“Divertikuloza”, kujdesi për sëmundjen që dëmton zorrën e trashë

December 18, 2017 19:49

“Divertikuloza”, kujdesi për sëmundjen që dëmton zorrën e trashë

Pranvera Kola-DITA

Dëmtimi i zorrës shkaktohet shpesh edhe nga sëmundja që njihet si “Divertikuloza”, prej të cilës rrezikojnë më shumë moshat e mëdha. Diagnostikimi i sëmundjes që në stadet më të hershme vështirësohet, e shkak për këtë bëhet mungesa e simptomave të dukshme.

Ndërsa në rastet kur sëmundja komplikohet, shkakton ndërlikime të shumta duke u shndërruar në një problem serioz për jetën e pacientit.

Në vijim të shkrimit, mjekja Ilda Xhelili, tregon format se si shfaqet sëmundja, simptomat dalluese, si dhe masat që duhet të merrni për të shpëtuar nga pasojat e rënda të saj.

 

Çfarë është divertikuloza?

Së pari duhet të sqarojmë se çfarë është divertikuloza e zorrës. Divertikuloza e zorrës është sëmundja që karakterizohet nga prania e divertikulave në zorrën e trashë. Divertikujt janë qese të fryra që shtyjnë nga brenda me drejtim jashtë murin e zorrës.

Ato mund të formohen kudo në zorrën e trashë, por më së shumti formohen afër fundit të zorrës së trashë, në anën e majtë (pjesa sigmoide e saj).

Nëse një divertikul infektohet, atëherë kemi të bëjmë me divertikulit. Nëse  inflamacioni (infeksioni) është mjaft i rëndë, atëherë divertikuli mund të këputet duke përhapur bakteret e zorrës së trashë në indet përreth, duke shkaktuar kështu një infeksion të rëndë të quajtur peritonitis, por divertikuli i këputur mund të shkaktojë edhe ndonjë “xhep” infeksioni të quajtur “abscess”.

Kur një person ka diverticula përgjatë zorrës së trashë atëherë kjo quhet divertikulozë, ose sëmundje  divertikulare e kolonit. Sëmundja divertikulare është më e zakonshme në vendet e zhvilluara ku regjimet ushqimore janë më të varfra në fibra dhe më të pasura në karbohidratet e përpunuara si për shembull SHBA, Angli, Australi. Sëmundja është më pak e shprehur në vendet si: Azia, Afrika, ku dietat ushqimore janë më të pasura në fibra. Në SHBA sëmundja është e pranishme në më shumë se 50 për qind e njerëzve të moshës mbi 60 vjeç, ndërsa rreth 10-25 për qind e njerëzve më sëmundje divertikulare do të përjetojnë një inflamacion të një divertikuli duke rezultuar kështu në një situatë inflamatore (divertikulit).

Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të divertikulozës?

Teoria më e pranueshme është ajo e formimit të divertikujve si rezultat i presionit të rritur nga brenda zorrës së trashë. Ky presion i rritur ka disa shkaqe të mundshme: Së pari, dietat e varfra në fibra shkaktojnë vështirësi të jashtëqitjes (eliminimi nga zorra e trashë të materialeve fekale).

Pra shkaktojnë konstipacion, duke rritur kështu kohën e qëndrimit të materialeve fekaleve në zorrë dhe si rezultat rritet presioni brenda zorrës. Po ashtu medikamente, të tilla si ato që rrisin diurezën (shkarkuesit që rrisin urinimin) për uljen e tensionit të lartë të gjakut, preparatet qetësuese dhe narkotike mund të rrisin gjithashtu kapsllëkun. Pra çdo shkaktar i rritjes së presionit brenda zorrës mund të çojë në shfaqjen e divertikulave.

Kapsllëku mund të shkaktojë tendosje të përsëritur gjatë lëvizjes së zorrëve dhe mund të rrisë presionin brenda tyre. Dietat e pasura me fibra mund të parandalojnë kapsllëkun dhe lodhjen e zorrëve duke ulur kështu rrezikun e formimit të divertikulave.

Cilat janë ushqimet e pasura me fibra?

Ka dy lloje të fibrave të nevojshme për të mbajtur materialet fekale të buta duke parandaluar kështu konstipacionin. Së pari kemi fibrat e tretshme që treten në ujë dhe formojnë një substance të butë  që kalon në gjithë  aparatin tretës dhe së dyti kemi fibrat e patretshme që kalojnë nëpër traktin tretës pothuajse ne formë të pandryshuar dhe ka efekt laksativ duke ndihmuar materialet fekale të rrëshqasin pa vështirësi. Burime të mira të fibrave përfshijnë fruta dhe perime të freskëta, si edhe bishtajat, sidomos fasulet dhe thjerrëzat.

Po shenjat klinike cilat janë?

Shumë pacientë me sëmundje divertikulare nuk përjetojnë simptoma. Rreth 20 për qind e pacientëve mund të kenë dhimbje të shpeshta barku në formë të prerash, gjakderdhje (me materialet fekale), fryrje barku, dhimbje rektale (në anus) dhe diarre.

Në disa raste pacientët përjetojnë komplikacione të rënda të sëmundjes, siç janë: divertikulitis (inflamacioni) me pasojat e mundshme që sqaruam më sipër si: “abscesi” dhe “peritonitis”.

Por mund të ndodhë edhe mbyllja (obstruksioni) i kanalit të zorrës nga divertikuli. Kur infeksioni i divertikulit gërryen  një enë gjaku në bazën e tij, atëherë shkaktohet gjakderdhja divertikulare, e cila mund të jetë me pasoja të rrezikshme. Në varësi të situatës klinike pacienti kërkon trajtim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit.

Pacienti në këto raste përjeton dhimbje të forta barku, por rastet e lehta mund të kalojnë edhe pa dhimbje barku dhe vetëm me gjakderdhje të lehtë të zorrës. Gjakderdhja rektale (edhe nëse ndalon vetë) mund të jetë shenjë e divertikulozës, divertikulitit ose të kushteve të tjera serioze. Shenja të tjera klinike mund të përmendim diarrenë, të vjellat, dhimbje barku dhe gjendje ethore.

Si diagnostikohet sëmundja?

Diagnostikimi bëhet me anë të kolonoskopisë (tubi me dritë për të parë nga brenda zorrës), skanerit të barkut dhe legenit, por edhe nëpërmjet ekzaminimit radiologjik me rreze X dhe me sulfat barium (pasazhi i zorrëve). Në varësi të simptomave mjeku specialist përcakton edhe rutinën e ekzaminimeve që duhet të kryeni për vendosjen e diagnozës së saktë të sëmundjes.

Çfarë rekomandohet në pacientët me divertikuj?

Pacientët me sëmundje divertikulare, ose edhe si princip për parandalimin e divertikulozës, u rekomandohet përdorimi i ushqimeve të pasura me fibra dhe përdorimi i lëngjeve, ose dhe thjesht ujit gjatë gjithë ditës, për të parandaluar konstipacionin.

A mund të parandalohet sëmundja divertikulare?

Divertikujt e formuar janë të përhershëm dhe mund të hiqen vetëm me rrugë kirurgjikale. Aktualisht nuk ka trajtim për të parandaluar sëmundjen divertikulare. Pra çfarë janë formuar, janë formuar. Megjithatë, dietat e pasura me fibra janë të rekomanduara për të parandaluar konstipacionin (kapsllëkun) dhe njëkohësisht për të ulur presionin në zorrën e trashë dhe mund të ndihmojnë në  parandalimin e më shumë divertikulave dhe të evitojnë përkeqësimin e situatës.

December 18, 2017 19:49
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*