Drejt humnerës së borxhit

Yllka Pulashi* May 11, 2015 13:08

Drejt humnerës së borxhit

Kontrolli i Lartë i Shtetit i propozoi 4 vjet më parë Qeverisë shqiptare, që niveli i borxhit të sanksionohej në Kushtetutë dhe të mos kalonte kufirin prej 60 % të PBB. Megjithë debatin e gjerë publik dhe politik, edhe pas ndërrimit të mazhorancës, kjo kërkesë nuk është marrë në konsideratë.

Dhe pak ditë më parë, borxhi publik i Shqipërisë kapërceu shifrën rekord prej 1 trilion lekësh, që është pak e vështirë të perceptohet nga çdo qytetar. Dhe në fakt, nuk është se nuk kanë arsye të “frikësohen” përballë një shume të tillë. Ajo saktësisht është e barabartë me 1 mijë miliardë lekë të reja, ose 10 mijë miliardë lekë të vjetra.

Dy vjet para se KLSH-ja të propozonte nismën e fortë për të “normuar” borxhin, pra në vitin 2009, borxhi i Shqipërisë ishte vetëm 390 miliard lekë.

Por përse gjithë kjo “uri” për të marrë borxh?

Për 6 vitet e fundit, borxhi është shtuar me mbi 600 miliard lekë. Nga 2009 e deri në 2015, ka patur 3 palë zgjedhje dhe në prag është procesi i katërt elektoral në rradhë. Kjo duket si një arsye e mjaftueshme për një qeveri, që të mos “kursehet” në huamarrjen, qoftë kjo e brendshme apo e jashtme, për të mbyllur kantieret e hapura elektorale, që të mbushin më pas thesin me vota për kandidatët e tyre.

Me borxhin publik nën kontroll do të ulej probabiliteti i transferimit të riskut politik, në risk vendi apo social. Shpeshherë qeveritë priren të financojnë programet e tyre politike, duke u mbështetur pa kriter në borxhin publik, sidomos në periudha zgjedhjesh vendore apo të përgjithshme.

Në situatën tonë në Shqipëri, ku zgjedhje vendore apo të përgjithshme kemi praktikisht në çdo dy vjet, një arsye e tillë e shton ndjeshëm peshën e saj, për ta menduar seriozisht disiplinimin buxhetor edhe duke e fiksuar në Kushtetutë tavanin e borxhit publik.

Kur borxhi publik rritet në nivele të larta, kjo shoqërohet me rritje të normës së interesit në sektorin publik dhe në atë privat. Rritja e normës ul kredidhënien, duke penguar rritjen e sektorit financiar dhe të ekonomisë reale. Rrjedhimisht do të ulej punësimi dhe do të përkeqësoheshin edhe me tej treguesit makroekonomikë e financiarë si inflacioni, likuiditeti, risku politik, kursi valutor.

Por nga ana tjetër, limiti i sipërm i borxhit rrit stabilitetin financiar dhe politik në vend dhe rajon, si dhe ndikon ndjeshëm në imazhin ekonomik dhe jo vetëm të Shqipërisë, në arenën ndërkombëtare.

Të dhënat zyrtare të tremujorit të parë të këtij dëshmuan gjithashtu, se realizimet në Tatime dhe Dogana, ishin larg parashikimeve, çka është një tjetër dëshmi se vendi ynë nuk ka kapacitete të përballojë nivelin e lartë të borxhit publik.

*Audituese në KLSH

Yllka Pulashi* May 11, 2015 13:08
Komento

1 Koment

  1. LOVE May 11, 22:04

    aaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaa
    asnje auditues mos te shkruaj ,as ekonomist ,apo ndonje me shkolle
    vetem politiqen ,vrases me pagese ose shkurt deputet
    vetem zgjedhje duam ,duam vetem partine te kemi mire
    97 e bene piramidat , tani po e ben shteti …ata qe votojme !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*