Dosja që kërkohet për transferimin e studimeve në Ekonomik

September 8, 2018 12:04

Dosja që kërkohet për transferimin e studimeve në Ekonomik

Përzgjedhja e studentëve që do mund të transferojnë studimet nga një fakultet privat, apo publik, drejt Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës do bëhet nëpërmjet konkurimit me anë të dosjes. Gara për kuotat e miratuara për pranimet e vitit të ri akademik 2018-2019 për transferimet tashmë ka nisur.

Burimet zyrtare të këtij fakulteti bëjnë me dije se kandidatët e interesuar për këto kuota, duhet të paraqiten pranë departamenteve përkatëse dhe të paraqesin kërkesat e aplikimeve së bashku me dokumentet e tjera sipas afateve të përcaktuara edhe në udhëzimin zyrtar të MASR.

Konkretisht pranimi i kërkesave do të vijojë deri në datën 14 shtator. Në vijim të shkrimit gjendet e detajuar edhe dosja që duhet të dorëzoni brenda kësaj date. Gara për këto kuota studimesh pritet të jetë e fortë, kjo për shkak të fluksit të lartë të kërkesave që paraqiten nga studentët e interesuar, si dhe numrit të kufizuar të kuotave të pranimeve.

Prioritet në përzgjedhje do të kenë studentët që kanë mbaruar degë të ngjashme në fakultetet publike, dhe më pas nëse do të ketë kuota të parealizuara do të përzgjidhen fitues edhe kandidatët që ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë jopublik.

Kushti për mesataren  

Sikundër ndodh edhe me pranimet e ciklit të parë, edhe për këto kuota, studentët duhet të përmbushin kriterin e mesatares së miratuar nga qeveria që në fazën e aplikimeve. Çka do të thotë se për këto kuota mund të aplikojnë vetëm kandidatët që kanë mesatare nga nota 6 e lart.

Kjo e fundit do të faktohet nëpërmjet dorëzimit të fotokopjes të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme. Në mungesë të diplomës së Maturës Shtetërore apo Dëftesës së Pjekurisë së shkollës së mesme duhet të paraqisni dublikatë të dëftesës së pjekurisë të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme të lëshuar nga Arkivi i Shtetit.

Ndërsa kandidatët që do të aplikojnë për transferimin e studimeve në programet 2-vjeçare të karakterit profesional nuk janë të detyruar që të përmbushin kriterin e notës mesatare të kërkuar nga qeveria.

Kriteret për transferim të studimeve

Sipas kushteve të përcaktuara, aplikimi për transferim studimesh mund të bëhet nga një program studimi i njëjtë, ose i ngjashëm i të njëjtit cikël dhe lloj, të ndjekur nga kandidati aplikues në institucionet publike dhe ato private që janë të licencuara dhe të akredituara për programin përkatës. Nuk mund të kryhen transferime studimesh nga programet e studimeve 2-vjeçare me karakter profesional në programet e ciklit të parë “bachelor” dhe programet e integruara të ciklit të dytë “Master i shkencave”.

Çka do të thotë se transferimi i studimeve mund të bëhet vetëm brenda të njëjtit cikël studimesh. Gjithashtu bëhet e ditur se nuk kanë të drejtë që të aplikojnë për këto kuota studimi, kandidatët e universiteteve private të cilat janë mbyllur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë përgjatë vitit 2014, për shkak të problemeve të hasura në statusin e licencimit dhe akreditimit të tyre.

Përjashtim në këtë rast përbëjnë vetëm studentët e ish shkollës së lartë “Justicia”, të cilëve u lejohet që të hyjnë në garë vetëm për kuotat e miratuara të vitit akademik 2018-2019. Në mbyllje të aplikimeve, komisionet e ekspertëve do të vlerësojnë të gjitha dosjet e paraqitura, dhe në bazë të kritereve të përcaktuara do të shpallin edhe listën e kandidatëve që mund të vijojnë me procedurat e regjistrimit për transferimin e studimeve në degët e Fakultetit Ekonomik.

Në dosjen e aplikimit duhet të përfshini:

  • Kërkesën  për programin e studimit, në të cilin do transferohen studimet.
  • Planin e  plotë të programit të studimeve, përfshirë dhe syllabuset përkatëse.
  • Vërtetimin e listës së notave dhe krediteve të fituara në çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur.
  • Studentët që i transferojnë studimet nga një institucion i huaj i arsimit të lartë, planin e plotë të programit të studimit përfshirë dhe syllabuset përkatëse dhe listën e notave, duhet t’i dorëzojnë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të njësuar me origjinalin.
  • 4. Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Republikën e Shqipërisë para vitit 2011, të dorëzojë fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme. Në mungesë të diplomës së Maturës Shtetërore apo dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme të lëshuar nga Arkivi i Shtetit.
  • Fotokopje të dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë).
  • Dy fotografi personale.
  • Kopje të mandatit të pagesës së aplikimit.

Pranvera Kola/DITA

September 8, 2018 12:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*