Drafti i ligjit për procedurat e reja tatimore

September 4, 2015 17:01

Drafti i ligjit për procedurat e reja tatimore

Ligjërohet dhe thirrja e kryeministrit për të mos paguar pa kupon: “Çdo blerësi i lind e drejta të mos paguajë për vlerën e mallit ose shërbimit të marrë, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor në përputhje me këtë ligj”.

Këshilli i Ministrave ka vendosur propozimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin në 9920, datë 19.5.2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Drafti parashikon ndryshime të shumta dhe ashpërsim të ndjeshëm si të gjobave për mospërdorim të kuponave tatimorë, deri në sekuestrim malli dhe të xhiros ditore, nëse je debitor ndaj shtetit, ndërsa i jep shumë të drejta tatimorëve, duke i lejuar të krijojë bazën e të dhënave të numrave IMEI të telefonisë celulare .

Ndër ndryshimet e tjera përfshihen ndalimi i nëpunësve të administratës tatimore qendrore dhe vendore që të kenë të kenë nën pronësi të tyre apo të afërm të tyre zyra të kontabilitetit apo konsulencës fiskale.
Një tjetër ndryshim sanskionon që “Nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri në datën 31.12.2015, për të gjithë tatimpaguesit që kryejnë shitje me shumicë të mallrave tek blerës jo ushtrues të një veprimtarie tregtare (individë), shitjet me kupon tatimor të lëshuar nga pajisja fiskale nuk duhet të tejkalojnë 10% të vlerës së tatueshme të mallrave të shitura gjatë një periudhe tatimore mujore, pa përfshirë TVSH. Nga data 1 janar 2016, për këtë kategori nuk lejohet shitja me kupon tatimor”.

Mos paguaj pa faturë

Ndryshimet saksionojnë me ligj atë që ka deklarur kryeministri Rama: “Çdo blerësi person fizik, juridik ose individ, i lind e drejta të mos paguajë për vlerën e mallit ose shërbimit të marrë, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor në përputhje me këtë ligj”.

Tatimet mund të marrin IMEI

Ndryshimet i japin të drejtën Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të krijojë bazën e të dhënave të numrave IMEI të telefonisë celulare, në të cilën regjistrohen të gjitha numrat IMEI- e të telefonave celularë në momentin e importimit dhe të gjitha IMEI të telefonave që shiten nga tatimpaguesit në tregun vendas, shitës me shumicë dhe shitës me pakicë, pa cënuar legjslacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Nëse je i audituar nga 4 të mëdhenjtë, nuk kontrollohesh
Ndryshime parashikohen dhe në kontrollin tatimor: “Zgjedhja e tatimpaguesve, që kontrollohen, bëhet në bazë të analizës së vlerësimit të riskut, të kryer nga administrata tatimore, për të identifikuar tatimpaguesin, і cili ka më shumë rrezik për ta shkelur legjislacionin tatimor.
Në rast se tatimpaguesi ka të certifikuar pasqyrat financiare që dorëzon pranë Administratës tatimore brenda datës 31 mars të çdo viti, se janë në përputhje me legjislacionin fiskal, nga kompanitë “PriceëaterHouse”, “Deloitte”,” KPMG” dhe “Ernest &Young”, nuk kontrollohet për një vit të plotë fiskal. Modeli i certifikatës përcaktohet me Udhëzim të Ministrit të Financave.”.

Tatimet, nëse nuk paguan detyrimet, të sekuestrojnë 50% të xhiros ditore

“Gjithashtu në funksion të mbledhjes së detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, administrata tatimore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50% të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi tatimor për të cilin ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, për llogari të detyrimeve tatimore të pashlyera të tatimpaguesit.
Tatimpaguesi për të cilin administrata tatimore ka filluar mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore të papaguara, nuk mund të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij, apo të shesë\transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë, me përjashtim të rasteve kur nëpërmjet shitjes\transferimit të aktiveve synohet shlyerja në masën 100% e detyrimit tatimor të papaguar.”.

Ashpërsohen gjobat për kasat, deri në 10 milion lekë

Ndryshimet në ligjin për procedurat parashikojnë masa të ashpra për mospërdorimin e kuponave tatimorë, sidomos për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, që mund t’u sekuestrohet edhe malli.

Në nenin 122 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, gërma, “b” dhe “c” ndryshohen me këtë përmbajtje:

“1. Tatimpaguesi, person juridik ose fizik, tregtar, dënohet në rast se:

a) nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve:
i. Për çdo konstatim (verifikim) të kryer, me gjobë në masën 10,000,000 (dhjetë milon) lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjende, dhe gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë për tatimpaguesit e tjerë, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjende,
ii. Për çdo konstatim (verifikim) tjetër pas verifikimit të parë, ku konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve sipas kërkesave të këtij ligji, si më sipër, konsiderohet evazion tatimor, sipas nenit 116, të ligjit, dhe administrata tatimore ushtron të drejtën e parashikuar në nenin 131, të këtij ligji, duke e kallëzuar penalisht tatimpaguesin.
c) lëshon një kupon tatimor/dëftesë tatimore/biletë me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, për kuponin tatimor/dëftesën tatimore/biletën me vlerë të parashtypur, me gjobë, në masën 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë.

2. Në pikën 1, pas shkronjës d), shtohet shkronja d/1) dhe pas me përmbajtjen:

“d.1. Nuk afishon në një vend të dukshëm në adresën ku kryen veprimtarinë, një poster që tregon të drejtën e blerësit për të mospaguar për mallrat dhe shërbimet e blera në zbatim të nenit 46 pika 3 të këtij ligji, me gjobë në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë.”.

3. Në pikën 1, pas gërmës gj), shtohet gërma h) me këtë përmbajtje:

“h) mban apo përdor pajijse fiskale të cilat nuk janë në përputhje me këtë ligj apo aktet nënligjore në zbatim të tij, me gjobë, në masën 10,000,000 (dhjetë milon) lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjendje, dhe gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë për tatimpaguesit e tjerë, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjendje.”/ Monitor

 

 

September 4, 2015 17:01
Komento

1 Koment

  1. Arti September 4, 17:59

    auditim ngakmpani private, kush shtet e ka, asnje…. dhe gjobat shume te larta nuk do paguhen kurre

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim