Dje Dita Botërore e HIV-AIDS, ISHP: Masat parandaluese për t’i dhënë fund HIV-it

December 2, 2019 15:31

Dje Dita Botërore e HIV-AIDS, ISHP: Masat parandaluese për t’i dhënë fund HIV-it

Çdo individ mund të zvogëlojë rrezikun e infektimit me HIV duke kufizuar ekspozimin ndaj faktorëve të riskut, si dhe ndjekjen e kontrolleve mjekësore për diagnostikimin e hershëm. Është ky apeli i ndarë nga ekspertët e shëndetit publik dje në “Ditën Botërore kundër HIV/ AIDS”. Sipas tyre, masat parandaluese për t’i dhënë fund HIV-it, duhet të përfshijnë këshilla të tilla, si: edukimin dhe njohjen e problematikës, përdorimin e prezervativit, dhënien fund të diskriminimit dhe stigmatizimit, kryerjen e synetllëkut që në fëmijëri, ndjekjen e procedurave të sigurta për injeksionet apo transfuzionet e gjakut, përdorimin e pajisjeve të sterilizuara, këshillimin dhe shmangien e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, etj. HIV është virusi i cili prek dhe dobëson sistemin imunitar të organizmit të njeriut duke e lënë atë të pambrojtur nga infeksionet dhe nga disa lloje kanceri. Ndërsa faza më e avancuar e infeksionit HIV është AIDS, i cili mund të zgjasë nga 2 deri në 15 vjet për t’u zhvilluar, në varësi të individit. Ku stad është përcaktuar si zhvillimi i llojeve të ndryshme të kancerit, infeksioneve apo manifestimeve të tjera të rënda klinike. “HIV nuk është sinonim i AIDS. Një person i infektuar me virusin HIV, jo domosdoshmërisht është i sëmurë me AIDS, ai mund të jetë i infektuar me virusin HIV, por mund të mos jetë i sëmurë me AIDS”, vënë në dukje ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, teksa shpjegojnë ndryshimin mes dy fazave të zhvillimit të sëmundjes. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara këshillat në lidhje me faktorët e riskut që duhet të mbajmë nën kontroll, njohjen e shenjave dalluese, formën se si mund të diagnostikohet sëmundja, dhe kujdesin që duhet të tregojmë sa i takon parandalimit dhe trajtimit. Çdo vit më 1 dhjetor organizohet fushata për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS, që shihet si një mundësi për të shpërndarë informacion dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për këtë sëmundje.

Diagnostikimi

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, infeksioni HIV shpesh diagnostikohet nëpërmjet testeve të shpejta diagnostike, që zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave HIV. Shumica e këtyre testeve japin rezultate brenda ditës, gjë që është thelbësore për vendosjen e diagnozës në të njëjtën ditë, si dhe për trajtimin dhe kujdesin e hershëm. Ndërkohë që të gjitha shërbimet e testimit të HIV-it duhet të ndjekin parimet e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë: miratim i informuar, konfidencialitet, këshillim, rezultate të sakta të testimit dhe lidhje me kujdesin, trajtimin dhe shërbimet e tjera.

Grupet e rriskuara

Transmetimi i HIV-it mund të ndodhë nëpërmjet shkëmbimit të një shumëllojshmërie lëngjesh të infektuara të trupit të njeriut si: gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale. Megjithatë disa prej grupeve janë më të rrezikuara për të zhvilluar këtë sëmundje. Konkretisht, grupet që janë në rrezik të lartë për t’u infektuar me HIV (popullatat kyçe) përfshijnë: burrat që kanë marrëdhënie seksuale me burra, ata që injektojnë droga, të burgosurit dhe personat që jetojnë në mjedise të tjera të mbyllura, punonjësit e seksit dhe klientët e tyre, si dhe transgjinorët. Popullatat kyçe shpesh kanë sjellje që rrisin vulnerabilitetin ndaj HIV-it dhe zvogëlojnë aksesin në programet e testimit e trajtimit. Duhet theksuar se individët nuk mund të infektohen me HIV nëpërmjet kontaktit të zakonshëm të përditshëm si puthjet, përqafimet, takimi i duarve, ose ndarja e objekteve personale, ushqimit apo ujit, etj.

Transmetimi tek fëmijët

Transmetimi i HIV nga një nënë HIV pozitiv tek fëmija i saj gjatë shtatzënisë, lindjes apo ushqyerjes me gji quhet transmetim vertikal, apo nga nëna tek fëmija. Transmetimi i HIV nga një nënë HIV pozitiv tek fëmija mund të parandalohet gati plotësisht në qoftë se nëna dhe fëmija marrin barna antiretrovirale. Organizata Botërore e Shëndetit rekomandon mundësitë për parandalimin e transmetimit nga nëna tek fëmija, të cilat përfshijnë sigurimin e mjekimit antiretroviral për nënat dhe foshnjat gjatë shtatzënisë, lindjes dhe periudhës pas lindjes, si dhe trajtimin gjatë gjithë jetës për gratë HIV pozitiv, pavarësisht nga niveli i CD4.

Shenjat dalluese të AIDS?

Shenjat ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit. Shumë prej njerëzve që jetojnë me HIV nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre HIV pozitiv deri në fazat e mëvonshme. Javët e para pas infeksionit fillestar, këta persona mund të mos kenë asnjë shenjë ose mund të shfaqin shenja të ngjashme me gripin si: ethe, dhimbje koke, skuqje apo dhimbje të fytit. Me dobësimin progresiv të sistemit imunitar, infeksioni përparon dhe një person mund të zhvillojë edhe shenja të tjera të cilat ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit si: fryrje e nyjeve limfatike, humbje e madhe në peshë, ethe/temperaturë, diarre e vazhdueshme, kollë. Pa trajtim mund të shfaqen edhe shenja të tjera sipas llojit të infeksioneve të ndryshme oportuniste.

 Trajtimi

Ekspertët e shëndetit sqarojnë se për infeksionin HIV nuk ka shërim. Megjithatë, medikamentet efektive antiretrovirale (ARV) ndihmojnë për të kontrolluar virusin dhe për të parandaluar transmetimin në mënyrë që, njerëzit me HIV si dhe ata në rrezik të madh për t’u infektuar të mund të gëzojnë jetë të shëndetshme dhe produktive. Në këto kushte, mënyrat kryesore për parandalimin e HIV-it, të cilat shpesh përdoren në kombinim me njëra-tjetrën janë: Përdorimi korrekt i prezervativit, testimi dhe këshillimi për HIV dhe IST të tjera, rrethprerja mashkullore mjekësore vullnetare, përdorimi i terapisë antiretrovirale (ARV) për parandalim, reduktimi i dëmit për përdoruesit e drogave intravenoze, eliminimi i transmetimit të HIV-it nga nëna tek fëmija, si dhe trajtimit korrekt të stadit AIDS.

Terapia e kombinuar

Sot infeksioni HIV mund të kontrollohet nëpërmjet përdorimit të terapisë antiretrovirale të kombinuar, e cila përbëhet nga 3 ose më shumë barna antiretrovirale. Barnat antiretrovirale nuk kurojnë infeksionin HIV, por kontrollojnë shumimin e virusit brenda trupit të një personi dhe i mundësojnë sistemit imunitar të individit të fuqizojë kapacitetin për të luftuar infeksionet. Mjekimi në këto raste zgjat jetën e të sëmurëve dhe rrit cilësinë e saj, duke e shndërruar AIDS-in në një sëmundje kronike.

Në masat parandaluese përfshihen:

  • Edukimi dhe njohja e problematikës.
  • Përdorimi i prezervativit.
  • Synetllëku tek fëmijët dhe të rriturit.
  • Dhënia fund e diskriminimit dhe stigmatizimit .
  • Gjaku dhe injeksione të sigurta.
  • Pajisje të sterilizuara dhe ulja e rrezikut tek përdoruesit e drogave.
  • Trajtimi i HiV-it dhe supresorët viralë.

 

Sjelljet që vënë individët në rrezik më të madh për t’u infektuar me HIV përfshijnë:

  • Marrëdhëniet seksuale vaginale ose anale të pambrojtura.
  • Pasja e një infeksioni tjetër seksualisht të transmetueshëm, si: sifilizi, herpesi, klamidia, gonorrea dhe vaginosa bakterore.
  • Shkëmbimi i mjeteve të kontaminuara si gjilpëra, shiringa e pajisje të tjera gjatë injektimit të drogës.
  • Marrja e injeksioneve apo transfuzioneve të gjakut të pasigurta, transplanti i organeve, si dhe procedurat mjekësore me instrumente të mprehta të kontaminuara.
  • Shpimet aksidentale me gjilpërë (përfshirë dëmtimet e stafit shëndetësor).

 

December 2, 2019 15:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*