DOSSIER / Ngjarjet më Vjetore të një Viti Anual

December 25, 2019 17:25

DOSSIER / Ngjarjet më Vjetore të një Viti Anual

Ashtu si çdo vit, llotaria e hedhur nga parlamenti shqiptar i ra një fatlumi i cili do të ketë në dorë gjithë buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm.

Burri – për të cilin populli do të thoshte se ka lindur me këmishë, por në fakt ka lindur me benevrekë, apo brekushe – mban inicialet E.R. dhe ka TV-në e vet, ku shfaq botën e vet të brendshme, fantazinë dhe projektet e tij futuriste për Shqipërinë.

I vetmi keqkuptim me teleshikuesit është se E.R. në TV beson se ajo që ai rrëfen është Shqipëria reale dhe jo ajo që ka ai në mendje.

Ndërkaq, një dridhje e fuqishme e tokës shqiptare – balta e së cilës megjithëse e kanë provuar me qindra mijëra vetë, nuk ka rezultuar as e përafërt, e lëre pastaj më e ëmbël se mjalta – duket sikur është harruar.

Më saktë, ajo dridhje dhe pasojat e saj janë gjithnjë të pranishme, madje edhe në TV-në e E.R.-së, por këtë herë në trajtë më teknike planimetrish, alokime fondesh, menaxhime ndihmash, projektesh ndërtimore dhe konferencash donatore.

Por detajet e mërzitshme si këto më lart, janë mbytur nga zhurma e furishme rreth një ahengu që zhvillohet përvit në këtë kohë, në një sallë të mbyllur me drita të fuqishme.

Ahengxhinjtë u përfshinë në një sherr që i bëri shqiptarët të pohojnë me nostalgji se tërmeti ishte lule para kësaj hataje.

Faktikisht, pati një padrejtësi të madhe, se bash-sazexhinjtë i kishin premtuar sorkadhes që zuri vendin e dytë, se do t’i jepnin çmimin e parë këtu e tre muaj më herët, për çka edhe vendimi përkatës ishte botuar në fletoren zyrtare, dovletli defter.

Ajo e shkreta kishte kaq muaj që priste të surprizohej dhe të mbetej e shastisur kur të dëgjonte emrin si fituese.

Dhe sorkadhja vërtet u shastis, por kjo sepse dëgjoi emrin e një drenusheje.

Kaq u desh që shoqëria shqiptare të ndahej shpejt e shpejt në tifozë të secilës krijesë fisnike.

Në debat u përmendën edhe personazhe historike të muzikës dhe kulturës shqiptare, si të mirënjohurit Darko Kadaifov, Trifon Ballokumevski apo Nadjezhda Trahanoviç.

Dhe vijmë tek një tjetër ngjarje kyçe, pikërisht tek shkaku që E.R. dhe TV-ja e tij janë mbyllur në vetvete, dhe me këtë rast donin të mbyllnin në vetveten e tyre edhe gjithë mediat e tjera: Avropi i dha përgjigje negative Shqipërisë për kërkesën e kësaj të fundit, “ej, o çuna, a t’vij dhe un me juve?”

Kjo ndodhi në tetor, por rrënjët përgjigja negative i kishte në qershor.

Në qershor, Shtatlartësia e tij bëri një palë zgjedhje ku ishte vetë zot, vetë shkop. Siç i tha një mik italian, “Lo stesso dio, lo stesso bastone”.

Të gjithë kandidatët për kryetarë bashkie i vuri me dorë të vet;  nuk kishte asnjë konkurrent tjetër;  nuk iu desh të shpenzonte as për fushatë, as për komisionerë, as për fletëpalosje, madje dhe flamujt i kishte nga zgjedhjet parlamentare të 2013-ës;  disa miq të jashtëm i thanë: Vazhdo se të mbështesim ne.

Dhe prapë… humbi në nja dy-tre bashki.

Ky fenomen i ka vënë në mendime europianët. Kanë që nga qershori, e mbase do t’i zërë qershori tjetër duke bërë kërkime sesi mund të zësh vendin e dytë kur garon vetëm ti, tek-pullë.

Gjasat janë që nuk kanë për ta gjetur kurrë, se janë injorantë. Por dhe ky i yni e ka kokën shkëmb. Nuk ua thotë sekretin.

Gjithsesi, nga një tërmet në tjetrin, nga një PPP në tjetrën, ky vit iku.

Së fundmi, të gjithë politikanët uruan shqiptarët për Krishtlindje dhe Vit të Ri, duke u bërë apel fukarenjve të ndihmojnë fukarenjtë e tjerë, të mos tregohen dorështrënguar dhe meskinë. Ta zgjidhin qesen sepse lehtësojnë shpirtin.

Ta zgjidhin me të mirë, se ka edhe ndryshe….

 

*****

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike. Ose më saktë, përshkruese e thatë e një realiteti satirik…

December 25, 2019 17:25
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim