Ditari i një njëzetvjeçari

October 11, 2018 12:35

Ditari i një njëzetvjeçari

Moikom Zeqo

(Nga libri im më i ri “DITAR I ENDERRES “,  Aparkeas Abraxas, 2018 )

 Po botoj me poshtë fragmente nga libri “Ditar i Ëndrrës “, ku  është zbardhur një dimension i ditarit tim të vitit 1970, kur unë isha në moshën e re  20-vjeçare.

Idetë dhe motivet e regjistruara, shënimet e shkurtra, lakonike, për artin, letërsinë muzikën, pikturën, etj paraqesin n interes për kohën.

Në  Ditar  ka edhe vargje  dhe poezi të shkurtra, që  nuk botuar, poezi që ishin në fakt edhe eksperimente poetike dhe skajime të fantazisë , po edhe të realitetit.

Është , kështu një lloj Laboratori për Ëndrrën e Jetës dhe Krijimtarinë.

Në atë vit unë isha në mbarimin e  studimeve universitare, kisha botuar dy libra poetikë “Vegime të vendlindjes “ (1968) dhe “Qyteti Feniks “ (1970)

Ditari është dëshmi autentike.

Në të janë edhe  Fjalorët e Figurave, që unë i shënoja me ngulm çdo ditë  dhe që më kanë shërbyer më vonë për tërë librat e ardhshëm, deri  më sot.

 

                                                ***

 

* Balzaku është një Compedium Idesh. Psikologjizmi tek ai është edhe i ideve dhe i njerëzve të gjallë, që nuk i përkasin rigorozisht, (tipikërisht) vetëm një ideje, por një ambiguiteti të ideve.

* Ai e ndjente veten si një mumje egjiptiane, brenda këllëfit të saj dhe i vinte turp, që s’thoshte dot asnjë fjalë. Asketët e shkretëtirave tebeane u ngjajnë mumieve si koncept, si mortalitet në të gjallë, pa vdekur.

 

*. Ultima ratio – Argumenti i fundit.

 

* Në Vdekje, si do të mësojmë, si ta ushtrojmë përdorimin e dobishëm të Përjetësisë?

Dhe a ka kuptim kjo Përjetësi?

Përtej nesh?

Apo brenda nesh?

Materia!

 

* Është e vërtetë se mekanika ka qenë fotografi e lëvizjeve reale të ngadalshme, kurse fizika e re është fotografi e lëvizjeve reale me shpejtësi kolonale…

 

* Një ngjarje e tmerrshme: Llazar V. i ka vdekur vëllai 19 vjeçar. E kisha njohur personalisht. Më erdhi shumë keq. Nesër do të shkoj në Fier tek familja e tij për ngushëllim. Fatkeqësi. E tmerrshme! Ç’është Vdekja? Ndrrimi i ëndrrës për të dashuruar, për të puthur një femër, për të lindur fëmijë, për të krijuar diçka të re, të mirë, gëzim, të ardhme. Ja ç’është Vdekja e papritur e një djaloshi 19 vjeçar. S’jam në gjendje të shkruaj më qartë. Ç‘është, pra Vdekja? Në këtë pikë më përtërihen kujtime të dhimbshme, ç‘është, e përsëris, Vdekja? Një fatalitet? E pashmangshme! Një gjë (fund) e zakonshme për ata, që e kanë jetuar në thelb Jetën. Kurse për ata, që akoma s’e kanë jetuar është gati e kundërnatyrshme, jo cikël. Ç‘është Vdekja? Transformim i materies. Transformim i një cikli është i natyrës. Cikli i parealizuar është aksident i natyrës. Vdekja e zakonshme e jetës së plotësuar s’duhet vajtuar. Këtë e shpjegon Ëhitmani (në poemën e tij, të famshme për Vdekjen). Por Vdekja  e parakohshme është një dënesë e madhe. Që shpërthen me forcë.

 

* O, Rasti! Avni Rustemi ka thënë “Rasti është Mbreti i Botës!”. Sidomos në dashuri!

 

* Në portin e Durrësit pashë një anije nga Panamaja. Dikush kishte shkruar me bojë të kuqe në skafin, në bashin e anijes “I Love You”. “Unë të dashuroj ty” Kujt i shprehte dashuri, ai që e kish shkruar këtë, mbase marinari i panjohur? Ç’ishin këto fjalë sublime? Në sa porte të kontinenteve të botës njerëzit i kanë lexuar këto fjalë anglisht dhe kanë tundur kokat me çudi? I LOVE YOU! UNË TË DASHUROJ TY!

 

* Lexova “Dritën”. Dola në plazh. Në breg guaska. Guaska të bukura. Si ca kufje korali, të thjeshta, të brishta, elegante. Kufje për të dëgjuar muzikë misterioze! Gjurmat e mia si gjurmët e Armstrongut në rërën e bardhë të Hënës. (Gjurmët janë edhe skulpturë edhe art i gravitacionit!). Gjurmët e mia në rërë. Si pullat e postës në zarfin e bardhë të rërës. Gjurmët! Mbase në zarfin e Hënës!

 

Vjeshtë në veshin

Tek këto shpella,

 

Si në ca kufje prehistorike,

Për të dëgjuar epokat…

 

* Libri “Qartësi” e Anri Barbysit. Kryevepër. Poezi e së Vërtetës. Forcë e tmerrshme e një shpirti të revoltuar, të pastër. Më habit madhështia e artistit.

 

* Gërmadhat arkeologjike në Zimbabve. Në një sipërfaqe prej 60 akrash. Ky qytetërim, për të cilin shkenca ende s’di asgjë, arriti kulmin në shekullin 15. Por ka nisur në vitin 300 p.e.r. Pra 18 shekuj.

 

* Regjisori 70 vjeç Herbert Birman. Një nga dhjetë kineastët e Hollivudit që u persekutuan në kohën e makantizmit, për veprimtari anti-amerikane. Filmi i tij „Kripa e tokës“. Si dhe „Skllevërit“.

 

* Sot mbas leksioneve shkova në Shtëpinë Botues („Naim Frashëri“). Në redaksinë e poezisë.

Bëra deklaratën për vjershat e pabotuara, si dhe të botuara (për librin tim „Qyteti Feniks“).

Erdhi Ismail Kadare.

Më pyeti se ç‘po bëja. „-Ç‘është kjo, i tha Dhimitër F. shefit të redaksisë, paguajani të gjitha vjershat e librit. S’është e drejtë, t’i paguhen vetëm të pabotuara“.

Shefi i tregoi ligjin në një shkresë.

Ismaili e lexoi: „Në ligj thuhet të paguhet çdo vepër. Vjershat e veçanta s’janë vepër më vete, siç është libri, në këtë rast.“

Dhimitër F. buzëqeshi, gati si servil.

Ismaili ka karakter të fortë.

Pa në tryezë romanin e porsabotuar të K.R. Ky është rrugaç i letërsisë, tha.

Dolëm bashkë jashtë.

Hipëm në autobus.

Autobusi ishte plot.

Zbritëm.

Ecëm më këmbë deri tek shtëpia e tij.

I dhashë një kopje të „Qyteti Feniks“.

I thashë të më bënte vërejtje (mendime).

Më telefono, e ke numrin tim, më tha.

Ismaili më tregoi se kishte çuar në shtyp librin me prozë „Qyteti i Jugut“.

S’është shkruar ndonjëherë më parë një libër si ky, më tha.

Kish mbaruar edhe një libër me kritika.

Folëm për poezinë.

 „Mos e sforco kurrë veten, lëre, nëse s’ecën motivi. Mos e sforco veten, përsëriti. Në fillim mund të duket sikur s’ecën asgjë. Kështu më ka ndodhur me „Ëndërrimet“, libri im, që tani më ngjan i dobët. Më dukej se s’do ecja dot, por eca dhe e mbarova. Mos u sforco. Ç‘gjuhë di?-” Lexoj rusisht, anglisht, frëngjisht po e mësoj me ngulm.” – Më mirë studio më fort frëngjishten. Shkruaj prozë, Moikom. Njeriu kur e kupton se ka influencë mbi të tjerë e ndjen se është një gjë e mirë. Kështu ka mundësi të krijojë vërtet diçka të rëndësishme të vetën. Dhe mos u kënaq. Është gjithashtu gjë e mirë kur s’të pëlqen vepra jote.“

 

Pastaj pyeti për letrarët e rinj të universitetit.

Për letërsinë kontemporane ruse, tha, se është e dobët, mesatare…

 

DASHURI

 

T’i vesh, – por si t’i vesh,

Këto tarraca të Jonufrës,

 

Si bluzë marinari,

Me vija? –

 

Zbritën pëllumbat mbi mua,

Si marsianët nga Marsi…

 

Dita e re del nga Nata

Si flutura nga nimfa e saj…

 

Dua të hyj tek ty,

Dua të hyj tek ty,

 

Si ajri i pashmangshëm-

Pra, si Dashuri!

* Mater Doloreza, – shën Maria e Përvuajtur.

* Bet’hoven : « Përshkrimi i takon pikturës. Poezinë, në këtë pikë mund ta quajmë të lumtur në krahasim me muzikën, mbretëria e saj nuk është e kufizuar si e imja, por përkundrazi, në fusha të tjera, mbretëria e ime shtrihet më lart dhe nuk mund ta arrijë askush lehtë mbretërinë time… Kush depërton sensin e muzikës time duhet të çlirohet nga meskiniteti, që tërheqin pas vetes njerëzit e tjerë. Liria dhe përparimi janë qëllimi i Artit, ashtu si edhe vetë Jeta. »

* Literatura e Migjenit : « Poemës », Autor du monde, nga Pierre Seghers, Paris, 1965, si dhe Migjeni : « La legjenda del Grano Turco », Roma, edizione italiano. MCMVII

 

AGIMET –PAZMORE STUHIJE

 

Stuhia agimet

Si  pazmore i vesh…

 

Majakovski vërtitet

Me këmisha ylberesh,

 

Me ngjyrat barbare

Të rebelizmit të tij…

 

Mburojat e lashta,

Si kafkulla breshke.

 

Kush tha se Akili

Breshkën e kaloi?

 

Mozaikë mimozash,

Ç‘figura kompozimesh bëjnë?

 

Ylberet hidhen mbi pllajë,

Si leopardë të pranverës…

 

* E mbyll me kapakun e vet stilografin si njeriu që ngjesh në kokë kapelen.

NEONET

Neonet në rresht,

Gati si katjusha

,

Për të qëlluar

Në horizontin e errët…

* Poeti i madh le në vargjet e tij vetëm muskujt, heq çdo gjë të tepërt:

Erërat u ndezën  nga Dielli

Si gazi i furrnelës…

 

* Axhesila Milano, qe nxënës i De Radës . Mu në mes të Milanos, ja nguli mbretit Ferdinantit (burgonas) bajonetën në gjoks…

PA TITULL

 Dhe perëndimi u shua

Si djegia e llambës elektrike.

A ka, ju lutem,

Elektricistë të qiejve?

* Sendet e vizatuara nga De Rada janë si të thuash etaloni i sendeve, eskizi i tyre, me tiparet themelore, që i shquajnë nga sendet e tjerë. Për poetin s’ka rëndësi se kujt i ngjan sendi i dhënë, për të ka rëndësi vetë sendi.

* De Rada preferonte shumë Pindarin.

* Adolf Loosi, pionieri i arkitekturës moderne.

Ai ka bërë edhe projektin e një vile të Aleksandër Moisiut.

Motoja e Adolf Loosit : « Ornamenti është krim ».

Ai përdor « raumplanin », një plan i hapësirës, d.m.th. një vendosje e ambienteve, të një kati në nivele të ndryshme, duke krijuar një të tërë, gjithashtu të ndryshme.

*. Shkrimtari i dëgjuar irlandez Shou O’Kejts (i vdekur në 1964) : «Frojdistët shohin seksin në gjithçka, në renë e shiut, në lëvizjen, që bën luga, gjatë ngrënies, në mënyrën si mbahet piruni dhe thika. Sikurse Minerva, që doli nga koka e Jupiterit dhe vetë dramaturgët e Teatrit Absurd pretendojnë se kanë dalë nga koka e Frojdit. »

* Zhan Stefan Aleksis : « Drurët muzikantë ».

 

* Samorset Moem: „Hëna dhe soldi“ roman për piktorin Pol Gogen. Ah, Gogen! Gogen!

 

DY VARGJE

 

Dhe vetëtimat pleksen

Si në një incest…

 

* Onufri, piktori më i madh shqiptar. Afresku i tij i Davidit.

 

* Bluja e hapur quhet edhe “blu saks”.

 

* Galileo Galileu: “Libri i Natyrës është shkruar me gjuhë matematikore”

 

GJAKU I DEMIT

 

Dhe yjet zjarrojnë në kozmos

Si kaldaja vigane…

 

Demi u mbulua

Nga gjaku i tij,

 

Pëlhurën e toreadorit

Tani e ka demi…

 

Vërtiten flugerët,

Si rraketaket,

 

Në duart e gëzimit,

Dhe fëmijëve…

*. Bet’hoven! Bet’hoven! Simfonia 9! S’ka nevojë për të dhjetën! Ajo është maja më e lartë e vargmaleve të muzikës, Xhomolunga e tingujve! Bet’hoven! Bet’hoven! Është e vërtetë se Roman Rolandi ka thënë se Simfonia 9, është „një botë planetare, që shpërthen“. Kozmosi rebel i tingujve, i përjetshëm dhe i brendshëm. Bet’hoven! Bet’hoven! Hesht, që të them më shumë! Flas, duke mos qenë i zoti të hesht. Kjo muzikë është eliksiri i kohërave. Të vdekurën e gjallëron, si bimët në shkretëtirë, kur bijen shirat. Kjo e mohon Vdekjen Përjetëson Jetën! Njeriu, që e ka shkruar këtë muzikë është padyshim Kalorësi i Madh i Pegasit të Muzikës dhe ky Pegas ngjan se ka kokën me krifë rrezesh të Diellit, ujëvara të Niagarës për bisht dhe trupin tërë hapësirat lëvizëse! Bet’hoven! Bet’hoven!

Dhe yjet janë nota

Në Simfoninë e Shpirtit…

* Sapo u ktheva nga Kanconisimo. Pashë dy artistë të njohur: Iv Montanin dhe Sofia Lorenin. Të dy të plakur. Sidomos Sofia Loren. Iv Montani këndoi në frëngjisht. Sofia një këngë në anglisht. O, sa ishte plakur Sofia Loreni!

* “Drita” kishte botuar një artikull të Rexhep Qoses për „Kështjellën“ . I mirë. E vlerësonte, ashtu siç duhet, Ismailin. Po ciklin e vjershave të mia s’i kishin botuar tek „Drita“ këtë herë.

* A ka një etno-psikologji? A është shkencor ky term?

* Frojdi: arti, kultura janë simbole të një thelbi seksual. Zanafilla e ndërgjegjes e ka primare atë që ekziston teka ameba, apo tek struktura e atomeve, simetria dhe asimetria e kristaleve? A është arketipi jungian skeleti i nënvetëdijes, parandërgjegjes, që është i dhënë dhe që mbushet sipas përvojave dhe ekzistencës së gjithsecilit (zanafilla përherë e dhënë në fillim)? Arketipat e familjes si mikrokozmos i shoqërisë, i grupeve shoqërore, klasave, kombit dhe grupeve të Kombeve? Arketipale janë dhe metaforat e mitit? A ka perceptim subjektiv karakteristikën e një profecie? Zh.P.Sartri ka thënë: “shfaqja duhet të jetë rituale!” Shih dhe përshpirtjet e Fineganit tek Xhojsi. Fushat tematike evoluojnë, hyjnë, ndërthuren në një mënyrë të tillë, që nga më e vjetra qëndron struktura, por humbet çdo gjë tjetër e paqëndrueshme, jo strukturore. Jonesko: “Gjendja njerëzore e sundon gjendjen shoqërore dhe jo anasjelltas.” Kështu mbivlerësohet frika, pasiguria dhe të tjera kategori shpirtërore.

 

  1. Disa poezi, që kam çuar për botim tek revista “Nëntori”:

 

JEHONË E KALTËR

 

Dhoma 22

Në imagjinatën e së Ardhmes,

Do të na mbledhë përherë,

Që nga udhëkryqet e zhurmëta të viteve!

 

S’do të mundemi kurrë

Ta harrojmë këtë dhomë,

Fizarmonikën prej hekuri të kaloriferit,

Majakovskin, që dëgjon nga portreti i tij,

Si nga një dritare e hapur e kohërave,

Lajmet e fundit, shqetësimin e botës.

 

S’do të harromë asgjë,

 

Do të na kujtohet edhe ajo furça e dhëmbëve

E lënë mbi komodinë

Si një neon i vogël dhe i çuditshëm,

Vazoja me lulet yjore të mimozave,

Si një krater pranvere,

Mbi tavolinën,

Ku mes leksioneve

Është hapur gazeta e ditës

Dhe poema « Vitet Gjashtëdhjetë ».

 

Kështu do të më shfaqeni

O shokë, që ju desha,

 

Profili i Nikos mbi bllokun e tij,

I shqetësuar në kërkim,

Të një motivi të ri,

Shakatë e përjetëshme të Shefkiut dhe Thanasit

Çdo mbrëmje,

Strategët e shahut:

Tomori dhe Verin,

Duke vazhduar

Ndeshjen e njëmijtë!

 

Kështu do të më shfaqeni,

Bashkë me bisedat e moshës

Për dashurinë dhe vajzat,

Në stinë e provimeve,

Kur binim të flinim,

Nën melodinë e njohur “Kënga e Solvegut”,

Si ëndërronim për poemat,

Që i duheshin atdheut,

Ashtu si furrnaltat,

Duke shkundur gështenjat

Në udhën e fakultetit,

Sikur shkundnim kozmosë të vegjël, bimorë në asfalt

Me latat e mensës

Si kalendarë

Të viteve studenteske,

Apo si bileta,

Për Ballon e Imagjinatës

Organizuar… nga e Ardhmja !

 

Në abazhurët e shtëpive tona

Çdo mbrëmje,

Do të shkëlqejë

Dhe globi i bardhë,

I dhomës 22.

 

Këtu studentë të tjerë,

Do të kenë ardhur.

 

Po në zërat e tyre,

Do të përtërihen

Zërat tanë të largët!

 

Zërat tanë,

Si një jehonë,

E përjetëshme, e kaltër…

TEK TELEFONI AUTOMATIK I PALLATIT TË KULTURËS

 

Tek telefoni automatik i Pallatit të Kulturës

Vijnë të rinj dhe marrin në telefon shoqet e shokët e tyre.

 

Ky telefon, në formimin e numrave që vërtiten

Ka brenda gjithë hapësirat e qytetit, bulevardet,

Gjithë imazhet e atyre , që diku në apartamentet

Ngrenë receptorët,

Gjithë shqetësimet e tyre rinore.

 

Zbardhin numrat e bardhë –

Dritaret e tyre që larg

Nën gishtat e të dashurve.

 

NË MUAJIN E PYJEVE

 

Ne mbillnim ullinj,

 

Fiksonim stinën në muzgun e kripës,

Ndanë arkitekturave prej korali të shpellave të detit,

Plot akustikë të kaltër legjendash dhe rreze si flokë të dridhshme nimfash,

Kur në horizont mbi gjeografinë e kuqe të muzgut befas Hëna u shfaq,

Sahara e saj e rrumbullakët, e bardhë.

 

Ne ahere menduam:

Sikur të mbjellim dhe Hënën,

 

Të shkunden nga Hëna çdo mëngjes

Katarakte petalesh,

Si nga një ishull fluturues i Pranverës

Dhe kostelacione ullinjsh të kaltër, të kaltër.

 

 

 

MOTIV I NJOHUR

 

Në xhamat e mëdha të lokalit komfort

Si nga xhamat e një batiskafi të çuditshëm

Ti sheh thellësirat e mbrëmjes së Tiranës.

 

Ç‘ke kështu?

Të ngjan sikur vazhdimisht zhytesh, zhytesh,

Duke kërkuar të gjesh

Në thellësirat e mia

Imazhin tënd që po fundoset si Atlantida.

 

Kështu e ulur në kolltukët plastike ngjyrë portokalli të lokalit,

Ndanë atij,që duan të të fejojnë, ti mua më kujton;

Akullorja që ke përpara shkrihet, deformohet

(Kjo s’është akullore

Për ditët e bardha të dashurisë sonë!)

 

Dhe befas mbi ty kthehen filxhanët e kafeve,

Në qenien tënde gjithshka errësohet

Si në një shtëpi ku mbyllen përjetë dritaret;

Kjo është bota e vjetër, e dashur,

Largohu, ik prej saj!

 

Largohu! Ti ke nevojë për hapësirë

(Jo për horizontet e ngushtë të filxhanëve të kafeve)

 

Ti je e re e lindur në kohëra të reja,

Ti duhet të bësh më në fund atë që duhet, e dashur,

 

Kjo do të thotë që dhe unë të ngre prapë imazhin tënd në horizont

Si nga thellësirat e oqeanit kontinentin e fundosur.

 

Njerëzit e tu janë të shqetësuar.

 

Dhe ja, ti u ngrite.

Mbi banak aparati i ekspresit jep alarmin i gëzuar,

Mos ki frikë!

Ventilatorët vërtiten tani si helika aeroplanësh që vinë të të marrin,

Të të shpëtojnë prej mblesëve,

Prej dobësive të vetes,

Prej botës së vjetër!

 

Eja, eja!

Kështu vjen tek unë në fluturim mes horizontesh

E shoqëruar nga mijra pulëbardha të gëzuara neonesh.

 

OPERATORI I KINOSTUDIOS

 

Operatori i Kinostudios udhëton drejt Veriut,

Gazetar i ekranit me kameran pranë vetes,

Mbi kataraktet e ngurta të vargmaleve,

Ku mbrëmjet e gjelbra dhe të pjerrëta të pyjeve,

Lëkunden, lëkunden,

Mbi pasqyrat e liqeneve alpinë!

 

Xhiron. (Si asistent i tij e ndjek kudo Dielli!)

 

Male, Male. Male.

Kompozime fantastike të strallit dhe të muzgut.

 

Gjithmonë,

Kur është në Veri,

Atij i kujtohen frëngjitë e ngushtë të kullave, –

Kamera të fiksuara guri,

Që xhiruan në shekuj

Hapësirat tragjike,

Me flokët e zjarrta të krismave,

Silueta malësorësh

Dhe mjegulla të verbëta legjendash.

 

Ai ecën.

Mbi degët metalike të antenave

Rrahin krahët

Hapësirat e reja!

 

Ai vjen t’i mbledhë

Pamjet e reja, të gëzuara:

Qytete të rinj metalurgjikë,

Hidrocentrale gjigantë.

 

Ajri shkundet

Nga fjalët e legjendave!

 

Po vallë,

Si ta mbështjellë

Dhe Filmin e Shekujve,

 

Nga kamerat

E frëngjive të vjetra?

 

KOZMOSI ME FORMAT E NJEQINT SHQIPONJAVE

 

Deti ka nevojë

Për krehër ballukesh!

 

A ka vallë berber

Për detin, detin?

Agimi bjen në kalldrëm

Si balena e plagosur…

Pianoja është një arkivol i zi,

Hapeni të dalë Mozarti…

 

O Leonardo da Vinçi,

Ke një moshë të çuditshme:

 

30 vjeç i kapërceve kalendarët,

Dhe ishe plus 300, apo 500 vjeç!

 

Kozmosi vesh format

E njëqind shqiponjave!

 

Dhe vjen tek unë,

Duke më dhënë Infinitin!

 

MERIMANGA

 

 Merimanga e end, e end

Një yll në qoshen e qiellit,

 

Dhe tek ky yll i pangjashëm

Unë shoh botë të paimagjinuara!

 

Merimanga më sulet

Dhe ma thith gjakun.

 

Dhe nga gjaku im i bën fijet,

E pezhishkave të rrezikshme!

 

BRETKOSA

 

Bretkosa e pellgut

Ëndërron, ëndërron

 

Një ekstazë qiellore

Lejlekësh të bardhë!

 

Lejlekët e gëlltisin

Bretkosën,

 

Që dhe ajo, më në fund,

Të fluturojë, të fluturojë!

 

 DUAR DETI

 Këta trëndafilë,

Këta trëndafilë,

 

Janë këpucë purpuri

Për këmbëzbathurin Krisht.

 

Duar deti

Më përkëdhelin.

 

Nënë! Nënë!

Je ti! Je ti!

 

Poeti s’e banon veten,

Por kozmosin po!

 

Në fund të çdo fjale,

Unë vdes, për të rilindur.

 

  METASTAZA

Ç’metastaza yjesh

Në trurin e yjeve!

 

Thua drurët e ndjeshëm

Dhe ujërat lëvizëse,

 

Mendojnë, shohin ëndërra,

Ashtu si dhe njerëzit?

 Në pikën zero arrij, ku qenia njerëzore është… e tepërt.

 

  1. Elise Aubry: “L’Albania et la France – le question d’Orient”, Paris, 1917. Me Parafjalë të Gijom Apolinerit. (Alb-2, A, 25, në Bibliotekën e Durrësit).

LETRA QIELLORE

Sa shtrëngata

Kam mbyllur në sirtar,

I nxjerr mbi letra,

Kur shkruaj…

Dhe germat e alfabetit

Mbushen me rrufe!

 

(Vijon në numurin e ardhshëm )

 

October 11, 2018 12:35
Komento

2 Komente

  1. Perkthyesi October 11, 18:19

    Kohra te arta, ku pavaresisht sistemit qe kishim, ne shkolla percillej kulture dhe dije! Sot, pergjithesisht 20 vjecaret i gjen neper pikat e basteve, me thika apo revole ne xhep, duke mos harruar dhe drogen! Ndryshim kolosal!

    Reply to this comment
  2. demo October 12, 12:10

    Aaaaa K.S.Spirii,K.s. Spiriii ! Nuk ta diten vleren,por te shtruan ne CMENDINE.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*