Divorci 20 milionë dollarësh

August 5, 2013 13:52

Divorci 20 milionë dollarësh

Pas 14 vitesh martesë, manjati i mediave amerikane, Rupert Murdoch, i ka kërkuar divorcin Wendi Deng, bashkëshortes së tij 37 vjet më të vogël. Burime të afërta me çiftin tregojnë se ajo është e tërbuar pas prezantimit të aktit të divorcit, për më tepër që 20 milionë dollarë në këmbim të lirisë së plakushit miliarder  nuk i mjaftojnë

Wendi Deng ka punësuar avokatin e njohur njujorkez, William Zabel, për ta përfaqësuar në çështjen  e divorcit multimilionësh kundër bashkëshortit miliarder, Rupert Murdoch. Zabel do të zëvendësojë avokaten Pamela Sloan, që është kujdesur për marrëveshjen paramartesore në vitin 1999, pasi kjo tashmë është shumë e lidhur me familjen Murdoch e sidomos me Rupertin. Ish-bashkëshortja dëshiron nga manjati i mediave një shumë me më tepër zero se ajo që iu paraqit ditë më parë.

Persona të afërt me Deng, pohojnë për “CNBC” se kjo ndarje nuk do të jetë “aspak miqësore”. Ajo pati nënshkruar një kontratë paramartesore, por, mesa duket shifra nuk i pëlqen edhe aq tani. Në të thuhej se në rast divorci ajo do të merrte 20 milionë dollarë, por “tigresha kineze” dëshiron më shumë meqë pasuria e të shoqit vlerësohet në rreth 11 miliardë dollarë. Deng synon edhe marrjen e kujdestarisë së dy vajzave të tyre, Grace dhe Chloe.

Murdoch i qetë, Deng e tërbuar

Në kërkësen e divorcit, të prezantuar nga vetë 82-vjeçari në muajin qershor, bëhet fjalë për një martesë “të thyer në mënyrë të pariparueshme”.

Sipas asaj që shkruan “Daily Mail”, Murdoch vijon të jetë i papërkulshëm në vendimin e tij, aq sa merr pjesë në mbrëmje gala dhe takime të ndryshme pa u dukur aspak i shqetësuar. Por, sinjalet e krizës janë të dukshme në botën mondane që frekuenton ai. Papritur anuloi pjesëmarrjen e tij në festën e mikut të ngushtë, Jim Gianopulos, president i kompanisë “Fox Film Studio”.

Një mik i Deng i ka treguar shtypit ndërkombëtar se si ajo kishte mbetur e shtangur nga vendimi: “U kap në befasi. Nuk e priste dhe nuk e kishte menduar kurrë që Ruperti do t’i jepte fund”. Edhe Donald Trump, mik i afërt i çiftit ka shprehur habinë për vendimin e manjatit: “Jam i trishtuar për të dy”.

Ajo është e bija e një funksionari të lartë të Partisë Komuniste Kineze dhe gruaja e tretë e Rupertit. I qëndroi afër bashkëshortit gjatë skandaleve që përfshinë kompaninë e tij. Shpesh e trajtuar si një “grua trofe” është vënë në shënjestër të shtypit të thashethemeve edhe përtej oqeanit. Madje së fundi janë hedhur hipoteza për një marrëdhënie jashtëmartesore midis saj dhe ish-kryeministrit britanik, Tony Blair. Miqtë flasin për një bashkëshort shumë të zënë për të menduar për thashethemet mbi gruan e tij. E megjithatë Deng e ka mbrojtur gjithnjë Rupertin, sidomos gjatë procesit të 2011-s mbi skandaline përgjimeve telefonike të gazetës së tij.

Deng e urryer nga të gjithë

Sipas disa burimeve çifti jetonte prej vitesh i ndarë në të njëjtën shtëpi. Ajo që kujdesej për të bijat 9 dhe 11 vjeçe dhe ai gjatë gjithë kohës në punë. Bashkimi me këtë grua për Murdoch ishte një veprim i gabuar. Biografi i tij, Michael Wolff, shprehet: “Murdoch i kishte thënë djalit të tij të madh, Lachlan, se martesa me Wendin ishte një gabim. Nga ana tjetër, si Lachlan dhe fëmijët e tjerë nuk e kanë dashur kurrë njerkën, ashtu siç nuk e deshi as e ëma e Rupertit, Elisabeth. Kur mbushi 100 vjeç në një intervistë tha: “Rupert kishte një martesë të mrekullueshme me Anën dhe ishte një gjë e tmerrshme fakti që i dhanë fund. Kam vështirësi të pranoj Wendin, por duhet ta bëj, natyrisht”. Edhe Deng e urrente plakushen Elisabeth. Kur ajo vdiq në moshën 103-vjeçare ndodhej në Majemi në një mbrëmje bamirësie./D. Gjuzi

August 5, 2013 13:52
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*