Ditë migjeniane në Pukë

April 22, 2016 09:59

Ditë migjeniane në Pukë

Nga Ramazan Çeka & Osman Kozmaj

 

Dita e hënë, datë 18 prill 2016, lindi e bukur, e dlirtë, e pastër dhe e ngrohtë, ashtu siç i ka hije një dite pranverore. Të ftuar nga shumë miq tanët, njëkohësisht edhe organizatorë të këtij aktiviteti, ne të dy në shoqërinë e dy personaliteteve të letrave dhe të shkencës, dramaturgut të shquar Fadil Kraja dhe eruditit, profesor dr. Ahmet Osja u nisëm nga Shkodra për në qytetin e Pukës për të marrë pjesë në dy evenimente të rëndësishme, jo vetëm për kulturën dhe historinë në këtë rreth të vogël malor, por edhe më gjerë.

Në Pukë do të përurohej një shtatore (grup skulptural) kushtuar poetit dhe mësuesit të madh Migjenit si dhe një libër biografik me titull  “Zeneli ynë i paharruar” me autor studiuesin Idriz Ahmetaj, kushtuar nxënësit pukjan të Migjenit, Zenel Islami të cilin mësuesi i tij e përjetësoi në krijimet e tij letrare.

 

U nisëm drej qytetit të vogël malor, me një ndjenjë e dëshire të madhe, për ta përjetuar sa më pranë këtë ngjarje.

E, kështu pra, u ngjitëm ngadalë nëpër Qafalaç, kaluam Dushin e nëpër leqet gjarpëruese ramë në Gomsiqe, ku kafen e pimë duke e shoqëruar me biseda e kujtime për ato krahina, ku dhe kemi punuar. Profesor Ahmeti fliste për resurset e pafund të asaj krahine dhe profesor Fadili për jetën dhe krijimtarinë e Migjenit.

Dita e mrekullueshme, me një qiell blu të qashtër, përtej pastërtisë, e bënte panoramën si një pikturë që mund ta marrësh në dorë.

Rruga deri në Pukë nuk ka hone të thella e të frikshme: fillon butë me kodra rrumbullake, qëndisur me shkurre dushku e dëllinjash e, duke u ngjitur përpjetë, vjen e mbushet me pisha e bredha fjollë, që nxijnë me një jeshile të thellë potente.

Shumëkush nuk e njeh këtë vend, ose e përftyron si një vend që është diku në male e kaq. Por po të ketë informacion se çka është, ç’pejsazh e ç’klimë ka, ç’njerëz e ç’mikpritje ka nuk e lë pa i provuar e përjetuar.

Puka është një qytet i vogël malor, i pastër e plot dritë, diku rreth 800 metra mbi nivel të detit, por të veçantën e tij e ka se është shumë i gjallë, siç duket edhe nga mosha e re e banorëve.

Arritëm e përpara na doli studiuesi i shquar pukjan prof. Xhemal Meçi, “Mjeshtër i Madh” cili na shoqëroi gjatë gjithë kohës duke na njohur edhe me programin, që filloi me një takim mikpritjeje me kryebashkiakun z.Gjon Gjonaj në ambjentet e Bashkisë e më pas me vizita në shkollën e mesme që mban emrin e Migjenit dhe në muzeumin e tij.

Kulmi i veprimtarive të kësaj dite ishte natyrisht zbulimi dhe përurimi i bustit të poetit dhe nxënësit të tij. Puka po përjetonte një festë të vërtetë.

Në qendër të qytetit, në mes të lulishtes pranë godinës së Bashkisë, kishte ardhur Migjeni i madh dhe ishte ulur atje me një nxënës pranë, siç ulet mësuesi në pushimin e madh në stolat e oborrit të shkollës.

Millosh Gjergj Nikolla kishte ardhur atje, ashtu si 80 vite më parë, kur do të emërohej kryemësues në shkollën e Pukës, në shkollën dhe qytetin ku do të zbulonte më së miri realitetin e egër të kohës, ku do të përjetonte dhimbjen e madhe që do ta bënin atë të pavdekshëm me “Lulin e vocërr”, “Zenelin”, “Bukurinë që vret”, “Legjendën e misrit” dhe vepra të tjera që do ta revoltonin shpirtin e tij të madh, i cili kërkonte një grusht të fuqishëm me i ra “malit që s’bzan”.

Migjeni ishte ulur atje përsëri me nxënësin e tij të dashur, Zenelin, ashtu si dikur, kur në sytë e këtij fëmije shihte ëndrrat e tij dhe ëndërronte edhe vetë.

 

Ceremonia e mirëseardhjes për mësuesin e madh ishte madhështore dhe krenare.

Poeti i madh do të qëndrojë përjetësisht pranë tyre si një dëshmi e etjes së këtij populli për arsim e kulturë. Ai do të jetë atje falë kontributit të një artisti pukjan me banim në SHBA të quajtur Fran Gjoka, si dhe talentit të një tjetër artisti pukjan, skulptorit Ardian Pepaj.

Banorët pukjanë të të gjitha moshave, ish nxënës të Migjenit e deri tek fëmijët sot nxënës në shkollën që mban emrin e tij, kishin mbushur sheshin e qytetit duke e ngazëllyer atë edhe me këngët e vallet aq të bukura të folklorit pukjan.

Merrnin pjesë në këtë festë edhe personalitete të shkencës e të artit të ardhur nga Tirana , Shkodra, Durrësi, Lezha, Prishtina si profesor Moikom Zeqo, “Artistja e Popullit” e “Nderi i Kombit” Tinka Kurti, profesor Neritan Ceka, dramaturgu Fadil Kraja,”Mjeshtër i madh”, profesor Ahmet Osja,”Mjeshtër i Madh”, poeti Agim Doçi, “Mjeshtër i Madh” gazetarja e mirënjohur Tefta Radi, ish mësuese në Pukë dhe shumë të tjerë.

Por më e veçanta, më impresionuesja ishte pjesëmarrja në këtë ngjarje të shënuar e bashkëshortes së Zenel Islamit, Drita Gjylbegut dhe vajzës  së tyre Zanës, nëna dhe motra e shkrimtarit dhe publicistit të njohur, militantit dhe drejtuesit të shquar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, Bedri Zenel Islami.

Mes kësaj atmosfere bustin e zbuluan kryetari i bashkisë Gjon Gjonaj dhe Aleksandra Ceka, mbesa e Migjenit. Duartrokitje dhe mirënjohje të mbushura me krenari shpërthyen nga të pranishmit edhe për arsyen se kjo vepër skulpturale u realizua nga vetë artistët pukjanë.

Pas fjalës përshëndetëse të kryetarit të Bashkisë z.Gjonaj e morën fjalën shumë të pranishëm që lavdëruan dhe përshëndetën një veprimtari kaq të bukur e domethënëse.

Gjithashtu për ta përshëndetur këtë aktivitet kishin ardhur këshilltari i Presidentit të Shqipërisë, si dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në vendin tonë z.Ramiz Lladrovci

Salla e bibliotekës së pallatit të kulturës “Eqerem Çabej” ishte tejet e mbushur, sepse një tjetër aktivitet i rëndësishëm do të zhvillohej atje. Një tjetër aktivitet që lidhej me Migjenin, por tani përmes një libri kushtuar nxënësit të tij Zenel Islami që autori, mësuesi i nderuar Idriz Ahmetaj e kishte titulluar “Zeneli ynë i paharruar”.

Kumtesat dhe vlerësimet ishin të shumta, por mbresa lanë tek të pranishmit fjalët plot dhimbje të vajzës së Zenel Islamit, Zanës, e cila falenderoi autorin e këtij libri, qytetin e Pukës dhe organizatorët që mundësuan vlerësimin dhe rikthimin e babait të tyre në vendlindjen e tij dhe në memorien e bashkëqytetarëve të tij, ashtu si dikur kur ulej në bankat e shkollës dhe me imagjinatën e tij shkonte edhe më larg se mësuesi.

Një drekë në një sofër pukjane, e shtruar me zemër të bardhë, ashtu siç dinë ta shtrojnë vetëm ata, me biseda të këndshme, me tingujt magjepsës të çiftelisë e bilbilit, me ritmet e topanit në vallet e pashoqe, e mbylli këtë ditë të paharruar që me të drejtë u shpall si “Dita kulturore Migjeni dhe Zeneli”.

Jemi në kthim. Rruga tani gjarpëron teposhtë përmes pishave. Ajri i maleve, që dalëngadalë po fillon e freskohet, dukej sikur jo vetëm na depërtonte në mushkëri, por edhe sikur na ngacmonte ndjesitë që përjetuam në këtë ditë të bukur prilli.

“Ah, sa aromë e freskët dhe e këndshme!” tha dikush prej nesh. Po, ishte aroma e maleve të Pukës.

 

Prill 2016

April 22, 2016 09:59
Komento

3 Komente

  1. Genci Shkoder April 23, 11:00

    Bravo Osman, na kujtove shkollen e Gomsiqes dhe Kaftalles.

    Reply to this comment
  2. Eksperienca April 25, 06:06

    Idjote, Migjeni do e kishte shuajtur nga faqja e dheut Puken e cfare permban deri ne Cameri,po te merrte pushtetin. Ai i kendonte urise per permbysje dhe hakmarrje ….!

    Reply to this comment
  3. Mark uk April 25, 18:36

    Duhet te shkruaj ky Bedri Islami per vendlindjen e tij.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*