Dojaka i Lëvizjes Çame: Idrizi, një aksident. Vota çame në 5 qarqe do shkojë për bijtë çamë

March 4, 2013 14:54

Dojaka i Lëvizjes Çame: Idrizi, një aksident. Vota çame në 5 qarqe do shkojë për bijtë çamë

Artur Dojaka, kryetar i Lëvizjes Çame, deklaron në një intervistë televizive se Vlora, Fieri, Elbasani, Durrësi edhe Tirana ku ka komunitet të përqëndruar çam do votojnë për bij çamë. “Por ne nuk duam të shkojmë të përçarë në zgjedhje, por të bashkuar. Komuniteti na dha bekimin t’i përfaqësojmë në zgjedhje, por gjithashtu na u dha dhe porosia e lutja që të bashkohemi edhe me përfaqësuesit e PDIU-së – shprehet ai në një intervistë televizive.

 

 

Në një sondazh që është bërë në televizionin A1 Report rezulton se nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ai që ka përfituar më tepër është Shpëtim Idrizi, duke lënë në vend të dytë kauzën çame dhe në vend të tretë vetë çamët. Zoti Dojaka, si do ta vlerësonit këtë sondazh?

 

Mendoj se sondazhi është mjaft i gjetur, sepse janë barometri më cilësor për të parë cila është situata aktuale. Unë jam shumë i prekur nga rezultatet e sondazhit për ata që kanë përfituar më pak nga PDIU-ja, pasi po shohim që ne çamët jemi më pak të përfituarit.

Por kjo i jep dhe një arsye forcës sonë, që ka rreth një vit e gjysmë që është krijuar, por në nëntor të vitit të shkuar ne e bëmë legale. Pas një komunikimi intensiv në komunitet për 20 vjet dhe pas kërkesës imediate për t’u përfaqësuar denjësisht, tashmë nuk është me sekret që në komunitetin tonë pakënaqësia është tepër e madhe  e ndikuar shumë nga përfaqësia e organeve drejtuese të PDIU-së, të cilët kanë lënë pas dore çamët në tërësi, por dhe kauzën, siç e tregon edhe sondazhi.

Shtysë për sondazhin tuaj mund të ketë qenë dhe aktiviteti i dy ditëve më parë ku u krijua dhe Senati Çam që do të jetë mbi palët dhe ne aty ishim të ftuar si përfaqësues të Lëvizjes Çame.

Aty ishin përfaqësues të shoqatës Çamëria, të Institutit për Studime Çame dhe kryefjala e gjithë takimit ishte bashkimi i komunitetit. Komuniteti çam, paçka se ndihet shumë i zhgënjyer nga ekipi drejtues i PDIU-së, në thelbin e vet ka bashkimin.

Ne nuk duam të shkojmë të përçarë në zgjedhje, por të bashkuar. Komuniteti na dha bekimin t’i përfaqësojmë në zgjedhje, por gjithashtu na u dha dhe porosia e lutja që të bashkohemi edhe me përfaqësuesit e PDIU-së.

 

Jeni të hapur për bashkëpunim me zotin Idrizi?

Përpara se të kalojmë te bashkëpunimi që na u kërkua edhe nga komuniteti, dua të theksoj arsyet pse ne kemi ardhur në këtë pikë të sotme. Dhe janë tre: e para lidhet me mosparaqitjen e rezulotës çame në kohën e duhur dhe vonesa për miratimin e saj. Jo vetëm kaq, por është krijuar një makth. Zoti Idrizi kishte tre vjet e gjysmë ta paraqiste këtë rezolutë dhe ndoshta edhe ta kushtëzonte me votat e tij dhe të zotit Dashamir Tahiri në parlament.

Madje, doja të theksoja se është zoti Tahiri ai që ka marrë vota çame, sepse zoti Idrizi nuk ka dalë me vota çame, por nga një parti tjetër. Ndërkohë, ka humbur dhe mundësia për të krijuar një çështje juridike siç u përfol për një studio ndërkombëtare që do të vinte. Ne shohim që tani përpara zgjedhjeve nxirren karta, por këto janë gur themeli për komunitetin çam dhe ky merak ndihet tej mase në komunitetin tonë, duke filluar nga Vlora, Fieri, Elbasani, Durrësi edhe Tirana.

 

Zoti Dojaka, si është paraqitur çështja çame gjatë këtyre tre vjet e gjysmë, dhe sipas jush si mund të zgjidhet çështja çame?

Çështja çame nuk është një cështje që i takon vetëm këtyre viteve të fundit. Çështja çame ka lindur që nga momenti i atij eksodi të dhimbshëm që të gjithë e kemi para syve tanë, por me zhvillimet demokratike pas viteve ’90, edhe çështja jonë mori krah. Mori krah për arsye sepse i vunë shpatulla burra të ndershëm, të pjekur dhe patriotë. Ata të cilët edhe sot ne me lëvizjen tonë kërkojmë t’i respektojmë.

Që të flasim hapur, në këto tre vjet e gjysmë çështja çame ka bërë hapa mbrapa. E them këtë sepse kjo çështje tashmë është kthyer në një çështje pazaresh. Nuk është më çështje për Çamërinë, por për disa drejtori të cilat nuk kanë lidhje me çështjen çame. Bëhet fjalë për marrëdhënie të eksponentëve të PDIU-së dhe disa personave që për fatin e keq nuk janë as çam.

Sondazhi juaj e tregon më së miri se komuniteti ynë ndihet në një përqindje fare të vogël i përfaqësuar. Tashmë që kemi mandatin nga komuniteti për ta përfaqësuar, jemi zotuar që ta përfaqësojmë komunitetin në zgjedhjet e qershorit jo vetëm në mënyrë dinjitoze, por dhe me rezultate të larta.

Ne do të fokusohemi në pesë qarqe ku komuniteti ynë është prezent. Mund të themi se jemi të përgatitur dhe e ndiejmë frymën e suksesit që në ditët e sotme. Çamët kanë treguar se janë të aftë t’i bëjnë ballë situatës dhe të dalin në krye. Kemi një strukturë të mirorganizuar në gjithë këto qarqe, për më tepër të përbërë nga bij çam.

 

 

March 4, 2013 14:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*