohem nga Kosova, u kisha thënë se ” në të mirë e në të keq, do të jemi bashkë”. Në të mirë isha i huaj,qëndrova larg pushtetit, nuk përfitova asnjë cent për ndihmesën time dhe uroj që të mos e njohin se çfarë do të thotë në të keq.

Kjo nuk mjafton!

E diela në Kosovë është enigma e pak orëve. Pas,  të themi 60 orësh, do të dihet se kush e qeveris Kosovën në katër vitet e ardhshme.

Nëse forcë e parë do të jetë PDK e Kadri Veselit?

E vështirë, por jo e pamundur!

Më shumë e vështirë, se sa e mundur.

Pushteti e ka lodhur, disa nga figurat e saj janë zvjerdhur në sytë e popullit; ndonjëri është bërë si aga, i pasur, mospërfillës, harbut.

Kadri Veseli po rend nga e djathta, kur baza e tij është e majtë. Më shumë se nga jashtë, forcën e tij politike e brejnë nga brenda. Figurat e shquara që ka në rradhët e tij, si Hajredin Kuçi, Fatmir Xhelili, Enver Hoxhaj, Safete Hadergjonaj, disa nga prurjet e reja, intelektualë të rinj, dëshmojnë se mund të ketë të ardhme, nëse shkëputet nga figura që nuk duhet të jenë aty.

Të gjithë e kanë përjashtuar koalicionin paszgjedhor me të, por , nëse do të jetë forcë e parë, thuajse të gjithë do të rendin drejt saj.

Do të jetë forcë e parë PDK-ja?

E vështirë…vitet e pushtetit e kanë ngrënë stofin e saj të dikurshëm.

Nëse forcë e parë do të jetë VV e Albin Kurtit:

Kushtetuta e përcakton se forca e parë politike ka të drejtën e qeverisjes. Pavarësisht se mund të ketë, të themi , vetëm 30 për qind të votave.

VV është e vetmja forcë politike në Kosovë, e cila, deri tani, nuk ka qenë në pushtet. Ajo i ka ardhur rrotull pushtetit, ka provuar të qeverisë Prishtinën, ku nuk u bë asgjë, por , më shumë se dështim i VV është një dështim i shefit të Komunës, i zgjedhur me votat e VV,por i kthyer kundër saj.

Një ditë mund të bashkohen. Pushteti të josh më shumë se sa grindjet e së shkuarës. Shumë gjëra mund të harrohen dhe të jenë përsëri si “vëllezërit siamezë”.

Albin Kurti është sot lideri më karizmatik i Kosovës. Dhe, duhet thënë, më i ngrituri si politolog. Njeri i lexuar, i rrëmbyeshëm në pikëpamjet e tij, polemist i dorës së parë;  megjithëse mund të mos jetë i një mendje me mua, i takon së majtës, më shumë të majtës moderne se sa asaj klasike që kemi njohur; njeri i aksionit dhe me dëshirën për të pasur një pushtet ndryshe, do të thotë një qeverisje ndryshe.

Më i besuar tek të rinjtë, por i dyshimtë për një brez politik që vjen nga fundi i vitit 1989, kohë kur u krijua LDK-ja. E nominuara për shefe të qeverisë nga LDK-ja, Vjosa Osmani, e di krejt mirë se Albin Kurtin mund ta rrëzojë vetëm duke e sulmuar si një i majtë ekstrem, si Chavez, megjithëse, partia e saj, fillimet i ka në një të majtë pro serbe dhe me fillesë prej komunizmit serb.

Tek Albin Kurti shumë vetë, më shumë se gjithçka të rinjtë, kanë gjetur shpresën e tyre.

Disa ditë më parë, në një takim me studiuesin e shquar, eruditin, politologun, mendimtarin e pashoq, Moikom Zeqo, më tha se ai ka besim se në Kosovë mund të drejtojë vetëm një njeri dhe ai është Albin Kurti.

Të ketë të drejtë?

Unë i besoj atij!

Bashkëpunimin me PDK-në ai, Kurti,  e ka përjashtuar. Nuk janë dy forca të kundërta nga fillesa, por të ndryshme nga vazhdimi. Përplasjet mes tyre kanë qenë të ashpra, si rrugë pa kthim. Një ndarje, e filluar në shkurtin e vitit 1999, nuk ka gjetur pika bashkimi as pas 20 viteve!

Albin Kurti si shef i qeverisë mund të bëjë aleancë me LDK-në, një dëshirë e shpallur. Ndarja e vendeve është bërë: ai shef iqqeverisë, Vjosa Osmani drejtuese e Kuvendit. Pastaj vijnë të tjerat dhe synimi për të patur  president nga radhët e LDK-së. Do të bien kështu synimet e Pacollit, të cilin e joshën me postin presidencial për t’u bërë pjesë e qeverisë që po ikën.

Nëse Kurti nuk gjen fjalën me LDK-në dhe do të bashkohet me AAK, NISMA dhe pasuesit e tyre, do të jetë fillimi i humbjes së tij.

Sepse , në këtë fushatë dhe në çastet e zemërimit, ka folur shumë kundër tyre dhe fillimi i kapërdimjes së fjalëve është fillimi i fundit të një qeverisje.

Në fakt, ia vlen të provohet se si do të ishte qeverisja nën drejtimin e Kurtit!

Ngarendja e mjaft figurave të njohura politike e akademike të Kosovës, drejt forcës politike që drejton Kurti, është shenjë se nga do të jetë pushteti qeverisës i së ardhmes.

Të zhgënjehesh nga një forcë e caktuar politike, ku ke qenë bashkëthemelues, nuk do të thotë ta braktisësh atë sa po ndjen erën e një qeverisje të re.

Do të kemi një koalicion LDK -VV ?

Bashkim i një force politike me nisje nga stabishmenti i dikurshëm i Lidhjes Komuniste të Kosovës me një forcë politike ringjallëse, si është VV?

Do të kemi një koalicion LDK-AAK-Nisma, bashkë me aleatët e tyre?

E mundshme, por e vështirë.

LDK ka përcaktuar shefen e qeverisë së ardhshme, AAK, po ashtu, më tej Nisma…për një karrige janë shumë tre vetë.

Në Kosovë, të gjitha forcat kryesore  politike, paraqiten si të djathta. Në fakt, asnjëra prej tyre nuk është e tillë.

As ata vetë nuk e dinë se çfarë janë. Paraqiten të djathta, pasi mendojnë se kështu janë më ofertuese ndaj njerëzve, që në një masë të madhe, rreth 80 për qind, janë në një nivel mesatar ose të varfër.

Në tri partitë e mëdha është e diela: PDK, VV dhe LDK.

Të tjerat do të kenë disa pjesë të së dielës, por nuk do të jenë zotërues të saj.

Ndoshta, më shumë se çdo gjë tjetër, është e domosdoshme një ndërrim i pushtetit, më shumë një ndërrim i konceptit të pushtetit, i mendësisë ndaj qasjes së tij, i prioriteteve të tij, i afrimit të njerëzve ndaj qeverisjes dhe, në fund të fundit, ajo që është më e domosdoshme, krijimit të një qeverisje që mendon për njerëzit e jo për pasurimin e anëtarëve të saj.

Të gjithë janë të provuar.

Veç VV së Albin Kurtit!

October 5, 2019 08:31
Komento

4 Komente

  1. Sovranitet a Vasalitet, kjo eshte e diela e Kosoves October 5, 08:57

    E diela ne Kosove ka para dy rrugeve si do jete :
    1. Ose e diela e vazhdimit pafund te nje dialogu shterpe Serbi-Kosove, e diela e nje Kosove as pavaresi as vasalitet por nje pseudo-sovranitet. Pra nje Kosove qe nga krahine autunome e Jugosllavise eshte bere parcele eksperimentale e Perendimit
    2 Ose e diela e Kosoves udhehequr nga Albin Kurti qe e ben Kosoven me sovranitet packa se i hedh persiper lumin e jargavitjeve te Perendimit.
    Sovranitet me mbeshtetje perendimore per Kosoven nuk ka, ta harrojne! Kane 20 vjet qe e besojne kete.

    Reply to this comment
  2. Filoeuropiani October 5, 09:22

    Dita e ndonje palle se e kemi zakon qe te tille zgjedhim ne shqiptaret por uroj mos jete e ndonje palle islamike

    Reply to this comment
  3. Shkodra R. October 5, 12:06

    Bedri Kaqolja do na tregoj se për kendë do Votonte. Sa i pafyterë që je mor Bedri Spiuni.

    Reply to this comment
  4. Mollosi October 5, 15:02

    Albin Kurti nuk duhet sulmuar vetem si nje i majte ekstrem, por duhet sulmuar edhe si nje ithtar i islamit ekstrem!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*