Ditari i ish-ambasadorit: Marrëdhëniet Rusi-SHBA në kohën e bombardimeve

April 12, 2019 09:18

Ditari i ish-ambasadorit: Marrëdhëniet Rusi-SHBA në kohën e bombardimeve

Shaqir Vukaj*

(Vijon nga numri i kaluar (Lexo KETU)

14.04.1999

Duke ndjekur takimin Ivanov – Ollbrajt e komentet rreth tij, tërheqin vëmendjen veçanërisht këto komente e analiza.

– Ky është takimi i parë i tyre, që nga fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë.

– Megjithëse takimi zgjati dy orë më shumë se sa ishte planifikuar, ai u ndërpre disa herë, sepse të dy ministrat u lidhën me kryeqytetet përkatëse për instruksione apo plotfuqishmëri të reja.

– Tonet e Ivanovit ndaj sulmeve të NAtO-s kundër Jugosllavisë ishin më të ulura dhe ai nuk i cilësoi ato si agresion.

– Ivanovi deklaroi se nuk mban asnjë lidhje me NATO-n (me sa duket edhe në përgjigje të zërave  që qarkullonin se nga Oslo ai mund të shkonte në Bruksel për bisedime me Solanën).

– Ivanovi e cilësoi takimin si një hap përpara.

– Analistë të ndryshëm theksojnë se “të dy palët, tashmë, e kanë përcaktuar platformën e përbashkët, sipas së cilës problemi i Kosovës mund të zgjidhet duke larguar forcat ushtarake, duke kthyer refugjatët në shtëpitë e tyre. Problem kyç, ku secila palë ruan  fort pozicionin  e vet, është ai lidhur me futjen e trupave të NATO-s në Kosovë. Në konferencën e shtypit, që u organizua mbas takimit, ai përsëriti edhe një herë se çdo lloj force në Kosovë mund të futet vetëm me pëlqimin e Beogradit. Sipas ndonjë komenti, Ollbrajti është shprehur se forcat ushtarake në Kosovë mund të futen edhe nën ndonjë flamur tjetër, po kurdoherë bërthama e tyre do të jenë forcat e NATO-s.

– Në të gjitha komentet i kushtohet rëndësi faktit se serbët u futën rreth dy kilometra në thellësi të territorit të Shqipërisë, çka i ka dhënë avantazhe Ollbrajtit gjatë bisedimeve.

– Gjatë takimit, Ivanovi i la të kuptojë Ollbrajtit se rusët, nuk e kanë hallin tek Millosheviçi, apo t’i dalin zot atij, por tek roli i Rusisë në rregullimin e problemeve evropiane. Madje në këtë kuadër do të shikohet dhe përpunimi i statusit të misionit paqeruajtës në Kosovë dhe se ai do të jetë i pranueshëm për rusët, në se ata do të jenë “si të barabartë”.

– Megjithëse zyrtarisht problemi i Aleancës Rusi – Bjellorusi – Jugosllavi nuk ishte në rendin e ditës të takimit, thuhet se Ollbrajti në mënyra të ndryshme i la të kuptojë Ivanovit se një aleancë e tillë është krejtësisht e papranushme për SHBA-në dhe Perëndimin. Në këtë kuader ajo la të kuptohej se pozicioni i zënë nga Rusia, në mbështetje të Millosheviçt, do të jetë me pasojë për Rusinë në shumë drejtime e, në radhë të parë, në fushën ekonomike.

– Sipas ndonjë komenti, pikë e veçantë e takimit ishin dhe marrëdhëniet Rusi – SHBA, të cilat edhe pa konfliktin në Jugosllavi, janë keqësuar në atë masë sa duhen parë e analizuar shkaqet e vërteta për të mos i lënë që të thellohen më tej.

– Sipas disa burimeve, SHBA kanë paralajmëruar Rusinë se ajo po i jep shumë të dhëna Jugosllavisë, të siguruara nga zbulimi rus, të cilat, në një formë apo në një tjetër, janë në dëm të NATO-s, gjë që u përsërit edhe gjatë takimit Ivanov – Ollbrajt.

– Zëdhënësi i presidentit Jelcin, e ka cilësuar takimin si të vështirë, por të domosdoshëm. Sipas tij, takime të tilla duhet të zhvillohen edhe në të ardhmen.

– Lidhur me takimin e ardhshëm të “Tetëshes”, për të cilin, gjatë takimit Ivanov – Ollbrajt, me sa shihet, nuk u arrit ndonjë gjë konkrete, zëdhënësi i Jelcinit u shpreh se ai duhet përgatitur mirë e me kujdes.

Mbas takimit, korrespondenti i NTV-së në Beograd, i mori një intervistë zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, i cili hodhi poshtë çdo iniciativë apo marrëveshje që mund të arrihet për Jugosllavinë, sepse sipas tij, “Në Kosovë nuk zhvillohen luftime, por bombardime nga NATO, se refugjatët kanë ikur vetë dhe jo se i ka përzënë kush, ndaj s’ka pse të arrihet ndonjë marrëveshje, se ushtria e policia jugosllave nuk do të largohen kurrë nga Kosova, sepse duhen atje për të ruajtur rendin dhe pavarësinë e Jugosllavisë. Trupa të huaja, nën çdo flamur qofshin,  nuk do të pranohen kurrë në Kososvë”.

Lidhur me deklaratën e përbashkët serbo – shqiptare, zëdhënësi i Ministrisë së Jashme Jugosllave tha se “Millosheviçi e Rugova janë marrë vesh që në Kosovë të vendoset një administratë e përbashkët serbo – shqiptare”.

Duke gjykuar nga deklaratat e komentet për takimin Ivanov – Ollbrajt, e sidomos nga vlerësimet e presidentit Jelcin, mendoj se do të kemi një lloj kthese në qëndrimin e Rusisë, veçanërisht në drejtim të kontakteve me SHBA, e Perëndimin, por më përpara atij i duhet të bëjë disa hapa të tjera në fushën e brendshme e, sidomos, në qeveri, së paku duke shmangur ndonjë nga “skifterët” e politikës ruse nga angazhimet ndërkombëtare, veçanërisht për problemin jugosllav, për çka kanë filluar të qarkullojnë edhe mendime e emra konkretë…

Sot nëpërmjet faksit, na erdhi në ambasadë një material mjaft interesant me këtë përmbajtje:

“Këshillit të Evropës

Lidhjes Federative të Popujve të Evropës.

Popujve të botës.

Ne, përfaqësuesit dhe liderët e bashkësive të pakicave nacionale dhe të popujve me origjine turke muslimane të Rusisë dhe Evropës Qendrore, tatarë të Krimesë, karaçanë, ballkarë, tatarë te Lituanisë dhe Polonisë, turq-mesketinë, nogajanë, duke shprehur solidaritetin e thellë e të plotë me Rezolutën e Qendrës Mbarëtatare, botuar në “Njezavisimaja Gazeta” të datës 31 mars 1999, dënojmë histerinë masive të të ashtuquajturit solidaritet ruso – serb që po nxisin forcat politike të Rusisë, shprehim shqetësimin e thellë për fatin e pakicave myslimane shqiptare, viktima të spastrimit etnik dhe të genocidit të politikës reaksionare të Serbisë dhe mbështesim me gjithë shpirt e me ndërgjegje të plotë masat vendimtare të komunitetit botëror, që kanë si qëllim evitimin e katastrofës humanitare në ato rajone të Jugosllavisë, ku jeton populli i pambrojtur shqiptar”.

Materiali është firmosur nga Kryetari i Këshillit Shtetëror të Ballkarisë, R. Xhapujev , Mexhlisit të popullit tatar të Krimesë dhe tatarëve të Krimesë në Moskë E. Kudusov, Bashkëkryetari i organizatës karaçane ”Xhamahat”, B. Lajpanov, Kryetari i Bashkësisë së Tatarëve të Polonisë, S. Hazbijeviç etj.

Megjithëse rregjistrimi i vullnetarëve për Jugosllavi, në gjthë Rusinë është bërë haptazi , në formë fushate, deri më sot asnjë përfaqësues zyrtar i Qeverisë Ruse nuk ka dalë hapur kundër këtyre veprimeve, pa le më t’i dënojë si anti ligjore…

Ditët e fundit  kjo fushatë po del jashtë kontrollit e po merr karakterin e një përplasjeje  të brendshme, mbasi shumë vetë po rregjistrohen për të shkuar vullnetarë në krah të shqiptarëve, çka, sipas disa analistëve rusë, mund të çojë në luftime të shtetasve të Federatës Ruse  për të larë hesape të vjetra, por, tashmë jashtë Rusisë.Tani, mbas kaq ditësh fushate të hapur, qarqet qeveritare filluan të shprehin shqetësimin e tyre. Kështu, dje Ministria e Drejtësisë e Rusisë doli me një deklaratë ku u kujtonte forcave politike se krijimi i formacioneve ushtarake është në kundërshtim me kushtetutën dhe dënohet me ligj, sepse ato mund të përdoren për destabilizimin e vendit.

Por kjo Ministri nuk përmend dhe nuk merret me gjeneralët aktivë që organizojnë këto falanga ditën për diell, madje dalin edhe në media e bëjnë thirrje për të shkuar vullnetarë në Serbi për të luftuar kundër NATO-s e shqiptarëve…..

Sot u dha lajmi se presidenti Jelcin ka caktuar si përfaqësues të posaçëm të tij, për rregullimin e konfliktit në Jugosllavi, ish kryeministrin V. Çernomerdin.

Caktimi i tij në këtë detyrë nuk mund të konsiderohet krejt i papritur, por një hap tjetër i matur i Jelcinit qoftë për të forcuar krahët e vet, qofte për të ndërmarrë veprime  që  mund të ndihmojnë Rusinë për të dalë nga rruga pa krye në të cilën është futur për hir të serbëve e të Millosheviçit, apo qoftë për të ekujlibruar në një masë të caktuar rrymat e klanet e ndryshme në Qeveri,  në Ministrinë e Jashtme apo në atë të Mbrojtjes…

Duke gjykuar nga zhvillimet e fundit, për mendimin tim, ky veprim duhet parë si një goditje e re ndaj qeverisë dhe personalisht ndaj kryeministrit Primakov, i cili gjatë kësaj kohe, ka drejtuar realisht Ministrine e Punëve të Jashtme, por pa dalë  shumë në skenë, madje siç është shprehur një analist amerikan, “Ivanovi është pritur e kosideruar si zv/ministër”.

Pozicioni i ashpër i Rusisë dhe ngritja e tonit çdo ditë e më shumë nga “skifterët” e politikës ruse e, veçanërisht nga ushtarakët, që kërkojnë deri konfrontim me NATO-n, e kanë shqetësuar vazhdimisht Jelcinin dhe ekipin e tij, të cilët po përpiqen të gjejnë një rrugë të ndërmjetme. Nuk janë të rastit edhe deklarimet e tij ëe përsëritura se “nuk do të lejojmë që të tërheqin Rusinë në konfliktin e armatosur”.

Ky pozicion i ashpër i Rusise, praktikisht e ka shmangur deri tani Rusinë nga ndonjë rol aktiv që ajo mund të luante tani në rregullimin e problemit jugosllav, mbasi Rusia është i vetmi shtet që mund të kishte ndikim mbi Beogradin. Sepse ishte pikërisht qëndrimi i Rusisë, që i ka dhënë zemër dhe ka inkurajuar Millosheviçin të ndjekë këtë politikë. Por edhe perëndimi nuk po tregohet aq elastik  me Moskën.

Sidoqoftë, një rol të tillë ndërmjetësues të Rusisë, për mendimin tim, tani e don dhe Perëndimi, madje me ngulm. Kam përshtypjen se kjo nuk është punë vetëm e Jelcinit. Për këtë mund të  kenë ndërhyrë perëndimorët për të gjetur rrugë e mundësi për ndërmjetësim me  Millosheviçin. Dhe të vetmit që mund ta bëjnë këtë janë rusët. E, në rradhën e politikanëve rusë, si i ekuilibruar, i besuar i Jelcinit e, kryesorja, i njohur i vjetër e, madje, edhe mik i zv/presidentit amerikan, Al Gor, është Çernomerdini.

Ja si e cilësoi Jelcini “Çernomerdini është njeri i fuqishëm, i zgjuar, ka autoritet jashtë“ dhe “Çernomerdini mund të bisedojë me Millosheviçin në atë mënyrë si nuk mund të flasë askush me të“

Zgjedhja e Çernomerdinit si përfaqësues i posaçëm i Jelcinit, është një zgjidhje e menduar mirë, mbasi ai njihet për qëndrimet e tij të matura edhe për problemin jugosllav, qëndrime që i ka bërë publike më se një herë.

Në një intervistë që më kerkoi kanali ynë televiziv “Telearbëria“, ndërmjet tjerave  thashë se “ky është një hap i matur i  presidentit Jelcin për të nxjerrë Rusinë nga rruga pa krye ku ajo është futur… Çernomerdini është një politikan i njohur. Për pesë vjet ai ka qenë kryeministër i Rusisë Njihet si njeri i matur, i arsyeshëm, me të cilin mund të komunikosh lirshëm. Nuk është politikan i ideve fikse dhe që udhëhiqet prej tyre. Kjo ndoshta sepse ai nuk vjen nga shkollat e diplomacisë dhe politikës sovjetike, mbasi me profesion është inxhinier që ka punuar gjithë jetën në fushën ekonomike. Njihet si njeri i pajtimit të konflikteve dhe i kapërcimit natyrshëm të mosmarrëveshjeve e kontradiktave… Që ditën e parë të sulmeve te armatosura të NATO-s kundër Jugosllavisë, ka qenë i matur dhe mjaft realist në vlerësimet e situatës…“

Kryeministri i Francës, F. Zhospen, tha sot se “Rusia mund të lozë një rol të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës kosovare“ dhe “emërimi i V. Çernomerdinit si përfaqësues i posacëm i presidentit do të ndikojë për mobilizim pozitiv në rrugët për gjetjen e zgjidhjes së krizës në Kosovë“

 

15.04.1999

Në sajë të punës e përpjekjeve, kemi arritur të komunikojmë me publikun rus nëpëmjet medias. Sigurisht që një gjë e tillë është tepër e vështirë, mbasi të gjithë e dinë si mund të flasim e të shkruajmë ne, çka është në kundërshtim të hapur me qëndrimin zyrtar rus. Megjithatë jo rrallë po arrijmë të depërtojmë edhe aty ku për disa jemi  të tepërt…

Kështu sot gazeta “Veçernaja Moskava“ kishte botuar një intervistë të gjatë dhënë gaazatrit L. Pocivallov, të cilit  unë i kërkova si  kusht dhe  ramë dakord që intervista të botohej e plotë, pa asnjë ndryshim apo redaktim. Në fakt, kështu kishte vepruar, madje me një shënim mjaft objektiv, në emër të redaksisë, në hyrje të artikullit  ku  thuhej:

“Asgjë nuk kanë kuptuar, asgjë nuk kanë mësuar urra – patriotët tanë. Rusia është një vend multinacional. Përveç sllavëve, këtu ka edhe mjaft popuj të tjerë, ndër të cilët edhe  të besimit islam. Bërtasim në të gjithë botën për vuajtjet e vëllezërve serbë nga sulmet e NATO-s, por heshtim për vuajtjet e vërteta të një tjetër populli të Jugosllavisë, ndaj të cilit po ushtron represion regjimi i Beogradit.

Pa dyshim që bombardimet e qyteteve paqësore janë barbari, janë një gabim i madh i atyre që i bëjnë. Po kush u dha shkas atyre?. A e dinë të gjithë këtë tek ne?

Ka një rregull juridik të lashtë: “Të dëgjojmë edhe palën tjetër”. Ne ju propozojmë të dëgjoni Ambasadorin e Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë te Republikës së Shqipërisë, zotin Shaqir Vukaj. Ambasadori e flet lirisht rusishten, e njeh  mirë  vendin tonë. Në Shqipëri është njeri i njohur: ka qenë nënkryetar i Parlamentit Shqiptar, ministër i mbrojtjes, ministër i tregtisë e turizmit etj.

Gazeta ju lut ambasadorit të flasë për Shqipërinë e shqiptarët e për shkaqet që sollën konfliktin në Kosovë dhe cila është rrugëdalja nga kjo fatkeqësi”

Më poshtë gazeta boton intervistën në formë artikulli, pothuajse  ashtu siç ia kisha dhënë unë. Aty gjërat thuheshin shumë qartë …madje edhe unë u çudita si e kanë lejuar botimin e një shkrimi të tillë….E di se, në një formë a në tjetrën zyrtarët rusë do të reagojnë që unë po shkruaj e po flas aq shumë kundër politikës së Beogradit ndaj shqiptarëve e qe direkt  po i bie ndesh qëndrimit dhe politikës së Rusisë.

Sidoqoftë, po përpiqemi të përfitojmë nga një lloj “lirie” që ka tani media ruse për të folur e  për të shkruar më realisht për situatën në Kosovë…

Duke e krahasuar me ditët e para mbas fillimit të bombardimeve, vihet re një farë ndryshimi edhe në qëndrimin e disa gazetave të tjera. Gazetarë e analistë po e shohin gjithnjë qartë se ku po e çon Rusinë kjo politikë, prandaj disa kanë filluar të reagojnë. Kështu edhe Gazeta “Obshaja Gazeta” botoi një intervistë të shkurtër të këshilltarit Jorgo Bllaci, por ajo që tërheq vëmendjen është shënimi i redaksisë, ku thuhet: “Në qoftë se Rusia ka ndërmend të integrohet në Bashkësinë Ndërkombëtare, ne duhet të nisemi jo nga fjalët e bukura, por nga faktet dhe realiteti, sado i hidhur qoftë ai. Dhe faktet flasin se ne jetojmë në një vend multi – nacional, për të cilin, lufta ose konfrontimi me Perëndimin janë vdekjeprurëse. Popujt e Rusisë, muslimanë, ortodoksë apo katolikë qofshin, nuk duhet të vrasin njëri – tjetrin as në shtepinë e tyre, as në Ballkanin e largët”

Sot në “Njezavisimaja Gazeta” botohet një deklaratë e Këshillit për Politikën e Jashtme dhe të Mbrojtjes. Siç del nga lista e nënshkruesve dhe nga të dhëna të tjera, ky është një këshill që përbëhet nga personalitete të njohura, të pushtetit ekzekutiv, partive politike, deputetë etj. Me sa shihet, për hartimin e këtij materiali ka patur qëndrime të ndryshme, prandaj në të thuhet se jo të gjithë nënshkruesit janë dakord për çdo teze të deklaratës. Në deklaratë,  ndërmjet tjerave, thuhet:

“Analizë e shkurtër

– Bombardimet kundër Jugosllavisë, lufta kundër këtij vendi duke anashkaluar KS të OKB-së, në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe praktikës botërore përfshihen plotësisht në nocionin e agresionit.

– Pretendimet e një grupi vendesh për të patur rolin e xhandarit ndërkombëtar mund të likuidojnë sukseset kryesore që arriti njerëzimi si rezultat i kapërcimit të Luftës së Ftohtë.

– Në se lufta nuk do të ndërpritet dhe agresori nuk do të ndalet, por, në të kundërt, do të synojë të arrijë qëllimet e veta, që, me sa duket, janë shkatërrimi i infrastrukturës ushtarake dhe civile, shkatërrimi i shtetit jugosllav, rrëzimi i regjimit drejtues që, pavarësisht nga gabimet, është legjitim, shkëputja e Kosovës dhe, në se ka mundësi, edhe e territoreve të tjera – do t’i shkaktohet një dëm i madh sigurisë ndërkombëtare.

– Lufta në Jugosllavi është e mbarsur me rrezikun e përshkallëzimit të saj, me kalimin e konfliktit në nivel global.

– Refugjatët destabilizojnë situatën në vendet përreth. Serbët do të ndihmojnë këtë destabilizim, duke mos patur interes për paqen në kushtet e propozuara do të fillojnë serish luftën partizane. Vazhdon përhapja e terrorizmit polietnik. Gjithë rajoni do të destabilizohet, me pak e sigurt do të jetë jeta në Evropë.

– Sulmin ndaj Jugosllavisë nuk e mbështesin të gjithë edhe në vendet e NATO-s. Ne nuk duhet t’i demonizojmë këto vende, shumë nga ato janë partnerët tanë,  me ta na lidhin interesa të përbashkëta dhe marrëdhënie miqësore. Ne nuk duhet t’i “ndëshkojmë”ato, por t’i ndihmojmë për të “ndrequr gabimin jugosllav “

– Agresioni kundër Jugosllavisë tregoi edhe dobësinë e Rusisë. Faj indirekt ka klasa politike ruse që nuk arriti për një kohë të shkurtër të nxirrte vendin nga kriza ekonomike që ka dobësuar shtetin.

Propozime

– Mbështesim përpjekjet e presidentit, qeverisë dhe Këshillit Federal për ndërprerjen e agresionit ndaj Jugosllavisë, spastrimeve etnike dhe për zgjidhjen e konfliktit kryesisht me mjete politike. Rusia duhet të bëhet lider i procesit të rregullimit politik të konfliktit, i ruajtjes së rendit botëror të pasluftës, i cili është paguar me jetën e miliona njerëzve.

– Ne duhet t’i japim më shumë se deri tani ndihmë politike, morale, dhe humanitare  Jugosllavisë.

– Të sigurohet një mirëkuptim i gjerë midis forcave patriotike  dhe atdhetare të vendit : nuk është e lejueshme që në një moment të tillë me përgjegjësi,  të shkarkohet qeveria apo kryeministri që sot gëzojnë përkrahjen e shumicës.

Politika ruse duhet të arrijë edhe këto qëllime:

– Ndërprerjen e agresionit ndaj Jugosllavisë, rregullimin paqësor të konfliktit.

– Krijimin e kushteve që në të ardhmen as NATO-ja dhe askush tjetër të mos marrë përsipër rolin e policit ndërkombëtar duke anashkaluar KS të OKB-së dhe OSBE-në.

– Shmangien e përfshirjes së drejtpërdrejtë të Rusisë në konfliktin jugosllav. Dëshira e justifikuar moralisht për të dërguar armë, trupa (qofshin edhe vullnetare) do të ketë pasoja tragjike për Rusinë. Ndërsa, bashkimi me Jugosllavinë pa garanci të drejtpërdrejta të sigurisë, mund të shterpëzojë ose edhe të bllokojë bashkimin me Bjellorusinë, që, aktualisht, është edhe më i domosdoshëm se më parë.

– Rusia duhet të përgatisë dhe të dalë me një plan alternativ të “planit Rambuje” i cili mund të përmbajë : ndërprerjen e bombardimeve, parandalimin e operacionit tokësor dhe të pushtimit, detyrimin e palës jugosllave për të krijuar kushte për kthimin e refugjatëve nën kontrollin ndërkombëtar, ndihmën ekonomike për vendet dhe rajonet për akomodimin e refugjatëve që nuk duan të kthehen në Kosovë, futjen në Kososvë, në se pranon pala jugosllave, të një kontingjenti paqeruajtësish nën egjidën e OKB-së, thirjen e një konference ndërkombëtare për Jugosllavinë.

– Agresioni ndaj Jugosllavisë pas zgjerimit të NATO-s, ndryshimet e tjera në situatën ndërkombëtare dhe në pozicionin e Rusisë në botë, ndryshime që kanë ndodhur vitet e fundit, kërkojnë një konceptim të ri dhe, ndoshtë, rivlerësim të doktrinës së mbrojtjes dhe të politikës së jashtme të Rusisë”.

E solla pothuajse të plotë Deklaratën e Këshillit të Politikës së Jashtme dhe të Mbrojtjes, në mënyrë që lexuesi të njihet edhe me pikëpamjet e qëndrimin e elitës intelektuale politike të Rusisë.

Deklarata nuk ka nevojë për komente, sepse ajo flet shumë qartë, mbasi  çdo paragraf apo çdo propozim, sado i sheqerosur, është në favor të serbëve e të Millosheviçit.

*Ish-ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse

(Vijon)

April 12, 2019 09:18
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin