Drafti i EURALIUS/OPDAT: Krerët e institucioneve të drejtësisë zgjidhen me 3/5

May 5, 2016 12:45

Drafti i EURALIUS/OPDAT: Krerët e institucioneve të drejtësisë zgjidhen me 3/5

Drafti i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, i propozuar si variant nga ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS, lë të pandryshuar skemën e institucioneve, e cila u kundërshtua nga Partia Demokratike.

Drafti ka pësuar disa ndryshime, të cilat kanë ardhur si rekomandim i Komisionit të Venecias. Ndryshime pëson skema e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese.

Ekspertët ndërkombëtarë kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të përbëhet nga 9 anëtarë që propozohen 3 nga Presidenti, 3 nga  Kuvendi  të cilët  zgjidhen në Parlament me shumicë të cilësuar prej 84 votash, nga shumica e thjeshtë që ishte parashikuar në draftin paraprak,  3 anëtarët e tjerë zgjidhen në mënyrë të pavarur nga propozimet e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative.

Neni 15/2: “Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Kur në votimin e parë Kuvendi nuk siguron shumicën e kërkuar prej tre të pestave, brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës së kandidatëve, kandidati i renditur më lart konsiderohet i emëruar”.

Gjithashtu drafti i ekspertëve ndërkombëtarë, ndryshe nga sa parashikon sot ligji i dekriminalizimit por dhe Kushtetuta, heq mundësinë që një zyrtar i dënuar më parë për disa vepra penale, të përjashtohet përjetësisht nga jeta politike.

Neni 3: “Ndalohet për një kohëzgjatje të caktuar zgjedhja, emërimi apo ushtrimi i një funksioni publik në një nga organet e parashikuara në këtë Kushtetutë, ose të krijuara me ligj, pavarësisht përcaktimeve të bëra në dispozitat e tjera të kësaj Kushtetute, nëse verifikohen rrethana që cënojnë integritetin e funksionarit publik”.

Në draft përcaktohen dhe objekti i hetimit të njësisë se posaçme kundër veprave penale të krimit te organizuar dhe korrupsionit si dhe akuzave penale të funksionarëve të lartë publike, e njohur si Byroja Kombëtare e Hetimit.

Neni 25: “Funksionarë të lartë përfshijnë Presidentin në detyrë dhe ish-Presidentët e Republikës, Kryetarin në detyrë dhe ish-Kryetarët e Kuvendit, Kryeministrin në detyrë dhe ish-Kryeministrat, anëtarët e Këshillit të Ministrave në detyrë, anëtarët e Këshillit të Ministrave gjatë tre viteve të fundit, Prokurorin e Përgjithshëm, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Kryetarët e Bashkive dhe Deputetët e Kuvendit, zëvendës/Ministrat, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative, dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore qëndrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj”.

Ekspertët ndërkombëatrë kanë propozuar ndryshimin e përbërjes së Këshillit për Emërimet në Drejtësi, kërkese kjo e Partisë Demokratike.

Neni 55: “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga nëntëanëtarë të përzgjedhur me short, nga rradhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore”.

Gjithashtu ekspertët e ODPAT dhe EURALIUS ruajnë Tribunalin Disiplinor si institucion, por me kërkesë të opozitës ndryshojnë përbërjen.

Ekspertët ndërkombëtarë kanë reduaktuar proçesin e Vetingut për anëtarët e sistemit të drejtësisë, nga 11 vjet që ishte parashikuar, bëhet vetëm 5 vjet.

Në draftin e paraqitur, parashikohet edhe mënyra sesi zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm, i cili sipas propozimeve bëhet me 3/5 e votave në Kuvend.

Deri në miratimin nga Kuvendi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë  përzgjedh 3 kandidatura që shkojnë për t’u emëruar.

Prokurori i Përgjithshëm, emërohet për një periudhë 7 vjeçare pa të drejtë riemërimi.

May 5, 2016 12:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*