DOSJA E “ZEZE” E VOTIMEVE 2009

Nga Xhovani Shyti March 30, 2013 11:45

DOSJA E “ZEZE” E VOTIMEVE 2009

Në datën 01 gusht 2009, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me shtatë vota pro dhe asnjë kundër, shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Sipas raportit dilte se Partia Socialiste kishte marrë 620 mijë vota, duke rezultuar e para. Partia Demokratike ishte forcë e dytë. Ajo u deklarua se kishte marrë gjithsej 610 mijë vota. Në vend të tretë u rendit Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila doli se kishte marrë 73 mijë vota. Në vend të katërt, Partia Republikane me 31 mijë vota, e më pas vinin socialdemokratët, me 26 mijë vota. Lidhur me koalicionet u deklarua se koalicioni i drejtuar nga PD, me 16 parti, arriti të marrë 712 mijë vota, ndërsa koalicioni i drejtuar nga PS, 688 mijë vota. Koalicioni i LSI kishte marrë 84 mijë vota, ndërsa koalicioni Poli i Lirisë 27 mijë vota. Nëse do të llogariteshin në total, dy koalicionet e djathta kishin së bashku rreth 740 mijë vota, ndërsa koalicionet e majta diku te 770 mijë vota, pra rreth 30 mijë vota më shumë. Por strategjia e majtë kishte rezultuar joefikase në këto zgjedhje. Ashtu siç vitin 2005, kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha arriti të mbledhë rreth vetes shumë parti, që sollën më tepër vota në koalicionin e tij. Si përqindje koalicioni i Partisë Socialiste doli të kish fituar 45.34%, që do të thoshte 66 mandate, ndërkohë që koalicioni i Partisë Demokratike 46.92%, pra 70 mandate. Koalicioni ”Aleanca Socialiste për Integrim” kish fituar 5.56% të votave ose 4 mandate, ndërsa koalicioni i katërt i regjistruar në këto zgjedhje, ”Poli i Lirisë” nuk mundi të sigurojë asnjë mandate deputeti.

 

 

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani deklaroi pas shpalljes së rezultatit zyrtar, se: procesi zgjedhor i 28 qershorit ishte i ndershëm, i barabartë dhe i lirë për të gjithë shqiptarët. Ai ishte zhvilluar me transparencë të plotë në krahasim me gjithë zgjedhjet e bëra në Shqipëri gjatë pluralizmit. Por, Partia Socialiste nuk e vlerësonte të tillë. “KQZ-ja i vuri vulën një procesi totalisht të deformuar, proces që u karakterizua nga standarde të një demokracie të munguar, ku pushteti vendos fituesin, pavarësisht vullnetit dhe votës së qytetarit. I gjithë procesi zgjedhor, i plotësuar dhe me procesin e numërimit e ankimimit, nëpërmjet standartit të dyfishtë në gjykim, mposhtjes përpara presionit politik dhe vënies së ligjit në shërbim të politikës së mbrapshtë, prodhoi një rezultat të dyshimtë dhe larg shprehjes së qartë të vullnetit të votuesit shqiptar. KQZ-ja u shndërrua në një repart sulmi ndaj të drejtës legjitime dhe kushtetuese të barazisë së votës, numërimit e rinumërimit korrekt të saj dhe transparencës së procesit. KQZ-ja çertifikoi një proces që do të konsiderohet sot dhe nesër i manipuluar e që për rrjedhojë paracënon që në fillim legjitimitetin dhe moralin e cilitdo institucioni që do të pasqyrojë këtë rezultat, duke nisur që nga qeveria e nesërme. PS-ja ka denoncuar publikisht, në mënyrë të përsëritur, me fakte dhe argumenta, tashmë të njohura, faktin që ky Komision Qendror i Zgjedhjeve nuk mundi të luante rolin e arbitrit për zgjedhjet e Qershorit, pasi shumica vendimmarrëse e tij shërbeu si një celulë politike në funksion të PD-së. PS-ja nuk do të njohë asnjë rezultat të deformuar zgjedhor, sepse ajo nuk mund të pranojë deformimin e nesërm të të gjitha institucioneve derivuese nga vota e shqiptarëve”, -deklaroi, pak minuta pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, përfaqësuesi ligjor i PS, duke theksuar se, sakaq qenë identifikuar rrugët dhe mjetet politike e ligjore, brenda dhe jashtë vendit, për ta vazhduar këtë betejë. Që nuk ishte thjesht beteja e një partie politike, të cilës korrupsioni politik qeverisës i kishte grabitur votat, por ishte një betejë për të vërtetën, një betejë për Shqipërinë europiane, një betejë për fatet e demokracisë së nesërme në vend”.

 

Me t’u publikuar rezultati, kryetari i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta, shpejtoi të dalë para medias për të deklaruar rreshtimin në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të kryesuar nga kryeministri në detyrë, Sali Berisha. Kjo deklaratë e Metës e shokoi spektrin e majtë të politikës, pjesë e të cilës kryetari i LSI-së Ilir Meta, disa herë kishte deklaruar se ishte. Madje edhe duke bërë thirrje publike se e majta kishte për mision nxjerrjen nga skena politike të Sali Berishës. Ndërkohë shpejtimi i Ilir Metës për t’u rreshtuar në krah të partisë së kryeministrit Berisha mbylli çdo shteg koalicioni qeverisës midis të majtëve dhe nxjerrjen në pension të politikanit të vjetër Sali Berisha. Deklarata bombë e kreut të LSI-së, njëherësh dhe kryesues i Koalicioni “Aleanca Socialiste për Integrim”, u komentua si “tradhti” dhe “thikë pas shpine” jo vetëm nga kryesocialisti Edi Rama, por edhe prej drejtuesve të partive satelite të të majtës. Me koalicionin PD-LSI shumatorja e votave çoi në Parlament 74 deputetë duke i dhënë të drejtën për formim qeverie Partisë Demokratike, e cila, sikurse është shprehur: do të rikonfirmojë në postin e kryeministrit, edhe për një mandat të dytë, Sali Berishën.

 

 

 

Brenda dosjes së përgatitur nga socialistët dhe të etiketuar “e zezë”, ndodhen pesëdhjetë e një faqe, që përmbajnë fakte reale për të kontestuar procesin zgjedhor të 28 qershorit 2009, të konsideruar si nga maxhoranca qeverisëse ashtu edhe nga ndërkombëtarët, një hap para. Ja disa nga raportimet dhe të dhënat që sjell raportimi dhe që socialistët ua vunë para përfaqësive të huaja diplomatike, organizatave dhe institucioneve më të rëndësishme perëndimore, përfshirë edhe OSBE/ODIHR-it:

“Disa informacione të siguruara në rrugë konfidenciale, vetëm për datat 12, 15, 16, dhe 17 qershor, tregojnë për një rritje të ndjeshme të lejeve të dhëna për të dënuarit gjatë periudhës zgjedhore, shumica e të cilave janë në kundërshtim të hapur me ligjin. Përmes këtyre lejeve, të burgosurit janë bërë pjesë e fushatës në favor të qeverisë apo kanë shërbyer për të riaktivizuar lidhjet kriminale në mbështetje të fushatës proqeveritare. Në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në ligj janë dhënë lejet shpërblyese për të dënuarit, madje edhe për ata që vuajnë dënimin në burgje të sigurisë së lartë. Personat e lejuar, që vuajnë dënimin me heqje lirie, janë të dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore e me masa dënimi shumë të larta dhe për rrjedhojë nuk plotësojnë kushtet për të përfituar leje shpërblyese. Këtyre personave u është dhënë leje 5-14 ditore gjatë muajit qershor, ndërkohë që ligji ka përcaktuar se leje të veçanta mund t’iu jepen personave që vuajnë dënimin me heqje lirie vetëm për arsye shumë specifike, siç janë: raste vdekjesh, martesash apo sëmundje të rënda të rrezikshme për jetën e familjarëve të tyre…

Edhe pse ligjërisht fushata elektorale nisi më 28 maj 2009, për qeverinë fushata filloi shumë kohë më parë duke angazhuar fonde, mjete publike dhe duke vënë në funksion të saj edhe gjithë administratën publike. Fushata me spotet televizive të qeverisë nëpër media të ndryshme filloi që në vjeshtën e vitit 2008. Vetëm fatura e paguar nga qeveria për këtë reklamim të vetvetes përllogaritet në disa miliona euro.

Mitingjet e kryeministrit Berisha dhe kryetares së Kuvendit, Topalli, ishin gjithmonë të shoqëruara nga prania e fëmijëve. Mbyllja e shkollave dhe institucioneve të tjera arsimore për të siguruar pjesëmarrjen e studenteve dhe nxënësve në aktivitetet e Partisë Demokratike ishte një dukuri e pranishme në të gjithë fushatën zgjedhore.

Akuzave të Presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit për politizim të sistemit arsimor, ministri i Arsimit, z. Fatos Beja, iu përgjigj se pjesëmarrja e fëmijëve në fushatën zgjedhore ndihmon shëndetin mendor dhe formimin e tyre. Një pjesë e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, të cilët janë drejtues të njësive vendore, refuzuan të japin dorëheqjen, në kundërshtim me kërkesat e Kodit Zgjedhor. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për drejtues të lartë të administratës publike, të cilët operojnë nën petkun e legjislacionit të shërbimit civil. Nga ana tjetër, gjatë gjithë fushatës zgjedhore presioni ndaj administratës publike ishte evident dhe i përqendruar në disa drejtime:

• në mbledhje votash duke deklaruar votën paraprakisht për të gjithë të punësuarit në administratë publike;

• në pjesëmarrje me detyrim në të gjitha aktivitetet publike të Partisë Demokratike;

• në paralajmërime për pushime nga puna për pjesëmarrje në aktivitete politike të opozitës apo votim për opozitën, përfshirë edhe fenomenin e fotografimit të votës me celular…

 

Ministria e Brendshme shkeli haptazi afatin ligjor të parashikuar për dorëzimin e listave të votuesve duke i vonuar të paktën 5 ditë nga afati i fundit ligjor. Ndërkohë që opozitës i është dhënë një kopje elektronike e listës së zgjedhësve vetëm më datë 3 qershor 2009. Nga verifikimet rezultoi se:

Të paktën 2799 persona të moshës nga 110 deri në 150 vjeç figuronin në listën e votuesve. 515 qytetarë që kanë lënë shtetësinë shqiptare me dekret presidencial figuronin në listat e votuesve. 5186 qytetarë figuronin me të dhëna të dubluara në lista dhe në më shumë se një QV.

Deri në datën 08 qershor, nga 383 njësi vendore, në 101 prej tyre ende nuk kishin afishuar listat e zgjedhësve. Nga verifikimi i listave zgjedhore dhe sidomos gjatë ditës së votimit, rezultoi se në listat e shumë qendrave të votimit mungonin shumë zgjedhës, pasi emrat e tyre rezultonin në qendra të tjera votimi…

Por, në pajtim me kërkesat e Kodit Zgjedhor, Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin edhe për vendosjen e komisioneve të qendrave të votimit, vendeve të numërimit të votave, të cilat në një pjesë të rasteve u vendosën në kundërshtim me ligjin. Flagrant mbetet shembulli me VNV në komunën e Bushatit, të zonës zgjedhore Shkodër, për të cilën pati një vendim të Kolegjit Zgjedhor dhe shumica në KQZ nuk e respektoi atë, duke e ricaktuar përsëri VNV-në në objekt privat në kundërshtim me ligjin dhe me urdhërimin përcaktues gjyqësor të Kolegjit Zgjedhor.

Shkelja më serioze që u vu re para zgjedhjeve dhe me një ndikim të jashtëzakonshëm gjatë ditës së zgjedhjeve, ishte pikërisht caktimi i shumë qendrave të votimit në ambiente private të zotëruar nga militantët e PD. Ky fenomen kulmon me KZAZ nr. 56 në Kamzë, ku mbi 10% e numrit të QV u caktuan në ambiente private të zotëruar nga militantë të PD. Nga të gjitha raportimet del se votimi në këto qendra ka qenë një farsë dhe trysnia ndaj zgjedhësve ka bërë që shumë votues të opozitës të mos merrnin pjesë në zgjedhje…

 

Pasqyrimi i fushatës elektorale në media ka qenë në kushte jo të barabarta dhe e dominuar nga qeveria. Një fakt i tillë është vënë në dukje edhe nga raportet e ODIHR se “të gjitha stacionet televizive të monitoruara ia kushtuan PD-së një pjesë të madhe të kohës së caktuar për subjektet politike” dhe “se ministritë dhe agjencitë qeveritare u përdorën për të nxjerrë disa spote televizive informative”, të cilat janë përdorur për fushatë zgjedhore në favor të PD. Përdorimi i parave publike për të blerë kohë televizive dhe transmetuar shumë muaj më parë se të fillonte fushata zgjedhore spote me përmbajtje elektorale ishte një nga shkeljet më serioze, por edhe një praktikë e re për demokracinë e brishtë shqiptare… Në shumë qendra votimi, dhoma e fshehtë është vendosur në mënyrë të atillë që nuk siguronte fshehtësinë e votës. Në shumë qendra u evidentua kontrolli i votës së zgjedhësve në disa mënyra: Nëpërmjet deklarimit të votës anëtarit të komisionit të PD që qëndronte pranë dhomës së fshehtë. Shumë fletë votimi përmbanin emrin ose firmën e votuesit duke e bërë atë të pavlefshme. Plotësimi i fletës së votimit pa hyrë në dhomën e fshehtë ose tregimi i saj pas plotësimit dhe më pas palosja. Bërja e fletëve të pavlefshme nga ana e komisionerëve të PD, në rastet kur votuesit njiheshin si simpatizantë të PS.

 

 

Berisha: Socialistët ta harrojnë hapjen e kutive

 

Në përgjigje të kërkesës së socialistëve, për hapjen e një sërë kutive të votimit dhe rinumërimin e votave që ndodheshin ndër to, kreu i qeverisë, Sali Berisha u deklarua prerë për moshapjen e tyre. “Ta harrojnë hapjen e kutive… Ne nuk mund të dalim mbi vendimin e gjykatave… Do t’i ftoja socialistët të zinin vendet e fituara në parlament pasi vendi ndodhet para portës të Bashkimit Europian dhe për të hyrë në të ka nevojë për votat e tyre”, -ishte përgjigja e prerë e kryeministrit Sali Berisha. Pas kësaj përgjigjeje bojkoti i Parlamentit nisi të përjetohet si realitet vetëm kur asnjëri prej deputetëve socialistë nuk shkeli brenda sallës 140 vendëshe, në ditën e parë të nisjes zyrtare të punimeve të tij. Data shënonte 07 shtator 2009 dhe mosprania e opozitës në gjysmën e karrigeve të mbetura bosh e bënte të trishtueshme atmosferën parlamentare e më gjerë.

 

 

KABLLOGRAM I AMBASADËS AMERIKANE

 

Sipas rrjetit informativ Wikileaks, gjashtëmbëdhjetë ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit 2009, Ambasada amerikane në Tiranë i ka dërguar Departamentit të shtetit një kabllogram rreth situatës së pritshme të zhvillimit të votimeve. Duke ju referuar te shkuarës së hidhur, ambasada shpreh dyshimin se e njëjta situatë është e pritshme edhe në 28 qershor.

“Zgjedhjet e manipuluara parlamentare të vitit 1996 hapin siparin e pikës më të ulët për zgjedhjet shqiptare. Të mbushura me parregullsi, dhunë, kuti të mbushura, intimidim policor ndaj kandidatëve të opozitës, një administrim jo kompetent të proçesit, zgjedhjet ishin shkatërrimtare. E çuan vendin në kolaps dhe luftë civile një vit më pas”, shënohet në kabllogramin e datës 12 qershor, i cili vazhdon të nënvizojë:

“Fakti që përsëri Sali Berisha ndodhet në pushtet, ndërsa Ferdinant Pone drejtues i projektit të Kartave të Identitetit, ka shqetësuar PS-në se e njëjta situatë do të përsëritet përsëri edhe në këto votime”. Raporti i ambasadës amerikane përcillte me detaje të gjitha mekanizmat manipulues të përdorura në Shqipëri gjatë zgjedhjeve, -manipulime të cituara në këtë cikël shkrimesh, – duke sjellë si elementë të ri manipulativ dërgimin e fletëve të votimit të plotësuara me kuti pice dhe hedhjen e tyre, më pas, në kuti, pavarësisht kamerave të vëzhgimit, që në momentin e kryerjes së manipulimit fiken. Po ashtu, kabllogrami i ambasadës së SHBA-së përshkruante edhe shqetësimin e Partisë Socialiste për pajisjen me karta identiteti të militantëve të Partisë Demokratike, karta identiteti të prodhuara me emrat e personave të ndodhur jashtë Shqipërisë. Këto karta identiteti përmbanin foton e militantit, por të dhënat qenë të një personi tjetër.

“E shikon, unë votova PD-në mos më shkarkoni nga puna”. Është një tjetër nëntitull brenda tekstit të këtij kabllogrami ku përshkruhet intimidimi i punonjësve të administratës shtetërore për të marrë pjesë në mitingjet e Partisë Demokratike, duke i detyruar të fotografonin votën. Këtë akt, Ambasada amerikane e quan “një kërcënim serioz për humbjen e vendit të punës”.

Komenti përmbyllës i kabllogramit të hartuar nga ambasadori Xhon Withers II nënvizon se potenciali për manipulim të këtyre zgjedhjeve është real duke marrë në konsideratë zhvillimet e shkuara elektorale dhe dy partitë politike PD-PS.

“Pritshmëria e fitimit të këtyre zgjedhjeve për kryeministrin Berisha mbetet e lartë në veçanti pas zërave të vazhdueshëm se anëtarë të familjes Berisha janë pjesë e skandalit të Gërdecit”, -thuhet në fund të kabllogramit.

 

*Nesër, pjesa e fundit: Zgjedhjet Vendore të 08 majit 2011

 

Nga Xhovani Shyti March 30, 2013 11:45
Komento

1 Koment

  1. info March 31, 10:39

    Kete film do ta shohim perseri,me 23 qershor ne mbremje fillon seria e pare,edicioni 7.Kete film do ta ndiqni per rreth 2-3 muaj.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*