Drama e Karaxhiçit në sallën e gjyqit do të përfundojë në zhgënjim

March 17, 2016 12:20

Drama e Karaxhiçit në sallën e gjyqit do të përfundojë në zhgënjim

Vendimi i gjykatës së OKB për krime lufte, i cili do të jepet më 24 mars, do të jetë historik.

Shtatëdhjetë vjeçari Karaxhiç do të jetë lideri më i lartë politik i akuzuar para Gjykatës Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë që do të dëgjojë në gjykatë vendimin e tij për krime lufte.

Në vitin 1995, viti i fundit i luftës, Karaxhiç u akuzua për gjenocid dhe krime të tjera në Bosnjë dhe Hercegovinë, por pas përfundimit të konfliktit, ai u arratis.

Asetet e tij u ngrinë dhe Forcat e Stabilizimit të udhëhequra nga NATO në Bosnjë, SFOR, e kërkuan atë për disa vite, duke urdhëruar bastisje periodike, por Karaxhiçi vazhdonte të ishte i fshehur. SHBA-ja ofroi deri në 5 milion dollarë si shpërblim për këdo që kishte informacione që mund të çonin në arrestimin e tij, por ai ende nuk gjendej.

Ndërsa shpresat se ai mund të kapej filluan të veniteshin, Karaxhiçi u arrestua në vitin 2008 në Beograd, ku fshihej para syve të të gjithëve duke u hequr si udhëheqës shpirtëror. Ai kishte mjekër dhe flokë më të gjatë dhe mbante rroba më pak formale, por ishte përfundimisht ai – njeriu më i kërkuar në Europë, duke punuar në kryeqytetin serb me emrin e rremë Dragan Dabiç.

Në daljen e tij të parë në Hagë, Karaxhiçi ishte mospërfillës: ‘Kam qenë në vende edhe më të këqija,” i tha ai gjykatësit.

Ai lajmëroi se do të vërtetonte se kishte bërë një marrëveshje me diplomatin amerikan Richard Holbrooke se nuk do të ndiqej penalisht – por pavarësisht kësaj deklarate të bujshme, Karaxhiçi nuk arriti të prodhonte prova gjatë gjyqit të tij maratonë.

Më shumë se 500 dëshmitarë – viktima, trupat paqeruajtëse të OKB-së, ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas – dëshmuan për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnjë dhe Hercegovinë ose mohuan që këto kishin ndodhur apo që Karaxhiçi ishte përgjegjës për to.

Kriminelët e luftës Stanislav Galiç, Milan Martiç. Dragomir Miloseviç dhe të tjerë dëshmuan në mbrojtje të Karaxhiçit, duke mohuar krimet për të cilët ata vetë ishin dënuar në gjyqet e tyre.

Vetë Karaxhiçi këmbënguli se lidershipi serb i Bosnjës përbëhej nga ekspertë, shkrimtarë, doktorë, avokatë dhe profesorë. “Mos e dhëntë Zoti të kishim pasur një lidership ndryshe, kush e di se si do të kishte qenë lufta?” tha ai.

Në deklaratën e tij të fundit para gjykatës në tetor 2014, ai pranoi se gjatë asaj që ai e quajti një luftë “e tmerrshme” ishin kryer krime, por këmbënguli se ai s’i kishte urdhëruar kurrë ato.

 

“E kam ndërgjegjen e qetë dhe zemrën e pastër, sepse nuk ishte lufta ajo që doja,” tha ai.

Një cirk në sallën e gjyqit?

Dëshmitë e disa dëshmitarëve sollën në mendje kujtime të kohës së luftës, kur Karaxhiçi ishte në pushtet në entitetin serb të Bosnjës, Republikën Srpska. Ish-ministri serb i Bosnjës, Momcilo Mandiç, iu drejtua atij si “zoti President”, ndërsa i pandehuri iu përgjigj duke e quajtur Mandiçin “zoti Ministër”.

Viktimt se fushatave të forcave ushtarake serbe të Bosnjës e përshkruan gjyqin si një “cirk” që e glorifikonte Karaxhiçin duke i lejuar mbështetësit e tij ta lëvdonin atë.

Dëshmia e presidentit aktual serb të Bosnjës, Milorad Dodik, u pa me vëmendje për të parë sesa larg kishte ecur lidershipi i Republikës Srpska nga idealet e Karaxhiçit që nga përfundimi i luftës.

Por Dodik, një dëshmitar mbrojtës, këmbënguli se Karaxhiçi nuk mori kurrë pjesë në krime luftë, duke u shprehur se i pandehuri donte një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe që të gjitha krimet e luftës të ndiqeshin penalisht.

I pyetur nëse e pranonte se kundër boshnjakëve myslimanë dhe civilëve kroatë gjatë luftës ishin kryer krime masive, Dodik u përgjigj: “Ishte një luftë civilë. Serbët, myslimanët dhe kroatët të gjithë kishin formacione të organizuara ushtarake. Të tria palët shkelën ligjin e luftës.”

Një çështje kyçe në vendimin e Karaxhiçit premton të jetë vendimi nëse nga forcat serbe të Bosnjës nën kontrollin e tij u krye gjenocid në komunat Kljuc, Sanski Most, Prijedor, Vlasenica, Foca, Zvornik dhe Bratunac në vitin 1992, si edhe kundër boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995.

Kjo është pjesa më e paparashikueshme e vendimit, pasi tashmë nga ana e Gjykatës së OKB-së janë dhënë vendime përfundimtare mbi krime të tjera për të cilat Karaxhiçi akuzohet – gjenocidi në Srebrenicë, krime lufte në Sarajevë dhe persekutim i boshnjakëve dhe kroatëve nga forcat serbe të Bosnjës në shumë komuna në të gjithë vendin.
Në përpjekjet e saj për të vërtetuar se Karaxhiçi ishte fajtor për kryerjen e një fushate terrori kundër popullsisë së Sarajevës së rrethuar nga viti 1992 deri në vitin 1995, prokuroria e Hagës thirri më shumë se 30 ish-paqeruajtës të OKB-së për të dëshmuar.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Karaxhiçit gjithashtu thirri të dëshmonin ish-anëtarë të forcave të mbrojtjes në përpjekjet e saj për të vërtetuar se predhat që vranë dhjetëra njerëz në tregun “Markale” të Sarajevës nuk u qëlluan nga pozicionet e serbëve të Bosnjës.

 

Karaxhiçi fillimisht lajmëroi se ai do të mbante qëndrim dhe “do të kundërshtonte të gjitha gënjeshtrat e Hagës”, por në fund ai u tërhoq, duke u shprehur se dëshmitarët e tij kishin thënë gjithçka që duhej dëgjuar për të konfirmuar pafajësinë e tij.

Ushqim i keq dhe “keqardhje e rreme”

Ish-lideri serb i Bosnjë e mbajti veten të zënë gjatë të gjithë gjyqit, duke paraqitur mocion pas mocioni. Ai i kërkoi Kombeve të Bashkuara të hetonin një sërë sëmundjesh malinje në qendrën e burgimit Scheveningen, ku mbahen të pandehurit e Gjykatës së Hagës, duke sugjerua se kishte diçka të dyshimtë mbi numrin e sëmundjeve ndër të akuzuarit.

Ai u ankua gjithashtu për ushqimin, duke e përshkruar atë si “të ftohtë dhe të ringrohur në mikrovalë”. Ai tha se ushqimi kishte cilësi të keqe dhe shtoi se “kishe shije qesharake për njerëzit nga Ballkani”.

Karaxhiçi gjithashtu e përshkroi qendrën e paraburgimit më shumë një “shtëpi azili” e cila strehonte “intelektualë”, por tha se nuk ishte mjedisi i duhur për “burra të brishtë në një fazë përfundimtare të jetës së tyre”.
Në argumentet e saj mbyllëse, prokuroria e Hagës kërkoi dënim me burgim të përjetshëm për 70-vjeçarin për të vënë drejtësi për viktimat e Srebrenicës, Sarajevës dhe të të gjitha vendeve të tjera ku viktimat u persekutuan gjatë konfliktit boshnjak.
Sipas prokurorëve, terrorizimi i kryeqytetit, ekzekutimet në masë, përdorimi i zyrtarëve të OKB-së si pengje dhe brutaliteti ndaj viktimave të gjitha kishin diçka të përbashkët – rolin e Radovan Karaxhiçit.

Keqardhja e tij e rreme, tha prokurorët, ishte kripë në plagët e të gjitha viktimave që tani jetojnë pa njerëzit e tyre të dashur dhe që po përpiqen të marrin veten nga tmerret e së kaluarës.
Saga e arratisjes së gjatë të Karaxhiçit nga drejtësia, arrestimi i tij dhe gjykimi i tij i gjatë kanë bërë që shumë viktima të ndihen thellësisht të zhgënjyer.

Ata u hidhëruan shumë që ai e shmangu për aq shumë kohën arratisjen dhe të zemëruar nga dëshmitë që dhanë admiruesit e tij në sallën e gjyqit, ndërsa gjithashtu mohonin krimet nga të cilat ata vuanin.

Shumica nuk janë të sigurt nëse gjykata do të gjejë kurajën të vendosë se në vitin 1992 u krye gjenocid dhe tashmë presin të zhgënjehen përsëri.

Politikanë serbë të Bosnjës dhe grupe të të drejtave të njeriut ndërkohë kanë kohë që janë të zhgënjyer nga ato që ata i shohin si ndjekje penale të padrejta, të motivuara politikisht dhe anti–serbe nga ana e gjykatës së Hagës. Cilido qoftë vendimi në çështjen e Karaxhiçit, kjo pikëpamje nuk ka gjasa të ndryshojë.
Kështu që ndërsa vendimi që do të jepet nga gjykatësi koeano-jugor O-Gon Kwon në Hagë javën që vjen me siguri do të jetë historik, është pothuajse e sigurt që ai do të shkaktojë më shumë zhgënjim./ BIRN

March 17, 2016 12:20
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*