Dosja Europol për grupin ‘Rexhepi’: Përmbysën rregullat e vjetra, ngritën një model të ri të sofistikuar. Lëvizën miliona euro me sistemin ‘fei ch’ien’

September 17, 2020 22:59

Dosja Europol për grupin ‘Rexhepi’: Përmbysën rregullat e vjetra, ngritën një model të ri të sofistikuar. Lëvizën miliona euro me sistemin ‘fei ch’ien’

Një model biznesi i sofistikuar.

Kështu e cilëson EUROPOL rrjetin e trafikut të kokainës së krijuar nga shqiptarët nga Amerika Latine dhe më pas në Europë e deri në Dubai.

“Për vite me radhë, importuesit ndërkombëtarë të kokainës punuan veçmas nga shitësit me shumicë dhe bandat që shpërndanin drogën në rrugë. Në këtë rast, rrjeti shqipfolës nën hetim hodhi poshtë të gjithë modelin dhe kontrolloi të gjithë zinxhirin e dërgesave të mëdha direkt nga Amerika e Jugut deri te shpërndarja në të gjithë Evropën.

Duke përdorur mjete të sofistikuara të koduara të komunikimit, kreu i organizatës – një shqiptar 40-vjeçar me qendër në Ekuador (Dritan Rexhepi) negocioi drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, organizoi dërgesat e mëdha të kokainës në portet kryesore të Evropës dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vendosur në Itali, Holandë dhe Shqipëri, organizuan shpërndarjen në të gjithë Evropën.

Kokaina ishte fshehur në automjete të pajisura me ndarje të sofistikuara” shkruan Europol.

Për të pastruar paratë e aktiviteteve kriminale, grupi përdori një sistem informal dërgesash, me origjinë kineze, i njohur si sistemi fei ch’ien.

Njerëzit që përdorin fei ch’ien depozitojnë një shumë në një ‘agjenci’ të këtij sistemi në një shtet. Një operator tjetër tërheq shumën ekuivalente diku tjetër në botë dhe ia kalon marrësit të synuar.

Në mungesë të provave evidente, rrjeti besohet të ketë pastruar miliona euro përmes këtij sistemi.

 

Dritan Rexhepi gjendet i dënuar në burgun e Ekuadorit. Ai ka edhe një dënim me 25 vjet për vrasje dhënë nga Gjykata e Vlorës

Grupi drejtohej nga Dritan Rexhepi nga burgu në Ekuador

Hetimi nisi në 2015 duke gjurmuar pronarin e “KOMPANIA BELLO” dhe është finalizuar ditën e djeshme me arrestime në 10 shtete të ndryshme.

Janë vënë në pranga 30 persona, 5 prej të cilëve në Shqipëri. Sipas hetuesve grupi drejtohej nga vlonjati Dritan Rexhepi, i cili ndodhet pas hekurave në një burg të Ekuadorit.

Dosja e tyre thotë se organizata merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, të financuara nga grupe të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Europën.

Operacioni dje është shtrirë në Itali, Shqipëri, Belgjikë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Holandë, Rumani, Hungari dhe Ekuador.

Mes të arrestuarve është edhe Eldi Dizdari, përgjegjës në organizatë për Shqipërinë, i cili është vënë në pranga në Dubai dhe do të ekstradohet në Itali.

Hetimet janë drejtuar nga autoritetet italiane konkretisht Skuadra Mobile e Firences dhe Shërbimi Central Operativ i Policisë, në bashkëpunim me organet e policisë të disa shteteve të Bashkimit Evropian, si dhe me Policinë e Shtetit shqiptar.

Njoftimi i plotë i policisë:

Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë, në bashkëpunim me homologët, i koordinuar nga Europol, Eurojust dhe Shërbimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor.

Operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “LOS BLANCOS”, i shtrirë në disa shtete, si Itali, Shqipëri, Belgjikë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Holandë, Rumani, Hungari dhe Ekuador, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të drogave të forta.

Në Shqipëri operacioni është zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Lezhë, Durrës e Shkodër, me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, të Njësisë së Kërkimit “Fast” dhe të Zyrës së Interforcës në Shqipëri.

Si rezultat i operacionit, në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Durrës, janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, 5 të kërkuar, konkretisht:

Në Tiranë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi G. M., 35 vjeç, banues në Tiranë, Gjykata e Firences, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Në Vlorë janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasit E. J., 27 vjeç dhe J. Ll., 31 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Në Durrës është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, shtetasi R. I., 33 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, i caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.

Në Lezhë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi V. L., 40 vjeç, pasi Gjykata e Firences Itali, e ka dënuar me 24 vite burg, për veprën penale “Shkelje e ligjit mbi drogat“.

Gjatë operacionit, Skuadra Mobile e Firences dhe Shërbimi Central Operativ i Policisë, në bashkëpunim me skuadrat e tjera kompetente lëvizëse, organet e policisë të shteteve të Bashkimit Evropian në fjalë dhe Policinë e Shtetit shqiptar, kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 30 shtetas, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Nga hetimet ka rezultuar se një shtetas shqiptar drejtonte një kompani të quajtur “KOMPANIA BELLO”, që merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, të financuara nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Evropën.

Hetimet kanë nisur në vitin 2015 dhe gjatë kësaj periudhe janë mbi pesë milionë e gjysmë euro dhe pothuajse 4 tonë kokainë që janë kapur dhe sekuestruar nga Policia.

 

e.sh. / dita

 

 

September 17, 2020 22:59
Komento

3 Komente

  1. Gzim Kulufi September 18, 09:41

    Ne kohen e sotme, ku edhe pordha -me falni per shprehjen- te degjohet dhe regjistrohet me aparaturat e sofistikuara te degjimit, keto grupe e zhvillojne aktivitetin e tyre permes politikes dhe politikanve te vendeve te ndryshme; pra eshte politika ajo qe i stimulon, me justifikimin e mbajtjes se lidhjeve mes shteteve dhe pasjen e provave diskretituese per politikanet e shtetit tjeter. Kur e shohin qe jane mbledhur shume para, apo kjo gje bie ere shume, ia nisin krehjes! Jane metoda te vjetra te perdorura qysh nga koha e Romes e deri me sot!

    Reply to this comment
  2. Iliria e bashkuar September 18, 10:32

    Keta jane koka qe mesohen ne shkollat e policise.

    Reply to this comment
  3. Raimond vlonjati September 19, 05:36

    Inteligjent Dritani, se eshte nga Lumi i Vlores

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim