DOING BUSINESS / Shqiptarët, populli më tregtar në botë: Sherret ndodhin veç për prishje pazaresh!

January 9, 2020 00:58

DOING BUSINESS / Shqiptarët, populli më tregtar në botë: Sherret ndodhin veç për prishje pazaresh!

TIRANË, URA e MILOTIT, ROSKOVEC – Gojët e Liga kanë zbuluar se Banka Botërore, brenda raportit të saj vjetor Doing Business, formulon edhe një dokument sekret, ku Shqipëria, ndryshe nga raporti zyrtar, zë një renditje fantastike.

Dokumenti në fjalë kryen një klasifikim specifik të vendeve të botës, bazuar në arsyet përse ndodhin konfliktet individuale në një vend të caktuar, duke nisur përplasjet ato me armë deri te shkuljet e flokëve dhe sharjet me libër shpie.

Kështu, për shumë vite me rradhë ky dokument e rendit në Shqipërinë në një vend nderi. Materiali sensitiv thotë:

“Rezulton se shqiptarët janë populli me shqisa biznesi dhe tregtie nga më të mprehtat në botë. Nga të dhënat e përpunuara, del se 95 përqind e sherreve në vend kanë në zanafillë një prishje pazari”.

Bërja e një marrëveshjeje tregtie, një shitblerjeje, apo përpilimi i një plani për të prodhuar, përpunuar e shitur së bashku një mall të caktuar pas çuarjes në destinacion, e për të ndarë më pas fitimet, është në kodin gjenetik të popullsisë shqiptare, përcakton pjesa sekrete e raportit Doing Business.

Po aty sqarohet se tentativa për ta thyer, anashkaluar, apo shkelur marrëveshjen në dëm të partnerit, ortakut apo palës përballë, është gjithashtu një ide e parezistueshme për shumicën e tyre.

Sipas raportit, përqindja më e madhe e pazareve të prishura kanë të bëjnë me një lloj droge ose një tjetër.

“Kjo konstatohet lehtësisht edhe nga titujt mediatikë,” nënvizon dokumenti, duke shtuar megjithatë se “asnjëherë, në asnjë rast të vetëm, lajmet me ‘konflikti dyshohet se ka lidhje me prishjen e pazareve të drogës’ nuk kanë sqaruar deri në fund se kush e prishi pazarin; për sa kishin rënë dakord fillimisht, cila do ishte përqindja e fitimit, sa prej kësaj shume do ri-investohej në biznes, sa do depozitohej në bankë, sa do përdorej për diversifikimin e portofolit të biznesit etj”.

Shpirti tregtar shqiptar të kujton fenikasit, hebrenjtë, venecianët e mëdhenj, thotë raporti sekret i Doing Business; të gjithë kanë diçka për të shitur a për të blerë.

Në rrugët e qyteteve, në lokale por edhe në tregjet e gjësë së gjallë, shprehja më e dëgjuar është “sa e ke pazarin” apo variacione të saj, si “ule ca pazarin”, “pazarit të parë mos iu ndaj”, “lëri pazaret me mua” etj. Edhe shprehjet përbuzëse ndaj dikujt që nuk është serioz në tregti, janë të tipit, “E bëre si Pazari i Roskovecit”.

I vetmi difekt që konstaton raporti, ka të bëjë me faktin se gati të gjitha pazaret e dakorduara, tradhëtohen nga njëra prej palëve, apo të dyja.

“Në analizë finale, produkti përfundimtar i volumit tregtar është afër zeros,” thuhet në dokument, “aq sa gati-gati, të krijohet përshtypja që dëshira e shqiptarëve për të bërë pazar, udhëhiqet vetëm nga instinkti i fuqishëm i prishjes së pazarit në çastin më të parë”.

I vetmi ent ekonomik që ka sukses të plotë, thotë në fund raporti, është kryeministri i vendit, i cili po shet me seriozitet, etikë biznesi dhe efikasitet maksimal gjithçka ka mbetur nga ajri, deti, toka, nëntoka, shpresat dhe ëndrrat e Shqipërisë.

 

*****

SHËNIM / Gojët e Liga është një rubrikë satirike pro pazareve, kundra prishjeve 

January 9, 2020 00:58
Komento

1 Koment

  1. Shtata karo January 8, 23:02

    Keni harruar edhe ate pjesen “Jo po leje se do ti paguaj une, jo po leje ta$Hi se do i paguaj une.”

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*