Doshi dhe Frroku në Kushtetuese, duan të shkojnë në Parlament

Artur Qoraj April 18, 2015 08:45

Doshi dhe Frroku në Kushtetuese,  duan të shkojnë në Parlament

Deputetët nën arrest, Tom Doshi dhe Mark Frroku, kërkojnë që të jenë të pranishëm në Parlament, duke marrë si referim rastin e deputetëve të “Agimit të Artë” në Greqi, të cilët edhe pse nën arrest, janë të pranishëm në jetën parlamentare të vendit të tyre. Prokuroria e Përgjithshme u ka rrëzuar kërkesat e depozituara dy ligjvënësve, me argumentin se një person nën arrest nuk mund të jetë edhe aktiv në punë. Për këtë shkak, avokatët e dy deputetëve do depozitojnë një ankimim në Gjykatën Kushtetuese, ku do kërkojnë rrëzimin e vendimit të Prokurorisë dhe lejimin e klientëve të tyre të jenë të pranishëm në parlament, si të zgjedhur nga populli. Avokatët pretendojnë se vendimi i Gjykatës së Lartë përfshin masën shtrënguese vetëm për dosjen, por jo për t’i ndaluar që të ushtrojnë detyrën e deputetit.

Flasin avokatët

Tom Doshi qëndron nën masën shtrënguese “arrest shtëpie”, kurse Mark Frroku në “arrest me burg”. Por avokatët e konsiderojnë abuzim të prokurorisë ndalimin e ushtrimit të mandatit të tyre në Parlament. Sipas avokatëve, Gjykata e Lartë është shprehur vetëm me masë shtrënguese dhe nuk ka dhënë masë ndaluese që t’i pengojë ata në ushtrimin e detyrës. “Nëse Gjykata e Lartë do të ishte shprehur me një masë ndaluese që deputetit Mark Frroku t’i ndalohet veprimtaria në Parlament, atëherë Prokuroria e Përgjithshme, ose Parlamenti, do të kishte të drejtë të mos lejonte pjesëmarrjen e tij në komisione, apo në seanca plenare”, u shpreh Saimir Visha, avokati i deputetit Mark Frroku. “Sipas kësaj dispozite, kjo masë ndaluese nuk mund të aplikohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Ka një konflikt mes vendimit të Gjykatës së Lartë, për caktimin si masë sigurie arresti në shtëpi dhe ndalimi de facto që atij i është bërë për të ushtruar funksionin si deputet”, thotë Vladimir Meçe, avokat i Tom Doshit.
Precedenti grek
Avokati Saimir Visha sjell edhe një precedent në vendin fqinj, Greqinë. “Janë deputetët grekë të Agimit të Artë. Janë 3-4 deputetë, të cilët janë në masë sigurimi arrest me burg dhe sa herë që ka seancë plenare, forcat e policisë i shoqërojnë në Parlamentin grek. Kemi përpiluar kërkesën për Gjykatën Kushtetuese duke e konsideruar si antikushtetues vendimin e prokurorisë”, deklaroi avokati Visha. “Hapi kryesor që ne do të hedhim është ai para Gjykatës Kushtetuese. Është në planet tona kërkesa për një masë sigurie më të lehtë, por ende nuk kemi vendosur”, shprehet avokati Meçe.

 

Dosja
Brenda muajit prill, Prokuroria e Përgjithshme pritet të mbyllë hetimet dhe të dërgojë për gjykim në Gjykatën e Lartë, dosjen “Doshi-Frroku”, për çështjen e atentatit të sajuar dhe videon e Durim Bamit. Deputetët akuzohen për “kallëzim të rremë”, “deklaratë e rremë para prokurorit” dhe “kanosje për deklaratë të rremë”.

 

 

 

 

Artur Qoraj April 18, 2015 08:45
Komento

1 Koment

  1. Prepapjet April 19, 05:31

    Si the mor avokat si the.?Edhe i pandehur edhe deputet.? Jo mor zotri kjo nuk don shume shkolle, pasi nje i burgosur nuk mund te pij kafe dhe alkol klubeve te Tiranes e aq me pak te ushtroj funksjoni me te lart te nje vendi ate te ligjevenesit. E si mundet nje person qe thyen ligjet te votoj ligje? Nese kjo ndodhi ne Greqi s’dote thote te aplikohet edhe ne Shqiperi.Sa per deputetin Tom Doshi mund te them sa zoterise i kane mohuar gjithe te drejtat. Dhe e kanë denuar pa drejtesisht.Tom Doshi duhet te jet i lire si çdo qytetar tjeter

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*