Doni të dini si ka qenë Shqipëria e parë, ajo para 120 vjetësh?…

June 17, 2018 15:44

Doni të dini si ka qenë Shqipëria e parë, ajo para 120 vjetësh?…

 

…Ja si e përshkruan atë Lumo Skëndo në vëllimin e dytë të “Kalendarit Kombiar” të vitit 1898

Zylyftar Hoxha

Siç është bërë e njohur, para disa muajsh fondacioni arsimor, kulturor dhe humanitar Alternativa për të Ardhmen (ALSAR) ribotoi në origjinal në katër vëllime të 22 numrat e “Kalendarit Kombiar”, që i përkasin periudhës kohore, nga viti 1897 deri në vitin 1928, të botuesit të njohur rilindës, Kristo Luarasi. Kalendari përbëri një ngjarje me interes të madh kulturore të vitit që jemi. Ai u përurua në Tiranë dhe në Prishtinë, me një pjesëmarrje të gjerë të akademikëve, historianëve, gjuhëtarëve, pedagogëve të universiteteve, studentëve etj. 500 kopjet e përmbledhjes iu dhanë falas institucioneve shkencore, bibliotekave, muzeumeve historikë, instituteve të ndryshëm, akademikëve, punonjësve shkencorë dhe njerëzve të tjerë interesuar.

Meqenëse botimi kishte një numër të kufizuar kopjesh, dhe shumë njerëz nuk kanë patur dhe nuk kanë mundësi ta sigurojnë, sipas rastit dhe mundësisë që do të na krijojë gazeta “Dita”, do të japim herë pas here pjesë të tij.

Në këtë numër do të japim një përshkrim interesant gjeografik të Shqipërisë të asaj kohe, dmth, të fundit të shekullit të 19-të, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe kur ende nuk kishte filluar copëtimi i saj nga fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha. Në atë kohë nuk bëhej fjalë për “Shqipëria të Madhe”, “Shqipërinë Etnike” apo “Shqipërinë Natyrale”, pasi këto janë terma që u vendosën vonë, pas copëzimit të Shqipërisë në vitin 1913 nga Fuqitë e Mëdha. Pavarësisht mungesës së një shteti, bëhet fjalë për një Shqipëri 88 mijë km katror, tre herë më të madhe seç është sot Republika e Shqipërisë!

Këtë shkrim po e sjellim në vëmendje të lexuesit edhe për një arsye tjetër: për gjuhën e bukur, të virgjër e të patrazuar shqipe, në dialektin e toskëve të jugut. Vëllimet e para të Kalendarit Kombiar, deri në vitin 1909, kur Kongresi i Manastirit vendosi alfabetin e ri që përdoret edhe sot, janë shkruar me Alfabetin e vjetër me gërma cirilike. Ndaj më është dashur që ta “deskriptoj”, duke ruajtur parimin fonetik, shqiptimin dhe nuancat gjuhës së një shekulli më parë.

***

Shqipëria. Cop’ e dheut që ka në jugët mëngën e Artës dhe Greqinë, në verit Maln’ e Zi, Jenipazar  dhe Sërbinë, në perëndim detnë Adriatik dhe Jonianë e nga ana e lindjes zgjatet nga mëng’ e Selanikut e gjer në Vranjet quhet Shqipëri, vend i djemve të  Shqipes; atje rri kjo “racë e bukurë, e mençme, trime dhe me vetija të mira”, si kundër thonë shkronjësit e huaj.

Male

Shqiptarët si dhe shkaba janë hequr në malësit, se Shqipëria është pothua në vend fjesht mal, por fort i bukurë e plot pyje dhe kullota.

Mali Sharr ka majën më të lartë nga gjithë malet që janë në sinit të Ballkanevet: Lubatini në mest të Prizrenit dhe t’ Ysqypit, është një majë e lartë 3050 metra mbi faqet të detit. Sharri lëshon dega në verilindjet dhe futet në Sërbi; nga ana e jugës degët e Sharrit janë: Korabi i veshur në bredh në dushk e në bushk, Jublanica në mest të Elbasanit e të Strugës që ka majë 2280 metra të lartë; më posht Elbasanit zë mali i Polisit, 1800 metra; Gramosi në Kolonjë, 2300 metra i lartë; mali i Sanolikes, 2500 metra i lartë dhe malet e Pindos (të Mecovës) që na ndajnë nga Greqia dhe hyjnë brenda në Thesalitë.

Jashtë Sharrit: mal i Galishicës në mes të kënetit të Ohrisë e të Prespës; Peristeri, i lartë 2600 metra, në jugët të Manastirit dhe Nereçka dhe Viçica më poshtë.

Brenda Sharrit, malet Shkodrës: Taraboshi, Cukali, Bori dhe Muranja, me borë që s’çkrijnë as në verë, si dhe të Lubatinit, male të veshur ndër ah, gështenja, frashnje, bredh etj.

Tomorri. Plot me të mirë (sikundër e besojnë vendësit) dhe maj’ e tij afër Beratit, 2400 metra e lartë, që nxjerr zë të tmerruar (nga të fryrit e erës në mes të shpellave): Dhembeli, pa pyje, por plot kullota dhe maja e Nemërçkës afër Përmetit; malet e Çikës, të lartë 2100 metra dhe tërë bushk e dushk; maleve të Çikës (Himarës) që moti u thoshin malet e Rrufesë (qeravnos), se atje bëhet fort dendur tërmet dhe bubullima, dhe pandehet se Grekërit e vjetër në këto male besonin, se aty ishte Plutoni, perëndi e Skëterrës.

Veç këtyre maleve të mëdhenj t’ emërtojmë dhe: malet e Mirditës, Krraba, Koloborda pranë Elbasanit. Mal’ e Ostrovicës; Radomi dhe Qarri në Kolonjë; Malete Sulit dhe të Mishqelit mbi Janinë.

Lumenj

Natura, vendit dhënë i ka dhënë shi sa duhet për të ujitur dhe të apijë çdo bimë dhe lumenjtë rrjedhin më ç’do anë. Më të mëdhenjtë janë: lum i Nartës që del nga malet e Mecovës dhe rrjedh në mes tënë dhe të Thesalisë.

Lumi i Zi (Gliqi) që shkon nga Suli e derdhet në det nja tre orë nën Pargët; Grekët e vjetër këtë lumë të vogël e quanin Akeron dhe i thoshin lum i Skëterrës se është i zi me serë, shkon nga vende moçalinë dhe natën kërcejnë flaka mbi të.

Lumi i Kallamasë që kujtohet se del nga kënet i Janinës nën det, qëmoti quhej Thiamis.

Vjosa, plot pishq, që del afër Mecovës, shkon nga Konica, Përmeti dhe merr këmbën Drino afër Tepelenës, këtij lumi të vjetrit i thoshin Aos.

Semani që ka dy këmbë të mbëdha: Devollë dhe Ergjendin. Devolli është dy këmbë: njëra del nga Nemërçka, tjetra nga Gramosi, të cilat bashkonen ndë këneta e Va bëntrokut, marrën dhe një vijë që del nga ky kënet; më tej Devolli përhapet në fushët afër Korçës; bën kënetet e Svirinës e Maliqit, shkon në veri të Tomorricës, dhe nën Berat duke u bashkuar me lumnë e Beratit që i thonë edhe Ergjent, merr emrin Seman, shkon nga Myzeqeja dhe derdhet në det  t’ Adriatikut.

Shkumbija, që del nga malet e Gollobordës, shkon afër Elbasanit dhe Peqinit. Shkumbija ndan nga mezi Shqipërinë dhe në veri janë Gegët, e në jugët Toskët, që kanë në mes të tyre aqe ndryshim sa kanë dy sytë e një balli.

Arzeni dhe Ishmi që dalën nga mali i Kërrabës dhe ujitin fushën e Tiranës.

Drini i Zi, që del nga këneti i Ohrisë, nëpër mest të Strugës; ngjitet në veri shkon afër Dibrës, arrin në katund të Lumës ku merr ujërat e Drinit të Bardhë, i cili del nga malësie Ipekut; pastaj të dy bashkë nën emrin Drini i Zis e kthehen nga perëndimi, bëjnë një gjysmë rrote, shkojnë afër Lezhës dhe bien në det. Drini është një lumë i fortë, shum’ i bukurë dhe shkon nga vende t’egër me pyje e me shkëmbenj.

Bojana që derdh ujët e kënetit të Shkodrës në det.

Vardari që del nga malet e Lumës, ngjitet në Tetovë, bën nga Lindja, shkon nga Ysqypi nget drejt Jugës, lak Qyprylinë dhe posht derdhet në mëngë të Selanikut.

Ibri që shkon nga fush’ e Kosovës dhe  hyn në Sërbi.

Kënetët

Në verit, Liqeni i Shkodrës që kemi përgjysmë me Malin e Zi. Liqeni i Shkodrës, nëntë orë i gjatë dhe nja pesë orë i gjerë, është rrethuar nga male të zhveshur, e me fusha fort pjellore nga Juga.

Këneti i Plavës, i vogël, por fort i bukurë. I Ohrisë, në formë të një veje, 100 qillometra të katërçipta dhe i thellë 100 deri në 150 metrauhësh në kohë të Romanëvet Lihnidos, është fort i kthjelltë, shumë i bukurë dhe plot pishqe shumë lloj. Këneti është 570 metra më i lartë nga deti. I Prespës. Rrumbullak dhe 60 metra i thellë, pandehet se ky kënet bashkohet me të Ohrisë, me një lumë që shkon nën mal të Galishicës. Këneti i Vantrokut; kënët i Kosturit; kënet i Svirinës e i Maliqit që i bën Devolli e që janë pak të thellë. Këneti i Tërbufit e një tok të tjerë në Myzeqe; po këta janë fort pak të thellë dhe anët janë plot moçalinë, zhukë e kallame. Këneti i Janinës, i bukurë, me një nisi të vogël në mest, në të cilët u vra Ali Pasha në vitin1822.

Fusha

Në verit kemi fushën e Kosovës që është 500 metra më e lartë nga deti; fush’ e Shkodrës dhe e Zadrimës. Fushn’ e Shkodrës pothuajse çdo mot e mbyt Drini; fush’ e Ysqypit.

Fush’ e Manastirit që nga Perlepi e gjer në Follorinë. Kjo fushë që është më e madhja dhe më pjellorja e gjithë Shqipërisë, është 15 orë e gjatë dhe tre orë e gjerë.

Fush’e Korçës, 4 orë e gjatë.

Fush’ e Tiranës, plot pyje dhe ullinj.

Fush’ e Myzeqesë, fort e gjerë por tërë moçalinë e plot ethe. Kjo fushë mund të qërohet e mund të bëhet një vend pjellor që të mos ketë shoqe.

Fare në jugët e fush’ e Janinës, e Filatit dhe e Lurës.

Tregëri

Nga të mos pasurit ndë dhe siguri, tregëria në Shqipëri është shumë pas. Qendrat në të cilat bëhet tregëria janë: Shkodra, Durrësi, Vlora, Saranda, Preveza dhe Manastiri.

Nga Shkodra del në mot 170.000 qillogram, qillogrami është (ok e re domethënë 312 dërhem) lesh; 100.000 qillogram sumak; 200.000 copë lëkurë dhije, deleje, lepuri etj. disa mijë ok li, vaj dhe pak mëndafsh dyllë mjalti.

Nga Durrësi del: lëkurë 25.000 copë; vaj, misër, tërshërë, farë liri, duhan, dru për të djegur dhe për të bërë anije, dhe nja 50.000 okë lesh.

Nga Vlora nja 50.000 ok lesh, 18.000 lëkurë; misër dhe fasule, vaj ulliri: 10.000 shekuj, 150.000 ok valanidh (lënde dushku për lëkurët); kripë, 500.000 litra verë; pishq të kripur, breshka dhe shushunja.

Nga Qimara del bushk (dru zbukurimi) fort shumë. Nga Saranda del cërmëdela (dru i verdhë), vaj lesh dhe lëkurë. Nga Preveza pak lëkurë, lesh, duhan, tabako, lënde dushku etj. Nga Manastiri drithë, verë dhe raki, mollë të Ohrisë dhe kumbulla.

Këto plaçka më të shumat venë në Trieste, ca në Brindis; drutë venë në Maltë; dritha në Korfus e në të tjera nisi të Greqisë.

Shqipëria nga Preveza gjer në Shkodër është anë detit, por veç Qimariotëve shumë pak të tjerë kanë anije, prandaj tregëri e vendit tënë bënet me anijet e të huajve dhe ne, humbasim një fitim të madh dhe të lehtë.

Mjeshtëritë

Në Gegëri  bota janë më punëtorë dhe ç’do gjë që kanë nevojë e bëjnë vetë: punojnë leshnjë, linë, mëndafshin; në Prizren dhe në Jakovë punojnë armët dhe bëjnë shumë gjëra me fill argjendi: ashtu edhe lëkurët.

Në Shqipërinë e Jugës bota sa venë e po bëhen shumë përtasës dhe u pëlqen më mirë të rrinë me duar në gji e të varfërë, se sa të punojnë. Andaj dhe në më të voglin fshat, njerëzia vishet me plaçkë të huaj. Veç ca velenxa dhe guna, s’bëjënë gjë tjatër, por ç’do plaçkë e sjellin së jashtmi. Është keq dhe turp i madh që të rrimë kështu si jemi sot. E thamë sa është i bukur e i mirë dheu ynë: të duamë me një çikë  punë mund të bëhemi të pasur e të lumtur. Fajin e kemi vetë.

Metale

Shqipëria, si mirret vesh, është plot metale; por asnjë s’punohet. Afër Korçës ka huj (thëngjill guri), si dhe afër Durrësit, dhe në malet mbi Sarandë, po s’punohen. Në Selenicë afër Vlorës del një serë fortë e mirë. Në malet e Qimarës gjendet squfur, afër Konicës kristal shkëmbi (dyr); në malet afër Vlorës gjendet kripë (si kripë e Pirevit). Në Konicë, në Përmet, në Lesh, ka banja squfuri të ngrohta; afër Dibrës dhe Ysqypit banja squfuri. Afër Manastirit, në Eqshi-Su është një ujë i thartë, fort i mirë për të pirë.

Si nga të tjerat gjëra në Shqipëri, as nga metalet s’del ndo një fitim.

 

Ç’pjell dheu ndë Shqipëri?

Shqipëria ka vendin fort të bukurë. Klima e saj në jugët dhe anës detit është e ngrohtë, dhe në veri pakëz e ftohtë, por e shëndoshë. An’ e detit nga Preveza e në Vlorë, po më tepër Çamëria është si një kopsht parajse: s’bie kurrë, pothua, dëborë dhe vapave të mëdha as emrin s’ua dinë. Atje bëhet ulliri sa një lis, portokaleja, limoni, qitroja, shëga sa një kokë njeriu. Afër Qimarës, në Palasë, bëhet edhe hurmaja sado që s’jep pemë. Prapë nga Vlora e në Ulqin, an’ e detit është plot pyje dhe ullinj; çdo drit bëhet në këto anë si dhe orizi në vende që ka ujë: në Myzeqe, afër Peqinit; e në Margariti del një oriz i mirë.

E tërë Shqipëria është pjellore: Vendet e unjët japin çdo drithë e pemë, vreshtë etj. Dhe pyjet janë plot kullota e të veshur me dushk, ah, bushk, bredha, gështenja, arra, lajthi etj. Malet me kullota ushqejnë bagëti dhe  lumenjtë dhe kënetit ziejnë nga pishqet. Pyjet e thellë ushqejnë dhe ujq, derra, arinj, drerë, sorkadhe gjepura, kunadhe etj.

Malet e Ohrisë e të Tetovës janë me emër në tërë faqen e dheut. Ver e prizerenit, e kosturit dhe e Ohrisë janë për t’u mbajtur në gojë. Duhani i Metojisë (fush’ në mes të Ipekut, Jakovës, Prizerendit dhe Mitrovicës) e i Beratit, fasulet (groshet) e Ysqypit janë fort të mira.

Fush’ e Myzeqesë të qërohesh, sikundër e thamë, do bëhesh një vend pjellor që do të ushqente tërë Shqipërinë. Fush’ e Manastirit mbush botën me grurë, elp, misër etj. Fush’ e Korçës ka disa vjet që ka zënë e po bëhet moçalinë, dhe pa shkuar shumë kohë do të bënet fare baltë, kështu është edhe gjysma e fushës së Lurës: këto vende që shkel uji dhe fush’ e Zadrimës që mahnitet njeriu duke parë sa është pjellore, po që çdo mot e mbyt uji dhe s’lë të punohet, me pak mundim mund të qërohen dhe të hapen vijëra që të mos mbetet uji.

Me gjithë këtë pjellori që ka dheu, Shqiptarët mezi gjejnë bukë të hanë! Ç’është shkaku i kësaj mënxyre”

“Shkaku i kësaj varfërie që e bën njeriun të qanjë, është se Shqiptarët janë (na vjen ligsht ta themi) janë përtesësh e më tepër se arëbërës janë barinj: duan më mirë të venë  me dhen se sa të punojnë dhenë. Veç kësaj dhenë e punojnë në një mënyrë fare të prapambeturë, domethënë s’kemi zënë ende (akoma) të përdorim dituri të dhédhënjes për të nxjerrë sa më tepër bimë. Të tëra këto vinë se jemi gjysmë t’egër e s’kemi zënë të qytetërohemi, kemi mendjen fare me të tjera gjëra e jo me punë e me mirësi”.

Po një nga ngajet e mëdha të varfërisë në të cilën rrojnë Shqiptarët sot, është mos pasja e rrugëve dhe urave. Megjithse ç’do njeri në Shqipëri paguan ç’do mot një pagesë të madhe guvernës, me nonjë anë të vendit tënë s’ka udhëza, dhe kjo ndalon fort vajtjen dhe ardhjen, të shpënët e plaçkave, dhédhënjen dhe tregërinë; pa le njerëzit dhe kafshët rrëzohen çdo ditë nga rripat, a mbyten në lumenjtë, me qenë se s’ka udhë gjëkund.

Njerëzia (popullsia) e Shqipërisë

Shqipëria kështu siç thamë që nga Greqia te Mali i Zi e në Sërbi; nga Adriatiku e në mëngët të Selanikut e gjer në Istip, ka më tepër se 800.000 qillometra të katërçipta dhe më shumë se 2.500.000 njerës. Ky vend, që s’ka të drejtë njeri të thotë se s’është Shqipëri, me 80.000 qillometra të katërçipta të saj, bëhet pothua dy sa Sërbia. Po ç’është ky vend përpara ati që kishin mbuluar Pellazgët d.m.th. Shqiptarët e njëzet shekulla më parë?

Veç shqiptarëve të Shqipërisë, janë edhe 300.000 Shqiptarë në Greqi; në Atik, Beoti, në nisurat Eube, Andra, Idra, Speca, Salamina e në Moret. Janë nja 200.000 Shqiptarë n’Itali, në Kalabri e në nisitë të Siqelisë. Shqiptarët Italisë po e mbajnë gjuhën e tyre më mirë se ata të Greqisë. Shqiptarët e Italisë kanë vajtur nga Shqipëria si erdhë Turqit në vendin tënë e pastaj. Të Greqisë ca më parë dhe ca më pastaj.

Veç këtyre, Shqiptarë kemi edhe në Mal të Zi, në Bosnje, në Dalmaci, dhe më tepër në Sërbi, e cila mori pa nonjë të drejtë: Nishnë, Vranjën dhe Leskovaçnë, që ja dha Kongresi i Berlinit më 1878. Duke vështruar sa shqiptarë janë në vendit të tyre, Sërbija dhe Greqia mos hapin gojën e të thonë, që në Shqipëri ka shumë Sllava a Grekër: ç’janë nja 30.000 Grekër n’anët e Janinës e më pak se kaq Shqeh në Metohi e në Yrqyp ca të pakë bullgarë afër Manastirit? No një Stat mbi dhet nuk është fjesht një komb. Vallë pa njerës që s’janë Shqeh ka Sërbia dhe Greqia? (Sërbia ka më tepër se 250.000 Vllehë, Shqiptarë, Bullgarë, Tyrq; dhe Greqia, thamë që vetëm Shqiptarë ka 300.000). Andaj dhe Shqipëria pse ka nja dhjet Grekër në jugët, disa Vllehë e Turq afër mëngës së Selanikut, dhe ca të pak Bullgarë e Serbër nga lindj dhe veri-lindja, njeri nuk na ndalon të themi, ky vend është fjesht Shqipëri; dhe ky vend ka qenë kurdoherë i Shqiptarëvet; të huajt kanë ardhur më pastaj, tani afër.

Serbët vetëm më 640 pas Krishtit dhe Bullgarët në shekullët të nëntë kaptuan Tunën, më parë ishin në anët të veriut të këtij lumi.

Thamë që lumi Shkumbi ndan Shqipërinë në mes dhe njerëzit e anës së veriut quhen Gegë e të jugës Toskë. Toskët ndahen në disa farësh, si: Çamër, Labër, Toskë fjesht etj; dhe Gegët me më shumë farësh, po më të mëdhatë janë: Mirditasit, Matjanët, Dukagjinasit, Klementët, Gjoshi, Shala, Kastrati.

Shqiptarët pa ardhur Tyrqit e të marrin vendin tënë qenë të tërë të Krishterë: Katolikë në veri, Ortodoksë në jugët. Pasdaj ca me hirë, ca me pahirë zunë e u bënë myslimanë dhe sot dy të tretat e Shqiptarëvet janë në Besët të Muhametit. Sado që Toskërinë e ka shkelur shumë Tyrku, Gegëria është fare otonomi dhe guverna vetëm një pagesë të prerë për njeri mer.

Bërësi: Lumo Skëndo

(Vijon nesër)

June 17, 2018 15:44
Komento

5 Komente

  1. katarakti June 17, 16:47

    Nje perle e nje rilindasi te shquar. Vereni se sa bukur e ka shqiperuar fjalen e huaj “autori” ne “bërësi”.Sepse ka njohur me rrenje shume gjuhe te huaja. Ndersa kozmopolitet, katundaret dhe snobet e sotem shqiptare, sapo kane mesuar nje gjuhe te huaj dhe vend e pa vend do ta vene ne dukje se jane “te ngritur”.

    Reply to this comment
  2. demo June 18, 16:59

    Tufa e turmes popullore ne fund te luftes II bot.nuk shkoi pas dashit percor,qe ishte Mithat Frasheri,por shkoi pas skiles Enver Hoxha qe e dorzoi tek ujqit e Serbise.
    Nuk kane mjaftuar 30 vjet qe ky popull te gjeje orientimin,.

    Reply to this comment
    • Epiriot me Zemer e Shpirt June 18, 17:16

      Nuk ishte faji i ketij popullit por i zogut te sorres,qe nuk i doli zot ketij populli por hiku si lepur.
      populli e tregoi veten me trimeri kunder pushtuesve.Nuk e peruli koken etregpoi karakterin e Shqiptarit.
      Hikja e pseudoprijesit zogollit kollovarit boshnjak ,i hapi rruge krejt mistrecave cifuto vlleh qe ngriten uren serbi-Shqiperi.Ata e futen serbin edhe na e nakatosen krejt luften ,duke i bere masakren me te madhe ketij populli edhe shtetit shqiptar duke barazuar krejt llumrat e ardhur me Albanet vendas.Ne emer te demokracise popullore gjasme.U syrgjynosen Albanet te zotet e vendit edhe u ngriten ardhacaket qe me dinakeri e intriga rrenuan traditat albane fisnore.
      Me intrigat e tyre e ben burrin shqiptar per pes lek.
      Komiteti qendror dmth qeveria ne ate kohe ishte prej tyre.E masakruan kete popull e ben pacavure edhe ende keta krimba jane neper pushtete e jane pasuruar llahtarisht e perseri jane kunder ketij vendi.Pothuajse kane dale hapur me grekun kunder Shqiperise edhe me kelysherine serbe.

      Reply to this comment
  3. Arben June 20, 06:46

    Po ku ka patur Shqiperi 120 vite me pare

    se na cate b…….. derr derr derr

    Reply to this comment
  4. Dhimbia e madhe Popull June 20, 20:32

    Si ste vje turp mor i mjeri ti Arben,sa thua.Mos je cmendur e flet pa ditur cthua?!
    Dhmbia e madhe Popull.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*