Ditari i ish-ambasadorit: Loja e Millosheviçit me vëllazërinë sllave

April 11, 2019 11:42

Ditari i ish-ambasadorit: Loja e Millosheviçit me vëllazërinë sllave

Shaqir Vukaj*

(Vijon nga numri i kaluar)

08.04.1999

Anija ruse ‘Liman”, krenaria e flotës ruse në llojin e vet (anije zbulimi) arriti në Adriatik për të vëzhguar nga afër lëvizjet e flotës së vendeve të NATO-s, lëvizjet e aviacionit ushtarak të NATO-s etj. Dhe, siç thonë disa “gojë të këqija ruse dhe perëndimore”… për t’u dhënë serbëve të dhëna sekrete që do të sigurojë për NATO-n.

Nga Tatarstani vinë njoftime interesante. Qendra Mbarëkombëtare Tatare, nëpërmjet një deklarate të bërë publike, dënon politikën shoviniste të Millosheviçit, mbështet ndëshkimin që po i bën atij NATO-ja dhe bën thirrje për t’u regjistruar vullnetarë për të shkuar në Kosovë, për të luftuar përkrah shqiptarëve.

Nacionalistët tatarë kërkojnë nga presidenti i tyre, Shamijev, që të shfaqë më qartë qëndrimet e tij, veçanërisht ndaj politikës së jashtme ruse dhe të bëjë ç’është e mundur që, me ndihmën e raketave të NATO-s, të ndalë makinën ushtarake serbe, që synon të asgjësojë popuj të tjerë. Ata kërkojnë dënimin si kriminel lufte të Millosheviçit dhe bashkëpunëtorëve e zbatuesve të urdhrave të tij, dënim qe do të ishte mësim edhe për mbështetësit shpirtërorë në Dumën Shtetërore dhe Këshillin e Federatës.

Edhe në Rusi po dalin njerëz e organizata në mbrojtje të çështjes sonë…

Në numrin e sotëm të “Njezavisimaja Gazeta” është botuar një artikull mjaft interesant, titulluar Iniciativa Ballkanase, shkruar nga B. Lvin, bashkëpunëtor i Institutit të Analizës. Artikulli, mbasi trajton ngatërresat ballkanike për probleme kufijsh, analizon mundësinë e rishikimit të kufijve të shteteve ballkanike. Ai paraqet një plan të propozuar prej tij (por që, sipas meje, përfaqëson qëndrimin e disa qarqeve të caktuara ruse). Sipas tij, për të mbyllur një herë e mirë ngatërresat ballkanike duhet të veprohet kështu:

– Kosova të ndahet midis serbëve e shqiptarëve. Serbët të marrin një të katërtën e territorit që përfshin Fushë Kosovën me rrethinat, kurse pjesa tjetër t’i kalojë Shqipërisë, në përbërje të së cilës mund të hyjë edhe një pjesë e Maqedonisë ku banojnë shqiptarë, por në qoftë se këta të fundit dëshirojnë.

– Srpska Republika e Bosnjës dhe rajonet serbe të Sllavonisë Lindore të bashkohen me Serbinë.

– Pjesa kroate e Bosnjës t’i kalojë Kroacisë, kurse pjesa myslimane të jetë shtet më vete.

-Manastiret që do të mbeten në pjesën Perëndimore të Kosovës (në pjesën shqiptare) t’i kalojnë nën kujdestari Patriarkanës së Stambollit ose Manastirit të Sinajit në Egjipt.

Nuk është hera e parë që në Rusi flitet për ndryshim kufijsh në Ballkan e ku gjithçka sillet rreth tokave shqiptare. Dua të theksoj se në disa qarqe diplomatike këtu në Moskë, jo rrallë hidhet ideja e ndarjes së Kosovës, si një rrugë e mundshme për rregullimin e problemit të Kosovës. Madje ambasadori bullgar është i bindur se kjo është e vetmja mënyrë për të ardhmen dhe se, sipas tij, të mëdhenjtë  janë marrë vesh për këtë e se kjo do të ndodhë mbas disa viteve….

 

10.04.1999

Mbas kërkesës për armatime e lëndë djegëse, Millosheviçi e ka rritur pazarin dhe  bëri një kërkesë tjetër edhe më të avancuar. Ai kërkoi zyrtarisht të pranohet anëtar me të drejta të plota i Aleancës Rusi – Bjellorusi. Siç shihet ai ka vendosur të luajë deri në fund  kartën ruse, siç e kanë luajtur edhe të parët e tij shumë herë në histori, siç e luajtën edhe në prag të Luftës së Parë Botërore, kur për hatër të tyre Rusia u përfshi në flakët e saj.

Sot u bë e njohur nga kryetari i Dumës Shtetërore, G. Seleznjov, kërkesa zyrtare e Millosheviçit  për t’u pranuar në Aleancën Rusi – Bjellorusi. Gjatë një seance të Dumës, e cila u transmetua direkt në disa kanale televizive, ai tha se  kërkesën e Millosheviçt ia kishte bërë të njohur presidentit Jelcin, i cili, sipas tij, e kishte përkrahur. Siç tha ai, në prani të tij, Jelcini ishte lidhur në telefon me presidentin e Bjellorusisë, Llukashenko, për këtë problem.

Seleznjovi lëshoi një lajm-bombë. Siç u shpreh ai në  Dumë, Jelcini kishte dhënë urdhër që forcat ushtarake ruse të drejtonin raketat ndaj atyre vendeve anëtare të NATO-s që po marrin pjesë në sulmet ajrore kundër Jugosllavisë.

Të gjitha këto transmetoheshin direkt nga Duma nga disa kanale televizive.

Në mesditë u transmetua nga kanali televiziv NTV një pjesë e regjistruar nga një takim zyrtar i presidentit Jelcin, zhvilluar sot në mëngjes. Ndër të tjera, ai tha se “Rusia nuk do të futet në konflikt ushtarak, në se amerikanët nuk do ta shtyjnë drejt një veprimi të tillë… Ata duan të pushtojnë Jugosllavinë, Detin Mesdhe etj. Rusia nuk do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, nuk do të shpërndajë Dumen, nuk do të nxjerrë Partinë Komuniste jashtë ligjit”. Ai gjeti vend e tha se “Qeveria duhet të përforcohet”… ç’ka, për mendimin tim, do të thotë se do të ketë ndryshime të mëdha në qeveri, ose edhe do ta shpërndajë edhe këtë siç ka bërë edhe herë të tjera. Kam përshtypjen se pikërisht ky ishte dhe qëllimi kryesor i kësaj interviste.  Ai nuk e zuri me gojë kërkesën e Millosheviçit për t’u pranuar në Aleancën ruso – bjelloruse.

Po sot, zëdhënësi i Jelcinit foli për këtë kërkesë të Millosheviçit, ku, shkurtimisht, tha : “Një kërkesë e tillë serioze ka nevojë për një analizë të hollësishme për të cilën është ngarkuar Ministria e Punëve të Jashtme”.

Deklarimi i Seleznjovit për urdhrin e Jelcinit për të drejtuar raketat kundër vendeve anëtare të NATO-s që marrin pjesë në bombardime kundër Jugosllavisë, ka shkaktuar një tension të jashtëzakonshëm që ka spostuar vëmendjen nga të gjitha problemet e tjera. Të gjithë sot, në lajme, në deklaratat e politikanëve ruse, në bisedat e ambasadorëve gjatë një pritje etj., jepnin mendimet e vlerësimet e tyre për këtë problem. Kishte prej atyre politikanëve ruse që përshëndesnin një deklarim të tillë, por kishte dhe të tillë që tregoheshin të rezervuar. Në trupin diplomatik shprehej një lloj dyshimi për vërtetësinë e fjalëve të Seleznjovit… Megjithatë, siç u shprehën disa ambasadorë, nga Jelcini mund të presësh gjithçka dhe se ata kishin njoftuar menjëherë qendrat e tyre për këtë deklaratë, si për një gjë të jashtëzakonshme.

Me sa duket, mënyra si u kuptua ky deklarim i Seleznjovit dhe jehona që pati brenda e, veçanërisht, jashtë Rusisë, bëri që pak orë mbas deklarimit të tij,  në të gjitha kanalet televizive ruse të dalë zëdhënësi i Jelcinit e të thotë se “gjatë takimit Seleznjov – Jelcin, ky i fundit ka folur për këtë problem, por nuk ka thënë direkt që të drejtohen raketat ndaj vendeve të NATO-s dhe se ka patur një keqkuptim për këtë problem”.

Hajde e merre vesh Rusinë në këto momente, kur për të ndihmuar vëllezërit sllavë ortodoksë, personalitetet më të larta drejtuese të saj këpusin broçkulla të tilla…

Në lajmet e mbrëmjes përsëri doli para ekranit Seleznjovi, që  nuk e mohoi as e pohoi deklaratën e bërë në Dumë, por shtoi se gjithçka është e regjistruar dhe se nga regjistrimi  mund të shihet si është zhvilluar biseda.

Sipas burimeve zyrtare, sot është rënë dakord për një takim midis Ivanovit dhe Ollbrajtit. Në njoftimet për këtë takim, përmendet jo pa qëllim se për të është punuar prej kohësh dhe se ai nuk ka lidhje me deklaratat sotme…

12.04.1999

Ngjarja kryesore e ditës është marrëveshja për pranimin e Jugosllavisë në aleancën ruso – bjelloruse.

Sipas njoftime të medias ruse, Millosheviçi i ka dërguar një letër presidentit rus Boris Jelcin. Thuhet se letra  i është dorëzuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, zv/ministrit të parë, Avdjejev, por kjo e fundit e mohon një gjë të tillë.

Nga Beogradi njoftohet se është mbledhur Skupshtina Federative për të vendosur për pjesëmarrjen e Jugosllavisë në Aleancën Rusi – Bjellorusi. Sipas lajmeve nga Beogradi, nuk parashikohet bashkimi i Jugosllavisë me këto vende në një shtet, por fjala është për një bashkëpunim të gjerë në fushat politike, ekonomike e kulturore dhe, ajo që eshte me kryesorja, në fushën ushtarake.

Millosheviçi po lot bukur në këtë fushë. Premtimet e bëra me kohë, angazhimi i Moskës për ta mbrojtur atë e Serbinë, në emër të “vëllazërisë sllave e unitetit sllav“, ai po i shfrytëzon në mënyrë të shkëlqyer, si një politikan i klasit të parë. Nëpërmjet këtij propozimi ai kërkon t’ia kundërvejë udhëheqjen ruse Perëndimit dhe, nga ana tjetër, popullit të vet. Gjithçka e menduar më së miri e në kohën më të përshtatshme…

Për më tepër, me njërën palë e ka rregulluar që më përpara, me Llukashenkon e Bjollorusisë, i cili së shpejti do të shkojë në Beograd me ftesë të Millosheviçit (me sa duket për të diskutuar  e për të rakorduar mirë të gjitha hollësitë e kësaj marrëveshjeje).

Por edhe në Moske ai ka lëshuar rrjetat me kohë dhe ka arritur të “peshkojë“ shumë prej politikanëve rusë, shumë më tepër se mendohet, veçanërisht në Dumë dhe në qarqet ushtarake….

Shumë herë është folur e flitet për “unitetin e vëllazërinë sllave“. Po ç’është në të vërtetë kjo termë aq e preferuar dhe e përdorur nga politikanë të ndryshëm sllavë, veçanërisht rusë, në momente kyçe të zhvillimeve historike,  realitet apo mit?.

Përse ky term përdoret vend e pa vend nga politikanë, analistë, historianë e ushtarakë këto ditë, duke i vënë thekset tek domosdoshmëria e ndihmës për “vëllezërit tanë sllavë“?.

A ka ekzistuar dhe a ekziston në të vërtetë “vëllazëria dhe uniteti sllav“?.  Po t’i referohemi historisë, e marrëdhënieve midis  popujve e vendeve sllave, shohim se ata më shumë kanë qenë në grindje e mosmarrëveshje (siç do të flas më poshtë dhe shpesh në gjendje lufte me njëri – tjerin) se sa në marrëdhënie normale e miqësie midis fqinjësh..

Sot një pjesë e Evropës është e populluar nga popuj sllavë (rusë, ukrainas, bjellorusë, polakë, çekë, sllovakë, bullgarë, serbë, kroatë, sllovenë, boshnjakë, maqedonë, malazezë) me mbi 280 milionë banorë, të vendosur në  vijimësi gjeografike, me një ndërprerje në mes (Austri, Hungari). A janë të gjithë  të njëjtë e vëllezër ndërmjet tyre ?. Përgjigjet janë nga më të ndryshmet. Ithtarët e pansllavizmit përpiqen të bindin veten e të tjerët se ata janë një e vëllezër, pavarësisht disa ndryshimeve. Të tjerë thonë, se, pavarësisht nga ngjasimet, ata janë të ndryshëm e në historinë e tyre kanë më shumë armiqësi se vëllazëri.

Që në kohën e tij poeti i madhe rus A. Pushkin shkruante një varg “Sllavë, lerini grindjet midis njëri – tjetrit“, ndërsa shkrimtari i madh rus, Dostojevski, para rreth një shekulli shkruante se “Sipas bindjes sime të plotë dhe të pandryshueshme, Rusia nuk ka patur e nuk do të ketë armiq më të mëdhenj, që ta urrejnë, ta kenë zili e, madje, ta mallkojnë më shumë  se sa fiset sllave“.

Po i referohem historisë. Rusia, duke dashur t’i shfrytëzojë për interesat e veta lëvizjet çlirimtare të popujve sllavë të Ballkanit, në vitet 1804 – 1812, ka ndihmuar direkt me armë e trupa serbët në  kryengritjen kundër turqve. Autonomia e Serbisë është rivendosur mbas fitores së Rusisë ndaj Turqisë në luftën e zhvilluar në vitet .1828-1829.

Ideja e “Serbisë së Madhe“ i binte ndesh interesave të Rusisë, mbasi i gjithë mendimi politik serb nuk e pranonte “pansllavizmin“ dhe rolin udhëheqës të Rusisë, që me çdo kusht donte të sundonte në Ballkan. Që në vitin 1844 Garashanini, hartuesi i “Naçertanies“ (që edhe sot konsiderohet si guri themeltar i doktrinës dhe politikës së jashtme të Serbisë) shkruante se “Serbia nuk mund të arrijë në asnjë mënyrë qëllimet e veta,  veçse në marrëveshje me Rusinë. Por kjo është e mundur vetëm atëherë kur ajo të pranojë plotësisht kushtet e Serbisë“.

Si rezultat i luftës ruso-turke të viteve 1876-1878 dhe në sajë të fitores së Rusisë, Serbia dhe Bullgaria u shpallën shtete të pavarura (Traktati i Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit).  Në atë moment interesat e Rusisë puqeshin me ato të Serbisë dhe Bullgarisë. Por menjëherë mbas krijimit të këtyre shteteve, ato i kthyen shpinën Rusisë (në vitin 1881 Serbia përfundoi marrëveshjen me Austro-Hungarinë, ndërsa Bullgaria u orientua nga Gjermania). Kjo periudhë, 1880 – 1890, shënon marrëdhëniet më të acaruara midis Rusisë, nga njëra anë e Serbisë e Bullgarisë, nga ana tjetër.

Por jo vetëm midis Rusisë e këtyre dy vendeve sllave, por edhe midis tyre, “vëllezërit sllavë serbë e bullgarë” jo vetëm u armiqësuan, por i shpallën luftë njëri = tjetrit, luftë që në periudha të ndryshme do të përsëritej disa herë më vonë (“vëllezërit sllavë serbë e bullgarë” kanë zhvilluar katër lufta kundër njeri – tjetrit).

Rusia u përfshi në Luftën e Parë Botërore e Rusia, nën parullat e mbrojtjes së “vëllezërve të gjakut sllav dhe të një feje“.

Mbas Luftës së Parë Botërore marrëdhëniet  midis  Moskës dhe Jugosllavisë kanë qenë tepër të ftohta, për të mos thënë armiqësore. Vetëm në vitin 1940 u vendosën marrëdhënie diplomatike midis tyre. Njihet kontributi i Bashkimit Sovjetik për të ndihmuar Jugosllavinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por shpejt mbas kësaj lufte “vëllezërit sllavë rusë e serbë“ u prishen, duke kaluar në armiqësi të hapur me njëri – tjetrin. E gjithë kjo periudhë, që nga Lufta e Dytë Botërore e deri në ditët e sotme është e mbushur me ngjarje e zhvillime që kurrsesi nuk flasin për “unitet e vëllazëri sllave”  (Kohët e fundit ky term po përdoret vend e pa vend).

Edhe historia e marrëdhënieve midis “vëllezërve sllavë“ rusë e polakë është e mbushur me ngjarje e probleme e shpesh armiqësi. Luftërat e shpeshta në kohët e kaluara midis tyre, ndarja e Polonisë midis Gjermanisë Hitleriane e Bashkimit Sovjetik (sipas Paktit Molotov – Ribentrop), pushkatimi nga ana e sovjetikëve i 24 mijë oficerëve polakë, ngjarjet e vitit 1956  e deri tek orientimi krejtësisht properëndimor i Polonisë (pranimi këto ditë në NATO dhe përpjekjet për t’u pranuar në BE) nuk flasin aspak në favor të “vëllazërisë sllave“.

Megjithëse për më se tre shekuj rusët e ukrainasit kanë jetuar në një shtet, në marrëdhëniet midis tyre ka edhe “njolla të zeza“ që, sipas Moskës, kanë ardhur nga “nacionalizmi ukrainas“. Sidoqoftë, ndarja me të mire midis tyre është një shembull edhe për të tjerët. Megjithëse sllavë, edhe një pjese e ukrainasve janë të orientuar jo nga Rusia dhe, siç po zhvillohen ngjarjet, herët a vonë edhe Ukraina do të orientohet nga Perëndimi.

Megjithëse historikisht në marrëdhënie të mira, çekët e sllovakët nuk munden të bashkëjetonin më me njëri – tjetrin dhe në vitin 1993 u ndanë me të vërtetë në mënyrë vëllazërore, duke u bërë model se si mund të realizohen ndarje popujsh që historia i ka bërë të jetojnë në një shtet të përbashkët  Tani, të ndarë, edhe marrëdhëniet i kanë më të mira. Sidoqoftë, këta janë dy popujt që kanë shkuar më mirë me njëri – tjetrin midis “vëllezërve sllavë“ krahas rusëve dhe bjellorusëve.

Dihen marrëdhëniet midis rusëve, nga njëra anë, e çekëve e sllovakëve, nga ana tjetër. Orientimi tradicioal progjerman i tyre, vendosja e komunizmit në Çekosllovaki e, sidomos, pushtimi i saj në vitin 1968 nga Bashkimi Sovjetik, kanë lënë aq kujtime dhe e kanë çarë aq thellë ”vëllazërinë sllave” sa do të duhen breza për t’ia faturuar atë historisë…

Jo pa qëllim i lashë për në fund marrëdhëniet midis ”vëllezërve sllavë” që u bashkuan në një shtet (ose më mirë të thuhet  i bashkuan) e që krijuan mbretërinë e serbëve, kroatëve e sllovenëve e që, më vonë, u quajt Jugosllavi. Ajo është një histori e mbushur me probleme, mosmarrëveshje e deri në urrejtje të thella ndaj njëri – tjetrit. Bashkimi e mbajtja me dhunë e këtyre popujve në një shtet, i shtoi edhe më shumë grindjet e mosmarrëveshjet midis ”vëllezërve sllavë”, gjë që u duk shumë qartë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku u kryen aq shumë krime e masakra kundër njëri – tjetrit, veçanërisht midis serbëve e kroatëve, sa sot duken të pabesueshme ato që shkruhen e thuhen…

Edhe “Bashkim – Vëllazërimi“ i Titos, që u bë promotori ideologjik i marrëdhënieve midis popujve të Jugosllavisë së mbas luftës, siç treguan ngjarjet e mëvonshme, i acaroi edhe më shumë  me njëri – tjetrin “vëllezërit sllavë”, ku sigurisht nacionalizmi serb ishte nxitësi e shkaku kryesor.

Vetëm një urrejtje e kultivuar thellë në ndërgjegjen e disa grupimeve, kryesisht të kombësisë serbe, mund të çonin në ato krime të padëgjuara që bënë “vëllezërit“ kundër njëri – tjetrit.

Sllavë ishin kroatët. Nuk ishin turq as arabë boshnjakët, por sllavë, që kishin përqafuar islamin. Por krimet që u bënë kundër tyre, kryesisht mbi baza etnike, do të mbeten gjatë në kujtesën e këtyre popujve. Por edhe këta të fundit, nuk mbeten mbrapa, kur  kishin mundësi….

E mbas gjithë këtyre a mund të flitet për “vëllazëri sllave“ e për “unitet sllav“?.

E pra, në Moskë shumë politikanë e ushtarakë bërtasin e çirren për “vëllazërinë sllave“ sa janë gati të fusin Rusinë në luftë në emër të këtij miti.

Pikërisht këtë po shfrytëzon me mjeshtëri Millosheviçi këto ditë…

(Vijon)

*Ish-ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse

April 11, 2019 11:42
Komento

2 Komente

  1. qytetar April 11, 15:22

    nje gje skuptoj si ka mundesi qe Polaket e Ceket nuk jane ortodokse kur qenkan popullsi sllave

    Reply to this comment
  2. NNP April 11, 18:24

    Sepse ishin nen tutelen e kishes se shenjte romane me qender ne Austri pra katolike.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*