DOSSIER / Si u kthye në pandemi gripi i tmerrshëm i vitit 1918

February 29, 2020 20:39

DOSSIER / Si u kthye në pandemi gripi i tmerrshëm i vitit 1918

Konteja Haskell, në Kansas, shtrihet në cepin jugperëndimor të shtetit, afër Oklahomas dhe Kolorados. Në vitin 1918, shtëpitë e rrethuara nga lëndina me bar ishin ende të zakonshme. Ishte një vend bagëtish – një fermë e falimentuar që dikur kishte 30 000 kokë – por fermerët e Haskellit rrisnin derra, që është një shkak i mundshëm për krizën që do të terrorizonte botën atë vit.

Një tjetër shkak mund të ketë qenë fakti se konteja shtrihet në një zonë ku kanë rrugën 17 lloje shpendësh migratore, përfshirë lejlekët dhe rosat e egra. Shkencëtarët sot e kuptojnë se viruset e gripit të shpendëve, si viruset e gripit njerëzor, gjithashtu mund të infektojnë derrat, dhe kur një virus zogjsh dhe një virus njerëzor infektojnë të njëjtën qelizë derri, gjenet e tyre të ndryshme mund të shndërrohen dhe shkëmbehen si kartat e lojës, duke rezultuar në një virus të ri, me shumë gjasa vdekjeprurës.

Nuk mund të thuhet me siguri se pikërisht kjo ishte ajo që ndodhi në vitin 1918 në Qarkun Haskell, por ne e dimë se një epidemi gripi shpërtheu në janar, saqë, megjithëse gripi nuk ishte atëherë një sëmundje e “raportueshme”, një mjek i zonës i quajtur Loring Miner— një njeri me peshë dhe faktor në politikën lokale, pati telashe kur njoftoi Shërbimin e Shëndetit Publik të ShBA-ve.

Raporti i asaj kohe nuk ekziston më, por ai mbetet njoftimi i parë i regjistruar për aktivitetin e pazakontë të gripit atë vit. Gazeta lokale, Santa Fe Monitor, konfirmon se diçka e çuditshme po ndodhi në atë kohë: “Znj. Eva Van Alstine është e sëmurë me pneumoni … Ralph Lindeman është ende mjaft e sëmurë … Homer Moody është raportuar mjaft i sëmurë … Tre fëmijët e Pete Hesser kanë pneumoni … Znj. J.S. Cox është shumë i dobët akoma … Ralph Mc-Connell ka qenë mjaft i sëmurë këtë javë … Mertin, djali i vogël i Ernest Elliot, është i sëmurë nga pneumonia, … Shumica e të gjithë vendit janë me pneumoni. ”

Disa burra haskellianë, të cilët ishin ekspozuar ndaj gripit shkuan në Camp Funston, në Kansasin qendror. Disa ditë më vonë, më 4 mars, një ushtar u raportua i pari i sëmurë me grip. Baza e madhe e ushtrisë po trajnonte burra për luftime në Luftën e Parë Botërore, dhe brenda dy javësh 1 100 ushtarë u shtruan në spital, me mijëra të tjerë ishin të sëmurë në kazermë. Tridhjetë e tetë vdiqën.

Pastaj, ushtarët e infektuar me shumë gjasa e çuan gripin nga Funston në kampe të tjera të Ushtrisë në Shtete — 24 nga 36 kampe të mëdha kishin grip – dhjetëra mijëra u prekën, përpara se ta bartnin sëmundjen jashtë shtetit. Ndërkohë, sëmundja u përhap edhe në komunitetet civile në SHBA.

Virusi i gripit pëson mutacione me shpejtësi, duke ndryshuar në mënyrë të tillë që ia bën sistemit imunitar të njeriut të vështirë ta njohë dhe ta sulmojë atë nga një sezon në tjetrin. Një pandemi ndodh kur një virus plotësisht i ri, të cilin sistemi imunitar nuk e ka parë më parë, hyn në popullatë dhe përhapet në të gjithë botën. Viruset e zakonshëm të gripit sezonal normalisht lidhen vetëm me qelizat në traktin e sipërm respirator – hundën dhe fytin – kjo është arsyeja pse ato transmetohen lehtësisht.

Virusi pandemik i vitit 1918 infektoi qelizat në traktin e sipërm respirator, duke u transmetuar me lehtësi, por edhe thellë në mushkëri, duke dëmtuar indet dhe shpesh duke çuar në pneumoni virale, si dhe bakteriale.

Edhe pse disa studiues argumentojnë se pandemia e vitit 1918 filloi diku tjetër, në Francë në 1916 ose Kinë dhe Vietnam në 1917, shumë studime të tjera tregojnë një origjinë amerikane. Imunologu australian dhe laureati i Nobel-it, Macfarlane Burnet, i cili e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij duke studiuar gripin, arriti në përfundimin se provat ishin “fuqimisht bindëse” që sëmundja filloi në Shtetet e Bashkuara dhe u përhap në Francë me “ardhjen e trupave amerikane”.

Camp Funston ishte konsideruar prej kohësh si vendi ku filloi pandemia derisa kërkimi im historik, i botuar në 2004, tregoi për një shpërthim të hershëm në Qarkun Haskell.

Kudo që filloi, pandemia zgjati vetëm 15 muaj, por ishte shpërthimi i sëmundjes më vdekjeprurëse në historinë njerëzore, duke vrarë midis 50 milionë dhe 100 milionë njerëz në të gjithë botën, sipas analizave hipotetike.

Një numër i saktë global nuk ka gjasa të përcaktohet ndonjëherë, duke pasur parasysh mungesën e rekordeve të përshtatshme në pjesën më të madhe të botës në atë kohë. Por është e qartë se pandemia ka vrarë më shumë njerëz në një vit sesa AIDS ka vrarë në 40 vjet, më shumë sesa murtaja bubonike ka vrarë në një shekull.

Ndikimi i pandemisë në Shtetet e Bashkuara ishte i madh: Rreth 670 000 amerikanë vdiqën.

Më 1918, mjekësia nuk ishte ende moderne. Me përparimet e ilaçeve që nga ajo kohë, personat e shtruar janë bërë mjaft të vetëkënaqur për gripin. Sot ne shqetësohemi për Ebola, virusin Zika, MERS ose patogjenë të tjerë ekzotikë, jo për një sëmundje që shpesh ngatërrohet me ftohjen e zakonshme. Ky është një gabim.

Ne jemi në mënyrë të diskutueshme po aq të prekshëm – ose më të prekshëm  – nga një pandemi tjetër seç ishim në vitin 1918. Sot ekspertët më të mirë të shëndetit publik rendisin në mënyrë rutinore gripin si potencialisht kërcënimin më të rrezikshëm shëndetësor  me të cilin mund të përballemi.

Në fillim të këtij viti, pas largimit nga posti i tij si kryetar i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Tom Frieden u pyet se çfarë e frikësonte më së shumti. “Shqetësimi më i madh është gjithmonë për një pandemi gripi … Ai do të ishte në të vërtetë skenari më i keq.” Kështu që ngjarjet tragjike të 100 viteve më parë kanë një urgjencë befasuese – veçanërisht pasi mësimet e nxjerra nuk janë absorbuar ende.

Fillimisht, pandemia e vitit 1918 ngriti disa alarme, kryesisht sepse në shumicën e vendeve rrallëherë vdiq njeri, pavarësisht numrit të madh të njerëzve të infektuar. Mjekët në Britaninë e Madhe, për shembull, kuruan 10 313 marinarë, por vetëm 4 vdiqën. Virusi preku të dy ushtritë ndërluftuese në Francë në prill, por u pa thjesht si një “ethe tre-ditore”. Vëmendja ndaj tij ndryshoi kur përshkoi Spanjën dhe e preku mbretin; shtypi në Spanjë, i cili nuk ishte në luftë, shkruante gjerësisht për sëmundjen, ndryshe nga shtypi i censuruar në vendet në luftë, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Prandaj u bë i njohur si “gripi Spanjoll”.

Deri në qershor, gripi arriti nga Algjeria në Zelandën e Re. Sidoqoftë, një studim i vitit 1927 konkludoi se, “Në shumë pjesë të botës, vala e parë ose ishte aq e zbehtë sa zor se perceptohej ose mungonte krejt … dhe ishte kudo me një formë të butë.” Disa ekspertë argumentuan se ishte shumë e butë për të qenë grip.

Megjithatë kishte paralajmërime ogurzeza. Megjithëse pak vdiqën në pranverë, ata shpesh ishin të rritur të shëndetshëm – njerëz të cilët gripi rrallë ndodh t’u marrë jetën. Herë pas here, shpërthimet lokale nuk ishin aq të buta. Në një batalion të ushtrisë franceze prej 1 018 ushtarësh, 688 u shtruan në spital dhe 49 vdiqën. Dhe disa vdekje në valën e parë u anashkaluan, sepse u diagnostikuan gabimisht, shpesh si meningjit.

Një patolog në Çikago i ekzaminoi indet e mushkërive të mbushura me lëng dhe “plot hemoragji” dhe pyeti një ekspert tjetër nëse kishin të bënin me “një sëmundje të re”.

Deri në korrik nuk dukej se kishte rëndësi. Siç u raportua nga një buletin mjekësor i Ushtrisë së ShBA-ve nga Franca, “epidemia ka përfunduar … dhe ka qenë kryesisht një tip beninj.” Një revistë mjekësore britanike deklaroi qartë se gripi “është zhdukur plotësisht”.

Në fakt, ishte më shumë si një cunami, që fillimisht e tërheq ujin nga bregut – për t’u kthyer më pas më dallgën goditëse. Në gusht, virusi u shfaq në Zvicër në një formë aq të egër sa që një oficer i inteligjencës së Marinës amerikane, në një raport “Sekret dhe konfidencial”, paralajmëroi “se sëmundja tani është epidemi në të gjithë Zvicrën, është ajo që njihet zakonisht si murtaja e zezë, megjithëse ajo është përcaktuar si gripi i Spanjës. ”

Kishte nisur një valë e dytë.

Në Kamp Devens, një bazë ushtarake 35 milje nga Bostoni, pati një shpërthim të madh. Vetëm në një ditë u raportuan 1534 raste të reja me grip. Spitali nuk kishte kapacitete për t’u shërbyer dhe shumë vdiqën në barraka. Raportimet e kohës flasin për “pacientë që paraqiten me simptoma të thjeshta gripi dhe në pak kohë përfundojnë me pneumoninë më të rëndë që është parë ndonjëherë”. Kishte mesatarisht 100 të vdekur në ditë, aq sa mungesa e arkivoleve bënte që trupat të dergjeshin njëri mbi tjetrin për ditë të tëra.

Mushkëria e dëmtuar e një ushtari amerikan të vrarë nga gripi në 1918 (Muzeu Kombëtar i Shëndetit dhe Mjekësisë).

Zona e Bostonit ishte e para në Amerikë që u prek nga vala e dytë e pandemisë. Në pak kohë, gripi ishte kudo, që nga Alaska e akullte deri në Afrikën përvëluese. Dhe këtë radhë, gripi ishte vdekjeprurës.

Ai u kthye në makthin më të madh të qeverive, të vëna në provë edhe nga lufta. P.sh. në SHBA, gripi u mori jetën gjysmës së mjekëve nën 45 vjeç dhe kryesisht më të aftëve.

Por ajo që rezultoi më vdekjeprurëse ishte politika qeveritare në raport me të vërtetën. Kur SHBA hynë në luftë, Udrou Uillson krijoi Komitetin e Informimit Publik, i frymëzuar nga një këshilltar që thoshte se “e vërteta dhe gënjeshtra janë terma arbitrarë. Forca e një ideje qëndron në vlerat e saj frymëzuese. Pak rëndëi ka nëse është e vërtetë apo gënjeshtër”.

Me nxitjen e Uillsonit, Kongresi miratoi një ligj që dënonte me 20 vjet burg këdo që përhapte lajme që cenonin qeverinë e SHBA-ve apo histori pesimizmi që mund të ndikonin në përpjekjet për luftën.

Përkundër kësaj atmosfere, ndërsa gripi kërcënonte jetën e njerëzve, punonjësit e shëndetit publik, për të mbajtur moralin lart, nisën të gënjenin.

Çdo ditë numri i viktimave rritej, por gazetat e siguronin publikun se gripi nuk përbënte kërcënim.

Në shtator, gripi ishte përhapur në të gjithë vendin. Mjekët nisën të ngrenë zërin, por ajo që raportonin nuk botohej në gazeta.në rastin më të rëndë, epidemia në Filadelfia u mori jetën 759 njerëzve vetëm brenda një dite. Priftërinjtë me karroca të tërhequra nga kuaj shkonin shtëpi më shtëpi për të mbledhur viktimat. Në pak më shumë se 6 javë, kishin vdekur 12 mijë njerëz vetëm në Filadelfia.

Njerëzit filluan ta kuptonin se nuk bëhej fjalë për diçka të zakonshme. Të prekurit vdisnin vetëm disa orë pasi u shfaqeshin simptomat e para, që përfshinin kollë me gjak, hemorragji nga hundët, veshët, madje edhe nga sytë. Qytetet nuk po përballonin dot më kërkesën për arkivole.

Populli nisi t’i frikësohej të panjohurës: Çfarë vinte pas kësaj? Ndërsa e vërteta mbahej sekret, morali ra. Shoqëria nisi të shpërbëhej.

Në shumë raste katastrofash është vënë re solidaritet, p.sh. rastet e uraganeve. Por në vitin 1918, pa lidership, në mungesë të së vërtetës, besimi humbi. Dhe njerëzit interesoheshin vetëm për veten e tyre.

Një raport i brendshëm i Kryqit të Kuq Amerikan fliste për “një frikë dhe panik nga gripi, i ngjashëm me terrorin e Mesjetës në lidhje me murtajën e zezë, e përhapur në shumë pjesë të vendit.”

Punonjës të Kryqit të Kuq me një trup viktime në 1918; emrat e pacientëve në një regjistër të spitalit të Ushtrisë.

Frika zbrazi vendet e punës dhe rrjedhimisht edhe qytetet. Punëtorët e ndërtimit të anijeve në të gjithë verilindjen u thanë që ata ishin po aq të rëndësishëm për luftën sa ushtarët në front.

Në Filadelfia erdhi në moment kur makinat në rrugë mund t’i numëroje me gishtat e njërës dorë. Kjo po ndodhte edhe në anën tjetër të globit, në Zelandën e Re.

Victor Vaughan, dekani i Shkollës Mjekësore të Universitetit të Miçiganit, nuk ishte njeri I hiperbolave. Por për të kuptuar përmasat e tragjedisë duhen kujtuar fjalët e tij: “Nëse epidemia do të vazhdojë me të njëjtin ritëm progresiv, mund të thuhet lehtësisht se civilizimi zhduket nga faqja e dheut brenda disa javësh. ”

Pastaj, në të njëjtën mënyrë të papritur që erdhi, gripi u zhduk. Virusi kishte “djegur karburantin” ndërsa udhëtoi në një komunitet të caktuar. Një ndjesi ankthi mbeti pas, e shoqëruar e euforinë e përfundimit të luftës, trafiku u kthye në rrugë, shkollat dhe bizneset u rihapën, shoqëria u kthye në normalitet.

Më 3 prill 1919, gjatë Konferencës së Paqes në Versajë, Udrou Uillson u rrëzua. Dobësia e tij e papritur dhe konfuzioni përgjatë kësaj konference – për të cilën u komentua gjerësisht – mund të ketë kontribuar në braktisjen e parimeve nga ana e tij. Rezultati ishte traktati katastrofik i paqes, i cili më vonë do të kontribuonte në fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Disa historianë ia kanë atribuar konfuzionin e Uillsonit një krize të vogël. Në fakt, ai kishte temperaturë të lartë, kollë të fortë, diarre dhe simptoma të tjera serioze. Një goditje në tru nuk shpjegon asnjë nga këto simptoma. Gripi, i cili atëherë ishte i përhapur në Paris dhe vrau një ndihmës të Uillsonit, i shpjegon të gjitha, përfshirë konfuzionin e tij. Ekspertët do të pajtoheshin më vonë se shumë pacientë të prekur nga gripi pandemik kishin simptoma konjitive ose psikologjike. Si përfundim, një studim i vitit 1927, konkludoi se “nuk ka dyshim se efektet neuropsikiatrike të gripit janë të thella”.

Pas asaj vale të tretë, virusi i vitit 1918 nuk u largua, por humbi vdekshmërinë e tij të jashtëzakonshme, pjesërisht sepse shumë sisteme imune të njeriut tani e kishin njohur atë dhe virusi në mënyrë të pjesshme e humbi aftësinë për të dëmtuar lehtësisht mushkëritë. Duke mos qenë më një virus I etur për të marrë jetë, ai u shndërrua në një grip sezonal.

Shkencëtarët dhe ekspertët e tjerë ende bëjnë pyetje në lidhje me virusin dhe shkatërrimin që ai shkaktoi, përfshirë arsyen pse vala e dytë ishte më vdekjeprurëse se e para. Studiuesit nuk janë të sigurt, dhe disa argumentojnë se vala e parë u shkaktua nga një virus i zakonshëm i gripit sezonal që ishte i ndryshëm nga virusi pandemik; por provat më të shumta të bëjnë të mendosh se virusi pandemik pati një formë të butë dhe virulente, duke shkaktuar shpërthime të buta dhe të rënda, dhe më pas, për arsye që mbeten të paqarta, forma e virusit u bë më e zakonshme në vjeshtë.

Një pyetje tjetër që ngrihet është ajo që lidhet me ata që vdiqën. Edhe pse numri i vdekjeve ishte historik, shumica e njerëzve që ishin infektuar nga virusi pandemik mbijetuan; në botën e zhvilluar, vdekshmëria e përgjithshme ishte rreth 2 përqind. Në botën më pak të zhvilluar, vdekshmëria ishte më e keqe. Në Meksikë, vlerësimet e të vdekurve variojnë nga 2.3 në 4 për qind të tërë popullsisë. Pjesa më e madhe e Rusisë dhe Iranit humbën 7 për qind të popullsisë. Në Ishujt Fixhi, 14 përqind e popullsisë vdiqën — në 16 ditë. Një e treta e popullsisë së Labrador vdiq. Në fshatrat e vegjël vendas në Alaska dhe Gambia, të gjithë vdiqën, me siguri sepse të gjithë u sëmurën njëkohësisht dhe askush nuk mund të kujdesj për tjetrin, as nuk mund t’u jepte një gotë ujë, dhe ndoshta sepse, me aq shumë vdekje rreth tyre, ata që mund të kishin mbijetuar nuk u përpoqën ta bënin këtë.

Mosha e viktimave ishte gjithashtu e habitshme. Normalisht, të moshuarit përbëjnë numrin dërrmues të vdekjeve nga gripi; në 1918, kjo u përmbys, të rriturit në moshë të re ishin më të shumtët në numrin e viktimave. Ky efekt u forcua brenda nëngrupeve të caktuara. Për shembull, një studim i Kompanisë së Sigurimeve të Jetës Metropolitane për njerëz të moshës 25 deri 45 vjeç zbuloi se 3.26 për qind e të gjithë punëtorëve industrialë dhe 6 për qind e të gjithë minatorëve të qymyrit vdiqën. Studime të tjera zbuluan se për gratë shtatzëna, niveli i vdekshmërisë shkonte nga 23 për qind në 71 për qind.

Pse vdiqën kaq shumë të rinj? Siç ndodh, të rinjtë e kanë sistemin imunitar më të fortë. Ai  e sulmon virusin me çdo armë të mundshme, përfshirë kimikatet e quajtura citokina dhe toksinat e tjera për luftimin e mikrobeve – dhe fusha e betejës ishte mushkëria. Këto “stuhi të citokinës” dëmtuan më tej indin e vetë pacientit. Siç thotë një nga ekspertët më të njohur të gripit, Edvin Kilbourne, mushkëritë e këtyre njerëzve kishin lezione të ngjshme me ato që shkakton një gaz helmues.

Burimi: Smithsonian Magazine

Përgatiti: Gazmira Sokoli/ TvT

February 29, 2020 20:39
Komento

1 Koment

  1. I. Storiani March 2, 04:41

    Po ne Shqiperi ka patur pasoja ky grip?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim