Dredhi deri në minutën e fundit

December 17, 2019 21:07

Dredhi deri në minutën e fundit

Nga Aleksanda Bogdani

Nën drejtimin e këshilltares së kryeministrit Edi Rama dhe në paqartësi e kontradikta, deputetët socialistë në Komisionin e Medias miratuan projektligjet e kundërshtuara për mediat online, duke i dhënë Këshillit të Ankesave brenda AMA-s fuqinë e gjykatës. Drafti final i publikuar nga kryeministri rëndon sërish gjobat.

 

Deputetët socialistë të Kuvendit të Shqipërisë ngritën duart lart me dhjetra herë përgjatë 12 orëve të martën në favor të dy projektligjeve të kryeministrit Edi Rama, të cilat imponojnë një regjim gjobash dhe kontrolli administrativ deri në mbyllje të mediave online- pa një vendim gjykate.

Dy projektligjet e prezantuara si “paketa antishpifje” u miratuan me urgjencë dhe me ndryshime të vogla formale, fillimisht në Komisionin e Ligjeve, më pas në atë të Veprimtarisë Prodhuese dhe në orët e vona të natës, në komisionin përgjegjës të Medias.

Projektligjet kundërshtohen gjerësisht nga institucionet ndërkombëtare si dhe nga komuniteti vendas dhe ai ndërkombëtar i gazetarëve si drafte që nxisin censurë dhe cënojnë lirinë e shprehjes dhe atë të medias në Shqipëri. Megjithatë, mazhoranca vendosi t’i shtyjë ato drejt votimit final në seancë plenare të mërkurën, duke mbyllur veshët ndaj një seti të gjerë rekomandimesh të Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, OSBE-së dhe Kombeve të Bashkuara si dhe një injorim të thirrjeve për t’i tërhequr ato mbrapsht.

Standardet ndërkombëtare të lirisë së medias sugjerojnë mekanizmin vetërregullues për adresimin e çështjeve etike si dhe zgjidhjen e pretendimeve për shpifje në gjykatë. Në kundërshtim të tyre, draftet e miratuara të martën në Kuvend i japin fuqi një institucioni të quajtur Këshilli i Ankesave brenda Autoritetit të Medias Audiovizive, AMA që të gjykojë mbi përmbajtjen e mediave online, të vendosë gjoba menjëherë të ekzekutueshme dhe t’i mbyllë ato në mungesë të një vendimi gjykate.

Deputetët socialistë në dy komisione parlamentare u shfaqën në shumicë të paqartë, të painformuar dhe kontradiktorë mbi ndryshimet ligjore që po miratonin të martën. Pak zëra të ndrojtur që kërkuan pezullimin e gjobave deri në një vendimi final të gjykatave, u mbytën nga insistimi i përfaqësuesve të qeverisë se “kjo ishte një masë parandaluese”.

“Në gjykatë, pas falimentit”

Deputetët e Partisë Socialiste duke votuar nenet e projektligjit për median audiovizive. Foto: LSA

Paketa e projektligjeve për median online ndryshon 30 nene të ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe 5 nene të ligjit “Për Komunikimet Elektronike”. Të dyja draftet u miratuan fillimisht në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese-ku deputetët ngritën fillimisht shqetësimin se ishin edhe vetë të painformuar mbi kontestimet.

Në orën 5 pasdite, draftet u pritën me protestë nga kryetarja e Komisionit të Medias, Fatjona Dhimitri dhe deputeti demokrat Erion Piciri, të cilën  bojkotuan seancën.

“Shpresuam që orët e gjata të pritjes do të shërbenin për të reflektuar, por pjesa e mazhorancës e shoh që do ta kalojë me forcën e kartonave. Në pamundësi për t’a ndalur këtë, shpall bojkotin deri në tërheqjen e projektligjeve dhe i bashkohem protestës së gazetarëve,” tha Dhimitri para se të largohej nga salla.

Edhe Erion Piciri, i zgjedhur nga listat e PD i konsideroi projektligjet përpjekje për censurë dhe kapje të medias.

“Ne jemi ende një vend pjesërisht i lirë. Partia Socialiste, si trashëgimtare e Partisë së Punës nuk duhet t’i rikthehet mendësisë bolshevike. Media ka problemet e veta, por këtë operacion duhet ta bëjë drejtësia e re dhe jo një nga tre qeveritë më të korruptuara të Europës,” tha Piciri dhe u largua nga salla.

Nënkryetarja Milva Ikonomi zuri tavolinën e kryetarit dhe socialistët në komision, të përforcuar edhe nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni, këshilltarja e kryeministrit Rama, Elira Kokona si dhe relatoret e komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi dhe Klotilda Ferhati vazhduan të pashqetësuar punën.

Në të njëjtën linjë me përfaqësuesit e tjerë të qeverisë, edhe ministrja Gjonaj tha se për hartimin e legjislacionit ishin studiuar praktikat e 28 vendeve të BE-së  dhe se ishin reflektuar të gjitha rekomandimet e OSBE. Gjonaj i mëshoi gjithashtu faktit se Franca kishte miratuar në nëntor ligjin ‘anti fake neës’ dhe se Gjermania kishte miratuar një ligj për mediat sociale.

Ndryshe nga sa pretendoi Gjonaj, ligji francez targeton mesazhet politike anonime dhe transparencën e reklamave, ndërsa ai gjerman e ngushtëson fokusin vetëm në gjuhën e urrejtjes dhe atë që konsiderohet përmbajtje kriminale në rrjetet sociale.

Deputeti Musa Ulqini e konsideroi OSBE-në “violinë të parë” në këtë proces dhe Bashkimin Europian, Këshillin e Europës dhe OKB-në si ndjekëse të rekomandimeve të saj. Ulqini u ankua edhe për dëgjesat më përfaqësues të medias që e kishin quajtur ligjin “fashist” sipas tij në mënyrë të padenjë. Në mbështetje të Ulqinit, deputetë të tjerë në Komisionin e Medias kontestuan rrëmujshëm edhe emrin e profesorit Mark Marku dhe kërkuan largimin e tij nga bordi i AMA-s; krejt në padijeni të faktit se Marku nuk është një anëtar i Bodit të AMA-s.

Deputetët në Komisionin e Medias vendosën që Këshilli i Ankesave të kishte edhe juristë përveçse gazetarë dhe ngritën duart pa vështirësi deri në nenin 28. Më pas, e gjithë fushata e qeverisë u shkërmoq për disa orë në komision përballë dy shqetësimeve thelbësore; ekzekutimin e menjëhershëm të gjobave pa një vendim gjykate dhe anashkalimin e bordit të AMA-s nga një Këshill që emërohet nga vetë AMA.

Deputeti Fidel Ylli pyeti se ç’kuptim kishte ankimi për gjobën në gjykatë “pasi ke falimentuar”, ndërsa Ulqini shtoi se mos kjo do t’i vendoste në vështirësi përballë Strasburgut. Përgjigja e deputetes Vasilika Hysi nga Komisioni i Ligjeve duket se i la të dy të pakënaqur.

“U diskutua kjo çështje në Komisionin e Ligjeve dhe ne vendosëm të rrijë siç është, pasi i bie të përfitojnë edhe ato televizione, që opozita thotë se janë të oligarkëve,” tha Hysi.

“E shoh të pavend që në momentin që vendos AMA, gjoba shkon për titull ekzekutiv në gjykatë, sepse më falimenton. Çfarë kuptimi ka që e fitova gjyqin pasi kam falimentuar,” tha Ylli, duke sjellë ndërprerjen e parë të mbledhjes në Komisionin e Medias.

Këshilltarja e Ramës ‘merr frenat’

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në Komisionin e Medias.

Në konsultimin me dyer të mbyllura brenda Komisionit të Medias, këshilltarja e kryeministrit, Elira Kokona zuri karrigen e kryetarit dhe nisi të bindte deputetët se pse gjobat duhej të ishin titull ekzekutiv përpara një ankimi të mundshëm në gjykatë. Kokona e krahasoi penalizimin e medias me rastet kur një polic të bllokon makinën në rrugë dhe e konsideroi këtë si ‘masë parandaluese’.

E pyetur nga një deputet nëse gjykata kishte të drejtë të pezullonte gjobën, Kokona u përgjigj gjithashtu negativisht.

“Ekziston si mundësi në praktikë [pezullimi], përveç rasteve kur ligji e parashikon ndryshe. Në këtë ligj parashikohet ndryshe,” tha ajo.

Lëkundjes së deputetëve iu shtuan pikëpyetje të tjera nga përfaqësuesit e AMA-s dhe AKEP-it në Komision.

Kryetari i AMA-s, Gentian Sala ngriti pyetjen se çfarë ndodh kur bordi i AMA-s rrëzon vendimin e Këshillit të Ankesave. Ndërsa përfaqësuesi i AKEP u ankua se institucioni nuk kishte mundësi teknike për të vendosur pop-up dhe se ky detyrim do t’u kalonte kompanive që shpërndajnë internet.

“Nuk po flasim për gjoba makinash këtu, por për lirinë e medias. Pse nuk ia lini bordit, sepse ne kemi një procedurë të konsoliduar dhe nuk kemi asnjë gjobë të rrëzuar në gjykatë,” tha Sala.

“Duhet të jetë e qartë që AKEP nuk kontrollon internetin e Shqipërisë. Ne nuk mund të vendosim pop-up, sepse ne nuk kemi një server të gjithë internetit të Shqipërisë diku. Në ligj duhet thënë që AKEP urdhëron ISP-të,’ shtoi ai.

Shqetësimeve të ngritura, Kokona iu përgjigj me argumente gjysmake dhe i këshilloi deputetët që për parashikimet ligjore të shihnin variantin e qeverisë dhe jo atë të rishikuarin në Komision. Pyetjeve se çfarë mendojnë ndërkombëtarët për këto pika, ajo iu përgjigj: Të gjithë janë dakord –pavarësisht se në Komisionin e Medias, përfaqësues të 4 organizatave ndërkombëtare u shprehën qartësisht kundër fuqizimit të AMA-s me kompetenca të gjykatave.

Këshilltarja e kryeministrit, Elira Kokona zuri karrigen e kryetarit

Nga ana e saj, nënkryetarja e komisionit, Milva Ikonomi kërkoi ndihmë nga këshilltarja e Ramës për të hartuar listën e shkeljeve që parashikon ligji dhe penalizimet përkatëse. Kokona tha se ato ndaheshin në shkelje të karakterit madhor [në rastet e pornografisë, terrorizmit apo sigurisë kombëtare] me karakter procedurial dhe për të drejtën e përgjigjes.

Një riformulim i nenit 29 u shty sërish për diskutim, ndërkohë që Ikonomi dhe Ulqini propozuan një lehtësim të gjobës për portalet në krahasim me mediat televizive, siç thanë ata në respekt të rekomandimeve për propocionalitet. Për shkeljet që lidhen me gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin apo të drejtën e përgjigjes, gjobat u vendosën të jenë nga 100-400 mijë lekë, propozim të cilit iu bashkua edhe Kumbaro.

Komisioni mori sërish pushim për të rishikuar nenin 29 dhe pas largimit të Kokonës, për ndihmë u shfaq deputetja Klotilda Ferhati. Pas më shumë se dy orësh, deputetët i rihapën dyert me një formulim të ri në formë, por të njëjtë në përmbajtje.

“Subjekti i ndëshkuar mund të bëjë ankim në Bordin e AMA-s për shkelje sipas nenit 33/1, 53/1 të këtij ligji. Ankimimi i vendimit të Këshillit të Ankesave nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit. Bordi i AMA shqyrton ankesën dhe shpall vendimin jo më vonë se 10 ditë. Kundër vendimit të Bordit të AMA-s mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Tiranës,” lexoi Ikonomi.

Deputetët ngritën duart, thanë “dakord, dakord” dhe u larguan nga salla.

Dredhi në minutë të fundit   

Masat e gjobave kanë qenë gjithashtu një ndër pikat më të debatuara gjatë hartimit të projektligjeve, dëgjesave publike dhe diskutimeve në komisionet parlamentare. Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare i konsideruan ato joproporcionale dhe ‘falimentuese’ për median online.

Si shumë parashikime të tjera ligjore, edhe masat e gjobave ndryshuan shpesh gjatë procedurave për miratimin e dy projektligjeve. Nga krahasimi i variantit përfundimtar të miratuar në Komisionin e Medias mbrëmjen e së martës dhe variantit të publikuar nga kryeministri Rama në Twitter, gjobat janë ashpërsuar sërish.

Dy relatorët Milva Ikonomi dhe Musa Ulqini propozuan në komision lehtësimin e gjobave për shkeljet e sanksionuara në nenin 33/1 nga nga 1 milion që ishte tavani i sipërm në 400 mijë lekë për mediat online, në respekt siç thanë ata të shqetësimeve të ngritura para tyre. Propozimit iu bashkua dhe Mirela Kumbaro dhe deputetët i miratuan në Komision.

Në draftin e publikuar në Twitter nga Rama, gjoba maksimale për portalet është rritur sërish në 600 mijë lekë si kufi maksimal.

Kur nuk respektohet vendimi i Këshillit të Ankesave, gjoba për portalet do të jetë nga 40 mijë në 800 mijë lekë.

Megjithatë, mediat online mund të ekspozohen nga penalizime disafish më të larta deri në 2 milionë lekë nëse ato refuzojnë të zbatojnë vendimet e bordit të AMA-s për të drejtën e përgjigjes dhe korrigjimin.

 

****

Aleksandra Bogdani është gazetare e BIRN Albania

December 17, 2019 21:07
Komento

8 Komente

  1. Ylli December 18, 00:06

    Pra siç e parashikuam. Asnjë surprizë!

    Miqtë e Tij në organizatat ndërkombëtare nuk kanë më fuqi ta ndalin bishën, sepse e kanë mbështetur deri më sot. E mbështetën hap pas hapi duke heshtur kur u çmontua shteti dhe demokracia.

    Nuk folën kur ekonomia u bë drogë, kur shteti mbeti pa drejtësi, kur demokracia u bë pa zgjedhje të lira e të ndershme. U kujdesën ekskluzivisht madje të fajsonin me zë ose figurë opozitën që protestoi deri në ekstrem për këto gjëra!!!

    Tani që do të mbyllë gojët e njerëzve me shtetin që e ka të gjithin në dorë, është shumë vonë!!!

    Se bie fjala, kjo “arritja” e OSBE që të vendosë gjykata për çdo rast ngre pikëpyetjen, CILA GJYKATË?! Ajo që nuk ekziston, megjithse na e premtoi Palmeri që në qershor, apo ajo që përbëhet nga gjykatës që i trembin me vetting dhe me keq akoma me ligjin e KÇK?!

    Nuk mjafton vetëm mjeti, por edhe fakti se sa efektiv është ky mjet.

    Nejse, nuk e ndalin dot më ata bishën e tyre, që i përdori në mënyrën më brutale të mundshme.

    Ai do ndalet vetëm nga populli Shqiptar, i cili duron shumë, tej mase madje, por kur flet ta jep dërrmën. Të gjithëve ua ka dhënë në këto 30 vite. Edi Rama nuk bën përjashtim.

    Jam i bindur për këtë.

    Reply to this comment
  2. Dritan December 18, 00:30

    Kush e di se eshte nje lufte me Edin gabohet deri ne fund. Protesta e Parlamentit duhej bere tek OSBE ne Wienna, jo tek sheshi i Namazgjase! Sikur edhe 20 gazetare te shkonin do benin shume me shume lajm se 1 mije neser!
    Kjo beteje eshte mes lirise dhe skllavopronareve moderne. Kjo eshte beteje mes patrioteve dhe atyre qe shesin gjithshka edhe familjen e tyre per pak komoditet personal! Kjo eshte beteje jo e vogel, por e fitojne gjithmone dinjitaret!

    KUSH E SHEH SI BETEJE PER FJALEN E LIRE GABOHET, !!!
    Te gjithe pupetet e Sotosit jane njesoj. Trudeau kryeministri kanadez nuk ka asnje ndryshim me Edin. Mos u habisni me ligjin e rilindasve, as me mos reagimjn e Leyla apo Soreca, te gjithe mbrojne njeri tjetrin, paaftesine e tyre dhe i sherbejne sundimit pa liri fjale. Keta leftiste jane njesoj kudo. Nuk ndryshojne. Kush nuk e kupton se kjo nuk eshte diçka mes shqiptaresh por e nje lufte reale mes te mires dhe se keqes, mes te shemtuarws dhe te bukures, mes skllavopronareve moderne dhe luftetareve te lirise, mes globalisteve sundues dhe shkaterrues se kombeve dhe patrioteve, mes shkaterruesve te familjes dhe besimit ne Zot dhe dinjitareve dhe besimtareve. Ne kete lufte reale ata, leftistet, zoteronje mediat e medha, mbeshteten nga grupet me te medha finaciare dhe korparatat qe duan sundimin pa strese. Ata, leftistet, kane “kauza” qe ne fakt as nuk i sherbejne njerezve por thjesht i tollovisin mendjen dhe largojne vemendjen nga realiteti. Kjo lufte nuk fitohet nga njerez pergjysem, por nga luftetare qe e kane te qarte ke kane perballe. Kjo lufte fitohet nga ata qe mbi karrieren e vet vendosin Familjen si themel i vazhdimesise, besimin ne Zot si nje e drejte e patjetersueshme dhe vleren e kombit ne parzmiren e tyre.
    Keto luftra i fitojne dinjitaret, jo hileqaret!
    Ketu keni nje tjeter sorosian qe do te luftoje mediat me arsye tjeter nga kjo e ketij Edit tone!
    Linku: https://www.breitbart.com/tech/2019/12/16/justin-trudeau-wants-significant-penalties-for-social-media-hate-speech/

    Reply to this comment
  3. Hysni December 18, 01:23

    Së shpejti, fjala “gojë” do të konsiderohet e ligjshme vetëm kur të mbahet “e mbyllur”.

    Reply to this comment
  4. hasani December 18, 08:01

    Shume ke shkruar moj gazetarja e bires. Ja u mbyll edhe kjo pune dhe gazetaret te shkruajne ashtu sic duhet e sic i duhet qytetareve e jo te shajne e te shpifin, ashtu sic ben e gjithe bota. Po kujt i duhen gjithe keto media, a thua per cdo qytetar duhet nje media, apo portal, ku shkojme keshtu? Keto portale a thu jane automatike, apo punojne njerez ne to, kush i paguan, kush i financon shpenzimet per ti mbajtur, nje pjese te madhe vetem per te shpifur e genjyer. Mendoj se duhet te kete kufizime te ketyre medieve pasi nuk i duhen asnjerit, nuk vlejne per asgje, ato sherbejne vetem per te ndotur kete vend.

    Reply to this comment
  5. ETHEM LALAJ December 18, 08:54

    D I T A:KY Artikull i sotem eshte argumentues PRO-SALIST DHE 99% TE MEDJEVE TE TIJ.Pse shqetsohet opozota dhe medjet pro saj. !? Sepse opozita e rruges eshte kapur ne çark oer çdo gje ne kete vend dhe kerkon te nxjerri “dhjam nga pleshti”.Ajo ka ne krye te saj nje SHPIFS KAMPION BOTE -SB qe ne 30 vjet vetem ka shpifur per kundershtarin politike me rrenje e me dege deri ne vrasje dhe nuk ka mbajtur asnje pergjegjesi,sepse me pare HELMOI DREJTESINE ME KORRUPSION E DIPLLOMA FALLCO.Dhe ky njeri-mostes eshte bere i padurueshem nga 95 % e popullit dhe nd/kombetareve,pasi ka edukuar keq shumicen e popullit sidomos RININE deri te GJAKMARRJA edhe per nje fjale goje.
    -Te gjithe te tremburit duhet ta kene te qarte..”kush nuk shpif eshte i paprekshem,ai qe shpif do gjobitet..dhe mund te shkoi ne burg”.
    -Me kete rast dihet ti jepet fund ANALISTEVE ANONIM ne gazeta,telefona e kudo si njerz frikacak,burracak,te pabese,QEN qe te kafshon ne fshehtesi.
    -D I TA ka nr.telefonit dhe imelin e ketyre analisteve qe shpifin çdo dite per kedo qe nuk i pelqen…deri te Kryeministri,Presidenti i vendit duke i bere hajdut e vrases pa prova e fakte.Kjo gjuhe urrejtje te Shqiptarit ndaj Shqipetarit duhet te marr fund.
    -Fake news po helmon mbar boten e jo me Shqiperine.Te gjithe po vihen ne levizje te bejne diçka.Ne duhet te rrim ne vende !? Ju lumt EDI RAMES per inisjativat shtet-formues.Kush nuk e do te protestoi ne menyre te organizuar me sindikatat ne menyre paqsore,te punoi se pune ka plote…dhe te rrij urte e te mos shaji si zagar..ham..ham..! BOLL MË TRANZICIONIT 30 VJEÇAR.

    Reply to this comment
  6. fteri December 18, 12:33

    Miratimi i ligjit sot bëhet për ti dalë zot të shtypurit e të persekutuerit popullin e thjeshtë ,prandaj oseb-ja e miratoi këtë ligjë jo 99,por 100%,mbron mjrzit e thjeshtë e të drejtë nga shpifjet e llumi .Me miratimin e këti ligji antishpifje sot goditet si djathti dhe i majti,nuk goditet vetëm shpifsi Artur ZHej,por çdo shpifs.

    Reply to this comment
  7. Buzuku December 18, 12:39

    Ju e kini shqyer gojen, e kini bere corape me keq se gojen e Guinplenit te mjere. Gjuha vret njesoj sa armet vrastare dhe ju e perdorni pa vrasje ndergjegjeje. Ju jeni antropofaget e fakteve, e perdridhni ate gjuhe so ua do qefi. Mjere ata studente qe kane rene ne doren tuaj o mender profesore, cfare brezi gazetaresh po rritet me ju? Kenaquni me llogjet tuaja, po ne populli ju neverisim.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim