Dominantja e poezisë tek Moikom Zeqo

February 28, 2018 11:16

Dominantja e poezisë tek Moikom Zeqo

Vasil Vasili*

Dua të gjej dominanten artistike te poezia e Moikom Zeqos “Stinët e Pavdekshme”.

E lexoj, e këqyr, e përsiat, e  përsëri kthehem te pika e nisjes.

E rilexoj me zë për ti dhënë një mundësi më shumë vetes:

“ Deti, – kortezh mbretëror, – dhe unë, – rrufetë, – i thith, – papushim – si cingaret!

***

Dhe gjethet, – më vërtiten, – në vorbuj, – mbi supet e mia, – me peshën, – e një qyteti hyjnor, – të ardhur, – nga e Panjohura!

***

Pastaj, – vjeshta, – boshatiset, – si një humnerë!

***

Kundër stresit, – ende, – paguaj me ditë, – nga valuta kohore, – e fëminisë!

***

Të gjithë fenerët, – e qytetit, – i mbledh, – si fruta, – në frutierën, -time, – dhe përjetoj, – stinët e pavdekshme!”

***

Vasil Vasili

Është një mendim i pranuar se një poezi, që të ketë një dominante artistike duhet të eci mbi skeletin e kohës heraklitiane.

Po e kërkoj skeletin e kohës heraklitiane në këtë poezi, por nuk e shquaj.

Ndërkohë poezia më pëlqen.

Ajo është pikturuar nga metaforat, vargjet janë të thuktë dhe, po të hapen me përfytyrimin e lexuesit, do të gjenden nënshtresa imazhesh dhe kuptimesh plotësuese.

Poezia të jep më shumë se sa kuptimi linear i saj, të jep fjalët që i shpërndajnë  kuptimet me fuqinë e simbolit.

Që ta bëj të plotë kënaqësinë formale më duhet të gjej edhe dominanten artistike në këtë poezi.

Është një kërkesë e hershme e njohjes sime.

Por kjo poezi e ka lënë skeletin heraklitian në garderobën e historisë.

Me rënien e këtij skeleti ka rënë edhe dominantja artistike në formën klasike, kanë rënë edhe përbërës të tjerë.

Natyrisht, do ndryshojë edhe rrjedha e rrëfimit poetik.

Po e kqyr poezinë dhe pikas se  asaj i mungon Koha si rrjedhë.

Koha për poezinë është një shtrat, por mund të jetë edhe një mbivendosje e tepërt.

Heqja e një iluzioni e çliron nga pesha historike.

Poezia e ka të domozdoshme çlirimin nga pesha historike.

Poezia ka ndjekur dy rrugë, ajo i është përgjigjur skeletit heraklitian të kohës dhe rrugën tjetër e ka gjetur te Syri Pindarit.

Edhe kur i është përgjigjur skeletit heraklitian ajo e ka patur të nevojshme pak ajër jashtë kësaj kohe.

Ajo ka krijuar një çarje për t’u bërë më e lehtë nga pesha shtypëse e kohës.

Çarja ka lejuar dritën mbi kohën e njëtrajtshme.

Ndonëse rrëfimi ka qënë heraklitian, i mbathur me çizmet e kohës, çarja e ka tensionuar rrëfimin e njëtrajtshëm.

Çarja është takim me Jokohën.

Vetë Jokoha është Poezia, bërthama e Poezisë me skelet heraklitian.

Ajo është edhe dominantja artistike e kësaj Poezie.

Në Poezinë me skelet pindarik ose e parë me Syrin e Pindarit, qenia lëviz nëpër vrullet e saj.

Ajo s’ka një çarje të vetme, ajo është e çarë e tëra nga shpirti prej daljeve të tij jashtë kohës.

E çara, te Poezia me skelet heraklitian, vjen nga Syri i Pindarit dhe kqyret si fuqia jonë që del jashtë Kohës .

Ne fitojmë një jo kohë brenda në kohën tonë.

Ndërsa te poezia me sy Pindarik, sikur kërkojmë të kundërtën, mbylljen e çarjeve. Na duket më shumë subjektiviste se shoqërore. Dhe për ndihmë, ekuacionin poetik të saj e kthejmë në Shtratin Heraklitian.

Andej nisim njehsimin e Poezisë.

Numëri bazë i këtij arsyetimi është Koha.

Po arsyetimi fillon nga arketipi kohë dhe nuk është arsyetim i pastërt, për shkak të pafuqisë sonë për të  arsyetuar jashtë arketipeve.

Poezia e Moikomit është e çarë nga Jokohët, por ato mblidhen në “stinët e pavdekshme”, për të kriijuar Kohën e Njeriut.

A kanë kohë “Stinët e pavdekëshme?

Po, kanë kohën e unit poetik.

Ajo është një Kohë e brendshme dhe e pamatshme.

Uni poetik është një nga tropet më intrigues të Poezisë.

Ai na lidh dhe na zgjidh me Kohën dhe me kohën e përgjithshme.

Ai na lidh edhe me një Jokohë.

Për këtë ai çmohet si krijues dhe si çelsi sol i Poezisë.

Ai është shpesh një qenie ekcentrike që bëhet i pranueshëm nga logjika poetike.

Ai e vë gjithnjë në provë logjikën, madje edhe logjikën poetike.

Ai është i lindur në qenie, ku psikika është më e qëndrueshme, ndërsa mendimet bëhen thurje të tij.

Në këtë poezi uni poetik çfarë kohë jep?

Jep një shenjëz të kohës, vjeshtën.

Ai është i lidhur me thelbin e natyrës së vjeshtës, me ikjen dramatike… të saj. “Pastaj, – vjeshta, – boshatiset, – si një humnerë!”

Fjalët janë të ndara nga vizat ndarëse dhe kanë fuqinë e një telegrami urgjent: Po zhduket një stinë!

Uni poetik i kësaj Poezie ka lindur nga përjetimi dramatik i vjeshtës.

Në vetvete koha s’është dramatike, por është cilësi e poetikës së Moikomit dramaciteti, por ai shfaqet si dramacitet i njeriut.

Si na zgjidh uni poetik  nga Koha?

Me dramacitetin e tij.

Brenda dramës nuk ka kohë, ka lëvizje të qenies.

Moikomi bën kalim të menjëhershëm, pa parapërgatitje, nga një shenjëz e kohës në estetikë.

Qenia nuk shpjegohet vetëm me rrëfim linear.

A kanë logjikë të brendshme vargjet e kësaj Poezie?

Ato i organizon vjeshta dhe uni poetik. Pra, ato kanë logjikën e ikjes dhe të dhimbjes që të jep ikja. Vjeshtë dhe qenie, ose un poetik i dalë nga takimi i qenies me vjeshtën, ose njeri dhe natyrë, ose kqyrja e vetvetes në pasqyrën e natyrës. Dhe ç’mbetet?

Ajo çka mbetet nga natyra te Njeriu.

Këtë filozifi Moikomi e njeh mirë.

Këtej ka rrjedhur si kundërpeshë e ikjes edhe vargu përmbyllës i poezisë: “ Të gjithë fenerët, – e qytetit, – i mbledh, – si fruta, – në frutierën, – time, – dhe përjetoj, – stinët e pavdekshme!”.

Ndihet iluzioni, ndihet pafuiqia e njeriut që bën një veprim poetik, mbledh dritën e fenerve për ti hedhur në stinën e pavdekshme të Njeriut.

Logjika e Poezisë është zbritëse, nëpër dhimbje, që vijon të përthyet në qenie, gjer në mbyllje të përjetimit.

Pra, kur themi logjika poetike është zbritëse, themi se ka edhe një rrëfenjë të brendshme të një skeleti të brejtur heraklitian.

Si e tillë duhet të ketë një dominante të vetme poetike. Natyrisht duhet ta ketë, por uni poetik i Moikomit e shpërfaq përjetimin me Syrin e Pindarit si përjetim të përthyer në unit poetik.

Ai del nga e tëra si shpërthim dhe i bën hije rrëfimit. Rrëfimi organizon të tërën, pindarizmi thekson pjesën, të çarën, jo Kohën.

Në brendësi poezia “ Stinët e pavdekëshme” ka një skelet të ronitur heraklitian, por që s’të jep mundësi për ta pikasur pikën më të lartë të poezisë sipas këtij skeleti…. se poezia e Moikomit zhvillohet në psikikë.

Ajo është ksombël e psikikës poetike pindarike.

Ai nuk merr hua përjetimet e paraardhësve.

Ai edhe  arketipet i rikrijon.

Askush s’e ka thënë: “Pastaj, – vjeshta, – boshtiset, – si një humnerë!”.

Mund të mos ta lexosh më tej poezinë dhe s’humb asgjë. Ky varg e ka mbledhur të gjithë poezinë rreth vetes me tensionin e një rrote që ecën në pjerrtësi.

Për një poet tjetër ky varg metaforë do të ishte i mjaftueshëm për të mbajtur një poezi dhe, do të ishte pika më e lartë e saj.

Por te poezia e Moikomit të gjitha vargjet janë metafora, janë pika të larta të barazvlerëshme me një dominante poetike, janë gjuhë psikike që shpërthen nga krijimi dhe nga kultura e tij.

***

Çdo varg në këtë poezi është një njësi poetike e mëvetshme dhe  bashkohet me vargun tjetër jo sipas parimit të nënrenditjes, por sipas parimit të pavarsisë relative.

Logjika poetike formale bashkuese e vargjeve është tërhequr në brendësi, në rastin tonë, në përjetimin e vjeshtës, dhe ka lënë në sipërfaqe imazhet e figurave dhe brenda tyre, natyrëfilozofinë.

Në lidhjen e vargjeve të kësaj poezie parimi i pavarsisë relative u ka dhënë më shumë liri vargjeve për të shprehur vetveten.

Por logjika e vargjeve nuk është anarkike.

Ajo është bashkim nëpërmjet lirisë i njësive poetike.

Vargu i parë, “ Deti, – kortezh mbretëror, – dhe unë, – rrufetë, – i thith, – papushim – si cingaret!”, duket më i pavaruri dhe më i palidhuri me të tjerët.

Një përkthim i lehtë semantik i vjeshtës do të na thotë se në vjeshtë ka shumë rrufe mbi det.

Nuk duam të theksojmë dobësinë e Moikomit për detin, që i thith papushim (dramatikisht) rrufetë  si cingaret.

Theksuam se vargu i parë është vjeshtë, e parë nëpërmjet psikikës së figurës.

Të gjithë tradicionalistët e poezisë nuk do ta përjetonin kurrë këtë varg.

Dhe kurrë nuk do ta mendonin unin poetik si feprishje poetike të hullisë së të hapur prej të parëve.

Ata do të tmeroheshin nga ky varg.

Logjika e brendshme e këtij vargu është e lidhur e tëra me vjeshtën.

Rrufetë djegin.

Duhet përsëritur ky togfjalësh, për ta risjellë ashtu siç ka lindur në psikikën e Moikomit, në çastin e krijimit të poezisë. Rrufetë djegin.

Në këtë çast ka lindur Poezia. Ka lindur si dhimbje e djegjes së stinës nga rrufetë.

A nuk krijohet vjeshta nga një djegje e brendshme?

A nuk është vjeshta vetëdjegje?

A nuk e përgatisin vjeshtën vizualisht ngjyrat e rufeve?

A nuk është fisnike, madhështore, utopike, mbrojtja, mosdorëzimi i vjeshtës nga uni poetik?

Dhe tymi i pashprehur, por i nënkuptuar, nga cingaret e rrufeve, që shfryn nga shqisat e poetit, është një gjendje, një prelud.

***

Poezia e Moikomit është në thelb natyrore, para se të jetë e rrymave letrare. Ai rrjedh nga Whimani.

Por natyroren e ka mbështjellë me psikikën e imazheve. Kultura i ka dhënë guximin e shprehjes,  në brendësi komandon natyraliteti psikik dhe kultura.

Edhe imazhi është natyrë, por i parë me përfytyrim.

Psikika krijon gjendje, arsyeja end rrëfim.

Arsyeja te Moikomi është thadruar në psikikë.

Kjo e shfaq poet të lindur dhe të madh.

Poezia e Moikomit është lirikë e psikikës dramatike.

Le të përpiqemi të nxjerrim një moral nga poezia “Stinët e pavdekëshme”.

Morali do të ishte edhe një paralele e pikës dominante të saj.

Morali ka dalë nga përvoja njerëzore.

Ai priret ndaj virtyteve.

Në këtë poezi kemi metafora të fuqishme të nisura nga foljet, por vetë foljet janë të plogta, pësore.

Morali është aktiv, veprues.

Metaforat thadrojnë një gjendje të unit poetik.

Morali mund ta ndryshojë një gjendje.

Por ai përballë stinës vjeshtë është pa kuptim.

Uni poetik përball stinës vjeshtë është në gjendje ekzistenciale.

Ai mer trajtën e filozofisë estetike.

Uni poetik ndjen, por ndjen në vetvete dhe shprehet me të gjitha trajtat e ndjeshmërisë, por ai nuk ndryshon dot asgjë.

Ai shpjegon pozicionin e vetvetes përball asaj që e kemi emërtuar vjeshtë, shikon ndryshimin dhe fundin e saj.

Ndriçon të vërtetat e fshehura të natyrës me mjete të bukura.

Këtu mbaron e drejta e tij.

Këtu mbaron edhe e drejta e Poezisë.

Më tej e marin në dorë moralistët.

Në brendësi, dominantja artistike është dhimbja që na e nxjerr natyra me trajtat e saj, por ne duam edhe një dominante artistike të jashtme, të dallueshme.

Drama ka kuptim si mardhënie njerëzore.

Ajo ka edhe pikë kulminante.

Por  “Stinët e pavdekëshme” nuk janë dramë njerëzore, pavaresisht nga përjetimi dramatik i Moikomit.

Nëse s’ka dramë njerëzore s’ka edhe pikë kulmore të saj, se natyra është përjetësi dhe çdo dramë e njeriut përball natyrës bie.

Madje është mendim i stisur.

Atëherë duhet të rravgojmë në një hulli tjetër për të gjetur dominanten artistike të poezisë “Stinët e pavdekshme, ndonëse gjer tani i kemi lënë shenjat e saj nëpër rradhë.

Le të kqyrim përsëri foljet e kësaj poezie.

Ato janë vendosur në mes të vargut. Në të dy kahet shpërndajnë metaforat.

Një folje shpërndan dy metafora. Kjo është një mrekulli e fuqisë poetike të Moikomit.

Është një strukturë e re e fjalisë poetike me një ekonomizim të fjalëve, që rrallë mund ta ndeshësh.

Ky është edhe stil i epërm.

Le ti përsëritim foljet e Poezisë: thith, vërtiten, boshatiset, paguaj, mbledh, përjetoj.

Mbas tyre qëndron uni poetik, pak ekstravagant, pak dramatik, pak patetik, pak panteist, por gjithnjë i sinqertë. Brenda foljes nis uni poetik i Moikomit, i subjektit.

E nisur nga folja në metaforë, në predikat, gjendet rruga e dominantes artistike të poezisë së Moikomit.

Folja tregon veprim, pra është e lidhur me skeletin heraklitian aq  sa edhe me skeletin pindarik, figura është pa kohë, është përfytyrim i qenies, është e parë vetëm me Syrin e Pindarit.

Dominantja artistike në këtë poezi është e padukshme. Ajo është thellë, në përjetim.

Në qoftë se do të këmbëngulim për domominanten formale të kësaj poezie, atë do ta kërkojmë te vargu “Pastaj, – vjeshta, – boshatiset, – si një humnerë”.

Por ajo është një dominante pindarike.

Ky varg ka aftësinë që të krijojë edhe skeletin e dominantes artistike me  kohë heraklitiane.

Edhe dominantja e tij do bjerë po mbi këtë varg.

Të dyja dominantet e neutaralizojnë njera – tjetrën paqësisht.

Patra, 8 shkurt 2018

*Vasil Vasili, autor i disa librave me poezi, eseistike dhe proze. Jeton  dhe punon në Greqi.

February 28, 2018 11:16
Komento

1 Koment

  1. Guri Naimit D(Dh Xhoga) February 28, 20:39

    Dy te miret ne nje DERE-dimrin te bejne PRANVERE!

    Se pari, pershendetie, te rrallit ne llojin e tij, te nderuarit, Mojkom Zeqo qe,s’aritata takoja sot, ne kete dite “Torontiane apo kanadeze “ne Tirane si ralle nonjehere, per mua 82 vjecarin,mirqqe, si gjithnje mqte dhe koleget e tij, tek vendit, natyrisht brenda lokalit, se jashte,ishte cingerime..Aty te Kafe “Driteroi”apo Agolli”,si equajme te gjithe,ate simol te tij mes Tiranes ,,Aty, mora njoftimin se i nderuari Mojkom,po i ruhet ketij dimri Polar”,te ralle per Tirann tone, sa gjithe vendin si ne Vendet polare..Dhe natyra ka ligjet e saj.”te ndershkimit”…..
    E plotesova ate mungese,me takimin ete mirit Xhevahir Spahi, si gjithnje tek vendi,bri ish Kineme Partizani”dikur,sa me ate tavolinw miqsh e shokesh,te afshi PENSIONISTEVE(SELIA), ne shtepi sa hapa komjuterin si cdo dite per mua “TRINITRINE”dhe vetertet ma solli kete penae Vasil Vasilit nga Patra e Greqise, peng mbetur mua, pare ate vetem si kalimtar ne vite drejt Athines,(ne keto vitet e prapshta te pas 90tes per ne shqiptaret). Faleminderit i nderuari Vasil Vasili. (qe me kujton te ndierin Poet he mikun Tone Vasil Dede,), qe me kenaqe mua gjyshin 82 vjecar,, sa shkruanit me tere mjeshterine tuaj profesionale,qe te them te drejten,te dija te moshuar si une, po ti me qenke MASHALA, ne kulmin e jetes sa te punes tende mjeshterore;zot i PENES,Te prifte e mbara.Sa te mirin Mojkom, them se do e tako Neser duke kenduar kengen:-DEBORA ZBARDHI MALETE ,e, jo vetem MALET…Miresi te dy ve per sa na ofroni ne gjysherve, mbetur ne “KLASE”…
    Si prag Marsi,qe mos u befte ajo qe thote nje thenie popullore:-
    -Shkurti shkurton UDHET-,Marsi mbledh lekurret.”
    Faleminderit me clodhet miqte e mij,lexuar e formuluar kete koment,me “GUNEN”ne koke, se as nje mjet ngrohes s’,ia del ketij te ftoti, te fund shkurti 2018 ne Tiranen tone,”Pranvere e perhereshme”.
    Me Ju zot Mojkom Zeqo sa; Penes;
    (sot”reflektor” per mua), Z.Vasil Vasili,mjeshterore
    per MJESHETRIN e MADH -Z. Moikom Zeqo..
    Shendet e penat- PENE.

    Tirane 28-02-2018 Guri Naimit D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim