Dokumentari i parë për LGBT SkaNdal fitoi çmimin e parë

September 7, 2014 22:24

Dokumentari i parë për LGBT SkaNdal fitoi çmimin e parë

Në edicionin e katërt të festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë (Pogradec, B3F) “SkaNdal”, me regji të Elton Baxhakut dhe Eriona Camit dhe skenar të Kristi Pinderit dhe Xheni Karajt fitoi cmimin e pare.

Dy regjisorët e dokumentarit ishin të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së cmimeve që u zhvillua brenda kinemasë së Pogradecit. Regjisori Elton Baxhaku pasi falenderoi jurinë për këtë vlerësim u shpreh optimist që ky cmim “të jetë një ogur i mirë për rrugëtimin e dokumentarit në festivalet e tjera”.

“Unë besoj”, tha Baxhaku, “se dokumentarët vlejnë për të provokuar ndjesi dhe mendime, shpresoj që të kemi kontribuar sadopak në emancipimin e shoqërisë tonë”.

“Ju falenderoj për këtë vlerësim, për dokumentarin tonë që trajton disa të vërteta që duam apo nuk duam janë pjesë e shoqërisë sonë. Ky është një vlerësim jo vetëm për ne si regjisorë, por për të gjithë ekipin e dokumentarit”.tha Eriona Cami.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi është personi që e ka mbështetur që nga fillimi këtë festival, por edhe komunitetin LGBT që ka qenë pjesë e këtij festivali si pjesëmarrës me dokumentarin SkaNdal. “Në Shqipëri, por edhe në vendet rreth e rrotull, Pogradeci, është i njohur për mikpritjen, bukurinë që i vjen nga liqeni, njerëzit e qeshur dhe të qetë, për gatimet tradicionale dhe pijet e mira, për koranin, për klimën e mbarë, për… plot gjëra”, tha z. Artan Shkëmbi, “por unë mendoj se bukuria më e thellë e qytetit buron nga dashuria e qytetarëve të saj për artin, kulturën, dijen”.

Në edicionin e katërt të festivalit të vetëm në vendin tonë që kombinon kulturën ballkanike të kulinarisë me kinematografinë dhe filmin konkuruan këtë vit mbi 70 filma nga Serbia, Kroacia, Maqedonia, Kosova, Mali I Zi, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Shqipëria, etj. Më shumë se 20 nga këto filma ishin dokumentarë në konkurimin zyrtar. Gjatë ditëve të festivalit që këtë vit kishte President Nderi regjisorin e njohur Piro Milkani, u shfaqën edhe shumë filma të shkurtër europianë në një seksion tashmë traditë të këtij eventi që quhet “Mish Mash europian”.

“Brenda pak viteve ju mund të shikoni një ndryshim të madh”, u shpreh njëri prej tre organizatorëve të B3F, Eno Milkani (bashkë me të, festivali bashkëorganizohet nga znj. Gerta Qurku dhe z. Fatos Baxhaku): “Te dokumentari “SkaNdal” personat LGBT kanë evoluar e shfaqen edhe më shumë kurajozë me emrat dhe historitë e tyre, tashmë të pambuluar”.

“SkaNdal” ishte i pari dokumentar shqiptar që këtë vit (2014) u përzgjodh në konkurimin zyrtar të edicionit të 20-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë. Ai ishte ndër filmat dokumentarë më të votuar nga audienca, ndërkohë që fitoi vëmendjen e shumë mediave lokale dhe ndërkombëtare, përfshirë një kritikë nga Le Monde, gazeta e njohur franceze që e cilësoi atë “një dokumentar emocionues, i cili tregon daljen hapur të një lëvizjeje, dhe veçanërisht të disa personaliteteve, të cilat nuk mund të rrinë më në heshtje”.

September 7, 2014 22:24
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*