Ditari i nënkolonelit: Revolta në Vlorë mposht 4500 forca policore, ndërhyrja me armë nga SHIK-u i Gazidedes

Përgatiti: Kujtim Boriçi June 7, 2013 15:39

Ditari i nënkolonelit: Revolta në Vlorë mposht 4500 forca policore, ndërhyrja me armë nga SHIK-u i Gazidedes

PJESA IV: Trazirat e marsit 1997. Cilët ishin urdhrat që u firmosën për kontrollin e trazirave në jug, kush ishin gjeneralët dhe funksionarët e lartë, njerëz të besuar të Sali Berishës për drejtimin e operacionit luftarak

 

Hekuran Rapaj: Përballja e parë e ushtrisë dhe SHIK-ut me popullin nisi në Vlorë. Plagosen 10 civilë e 7 ushtarakë. Gjeneralët dhe kolonelët partiakë u vunë në krye të reparteve për veprime luftarake në Përmet, Gjirokastër, Tiranë e rrethe të tjera.

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Rrënimi i ushtrisë shqiptare në pranverën e vitit 1997 nuk erdhi papritur. Ajo u dorëzua me urdhër. Harkun kohor ku ushtria jonë u ndodh në gjendje të asfiksuar drejt degjenerimit të plotë të saj u përshkua në disa etapa, me dukuri dhe karakteristika të veçanta, të ndërthurura e të stimuluara nga evoluimi i ngjarjeve politiko-ushtarake. Këto veçanti të etapave bashkojnë tërë hallkat e pandërprera të së tërës deri në shkatërrimin e plotë të ushtrisë shqiptare. Ditari në vazhdim i Nënkolonel Hekuran Rapajt, përveçse sjell dëshmi tragjike nga përballja e armatosur midis SHIK-ut të Gazidedes e mercenarëve të armatosur nga Berisha nga njëra anë e popullsisë në jug të vendit, e vetë armatosur nga shkatërrimi i shtetit e ushtrisë, sjell dhe refleksionin e analizën se përse u shkatërrua ushtria shqiptare, në momentin që shteti tentoi ta përdorë jashtë misionit të saj kushtetues. Ndërkohë, në fletët e ditarit, ushtaraku i karrierës tregon për pas-mesnatën e 16 janarit 1997 kur populli i revoltuar i Vlorës sfidoi 4500 forca policore (përballja e parë masive që do të vazhdonte më me ashpërsi nga ora në orë e nga dita në ditë), provokimet e SHIK-ut ndaj studentëve të Gjirokastrës, deri tek dhuna e sulmi me armë ndaj popullsisë nga mercenarët e Berishës në Lushnjë, Vlorë e rrethe të tjera të vendit…

 

 

 

FAZA E PARË

Ndjejmë dhimbje nga ky shkatërrim i ushtrisë. Një kolegu im, nuk i mban lotët nga inati. “Pse të ndodhë kështu! Përse të bëjmë një luftë me armë kur nuk kemi kundërshtarë. Përse të vriten njerëzit e pafajshëm, të vriten fëmijët! Të ndalojmë këtë tragjedi sa nuk është vonë!” – shpërthen ai. Po përse ndodh kështu xhanëm! Teksa dëgjoj lajme të shumta nga fronti i luftës, me dorën që më dridhet, hedh këto shënime në ditar për të shprehur aq sa mundem shkaqet e shkatërrimit të ushtrisë, me të cilën unë kam lidhur jetën që 14 vjeç, kur u ula në bankat e shkollës ushtarake “Skënderbej”…

Ushtria jonë erdhi tek shpërbërja, pasi kishte përjetuar mjaft ngjarje e momente denigruese në harkun kohor 1991 – 1997. Viti 1991 shënoi fillimin e transformimit të ushtrisë shqiptare nga një ushtri me “partinë në komandë” në një ushtri të depolitizuar në shërbim të shtetit demokratik. Në këto momente të rëndësishme historike nisën disa reforma të vetëquajtura të thella. Më vonë këto reforma u ndërprenë dhe u futën në një rrugë pa krye. Pas rezultatit elektoral të 22 Marsit 1992 “fitimtarët” filluan reformat në ushtrinë shqiptare të paragjykuar prej tyre me akuzat e pabazuara.

Aventurizmi politik i udhëheqjes së lartë shtetërore për reformimin e ushtrisë mund të radhitet si shkaku i parë që çoi në shkatërrimin e saj në pranverën e vitit 1997. Reformat ushtarake të kryera nuk ndërmorën dot nismën drejt profesionalizmit ushtarak. Si në të gjitha strukturat e tjera të shoqërisë dhe shtetit shqiptar reformimi i ushtrisë dhe i mbrojtjes së vendit në tërësi, nuk u krye duke zbatuar realisht parimet e një shoqërie demokratike… Në vendet komanduese e drejtuese u vendosën “besnikët e partisë”, fisi, klani apo civilë të graduar, me grada madhore, pa arsimin dhe kulturën e duhur profesionale dhe ushtarake. Në vitin 1992 e në vazhdimësi në ushtri u realizuan disa faza të spastrimeve politike. Këto sollën largimin nga radhët e saj të një brezi të tërë kuadrosh profesionistë të aftë, cilësorë e të përkushtuar, oficerë shtabi, komandues kompetentë e me përvojë. Një masë pedagogësh në shkollat ushtarake, me nivel të lartë teorike-shkencor e përvojë të gjatë, u përzunë. Brezi i ri i oficerëve nuk mundi të gjente perspektivën e aspiratave të tij në strukturat e ushtrisë. Filloi të dominojë krahinarizmi e miqësitë partiake.

 

GJENERALËT PARTIAKË

Përçudnimi partiak bëri që edhe përvoja profesionale u injorua. Një oficer me stazh pune 8-10 vjet arriti deri edhe “gjeneral”, ku edhe togeri shkonte lehtësisht komandant brigade. Vendosja e gradave dhe kriteret e saj qenë fasada më e maskuar dhe poshtëruese për ushtrinë. Kriteret e vendosura nuk mund të gjenin zbatim serioz. Yjet e gjeneralëve rridhnin si ujët e burimit. Ushtria shqiptare arriti kulmin e gjeneralëve.

Ushtria duhet të ketë shkollën e vet të gradimit dhe një ndjenjë të shëndoshë identiteti, bashkëpunues që e dallon atë nga popullsia civile. Ata që marrin grada të larta duhet t’i meritojnë ato. Ngritja e mëtejshme e tij bëhet institucionale dhe e pranueshme. Ushtria nuk është tregti. Në ushtri nuk ekzistojnë mundësitë për të kaluar në një rang më të lartë apo të marrësh karriera të çuditshme jashtë filozofisë së mendjes ushtarake. Në vitet 1992-1993 praktika të tilla sollën ndërprerjen e trashëgimisë e përvojës profesionale në strukturat e Forcave të Armatosura. Brenda korpusit të oficerëve u krijua një elitë që u shkëput dhe humbi kontaktin me njësitë e repartet e ushtrisë. Kjo çoi në cenimin e drejtimit vertikal, aq të domosdoshëm në ushtri. Në mënyrë të pashembullt u denatyrua piramida e hierakisë ushtarake. Filloi distancimi i të preferuarve të shtetit. Ata që sorollateshin në zyrat e partisë në pushtet, iknin muaj të tërë me pagesa suplementare nëpër fushata elektorale dhe që shpërbleheshin me bursa jashtë shtetit. Të mbërthyer nga paragjykime dhe emocione të pakontrolluara, elita politike sunduese në ushtri nuk pranoi gjykimin e politologëve perëndimorë, sipas të cilëve problemi kryesor i reformës që duhej bërë në Forcat e Armatosura ishte “ndarja e partisë nga ushtria dhe zëvendësimi i nënshtrimit të saj ndaj një partie me nënshtrimin ndaj një sistemi demokratik shumë partiak”.

Në pikëpamjen institucionale ushtria shqiptare ka pasur tendenca për të ruajtur sa më shumë role e misione tradicionale, strategjike dhe operative nga periudha e shkuar e izolimit te plotë, ndërkohë që me sasinë e forcave dhe të teknikës që dispononte ishte në gjendje të realizonte vetëm një pjesë të vogël të tyre. Në këtë pikëpamje, u bë pak përpjekje për të përshtatur strukturat e saj me realitetet që u krijuan pas Luftës së Ftohtë.

 

ABUZIMET ME REFORMËN

E ashtuquajtura reformë në ushtri e përkeqësoi edhe më shumë statusin social të ushtarakut. Duke ngelur për oficerin rroga dhe strehimi problemi më serioz, kushtet e ushtarit ngelën të tmerrshme. Ai ngeli në mënyrë të pamjaftueshme i pa ushqyer, i pa veshur dhe i pa stërvitur. Në shoqëritë moderne Forcat e Armatosura dallojnë krejt në krahasim me institucionet e tjera. Termat oficer dhe zyrtar kanë të njëjtën origjinë, por ka element të spikatur burokratik ndryshimi duke dalluar atë  nga të tjerët. Hyrja në ushtri ngeli dëshirë. Ç’do kush mund të largohet para se të përfundojë shërbimin ushtarak ose në hapat e para të fillimit të karrierës si ushtarak. Por çdokush edhe mund të hyjë, edhe pse i është bërë një herë largimi i tij.  Askush nuk mund t’i nënshtrohet gjykimit apo dënimit ushtarak, sepse kontratat, testet dhe kriteret profesionale, institucionale e ligjore mungojnë. U bënë përpjekje që reformat ushtarake të realizoheshin nëpërmjet ndërtimit të koncepteve, institucioneve dhe funksioneve ushtarake të modeleve perëndimore. Këto përpjekje dështuan sepse u bënë pa mbështetjen e nevojshme buxhetore. Buxheti i Forcave të Armatosura nuk u diskutua ndonjëherë në Parlamentin Shqiptar, së bashku me strukturën dhe sasinë korresponduese të personelit ushtarak që duhej të mbahej.

Nga ana tjetër ushtria vazhdonte të ruante metodat e vjetra strukturore, një ushtri masive, me arsenale armatimesh, me një industri ushtarake të bazuar në strategji që u pat kaluar koha. Mbajtja e këtyre strukturave, duke mos bërë asnjë përpjekje për fleksibilitetin e tyre dhe shtrirjen në veprimtari vetë financuese në jetën civile, gllabëroi mjete të konsiderueshme financiare. Kjo financë i mungoi stërvitjes, gatishmërisë, kushteve të jetesës dhe modernizimit teknologjik.

 

ETAPA E DYTË

Në historinë e ushtrisë shqiptare, ngjarjet e periudhës janar-shkurt 1997, do të përcaktonin momentin kulmor të shkërmoqjes së saj.   Shkallëzimi masiv i revoltave popullore në pothuajse tërë territorin e vendit e detyroi Parlamentin Shqiptar të thërrasin ushtrinë për të vendosur situatën. Komandanti(Presidenti Berisha) rikthen ushtrinë në mbrojtje të rrugëve dhe objekteve publike të rëndësishme… Kjo detyrë filloi të realizohej midis tmerrit dhe stresit, lodhjes e vështirësive ekonomike, mungesave të theksuara të mbështetjes logjistike. Paradoksi shkon më tej: ushtria vendoset nën urdhrat e SHIK-ut.

 

TRAGJEDITË NË VLORË

Kontaktin e parë të ballafaqimit me popullin e revoltuar, ushtria e bëri në Vlorë. Populli i Vlorës nxori jashtë “misionit”  mbi 4500 forca policore deri në orën 02 të mesnatë të datës 16 janar 1997.

Në këto përplasje plagosen 7 ushtarakët e parë dhe 10 civilë. Mijëra vetë vazhduan përleshjen me policinë dhe me forcat speciale në Lushnjë. Ato mbajtën peng politikanin kryesor të Partisë Demokratike. Ndërkohë, mijëra demonstrues të tjerë në Berat dhe Gramsh u përleshën me policinë dhe SHIK-un. Kjo situatë e detyroi Qeverinë që të vendosë për thirrjen e kontigjenteve të tjerë, kësaj radhe jo të Ministrisë së Mbrojtjes. Pas thirrjes më ngut të reparteve speciale në mbrojtje të godinave dhe institucioneve të rëndësisë së veçantë, sidomos në Tiranë, gjendja e jashtëzakonshme do të ruhej nga uniformat blu të policisë. Kurse në qytetet e tjera forcat e ushtrisë vazhdonin të qëndronin në vendet e tyre në ruajtje të ndërtesave publike.

Por, pavarësisht nga urdhri qesharak që ndërrimi i uniformës jeshile lara-lara të bëhej në blu, pa  u vënë re njerëzit kanë mundur të dallojnë veshje-zhveshjen dhe fytyrat që gjithsesi “duken njësoj”. I vetmi ndryshim ishte se forcat speciale u spostuan më afër godinave të institucioneve në mbrojtjen më forcë të tyre. Me gjithë këto ndryshime ushtria tregoi që në momentet e para se i druhej ballafaqimit me popullsinë civile. Filloi pa u deklaruar situata e gjendjes së jashtëzakonshme… Tashmë qyteti Vlorës ndodhej nën  vëzhgimin e rreptë të uniformave blu dhe të ushtrisë. Automjetet të mbushura me ushtarë, me helmeta dhe automatikë patrullonin në çdo moment rrugët kryesore të Vlorës. Këta nuk mund të ulnin dot tensionin e revoltës, pavarësisht nga gatishmëria dhe presioni që ushtronin forcat e policisë dhe të ushtrisë.

 

PROVOKIMI I STUDENTËVE NË GJIROKASTËR

Ditët që kalonin tregonin organizim në rritje të revoltave. Në Tepelenë demonstruesit bllokojnë urën kryesore të rrugës nacionale në Memaliaj, duke detyruar ingranazhet e shtetit të ‘’konsumonin’’ me shpejtësi gjeneralët e ushtrisë. Ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura nxjerr ushtrinë për shpërndarjen e demonstruesve.  Ndërkohë dy “skalione” me nga 16 ushtarë të armatosur me jelekë anti plumb dhe helmeta “ janë vënë në gatishmëri të plotë në të gjithë hapësirën prej 500 m2 të kompleksit turistik “Adi Petrol” në hyrje  të qytetit të gurtë, Gjirokastër.

Provokimi i studentëve të grevës së urisë natën e 28 Shkurtit zbriti në shesh qytetin bregdetar. Ky perceptim i situatës e detyroi edhe një herë shtetin për një ndërhyrje ushtarake në Vlorë. Ministria e Mbrojtjes kërkoi me urgjencë ndërhyrjen e Distriktit Detar të Vlorës për përballimin e demonstruesve. Ndër kohë përgjigja e Komandantit të Flotës Detare Edmond Zhupanit për Ministrin e Mbrojtjes ishte kategorike: “ Është e pamundur të afrohesh”. Situata e përgjithshme keqësohej vazhdimisht. Kjo llavë vullkani po e detyronte policinë dhe forcat speciale të ushtrisë që të linin në baltë Komandantin. Njerëzit e gjeneralëve te SHIK-ut filluan të jepnin urdhra në emër të Komandantit.

 

MERCENARËT E BERISHËS NË SULM

Më së fundi shteti u detyrua të hedhë në sulm njerëzit më të afërt të tij trup rojet, mitingashët e përjetshëm, servilët e paskrupullt të shtetit së bashku me disa oficerë të lartë.

“Ç’janë këto forca, ku shkoni juve?”, ju drejtohen dy oficerë të

Ministrisë Brendshme një grupi mercenarësh që mbajnë skafandra në kokë të veshur me ç’të mundin. Një civil i veshur mirë u kthehet dy oficerëve: “A e di ti kush jam unë? Djema vazhdoni, pastrojeni rrugën. Nuk dua asnjë komunist në rrugë”. “Djemtë” ishin të paqethurit, të parruarit dhe pa uniformë ushtarake. Këta ishin grupet e sulmit, pasqyra e vetë shtetit të kapitulluar. Në vend që të pastronin rrugën nga komunistët, njëri prej tyre i pirë “hyn në një lokal, ngre shkopin e gomës dhe i jep një të puthur kamarieres”. Janë pikërisht këta njerëz tëpër të dyshimtë që vinin përpara kalimtarët në bulevardin qendror të Tiranës. “Njëri nga këta civilë, nuk ishte njeri dosido. Ai shoqëronte Komandantin në mitingje qysh nga viti 1991”.

Në qytetin e Lushnjës demonstruesit djegin dy makina ushtarake, të cilat transportonin ushtarë drejt qytetit të Vlorës. Autobusi me forcat speciale mundi të largohej nga qyteti nga një rrugë dytësore. Ushtarët ishin të kompletuar më tërë pajimet e nevojshme individuale luftarake, për një kohë të gjatë, si helmeta, çanta shpine, të kompletuar me pajimet ushqimore, mjekësore, të tualetit e deri tek shampot dhe fashot…

(Vijon nesër)

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Urdhrat që u firmosën për ndërhyrje ushtarake në zonat jugore të vendit dhe funksionarët e lartë shtetëror e ushtarakë që nisën zbatimin e operacionit.

-Pse dhe si u përqendruan në Përmet forca të shumta të ushtrisë dhe SHIK-ut, misioni i tyre dhe pasojat.

-Dëshmi të protagonistëve në operacionin ushtarak kundër jugut të vendit dhe urdhri për përdorimin e tankeve në këtë operacion.

Përgatiti: Kujtim Boriçi June 7, 2013 15:39
Komento

2 Komente

  1. Noshi June 8, 05:27

    Rroft Amerika qe po perpiqet ta rregulloj shqiperi por politikanet tane jane kokfort dhe nuk e degjojne http://shkodra.ws/lajme/leter-e-hapur

    Reply to this comment
  2. AL-Boston June 8, 13:16

    Keto jane te vertetat e sistemit Berishian.Nuk arije te kuptoje se ka akoma njerez qe perkrahinm kete kriminel qe shkatroje shqiperin.Do vij dita qe ky “qelbesire e kombit” te japi llogari per te gjitha te keqijat qe kaq bere kunder kombit shqiptare.Turp per njerzit qe e perkrahin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*