Ditari sekret i Enverit: “Kadare një poet korbash, borgjez…”

May 6, 2016 10:09

Ditari sekret i Enverit: “Kadare një poet korbash, borgjez…”

Nga Dashnor Kaloçi

Dokumenti që po botojmë në këtë kapitull të librit, është pjesë e ditarit personal e sekret të Enver Hoxhës dhe bëhet publik për herë të parë pas plot 41 vjetësh. Duke pasur parasysh raportet e marrëdhëniet e shkrimtarit Ismail Kadare me udhëheqësin komunist që në gjallje të tij, diskutimet, përfoljet dhe spekulimet e shumta që janë bërë e vazhdojnë të bëhen ende, si dhe disa debate apo replika në distancë të tij (Kadaresë), me të venë e diktatorit (Nexhmije Hoxhën), lidhur edhe me dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, që zonja Hoxha disa vite më parë nuk pranonte t’ia kthente autorit, mendojmë se ky dokument është një nga më të rëndësishmit në të gjithë kapitujt e librit.

Kjo edhe për faktin se ai ndriçon e hedh dritë jo vetëm mbi raportet e shkrimtarit të njohur me udhëheqësin komunist, apo situatat tepër të vështira e mjaft kritike ku është gjendur shkrimtari Ismail Kadare asokohe, por tregon qartazi se si ka funksionuar parimisht mekanizmi, apo thënë më qartë; linja zyrtare mes tyre?!

Po kështu mendojmë se rëndësinë këtij dokumenti që po botojmë në këtë kapitull të librit, ja shton edhe fakti se për poezinë “Në mesditë Byroja politike u mblodh”, apo siç njihet ndryshe “Pashallarët e kuq”, ka pasur një debat të madh në marsin e vitit 2002, kur drejtori i Arkivit Qendror të Shtetit, në atë kohë, prof. dr. Shaban Sinani, gjeti dhe dha për botim te “Gazeta Shqiptare”, (me kërkesën e kësaj të fundit), poezinë e plotë, e cila deri në atë kohë kishte qenë krejt e panjohur.

Debat i cili zgjati jo pak dhe u ndez edhe më shumë nga shkrimet apo intervistat në shtyp të disa aktorëve që ishin marrë me problemin në fjalë, si ish-redaktori Duro Mustafaj etj., tashmë është i njohur edhe nga libri i profesor Sinanit “Një dosje për Kadarenë”, i botuar në dy vëllime në vitin 2005. Dhe në ketë kuadër, publikimi i ditarit të Enver Hoxhës për “Pashallarët e kuq”, në një farë mënyrë e mbyll deri diku “qarkun” e atij debati të hapur plot 14 vite më parë, por edhe mund ta rihapë përsëri atë…?!

Pas kësaj paranteze të gjatë që bëmë për të sjellë në kohë, apo më saktë për të lidhur publikimin e poezisë për herë të parë në vitin 2002 me ditarin e Enver Hoxhës që po publikojmë tani, kthehemi te dokumenti në fjalë. Kështu në shënimet e tij të datës 20 tetor të vitit 1975, udhëheqësi komunist ka shkruar plot 11 faqe të ditarit, lidhur me poezinë “Në mesditë Byroja politike u mblodh”, të shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, poezi të cilën del se atij ia ka dhënë Ramiz Alia, për t’i marrë aprovimin për botimin e saj.

Kjo pjesë e ditarit është e shtypur me makinë shkrimi dhe në mjaft vende aty ka shënime me laps, të cilat janë bërë për të rregulluar apo korrigjuar disa nga falët apo fjalitë e shkruara në ato faqe ditari. Nga shkrimi, duket qartë se ai nuk është korrigjuar nga vetë Enveri, por ndoshta nga shefi i kabinetit të tij, (Haxhi Kroj), apo ndoshta dhe nga Nexhmija.

Me shumë gjasa mendojmë se korrigjimi është bërë nga kjo e dyta, pasi shënimet me laps aty nuk janë thjesht gramatikore, por edhe te përmbajtja e tij…?! Nga sa shihet edhe nga faksimilet, fjala “Ramiz” pothuajse në të gjitha fletët ku përmendet, është ndryshuar me fjalën “shoku” dhe kjo duket qartë që është bërë për ta mbrojtur Ramizin, nga kritikat që i ka bërë Enveri dhe nëse ditari mund të botohej një ditë, emri i Ramizit të mos gjendej aty…?! Pra me pak fjalë, dikush është kujdesuar që ta mbronte Ramizin, qoftë dhe në dokumente, të cilat mund të hapeshin një ditë të bukur dhe do t’i sillnin jo pak telashe atij…?!

 

Bashkë me ditarin e Enverit, (të cilin ne po e botojmë të plotë në variantin fillestar, pra pa korrigjimet me laps), në këtë kapitull të librit po publikojmë edhe një letër të Mehmet Shehut, ish-kryeministrit të asaj kohe, (letër e cila mban po datën 20 tetor 1975 dhe është e shkruar me laps) ku Mehmeti i është bashkuar shqetësimit të Enverit në lidhje me problemin e poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”.

Dhe siç duket, kjo gjë do ketë ardhur pasi ai është vënë në dijeni nga eprori i tij për atë problem, gjë e cila tregon qartazi se Enveri nuk e ka mbajtur vetëm për vete zemëratën e mllefin ndaj problemit që u kishte dalë, por e kishte ndarë atë edhe me kryeministrin, ndoshta për t’i matur pulsin, apo thjesht për të marrë një mëndim prej tij. Në fund të asaj letre prej 5 faqesh, është nënshkrimi: “Mehmeti”, gjë e cila lë të nënkuptohet dhe me shumë gjasa tregon se ajo është një letër shoqërore dhe jo zyrtare.

Në atë letër që i mungojnë dy faqet e para, (apo më saktë, ne nuk i disponojmë ende), duket qartazi se Mehmeti i lutet shumë Enverit, që ai ta falë shkrimtarin e njohur, pasi ka bindje ende, se Kadare mund të ‘shërohet’…?! Dhe si për t’ia ilustruar këtë gjë, ai i kujton Enverit, se Ismaili, ka shkruar edhe vepra ku i ka kënduar partisë, luftës Nacional-Çlirimtare, popullit, madje jo njëherë, si p.sh.

“Përse mendohen këto male”, të cilën e konsideron “poemë me partishmëri të lartë”. Në vijim të kësaj, pasi përmend edhe veprat e tjera të Kadaresë, si: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Qyteti i gurtë”, në fund, Mehmeti ndalet te “Dimri i vetmisë së madhe”, duke i kujtuar Enverit se, mes të tjerash: “Është e vetmja vepër ku portretizohet si duhet, me baza marksiste, udhëheqësi i Partisë dhe i popullit”?!

Pra me pak fjalë, Mehmeti duke i përkëdhelur sedrën Enverit, gati sa nuk i thotë hapur atij: “Goditja ndaj Kadaresë, godet dhe “Dimrin…”?! Dhe pas gjithë këtyre “gjërave pozitive”, që sipas tij ka bërë Kadareja, si dhe disa kritikave në adresë të shkrimtarit tjetër të njohur, Dritëro Agolli, ku Mehmeti duket qartë që e përdor si alibi për “ta barazuar” në një farë mënyre me Kadarenë, në fund të letrës së tij, ai i kujton Enverit se “nga origjina familjare, Kadareja nuk është armik”.

Por si për “të qenë brenda”, Mehmeti e mbyll letrën e tij me fjalinë “Kështu mendoj unë, por sidoqoftë, jam dakord si të vendosni ju…”?! Fjali tipike për udhëheqësit komunist nr. 2 të vendeve lindore, në adresë të shefave të tyre…?!

Nuk po zgjatemi shumë me komentet rreth ditarit të Enverit dhe letrës së Mehmet Shehut, (pasi çdokush nxjerr konkluzionet e tij), por ajo që ka qenë e panjohur dhe nuk është ditur deri më tani, është fakti se si për koincidencë fatale, vetëm dy ditë pas datës 20 tetor 1975, (që Enveri ka hedhur shënimet në ditar), më 22 tetor 1975, Hetuesia e Tiranës, nisi procesin hetimor ndaj Fadil Paçramit, (ish-sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës për Propagandën e Kulturën, dhe gjithashtu shkrimtar e dramaturg jo pak i njohur), i cili mbahej i arrestuar që nga 4 shtatori i atij viti.

Dhe gjatë shumë seancave hetimore (që do t’i shikojmë në kapitujt pasardhës të këtij libri me faksimilet përkatëse), Paçramit i është kërkuar që të deponojë edhe për lidhjet, marrëdhëniet e raportet e tij me shkrimtarin Ismail Kadare. Dhe i detyruar apo jo, ai e ka implikuar keq atë, duke e bërë pothuaj bashkëpunëtor…?!

 

Ditari i Enverit

“Jo. Tepër sekret të 11 faqet, prandaj mendoj të mbetet pa botuar”.

E Hënë 20 tetor 1975

Shoku Ramiz, më erdhi dy ditë më parë në këmbë në zyrë duke mbajtur disa letra në dorë. Më tha: “Kam një poezi të Ismail Kadaresë, të cilën ma dërguan shokët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli. Ismaili ia kish dërguar gazetës “Drita” për ta botuar, por nuk ia botuan pse kundër armiqve që goditëm dhe për të cilët ne s’kemi folur. Por është vjershë shumë e fortë, e mirë. Lexoje njëherë”.

Këto më tha Ramizi për vjershën e Ismail Kadaresë.

E mora vjershën dhe i them, “Ulu ta lexoj” .

 

Titulli i poezisë ishte: “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Me të mbaruar 4 strofat e para, që i ka përmbledhur në pjesën Nr.1 të vjershës, i them Ramizit: “Si është e mirë kjo vjershë? Kjo është në kundërshtim me vijën e Partisë! Kjo shpreh të kundërtën e asaj që thotë Partia, të kundërtën e analizës që bën Partia, të realitetit të madh të rrethimit kapitalisto-revizionist dhe të rrezikut iminent nga një agresion i jashtëm kundër vendit tonë. Ismail Kadare që në strofat e para pretendon se nuk ekziston asnjë rrezik nga jashtë, se nga jashtë kufijtë tonë nuk rrezikohen dhe “klasat e mëdha brenda dimërojnë”. Për Ismail Kadarenë, politika dhe analizat marksiste-leniniste të Partisë janë false.

 

“Atëherë pse u mblodh Byroja Politike?” pyet Ismail Kadareja dhe vetë jep përgjigjen në pjesën Nr. 2 të vjershës. E tërë kjo pjesë shpreh pa dorashka ide antirevolucionare, antimarksiste, antiparti, dhe flet hapur kundër rendit socialist në vendin tonë. Sipas tij regjimi te ne është duke “shkuar në varr”, “është prishur nga themelet” dhe nxjerr “një ligj” se “shtetet nuk prishen nga çatitë por nga baza”. Pra sipas tij, çatia, “Byroja Politike” është e “shëndoshë”, kurse në bazë “rritet tumori i zi”. E tëra kjo është teori revizioniste, denigruese, sabotuese, dhe antisocialiste.

 

Më poshtë, ky poet borgjez atakon gjithë ndërtimin e socializmit në vendin tonë, gjithë direktivat e Partisë, gjithë politikën e strukturës dhe të superstrukturës dhe e quan një blof të madh që bëhet me qëllim për të mbuluar “kalbëzimin dhe burokracinë”.

Me keqardhje ky poet korbash thotë se “Topa, himne e valle ka kundër armiqve” por “kundër burokracisë s’ka konsuj”. Me fjalë të tjera s’ka parti që të luftojë burokracinë dhe Partinë tonë marksiste-leniniste e quan “konsuj” ose “prokonsuj” si në Republikën e Romës antike, që u rrënua.

Kështu do të rrënohet për Ismail Kadarenë edhe socializmi tek ne dhe këtë predikim e bën në vargjet e pjesës nr. 3. Për këtë poet reaksionar rendi ynë socialist është një rend burokratik dhe burokratët i kanë “duart të lyera deri në bërryl me gjak”, “rrëmojnë themelet, lajnë gjakun e dëshmorëve etj. etj.” Të gjithë këta përbindësha të veshur “si pashallarë të kuq me dekorata etj.” kanë zyrat, ministritë, Komitetin Qendror dhe “çojnë trupin e revolucionit në varr” (vargjet e pjesës nr. 4).

Por “doli Enver Hoxha” etj. etj., dhe poeti “Jevtushenko shqiptar” i thur elozhe Enverit si “i vetmi shpëtimtar”. Për Ismail Kadarenë nuk ekziston as popull, as klasë, as parti. Të gjithë janë krimbur, vetëm “Enver Hoxha qëndron dhe shpartallon armiqtë”. Maskimi i punës armiqësore të Kadaresë nuk qëndron, për të edhe Enver Hoxha që “ai mburr me terma pompoze” është si populli, Partia dhe klasa i krimbur (pjesa e 6-të).

Po kush e shpëtoi situatën, sipas këtij farë poeti që mban teserën e Partisë ? “Vetëm kontrolli punëtor!?“. Për të nuk ekziston diktatura e proletariatit, nuk ekziston dhuna kundër armiqve, ai, duke bërë fjalë për Enver Hoxhën thotë pikërisht: “Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte/ Nga pushteti me kamxhik dhe stap”.

Por jo vetëm Krishti kishte teorinë “po të goditi në një faqe, nderi tjetrën”. Por “filozofia e këtij poeti reaksionar është e falsifikuar dhe aspak ekzakte. Është e qartë se Kadareja është kundër-revolucionar, është kundër diktaturës së proletariatit, kundër dhunës dhe shtypjes së armiqve të klasës, ai është kundër socializmit në përgjithësi dhe në vendin tonë në veçanti.

Këtë vepër armiqësore ai e bazon në goditjen e tmerrshme që Partia u bëri armiqve të klasës, tradhtarëve Beqir Balluku me shokë dhe burokratizmit që po e lufton që në ditët e para të lindjes së saj dhe, duke u bazuar në analizat marksiste-leniniste që u ka bërë këtyre ngjarjeve Partia, për të demaskuar të degjeneruarit, armiqtë e tradhtarët që pikërisht ishin “në çati” dhe jo në bazë, ky poet i lig e përgjithëson për të atakuar Partinë, bazën socializmin, që janë të fortë si çeliku dhe zbatojnë një rrugë të drejtë të palëkundshme marksiste-leniniste të bazuar në luftën e klasave.

 

Si e gjykova kaq të lehtë dhe të mirë një vjershë të tillë armiqësore i them Ramizit?! Kjo vjershë është e poshtër, antiparti, reaksionare, dhe kanë bërë mirë që e ndaluan. Nuk të lejohet i thashë Ramizit, të japësh mendime të tilla të sipërfaqshme dhe të mos shikosh brendinë, filozofinë dhe të kapesh nga “figurat” dhe nga pseudo mburrjet që i bën Enver Hoxhës”.

Kjo i them Ramizit tregon një simpati të sëmurë nga ana jote për këta njerëz të sëmurë. Ruhu nga këto prirje! Bëj analizë të thellë, pse e shikove këtë çështje kaq lehtë dhe erdhe tek unë i “entuziazmuar për këtë vjershë”? Po sikur të mos e këndoja unë dhe të mbështetesha në gjykimin tënd, çdo të ngjaste? Vjershën mund edhe ta shtypja, pse në atë mënyrë, siç ma paraqite merrje “aprovimin tim”. Kjo s’duhet më të ngjasë, i them Ramizit, duhet dhe ke forca të luftosh pikëpamjet liberale që spikatin herë pas here tek ti.

I thashë Ramizit se do të bisedoj prapë me të, por përgatitu dhe thirr Ismail Kadarenë, e vëre përpara “mutrave” të tij dhe e bëje t’i lëpijë. Natyrisht, Ismail Kadarenë ne nuk duhet ta dënojmë me masa të forta, por duhet ta kritikojmë fort, pse hiqet “i zoti” e “me vlerë të madhe ideore”.

Ai është nga ata elementë me talent prandaj e kemi mbrojtur. Unë vetë e kam mbrojtur, por me qëllim kurdoherë të korrigjojë shumë pikëpamje jo marksiste që spikatin mjaft herë në veprat e tij. Ismail Kadareja ka shkruar disa vjersha dhe romane të mira por në to ai ka lënë mjaft herë të shfaqen gjoja “mendime origjinale” por jo shumë në vijë.

Ne kemi shembull që në disa romane të tij Lufta Nacional-Çlirimtare del e zbehtë, e shpëlarë, roli i masave të popullit jo në vërtetësinë dhe në hovin e tij madhështor, por edhe në rolin e Partisë nuk e nxjerr si duhet. Në shkrimet e tij duken të theksuara tablo makabre, të cilave u jep rëndësi i përsërit, u jep rëndësi vagabondëve dhe vagabondazhit që nuk janë tipike për shoqërinë tonë.

Ai shkruan bukur, ka turnyra dhe imazhe të bukura, ka edhe idera por në mes këtyre ideve ai fut edhe figura dhe ide të hidhura që tregojnë një botëkuptim të tij të veçantë. Kam përshtypjen se kur shkruan, Ismail Kadareja nuk e mendon më parë dhe kryesisht për edukimin e publikut tonë socialist, por mendon që vepra e tij të shtypet dhe të pëlqehet edhe jashtë, në botën borgjeze.

Por që të shtypet e të pëlqehet duhet që kësaj “bote” t’i pëlqejnë disa gjëra, që s’janë në shoqërinë tonë si lajtmotiv, por të thuhen sikur janë. Ismail Kadaresë i është rritur mëndja që botuesit borgjezë i shtypin disa romane, ai do të vazhdojë dhe përpiqet të mbajë skemën e asaj bote, për sa i përket Shqipërisë Socialiste. Ai dëshiron të bëhet “shantri i saj”. Por jo, me të tilla gjykime siç duken në këtë vjershë, ne nuk duhet ta lejojmë. Jashtë duhet të çajmë edhe me romane të shkrimtarëve të tjerë.

Ne kemi folur në popull e në Parti për punën armiqësore të Beqir Ballukut e kompani, por jo në shtyp, Ismail Kadareja me një poezi do që të çajë ai i pari në këtë rrugë dhe çfarë të çarë sikur nuk dinte ta bënte Partia këtë gjë. Por, jam i bindur që Ismail Kadareja jo pa qëllim ka marrë të vërtetat, që i ka thënë Partia hapur popullit në mbledhje të gjëra për të bërë një vjershë ku të përgjithësojë punën e disa armiqve (që bile nuk i cilëson kush janë, kurse populli i di e i njeh se Partia s’ia ka mbajtur të fshehta) me gjendjen e shëndoshë dhe të shkëlqyer të vendit dhe të njerëzve tanë.

Ne duhet t’i ndihmojmë shkrimtarët dhe poetët me një fjalë të gjithë njerëzit e kulturës por të mos harrojmë se në ta mund të lindin edhe gjëra të mira, edhe barëra të këqija. Nuk duhen lënë të trashen kërcellet e këtyre barërave të këqija, duhet t’i shkulim pse atëherë shpërndajnë farën e keqe që mbyt grurin e shëndoshë.

Pikërisht këta elementë duhet t’i edukojmë me marksizëm-leninizmin, me kritikë marksistë-leninistë, sa të mos jetë vonë, ashtu siç thotë vetë Ismail Kadareja “në rast se nuk duan të pushkatohen në bulevardin e madh”. Ismail Kadareja është larg një situate të tillë, por po të lihet pa u edukuar dhe pa u korrigjuar mund të rrëshqasë në këtë rrugë.

Ismail Kadareja ka bërë gjëra të mira dhe duhet të vazhdojë në këtë brazdë. Kjo vjershë mund të jetë një “aksident” por të mbetet një aksident dhe për këtë duhet ndihmuar në rrugën e Partisë dhe jo në rrugët oportuniste dhe liberale. T’i vëmë në dukje gjërat e mira të tij dhe ashtu kemi bërë, por t’i vëmë në dukje edhe gjërat jo të mira që të edukohet e të ecë kurdoherë drejt

Letra e Mehmet Shehut drejtuar Enver Hoxhës

 

…ideologjike, te marksizëm-leninizmit, të vijës së partisë sonë, të luftës së klasave e ligjeve të saj, veçmas nuk njeh praktikën e luftës së klasave gjiganteske e të pashembullt që ka bërë dhe bën partia.

 

Mund edhe të gaboj kur them se Ismail Kadareja mund të shërohet, por unë e kam akoma vetë bindje, sepse Ismaili i ka kënduar Partisë, luftës nacional-çlirimtare, popullit jo njëherë dhe ka bërë vepra të mëdha në këtë drejtime. Poema e tij “Përse mendohen këto male”, është me partishmëri të lartë. “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Qyteti i gurtë”, janë nga romanet më të mira si nga përmbajtja dhe nga ana artistike.

“Dimri i vetmisë së madhe”, me gjithë boshllëqet ideologjike, është një vepër e madhe që ngre shumë lart luftën e partisë dhe është e vetmja vepër ku portretizohet si duhet, me baza marksiste, udhëheqësi i Partisë dhe i popullit.. Dhe mesa di unë, Ismaili e ka ripunuar këtë roman për të ndrequr gabimet e bëra. Edhe me mua ka biseduar për këtë e ka bërë autokritikë.

Romanin “Dasma” ai e ka dënuar vetë si dështim etj. Për nga origjina, dihet se Ismailin s’e lidh gjë me armikun. Ai ndoshta ka dashur të fus në vjershë luftën kundër grupit komplotistëve e kundër burokratizmit. Por në këtë orvatje, dështoj. Shpresoj se po të bisedohet shtruar me të, do t’i kuptoj gabimet e rënda.

Për sa i përket konfuzionit që kanë dhe disa nga shkrimtarët e tjerë më të mirë në lidhje me luftën e klasave, luftës kundër burokratizmit etj., mjafton të përmendim dy vepra të gabuara, për mendimin tim, të Dritëro Agollit:

 

  1. a) Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, ku absolutizohet burokratizmi, ku del se rendi ynë është kalbur me burokratë të pandreqshëm si Zylua etj.
  2. b) Drama “Fytyra e dytë”, në fillim ishte një dramë që e nxinte situatën e rendit tonë sepse këtu sundonin burokratët. Pastaj pas disa kritikave shumë të zbehta, e ndreqi këtë dramë gjer në një farë mase.

Kjo dramë ka 7-8 vjet që jepet. Por romani mbi burokratin Zylo është në qarkullim. Dhe megjithatë, më vonë siç duhet, Dritëroi shkroi poemën e mrekullueshme “Nëna Shqipëri”.

 

Ju e dini vetë më mirë se puna me shkrimtarët është delikate, ata duhen edukuar vazhdimisht. Dhe vetëm kur kalojnë krejtësisht në anën e kundërt, ndonjëri, si p.sh. Fadil Paçrami, duhen flakur e dënuar. Mendoj se Ismaili nuk ka shkuar gjer në atë shkallë.

Këtyre njerëzve ne duhet t’u ndihmojmë duke u vënë në dukje gabimet e të meta, t’i edukojmë e të përpiqemi t’i shpëtojmë gjer në funt. Pastaj po e kaluan barrikadën për m’atanë, më qafë paçin vehten. Kështu mendoj unë. Por mund edhe të gaboj në mendimin tim. Sidoqoftë unë jam dakort si të vendosni ju.

 

20.X.1975 Mehmeti

Ditari-i-Enver-Hoxhes-1-768x915

Ditari-i-Enver-Hoxhes-2-674x1024

Ditari-i-Enver-Hoxhes-3-520x1024

May 6, 2016 10:09
Komento

14 Komente

  1. Kosta May 6, 10:56

    ….por edhe mbas kesaj furtune, jo me shi por me shkembinje, te derdhur nga Enveri, Ismail Kadare eshte prap antar i komitetit qendror dhe ne presidiumun e kuvendit popullor deri ne fundin e diktatures komuniste…..perse talleni me miletin…..po te shinjestronte Enveri ne kete menyre, do ti zhdukeshin edhe kockat Kadarese si ja zhduku Fishtes te madhe……doni ti hapni rrugen per Nobelin, hapjani por gjeni forma te tjera……Kdare ka qene dhe eshte idhtar dhe sherbetor i diktatures komuniste…..

    Reply to this comment
  2. Nje lexues May 6, 12:39

    Nje radioskopi e plote e skeletit te Malos..krejt dhembe e dhemballe ja ka hedhur per toke:
    -Merre Ramiz!Ja ku e keni skeletin e korbit Malo….!
    Dhe Malua u shtrydh e u shtrengua per te bere vepra te mira per Partine..Me mire te shkruante se sa te prashiste lakra ne ndonje kooperative…
    Pra jo qe nuk ja ka hedhur dot Xhaxhit,por sakrifikoi edhe vajzen per te ruajtur partishmerine e familjes… Arkivat çdo dite e me teper nxjerrin ne pah
    largpamesine e Udheheqesit te Shqiperise Kollosit ENVER

    Reply to this comment
  3. E po kjo pune! May 6, 13:24

    talent eshte po ajo kohe nuk ishte per te sepse jemi dakort nuk jemi dakort ajo kohe donte te edukonte vlerat e saj dhe romane e novela sic po shohim sot si ajo vrima apo filma me ekstreme qe nuk i sheh dot me familjen sepse jepen edhe ne orare normale etj sigurisht stononin. Debati eshte a duhet ato vlera apo jo sepse boll u tallem me njeriun e ri se shihni se cfare po ben sot njeriu-kafshe!!!!

    Reply to this comment
  4. andromeda May 6, 13:26

    Vërtet duket si një ditar i sajuar për t’a nxjerrë Molin një disident. Kjo analizë edhe pse brënda dogmës M-L është shumë profesionale për të qenë e një tipi si Enveri që i binte gjërave më shkurt.

    Reply to this comment
  5. Mary Strongwoman May 6, 15:29

    O Dash,
    po si u be keshtu or burre i dheut, ë?!
    Te tere disidente dolet ju?
    Po kush e ngriti dhe kush e mbajti me kembe dhe kush e gezoi Realizmin Socialist, nese jo Ise Kadarja dhe Drit Agolli? Mos e krijuan ata te Plenumeve, te ndeshkuarit qysh ne lindje te tyre? Mos e ngriti Fishta e Lasgushi apo Mitrushi e Bill Xhefersoni, qe shkuan dhe e helmuan atje ku rrihte Krahet Shqiponja e merguar per shkak te ketyre monstrave?
    Duhet te ndjehesh ngusht or burre, se je edhe shtat lart e s’ke si fshihesh: kur te dalesh ne Seshin Iskanderbej, do thone: Ja, ai eshte Dash Kaloci, ca kohe mbahej si i djathte real, kishte te bente me Serreqet, punoi ne Ministri te perbrendshme dhe ia lane thelat e dosjeve dhe…ne to nxori se komunistet nuk e donin komunizmin, por skishin si ua benin armiqve te komunizmit dhe shqiptareve qe ua kerkonin me zor komunizmin e diktaturen!
    Enver Mehmeti edhe ata, e dinin kete gje, por benin sikur nuk e kuptonin se Ise Kadarja ishte francez (sic i tha edhe nenea e tij e dashur) kur u kthye nga ekzili per tu bere president (por nderkaq Sala nuk zbriste me nga kali, sic kishte paraplanizuar Ramizi) , pra perpara se Isa te shpallej Kumandar i Legjionareve te Frances, qe tere kohes armike e Shqiperise kishte qene…
    Pse nuk e levdoni Isen ju qe ka bere parathenien e serise “Heronjte e Heshtur” sigurimsave, sic quheshin, apo parathenien per kreyverpen letrare te kumandarit tjeter Shefqet Peci, apo qe ndihmoi te botohej ne France “Dora e Ngrohte” e Nenshat Tozajt, qe u ndje aq i zhgenjyer me ne fund sa la porosi qe asnjeri prej ish miqve te tij te mos i vinte per lamutmire?
    Nuk i di keto ti Dash?

    Reply to this comment
  6. Trebeshina May 6, 16:03

    ENVERISTET, nuk besojne as vete Enverin kur eshte fjala per KADARENE.
    Diktatori e cileson Kadarene reaksinar, borgjez, antiparti..etj,etj , ndersa sklleverit e tij thone JO!, ai ka shkruare per partine…
    C’ komentues qesharak !

    Reply to this comment
  7. Arber May 6, 16:43

    Nuk ka si Kadare me se eshte unik. Edhe per Ainshtajnin (Albert Einstein) qe ishte fizikanti me i mire ne bote per kohen e vete shkruanin reporteret qe nuk di bazat matematikore. E Hoxha nuk kishte kapacitet mendore per te vlersuar veprat e Kadarese!!

    Reply to this comment
  8. Lura May 6, 17:00

    O Dashnor. Se sa kapacitet ke per te shkruar dihet. E fillove karjeren si gazetar, por dole fjasko. Tani ti dhe Ivi jot, vetem kopjoni. Ne kete pune bastarde, ju eshte bashkuar edhe i ashtu quajturi Shaban Siunani.

    Reply to this comment
  9. katarakti May 6, 22:11

    Enver Hoxha, syri i tij i mprehte
    Ishte i pari qe dyshoi per ta.
    Dhe ahere ne themele te shtetit
    Zbriti si ne baladat e medha.
    Nje pishtar te kuq mbante ne dore.
    Dheu dridhej
    Flaka mbi ta ra.
    Dhe i pa tek prishnin gjakun e deshmoreve
    Tek ndanin mantelet sec i pa.
    “Ja, ku qenkeni!”
    Ata u ngrine.
    -Oh, shoku Enver, hm, rrofte, oj!-
    Por ai i mvrejtur
    me dhembjen ne cdo thinje
    Si nje mal ne dimer bubulloi.
    Krisht ai nuk ish qe t’i debonte
    Nga pushteti me kamxhik dhe stap.
    Ai klasen ngriti te punetoreve.
    Per ta bere burokratizmin zap.
    7.
    Si dikur patrullat partizane
    Shtegtojnë ekipet e kontrollit punëtor.
    Qe te mos i marrin ministritë me topa
    Nesër.
    Sot i marrim me kontroll.
    Diktature e klasës s’është veç ne vjersha
    Dhe ne ditëlindjen e veteranit tornitor.
    Je për socializmin?
    Vrapo ne rreshta
    Shpall kudo dhe mbi këdo
    kontroll punëtor.
    Bjeri dite e nate burokratizmit,
    Klasën qe u përmbys nen këmbe e mbaj.
    Ne se s’do qe nesër skuadër e pushkatimit
    Te te veje ne mur
    tek Bulevardi i Madh.

    Reply to this comment
  10. mos erresoni gazeten Dita zoti Thano !! May 7, 04:06

    Pablo Neruda perballe Kadarese.

    Neruda poet kilian (1904 -1973)eshte nje nga letraret me te medhenj te shekullit kaluar por ka nje histori te cuditeshme.
    Edhe pse ka qene komunist bile dhe Stalinist ai arriti te marre CMIMIN NOBEL NE VITIN 1971.biles ka nje nje bust dhe ne Washington ne nje vend te zgjedhur
    Edhe Kadareja yne ka qene si Pablo komunist por u be “deleted” qe kur u be azilkerkuesi me komiku ne bote.
    Ndersa Pablo Neruda edhe pse kishte marre dekorata nga Stalini (Lenin Peace Prize ) ju dha cmimi Nobel se nuk ishte ishte si Kadareja qe vrau heronjte e veprave te tij edhe pse ato I dhane lavdine.
    E kam thene dhe nje here tjeter:
    Qe Ismaili I pas 1991 eshte treguar kanibal me Kadarene e para 1990 dhe kete nuk mund ta mbuloje as hekurkthyesi Kaloci dhe as keto qe censurojne komentet te gazeta Dita.
    Ju lutem stafit te Dites..Mos hiqni komentet pasi I keni publikuar se nga Dita e bardhe po ktheheni Nata e erret

    Reply to this comment
  11. demo May 7, 04:56

    Kjo eshte poezi Polpotiste.Enveri i kishte skartimet me plan dhe nuk donte ta mesonin.

    Reply to this comment
  12. demo May 7, 09:35

    Atehere t`u jepet cmimi Nobel Enver Hoxhes dhe Kadarese!

    Reply to this comment
  13. ilirjan May 7, 13:38

    Eshte pikerisht kjo poezi qe e nxjerr Kadarene nje parashikues larg-pames per c’ka po ndodhte ne Shqiperi. Ai kerkonte te behej pastrimi i shoqerise prej pashallareve te Kuq, ndersa e kishte veshur edhe vet Mantelin e Pashait, sic duket po tatonte pulsin e Byrose. Nderkohe nuk u kuptua nga Udheheqsi. Sikur te ndodhte ajo qe Kadare kerkonte, atehere sot Kadare do te ishte Kryetar i Frontit Demokratik, Ramizi do ishte shpallur armik i Partise dhe i Popullit, Hysni Kapo do te ishte Sekratar i pare ndersa Mehmet Shehu(po te ishte jetegjate) – Kryetari i Qeverise se Shqiperise Socialiste.
    Por, prej Tradhetise se Ramiz Alise, Pashallaret e kuq u shndruan ne Pashallare blu. Ne rradhet e tyre kryeson vet Kadareja. Por konstatohet se kete shndrim e ka kryer me koshience te plote, duke bere realitet nje ender te veten, besoj te pare pas vdekjes se Udheheqsit, te cilen e ka lene te shkruar per ta lexuar dhe bere te ditur edhe fukarenjte: behet fjale per vilen e ndertuar ne Golem te Durresit, ne te cilen fton mikun e vet francez, shkrimtar edhe ky, per te kaluar pushimet pikerisht ne vendin terheqes te pishave te Golemit, befasues per francezin ne kohen qe shetiste me Kadarene-pasha te kuq, pra para viteve 90-te.
    Kadareja eshte ne kundershti te plote me ate c’ka ka shkruajtur dhe shkruan. Kjo e largon nga syte dhe mendja e shume lexuesve, pse jo edhe per syte e Jurise se Nobelit.
    Pra konstatimi i komentuesit “mos erresoni gazeten Dita z.Thano ” eshte i drejte, dhe gjej rastin ta falenderoj: Respekt!

    Reply to this comment
  14. ilirjan May 7, 15:53

    Zoterinj te Redaksise, keq-ardhje per moskomunikimin reciprok! Ju vete ftoni per koment, pra bashkepunim idesh, ndersa ju pergjigjem juve heshtni, perse? Lutem mund te me shpjegoni arsyen ne e-mailin tim!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*