Ditari i kolonelit: Ja pse fitoi UÇK e mbështetur nga NATO kundër Milosheviçit

Përgatiti: Kujtim Boriçi September 14, 2013 11:09

Ditari i kolonelit: Ja pse fitoi UÇK e mbështetur nga NATO kundër Milosheviçit

Prishtinë, 30.03.2000. gjithë ata që kanë vizituar repartet e UÇK-së, pas vendosjes së saj nëpër kazermat e qyteteve të Kosovës, u ka rënë në sy karakteristikat e një ushtrie të shkëlqyer. Ku shpreheshin ato? Por sa hyje nëpër repartet e saj, kudo ndesheshe në post-roje, në hyrjet e reparteve. Sjellja e ushtarëve me shenjat e UÇK-së në krah dhe kapele, pamja gazmore e shumicës së tyre, paraqitja serioze dhe e vendosur e disave, atdhedashuria që tregohej pothuaj nga të gjithë ata, zelli i komandantëve të tyre, pastërtia e ambientit, dëshira për t’u stërvitur e shumë gjera të tjera, që të binin menjëherë në sy e të habisnin, të kujtonin se sa mobilizim të madh forcash mundet të bëjë një popull në çastet kur ai ndodhet në rrezik. Kushdo që kish dëgjuar keq ose që pat folur jo mirë për UÇK-në, në rast se do t’u afrohej këtyre vend vendosjeve të pas luftës së UÇK-së, do të turpërohej nga vetja dhe do të pendohej për ato që pat besuar ose që pat thënë. Ky vrull dhe kjo ndjenjë shihej edhe në atmosferën festive të atyre ditëve n të gjithë qytetet e Kosovës.

Këto veprimtari të UÇK-së zhvilloheshin paralel me dislokimin e forcave të KFOR-it në Kosovë. Ato patën ngritur postblloqe të dendura, pothuajse në çdo kryqëzim rrugësh e rrugica të Kosovës dhe të qyteteve të saj. Edhe ato tregonin se ishin ushtri shumë të rregullta, gjë që  e pasqyron edhe uniforma që ushtarët e tyre mbajnë e, që tregon se i janë ushtri të shteteve të pasura e me përvojë, pavarësisht se në disa postblloqe rrugësh sheh edhe ushtarë që tregon se vijnë nga vende të varfra. Në këto raste ne, pjesëtarët e UÇK-së, edhe pse jemi ushtri e një vendi të djegur e të shkatërruar, i porsa dalë nga lufta, ushtarë të një populli që po kthehet nga eksodi i detyruar biblik, krenoheshim kur shihnim ushtarët tanë më të qeshur, njësoj të kujdesshëm në uniformë e në sjellje si dhe ata të KFOR-it. Kjo na bindte edhe më shumë se UÇK-ja ishte një ushtri me të tëra tiparet e një ushtrie të rregullt dhe e denjë për t’u cilësuar si e tillë. E ndjenim veten të barabartë me ta.

UÇK-ja, kjo prodhuese e lirisë së Kosovës, gëzonte respektin e popullit. Kudo përshëndeteshim nga populli, po ashtu dhe ushtarët e KFOR-it. UÇK-ja i meritonte lëvdatat e popullit, pasi ky i fundit e ndjente tashmë veten tërësisht në familjen evropiane dhe se e kuptoi që Kosova u bë me familje në sajë të UÇK-së. Kosova u bë me aleatë të fuqishëm, pasi ishte bërë me djalë, dhe ky djalë e kishte emrin UÇK. Këtë e ndjenin dhe e dinin edhe pjesëtarët e UÇK-së, prandaj, në kontaktet e para të tyre me forcat e KFOR-it, u zgjasnin dorën tërë ngrohtësi dhe buzëqeshje. Po këta pse të vrerët!? Ne habiteshim.

Por ç’ndodhi më vonë? Ushtarët e KFOR-it filluan të na ndalonin dhe të kontrollonin çdo pjesëtar të UÇK-së, që guxonte të delte në qytet me uniformën e UÇK-së. Kontrolli bëhej brutal, deri edhe në nxjerrjen e xhepave jashtë e me duar lart, sikur ishe i arrestuar. Pjesëtarët e UÇK-së me të drejtë revoltoheshin, e në shumë raste reagonin ashpër, ku përdorej edhe forca. Në shumë raste i nxorën armët të dy palët.

Edhe pse u botua Marrëveshja në të dy gjuhët dhe pjesëtarët e UÇK-se e dinin përmbajtjen e saj, përsëri nga ushtarët e KFOR-it nuk pati ndryshime në sjellje. Bëheshin ankesa nga zonat e nga Shtabi i Përgjithshëm, por asgjë nuk ndryshonte. U shpërndanë autorizime për mbajtje uniforme dhe arme, e përsëri format e kontrollit nga KFOR-i nuk ndryshuan edhe ndaj të autorizuarve. Kjo filloi të sillte zhgënjimin e një pjese të luftëtarëve ndaj politikës dhe KFOR-it, të cilët, për “arsye” të ndryshme, filluan të kërkonin leje për shkëputje nga UÇK-ja.

Pse ndodhte kjo? Ku ishte qëllimi? Pavarësisht se nuk përmendeshin këto kontrolle në procesin për Demilitarizimin dhe Transformimin e UÇK-së, forcat e KFOR-it merrnin për bazë atë që thuhej në Marrëveshjen e Rambujesë, ku nuk njihej ekzistenca UÇK – së. Këtë nuk e dinte masa e luftëtarëve tanë. Gjithashtu, në shumicën e forcave të KFOR-it, njohuritë për UÇK-në kanë qenë të imazhit jo të mirë, konform propagandës serbo-sllave si dhe propagandës së disa liderëve politikë të Kosovës e të partive të tyre kundërshtare të luftës. Mund të shtojmë se një pjesë e efektivave të KFOR-it, duke ardhur nga vende ku kishin të bënin me terroristë dhe jo me ushtri çlirimtare, sikundër ishte UÇK-ja, si do të mendonin ata për UÇK-në?

Për të qenë realistë, pak punohej me efektivat e UÇK-së, për t’u sqaruar atyre situatat dhe për t’i instruktuar ata. Disa herë janë bërë propozime që të organizoheshin tubime me kuadrot dhe luftëtarët e thjeshtë, bazë zonash, ku të mbaheshin një cikël bisedash për  zbërthimin e Marrëveshjes për Demilitarizimin dhe Transformimin e UÇK-së dhe për perspektivën e saj, por, edhe pse thuhej “Po”, neglizhohej. Ndoshta edhe kjo mangësi ka ndikuar në largimin  e luftëtarëve idealistë.

U hapën mensat për efektivat e UÇK-së e administratën civile të pasluftës, mirëpo shumë luftëtarë nuk kishin mundësi  ose të ardhura të tjera për të mbajtur familjet. Kjo e detyroi  një pjesë të tyre të ktheheshin pranë familjeve e të fillonin nga aktiviteti ekonomik i mëparshëm, pavarësisht se jo shumë fitimprurës, duke e lënë UÇK -në.

U larguan nga UÇK-ja edhe ata luftëtarë, që para lufte ishin marrë me aktivitete të ndryshme ekonomike dhe tash kishin mundësi që ta vazhdonin aktivitetin. Po ashtu, u larguan edhe ata, kryesisht mosha të reja, që patën lenë pa përfunduar shkollat e mesme e të larta; ata iu kthyen auditorëve të shkollave e universitetit. Ky kontigjent ka për të qenë inteligjenca e re dhe e ardhme e Kosovës, e dalë nga zjarri i luftës dhe që do të jenë kuadrot më të devotshme të Kosovës së ardhshme, pasi, përveç moshës dhe dijeve të reja, ata do të jenë kuadrot e para të Kosovës që nuk do të trashëgojnë asgjë nga e kaluara e infektuar dhe e vjetër e Kosovës. Për këtë arsye vëmendja dhe kujdesi më i madh i shoqërisë sonë duhet të drejtohet tek ky kontigjent.

Qysh gjatë luftës ishin hedhur konturet e administratës sonë të re, për  të  gjitha nivelet e saj. Pas lufte, kjo administratë e ardhur nga lufta, edhe pse dihej që ishte e përkohshme, u plotësua kryesisht nga ish luftëtarë, nga me aktivët, gjë që i largoi dhe ata nga UÇK-ja.

Dihet se në përfundim të luftës sonë çlirimtare, brenda në Kosovë numëroheshin rreth 20 mijë luftëtarë me armë në dorë, duke llogaritur këtu edhe dëshmorët si dhe kuadrot, por duke mos llogaritur pjesën 12 mijëshe të UÇK-së, të formuar prej emigrantëve të ardhur në Shqipëri dhe që sulmuan prej andej. Kuptohet se jo të gjithë këta do të mbeteshin në radhët e UÇK-së, mbas luftës. Kjo ish parashikuar edhe nga Shtabi i Përgjithshëm.

Në ushtrinë e ardhshme, që sot quhet TMK, u tha se do të qëndronin rreth 5 000 vetë, përfshi edhe policinë. Vetëkuptohet se do të bëheshin reduktime dhe përzgjedhje. Që kjo përzgjedhje të bëhej me sa më pak dhimbje, u bashkëpunua me IOM-in dhe u organizuan  regjistrimet dhe testimet. U regjistruan mbi 20 mijë vetë, pavarësisht se edhe vullnetarët e ardhur nga diaspora pothuajse ishin larguar në pjesën më  të madhe. U regjistruan nga të gjitha moshat dhe profesionet, ata që kishin dashuri të ethshme për ushtrinë e Kosovës. U regjistruan edhe nga ata që nuk kishin luftuar apo që kishin vepruar në Shqipëri. Ndër këta pati edhe ish oficerë e nënoficerë të ish UJ si dhe ish policë të Kosovës, por që nuk kanë qenë as pjesëtarë të UÇK-së dhe as propagandues të saj.

Krahas regjistrimeve që bëheshin në IOM, nën drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm, po ecej edhe drejt riorganizimit të UÇK-së në reparte të reja. Si përfundim mund të themi se në IOM janë regjistruar pothuajse dyfishi i luftëtarëve me armë në dorë. Kjo shifër e lartë krijonte mundësinë të bëje përzgjedhje si dhe të merrje elementë të përgatitur për profesione të ndryshme që ka nevojë ushtria.

Demilitarizimi dhe transformimi i UÇK-së ishte problemi më kryesor i ditës, por pa u trajtuar si i tillë nga politika.  Për ata që e donin dhe e kishin ushqyer UÇK-në ishte një lumturi që të informoheshin e të merreshin më këtë problem. Mirëpo, ajo pjesë e popullsisë që ishte mashtruar dhe vazhdonte të mashtrohej  për vlerat  e UÇK-së, vazhdonte të propagandonte të keqen dhe drejtuesit e asaj partie që e patën akuzuar UÇK-në si dorë e zgjatur e Beogradit, vazhdonin e vazhdojnë të propagandojnë të keqen. Këtu bëjnë pjesë edhe disa liderë si, z. Rugova, i cili në një intervistë botuar në “Koha Ditore”( 23. 03 .2000.) shprehet me fjalët më të ashpra kundër UÇK-së: ” UÇK-ja është duke kërcënuar dhe frikësuar kundërshtarët e vet politikë në disa fshatra. Po i referohem një numri të grupeve, të cilët mbrojnë ideologjinë majtiste ekstreme….”

Edhe kjo propagandë ka pasur ndikimet e veta në disa luftëtarë. Kjo përkon me dëshirën e Rugovës, i cili pati deklaruar se jo vetëm që nuk hynte në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, (po ta bënte atë, ajo kish mundësi të njihej si e ligjshme), por nuk pranonte të hynte as në marrëdhënie pune edhe me UNMIK-un, në rast se nuk çarmatosej tërësisht UÇK-ja.

Dhe kjo u bë realitet më 18 shtator 1999. Çarmatosja kaq e shpejtë dhe pa probleme e UÇK-së, habiti të gjith diplomacinë ndërkombëtare. Vetë Xhimi Shia, më 12 mars 2000 u shpreh: “Eshtë vështirë të gjendet në botë një grup i tillë si UÇK-ja, që teorikisht ka fituar dhe që pajtohet të shpërbëjë strukturat e veta brenda disa javësh apo muajsh. Shikoni në të gjitha anët e botës ku ka pasur situata të ngjashme dhe nuk do të gjeni një rast të njëjtë”. (“Dita”, 13.03.2000). Po ashtu, edhe z. Kushner dhe gjenerali Reinhard u shprehën: “Për herë të parë në historinë e misioneve paqësore ndodhi që një ushtri kryengritëse dhe e armatosur të shndërrohet në një forcë civile.(“Zëri” , 24.03.2000).

Të gjitha këto dhe mos vënia në veprim e gjithë gjeniut intelektual e krijues të Kosovës si dhe atë ushtarak të saj, diskutimet në grupe shumë të ngushta e të izoluara, “me dyer të mbyllura”, për të mos thënë me individë të caktuar; mos zhvillimi i diskutimeve të gjera me intelektualët e të gjitha kategorive, me rininë dhe as me specialistët ushtarakë, pjesëtarë ose jo në luftë, sollën ato ç’ka përmendëm më lartë.

Në shumë raste, bërja e një politike kuadri personale, me akrobatllëqe, nepotizma e familiaritete, si dhe emërimet e pa studiuara në  poste të pa merituara, çuan në zbehjen graduale të ndjenjës për të ndenjur në  TMK. Këto gabime çuan deri atje sa të mos diskutohej gjerësisht edhe për emblemën e re të ushtrisë sonë të ardhshme, ku Flamuri Kombëtar u zëvendësua menjëherë me hartën e Kosovës, si diçka pa vlerë e pa rëndësi, ndërkohë që ç’do ushtri, pjesëtare e KFOR-it, emblemën me simbolin kombëtar e mbajnë krenarisht në krah…

Nëse do të bëhej publik dhe i gjerë diskutimi për uniformën e TMK-së, nuk përjashtohet mundësia, që ky element, në dukje i vogël, edhe mund të mos ish zëvendësuar shqiponja e flamurit me hartën e Kosovës. I vetmi që e kundërshtoi nga komandantët, atë simbol të ri dhe mungesën e flamurit kombëtar në betim, ishte komandanti zonës së Drenicës, Sami Lushtaku, por që mbeti i vetëm. Mirëpo një pjesë e luftëtarëve idealistë janë prekur dhe janë larguar, se në fund të fundit ai e argumenton se për atë flamur rrezikuan shokët e tij dhe ai, për idealin e atij flamuri iu vranë shokët që sot janë dëshmorë. Këtu kemi të bëjmë me ndjenjat e kombit. Diskutimi nuk u bë dhe ky problem u zgjidh në atë mënyrë.

Që forca e re e Kosovës të forcohet, ajo ka nevojë jo vetëm për të gjithë oficerët kosovarë të ndershëm që kanë shërbyer në UJ, por edhe për nënoficerët e saj. Por këtu duhet që, si kudo, të ketë një kriter, me qëllim që të mos zëvendësohen kudo komandantët e luftës me këta persona, pasi ata nuk morën pjesë në luftë, e cila ishte e vetmja provë ku ata do ta ushtronin profesionin e tyre në interes të popullit që i lindi dhe i përgatiti. Pse nuk e bënë këtë, ndaj dhe nuk duhet të emërohen në vendet kryesore drejtuese e udhëheqëse. Këta kuadro duhet të merren e të vihen në funksionet e komandantit të kompanisë dhe të batalionit, ndërsa më lartë, duhet të jenë në rolin e zëvendësve si dhe të specialistit, në të kundërt do të ngjallin pakënaqësi  në radhët e TMK-së, dhe do të nxisin më tej largimin e luftëtarëve…

Me një fjalë, personat që merren me politikën e kuadrit dhe përkujdesjen ndaj ish luftëtarëve të lirisë, duhet të jenë tepër të kujdesshëm, pasi ndikohet në moralin dhe ndjenjat e tyre dhe aq më shumë kur vendet meritore u jepen atyre që nuk kontribuan për Kosovën, kur ajo kishte nevojë për ata. Nuk mund t’u afrohen ish luftëtarëve të lirisë punë për pastrimin e rrugëve apo roje të biznesmenëve që deri dje kanë bashkëpunuar me Serbinë. Mos harroni, ata kanë dinjitet. Ata luftuan për lirinë tuaj, ndaj edhe duhen nderuar dhe shpërblyer.

Shikoni se sa filma janë bërë nga Hollivudi për ish ushtarët amerikanë në Vietnam, ku tregohet se sa kohë ata nuk u shpërblyen për kontributin e tyre, shumë prej tyre morën rrugë të këqija për të mbijetuar, derisa shteti u ndërgjegjësua dhe u lidhi pensionin në atë madhësi që ata siguronin jetesën…

Një pjesë e ish-luftëtarëve mund të jenë zhgënjyer edhe për arsye se në Marrëveshjen midis NATO-s dhe UÇK-së, më 20.06 .1999, është thënë: “UÇK-ja synon të jetë një ushtri në Kosovë, e ngjashme me Gardën Kombëtare të SHBA”.( Pika 25/b), por që nuk  u realizua si e tillë.

Dimë  se Garda Kombëtare e SHBA-ve është një lloj force , e cila në kohë paqe kërkon dhe kontrollon zbatimin e legjislacionit për qarkullimin bregdetar e lumor të të gjithë vendit; zhvillon e përdor mjetet e navigimit në portet dhe aeroportet e SHBA-së; bën inspektimin e mjeteve lundruese; përdor mjetet e kërkim-zbulim-shpëtimit nga ajri dhe deti; përdor mjetet meteorologjike dhe ia jep të dhënat të tjerëve; bën zbulimin e largët radio lokativ etj. Ajo është e organizuar si Flota Detare, e armatosur si dhe me uniformë e grada. Në rast se sulmohen ushtarakisht SHBA, atëherë Garda Kombëtare kalon në varësi të Shtabit të Shefave të Bashkuar të Ushtrisë Amerikane. Mos realizimi i kësaj pike të Marrëveshjes për UÇK-në, besoj se ka pasur ndikimet e veta.

Ndërsa në marrëveshjen midis Hashim Thaçit e Agim Çekut me KFOR-in, më 18 Shtator 1999 dhe në rregulloren e UNMIK-ut, si dhe në dokumentet e tjera, për detyrat e TMK-së, thuhet: “Trupat Mbrojtëse të Kosovës themelohen si agjenci civile e shërbimit emergjent, detyra e të cilave do të jetë: (a).Të sigurojnë shërbime në raste të fatkeqësive natyrore; (b). Të bëjnë kërkimin dhe shpëtimin e të rrezikuarve; (c). Të ofrojnë mundësitë e veta për ndihma humanitare në zonat e izoluara; (d). Të ndihmojnë për çminimin e zonave të minuara; dhe (e). Të kontribuojnë në rindërtimin e infrastrukturës dhe të komuniteteve”.

Pra, po t’i krahasojmë me detyrat e Gardës Amerikane, kuptohet që  TMK-ja është thjeshtë një trupë për kujdestare për pastrimin e rrugëve dhe nuk është ashtu sikundër është përkthyer. Në dokumentin e UNMIK-ut shkruhet: Kosova Protect Corps (KPC), që fjalë për fjalë përkthehet: Trupat Përkujdesëse të Kosovës, (që në terminologjinë ushtarake shqiptare thuhet: Mbrojtja Civile e Kosovës), pasi fjalës Mbrojtje anglisht i thonë Defense dhe atëherë duhej të ishte: Kosova Defense  Corps (KDC). Por do të pyesni shqiptarë në Kosovë se pse është përkthyer dhe na është thënë kështu? Përgjigjen është mirë t’ia japin autorët e asaj marrëveshje.

Një dukuri tjetër, që ka sjellë largime nga TMK-ja, janë pagesat e ulëta, sidomos për nivelet jo të larta dhe që janë kryefamiljarë. Dimë se çdo lloj marrëdhënie, në radhë të parë është marrëdhënie interesash. Në rast se dikujt nuk i plotësohen interesat ekonomike, ai do të kërkojë një vend më të përshtatshëm dhe do të largohet. Po ashtu, kur luftëtari sheh se dikush, që nuk ka meritat atdhetare të tij, por përfiton të ardhura më shumë se ai në TMK, duke qenë i të njëjtit nivel arsimimi, ai bëhet i pakënaqur dhe e len TMK-në, pasi në këtë rast kriteri bazë duhet të jetë kontributi i dhënë ndaj atdheut.

Ajo që ka rënë dhe bie më shpesh në sy, është mos koordinimi i veprimeve të njëllojshme i komandantëve të zonave me pushtetin vendor. Është më se frymëzuese pjesëmarrja e zotit Sami Lushtaku në këshillin komunal të Skënderajt. Qenia e tij në atë institucion garanton popullin e Drenicës se nuk guxon kush të luajë me fitoren e arritur. Mirëpo Samiu ka ngelur i vetëm edhe në këtë lloj aktiviteti. Askush nga komandantët e tjerë të zonave dhe të brigadave nuk ka këmbëngulur të marri pjesë në këtë lloj veprimtarie dhe nuk janë orientuar as nga Shtabi i TMK-së…

Një nga rastet që ka rënë më shumë në sy për largimet nga TMK-ja, është largimi prej saj i disa kuadrove të lartë  në ish–UÇK. Nga vlerësimet e bëra deri tashti, kjo dukuri vlerësohet si diçka negative, me argumentin se po na dobësohet TMK-ja. Por, po ta shohim më gjerë problemin, mund të themi se angazhimi i këtyre kuadrove në aktivitetet partiake do të jetë një kontribut më i madh dhe një garanci më e sigurt për të ardhmen e Kosovës (në rast se ata nuk do të shmangen nga idealet për të cilat rrëmbyen armët). Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantët e tyre nuk luftuan për t’u mbyllur nëpër kazerma. Ata rrëmbyen armët për të krijuar shtetin e ri të Kosovës dhe jo thjesht për të formuar vetëm ushtrinë e Kosovës. Si të tillë, është e nevojshme që ata të aktivizohen në të tëra aktivitetet jetësore të Kosovës, pasi kudo që do të punojnë, ata do të duhet të shërbejnë me përkushtim…

E shtrojmë këtë shqetësim, pasi ata që vinë nga lufta në shumicën e tyre i ngjasojnë më së shumti njeriut të vërtetë. Njeriu është me të vërtet njeri vetëm atëherë kur ai është i zhveshur tërësisht nga interesat vetjake. Sa më e gjatë të jetë ajo periudhë ,aq më idealist behet njeriu. Kuptohet, kjo ndodh kur njeriu ka shkuar në luftë jo për qëllime të ndryshme përfitimi personal. Periudha kohore, kur ky njeri arrin përmasat e njeriut të vërtetë, ashtu si e ka krijuar Zoti, është lufta për çlirimin e popullit të tij. Sa bukur e shpreh artistikisht këtë fakt, shkrimtari Aleksej Tolstoi: “Në luftë njerëzit, nga që e kanë vdekjen gjithmonë pranë, bëhen më të mirë, zhvishen nga gjërat e vogla, ashtu si lëkura e djegur nga dielli, dhe pas kësaj, u mbetet vetëm bërthama; sigurisht, disa e kanë atë bërthamë më të fortë, disa më të dobët, por edhe ata që e kanë me të meta përpiqen të bëhen të mirë, shokë besnikë”.

Mirëpo, kjo pjesë e shoqërisë sonë (aktive në luftë ), duke qenë një kohë të gjatë tërësisht njerëz, rrezikohen që të bien në grackat e intrigave të pas luftës, sepse një pjesë e tyre i llogarisin dhe i vlerësojnë të tjerët me të njëjtat vlera që ata kanë fituar në luftë. Kjo mund t’i diziluzionoj ose mund të bien viktimë e mashtrimeve politike a ekonomike dhe të gabojnë rëndë. Këtu varet çdo gjë nga zotësia dhe nga formimi i tyre, ndershmëria dhe aftësia për të grumbulluar rreth vetes bashkëpunëtorë dhe këshilltarë të aftë e të ndershëm….

TMK-ja, e cila ka aq shumë halle e probleme, padyshim edhe të meta, duhet të bëjë më kujdes dhe të mos humbasë orientimin e saj kryesor, punën me njerëzit. Puna e vazhdueshme sqaruese, e ngrohtë, profesionale dhe stërvitjet e rregullta e me program, vetëm këto e bëjnë të mundur frenimin e hemorragjisë së kuadrove dhe ish-luftëtarëve të UÇK-së. Njerëzit që janë në TMK duhet të janë në çdo kohë të mirë informuar se çfarë bëhet e çfarë do të bëhet më TMK-në dhe me ish-luftëtarët. Në të kundërt, këta ish-luftëtarë, e cila është pjesa më kristalore e shoqërisë sonë, do të na thyhen në shpirt si kristali dhe, atëherë Kosova do të mbetet pa diellin e saj.

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Letër e datës 16 maj 1999 e Kolonel Dilaver Goxhaj nga fronti i luftës në Kosovë për ish-kolegët e tij arsimtarë të shkollës 8-vjeçare të Kodër-Kamzës në Tiranë.

-Marshimi i gjatë me Hashim Thaçin dhe si i shpëtuan nga vdekja qindra gra e fëmijë kosovarë në frontin e luftës.

-Si luftuan djemtë nga Shqipëria për çlirimin e trojeve kosovare të pushtuara nga serbët.

 

 

 

 

Përgatiti: Kujtim Boriçi September 14, 2013 11:09
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim