Dosja e plotë e “Tre Zenelëve”

Nga Ton Zmali* August 12, 2014 16:10

Dosja e plotë e “Tre Zenelëve”

Shënime rreth romanit të Bedri Islamit “Vrasja e Lulit të Vocërr”.

Romani i Bedri Islamit, “Vrasja e Lulit të vocërr”, kushtuar jetës shumëdimensionale të babait të vet, personazhit të Migjenit e Nonda Bulkës, është për mendimin tim, një kontribut për letërsinë e historinë, për të vërtetën jetike e artistike, të ndërthurur pa komplekse e pa sforcime paragjykuese.

 

Zeneli i parë (Profecia)

Nuk besoj të ketë ndonjë shqiptar, qoftë dhe “fillorist” në fjalën shqipe, që të mos ketë dëgjuar, lexuar, biseduar a komentuar poetin e shkrimtarin e madh të shekullit të kaluar Millosh Gjergj Nikolla, i njohur me pseudonimin Migjeni. Kushdo, që është afruar edhe në mënyrë empirike te Migjeni i madh, është e pamundur të mos ketë bërë kontakt, përveç të tjerave, edhe me prozën e tij profetike, “Zeneli”. Këtu profetika migjeniane është padyshim një misterie kulmore që thyen të gjithë modularet e shkuara të profetësisë njerëzore. Zeneli është proza me të njëjtin titull e mësuesit, shkruar për njërin nga nxënësit e vet, e pikërisht për burrin e madh e idealistin e pashoq Zenel Islamin, ish-sekretar i Parë i rrethit të Pukës, në vitet e fillimit të komunizmit. Fanatizmi i profetizmit migjenian në portretizimin e prozës me titull “Zeneli”, dëshmon se përballë ardhmërisë dhe majave të larta nga shpërthejnë horizontet e dritës në frymën e të cilave i pëlqente të mendohej autorit, ishte tehu i greminës, caku i honit, katrahura e rrënimit. Në këtë zgrip, Migjeni profetizon kur shkruan “ … Mandej edhe pjesa e eme fataliste arsyetonte: lene Zenelin të rrojë jetën stërgjyshërore, primitive, e ka ma mirë, mos e merr më qafë me e hypë nder majat e nalta nga mund të thyejë qafën i dëshpruem, tue pa të vetët të dashtun tepër ultë e tue mos mujtë me i ndihmue…”

Migjeni në ajsbergun e Legjendave të Misrit, Bukurisë që Vret, Poemave të Mjerimit, bzan, klith e ulërin për idealistët që ka pjellur e pjell ajo jetë me fatalitetet qafëthyese të saj. Migjeni vdiq fizikisht, por Zeneli i tij pësoi në jetë fatin e parashikuar nga mësuesi i vet, gjeniu jetëshkurtër. Pra, te Zeneli i parë gjejmë krijuesin profet që në prozën e tij përligj dramën e sotme, të cilat rrinë pezull rreziqeve në mes të vrugnajave të jetës e prirjeve primitive të saj. Në këtë kontrast, penelat e ngjyrave me kolorit të fortë dydimensional, përveç egërsisë e ashpërsive përcjellin një kumt origjinal tragjik të idealizmit shqiptar, i cili mjerisht është edhe sot e kësaj dite kryekatastrofë e vetes. Profetësia migjeniane është dëshmi tragjikomike e fenomenit të moskuptimit të majave të larta nga shpërthejnë horizontet e dritës. Zenelat, që luftojnë përligjiet e këtij fenomeni i presin greminat, kryqëzimet, eleminimet, jo rrallë edhe përçmimi, harrimi, ç’emërtimi, shpërfytyrimi e shëmtimi. I parë në këtë prizëm “Zeneli i Migjenit” është profeci e fenomen i të gjitha kohërave por në mënyrë të veçantë çerdhja e tij lulëzon e ngre fole në kaplloqet më primitive e në zhargonet e prapambetjes ku, Idealistët, Zenelistët e Migjenistët vetëdigjen, shkrihen e shkrumohen për një botë të re.
Kjo përpjekje ka lindur njëherësh me njeriun dhe do të zhduket vetëm me njeriun e fundit. Në këtë qafëthyerje ka lundrue e lundron varka shpirtërore dhe intelektuale e njeriut shqiptar të viktimizuar nga mbijetesa e këtij fenomeni.

 

Dy Zenelat (Ngjarja ëndërrimtare)

Shkrimtari i mirënjohur i realizmit kritik, Nonda Bulka, e takon dhe e përjeton Zenelin e Migjenit në startin e ngjitjes ëndërrimtare dhe, në veprën e tij “Kur qante e qeshte bilbili”, i dhuron letërsisë shqipe skicën aq të njohur “Dy Zenelat”.
Tashmë profetësia e Migjenit vazhdon. Zenel Islamin e ndjek fati i dytë , ai tashmë për koincidencë është nxënës i një shkrimtari idealist tjetër të madh i cili, siç dëshmon në skicën e tij, një ditë kur i kërkonte klasës të komentonin prozën e Migjenit “Zeneli”, syri i shkoi rastësisht tek ky djalosh që i ndrinin sytë e rrinte i heshtur në rreshtat e fundbangave.

Përshkrimi i Bulkës është tepër i ndjerë, i vërtetë dhe emocionues. Ai shikon se si u skuq e u përflak nxënësi që kurrë nuk kishte ngurruar, por kishte shkëlqyer në të gjitha lëndët e mësimit, papërjashtim. Ishte hera e parë që goja e Zenelit nuk hapej, heshtja e pashpjegueshme sundonte qënien e tij. Shkrimtari i madh, që i përkiste shkollës Migjeniane, u gjend përballë të papriturës. Përpjekjet për ta orientuar nuk jepnin asnjë rezultat. Nxënësi skuqej gjithnjë e më shumë, e gojëskuqja bëhej gjithnjë e më evidente. Emocionet ishin të mëdha kur ai mëson se përpara kishte Zenelin e Migjenit. Pikërisht atë personazh për të cilin kishte shkruar. Shkrimtari e poeti që nuk jetonte më. Skica “Dy Zenelat” e përcolli këtë ngjarje, siç mund ta dëshmonte pena brilante e një shkrimtari brilant, siç ishte Bulka me flaturat e fjalës së tij.
Zeneli i Migjenit, por edhe “Dy Zenelat” e Nonda Bulkës, vazhdojnë ngjitjet ëndërrimtare drejt shpresave të mëdha për një botë të re e për një shpejtësi brezash. Këta dy shkrimtarë të mëdhenj nuk kanë asgjë të përbashkët me Real Social siç janë përpjekur të na i paraqesin dogmatikët dhe turmat e tyre të shndërruar në tellall mallrash pa vlerë. Fenomeni i qëndrimeve kritike ndaj realiteteve ka qënë, është e vazhdon të jetë mision universal i letërsisë dhe artit të vërtetë.

Te të “Dy Zenelat”, por edhe te gjithë arsenali krijues i Bulkës, shkruar në fazën e fjalës së lirë, vërejmë protestat akuzuese për një idealizëm që gërvisht, por nuk përgjak, që kërkon idealin ndreqës shpirtëror e jo hymnet e vrasjeve dhe mjerimin e heroizmit atentator të hakmarrjeve politike e klasore. Borizanët e këtyre dogmave vaksinuan letërsinë me stampa heronjsh rusë, kinezë e sallatra merrendreq. Por në kujtesën popullore, Zeneli i Migjenit, por edhe “Dy Zenelët” e Bulkës, u bënë mike dhe simbole ëndrrimtare të pashuara nga idetë e kohërave të mëvonshme.

 

Zeneli i tretë (Fataliteti idealist)

U deshën rreth gjashtëdhjetë vjet e më tepër që te lexuesi shqiptar të vinte Zeneli i tretë. Vetëm para pak ditësh, nga një miku im patriot e dashamirës i letrave, një intelektual me qytetari e kulturë bashkëkohore, inxhinieri Ismail Tafillaku, pata fatin të më binte në dorë libri i shumëpritur, kushtuar jetës e veprës së pavdekshme të intelektualit pukjan, nxënësit të Migjenit e Bulkës, njeriut për të cilin kisha dëgjuar aq shumë dhe, që pa përjashtim, bashkëkohësit akoma betohen në kokën dhe në idealin e tij.

Më kishin thënë njerëz që e njihnin Zenelin se, “Harallambët” e kishin vrarë e zhdukur idealizmin e tij. Njerëzit dyshonin për vrasjen e tij të shpallur si vetëvrasje në detyrën e kryetarit të Komitetit të qarkut të Elbasanit, ku ish transferuar me familjen, pasi kishte mbaruar studimet në Bashkimin Sovjetik. Jemi në trojet pas prishjeve së stinëve të mjaltit me jugosllavët. Ishte koha kur sigurimi partiak zhdukte çdo kundërshtar idealist që frenonte pragmatizmin dhe kultin e dhunës. Ushtrimi i dhunës së kuqe, reformat staliniste të modelit rus, kërkonin militantë dhe jo idealistë. Pikërisht këtu fillon dhe dueli në botën e Zenelit. Ai është për një model të socializmit njerëzor, me fytyrë njeriu dhe jo bishë të dhunës klasore, proletare e thellësisht politike. Përballë këtij realiteti, kur po trokisnin reformat hrushoviane dhe bëheshin thirrje për ndryshime, duheshin zhdukur e eliminuar të gjithë ata që kundërshtonin dhunën dhe dogmat. Në vargun e të dyshuarve për t’u likuiduar në heshtje ishte edhe Zeneli.
Një dosje e re që dëshmon në gjerësi e në thellësi këtë procedurë është përmbledhur me mjeshtëri në librin e Bedri Islamit “Vrasja e Lulit të Vocërr”, kushtuar misterit të zhdukjes së tij nga njerëzit e brendshëm të diktaturës. Autori i romanit, në hapjen e kësaj dosjeje, ka fatin të zotërojë dy çelësa magjikë që të drejtojnë tek porta e zgjidhjes së enigmës. Së pari, romani, duke patur për autor një përjetues real e emocional të ngjarjeve, është dëshmi e gjallë marrëdhëniesh, faktesh, bisedash e konkluzionesh praktike të dëshmive historike që lëvizin e ndërthuren mjeshtërisht duke krijuar një hapësirë artistike, një ankth kërkues, një tejhistori e tejdëshmi. Së dyti, autori na bind se në nëndërgjegjjen e tij në një dosje të heshtur ka magazinuar atë që me aq pathos e emocion, vërtetësi e krenari vendos të na i dëshmojë një ditë në librin e tij për Zenelin e tretë, që heshtja dhe pluhuri nuk kishin mundur as me fshi, as me shlye figurën e tij.

Romani i Bedri Islamit, “Vrasja e Lulit të vocërr”, kushtuar jetës shumëdimensionale të babait të vet, personazhit të Migjenit e Nonda Bulkës, është, për mendimin tim, një kontribut jo vetëm për familjen e autorit apo farefisin e tij, por edhe për letërsinë e historinë, për të vërtetën jetike e artistike, të ndërthurur pa komplekse e pa sforcime paragjykuese. Në libër, ndryshimi i vetave të dëshmitarëve, përkimi me persona e ngjarje reale, siç pronocohet vetë autori në hyrje të librit, këto pra janë edhe një argument më shumë për të besuar mostrillimin e mosfalsifikimin. Dhe këto e bëjnë Zenelin e tretë të ngjitet natyrshëm e besueshëm në piedestalin e merituar, ku shpërthejnë horizontet e dritës. Bedri Islami, në ndërmarrjen e tij të sinqertë, zemërçiltër dhe objektive, është përpjekur ta paraqesë me sa më vërtetësi heroin e vet. Por aty-këtu ndeshemi me dukurinë që, psikologjinë e sotme ai t’ua mveshë personazheve të vet të viteve ‘50-60. Hera-herës ka një cungim e nxitim, që duket se nuk ka për qëllim zbërthimin në vijimësi të karaktereve, por autori e vë në shërbim të frakturave e rrëfimeve që “notojnë” drejt një rrjedhe të adresuar, të paramenduar.

Zenel Islami me bashkëshorten Drita Gjylbegu dhe fëmijët e tyre Bedriun, Agronin dhe Zanën

Zenel Islami me bashkëshorten Drita Gjylbegu dhe fëmijët e tyre Bedriun, Agronin dhe Zanën

Këto parafabrikate me fakte e ngjarje nuk e cënojnë arkitekturën e lirë të romanit, megjithëse duhet thënë se ndjeshmëria, sinqeriteti dhe abstragimi artistik i autorit, kanë bërë të mundur kapërcimin e këtij hendeku, që shtrihet ndërmjet monografisë e romanit dëshmues. Ky libër, dashje pa dashje, është një pjesë reale nga jeta shqiptare e një periudhe të caktuar të historisë sonë. Në këtë kuptim, kontributi që ai sjell, dëshmitë dhe vërtetësitë përbëjnë vlera të pakontestueshme për Zenelët idealistë, por edhe për trajtimet e tyre jo të denja nga klikat, klanet dhe primitivitetet e kohërave. Dëshmia e vrasjes së Zenelit që mbyll këtë vepër, e sjellë nga autori nëpërmjet rrëfimit të doktorit që i kishte bërë operacionin plastik për t’i mbyllë plagët e gjoksit, është një traumë e hapur në ndërgjegjje për fatalitetin e Zenelëve të djeshëm e të sotëm. Fataliteti i mijëra Zenelëve vazhdon në forma të tjera, me plumba të tjerë, me doktorë e shërbëtorë të tjerë që vazhdojnë t’ia mbajnë peng horizontet e nalta të dritës, duke na ba të vetëskllavërohemi përpara primitiviteteve të jetës vrastare. Ardhmënitë e Zenelave janë të destinuara të rrëzohen së nalti, tue mos mundë me ba objektive asgja nga idealet e dritës së vërtetë, ku shkëlqen i pashuar përparimi njerëzor i kohërave.

*poet

Nga Ton Zmali* August 12, 2014 16:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*