Një histori për të reflektuar mbi “trendin” pa armë e uniformë

September 5, 2019 18:31

Një histori për të reflektuar mbi “trendin” pa armë e uniformë

Nga Marenglen Kasmi

 

Në librin e tij “Mein Kampf” (Lufta ime, 1923) Hitleri shkruante:

Gjermania, si shtet ushtarak, në vitin 1914 rrethohej nga dy shtete, prej të cilëve njëri zotëronte thuajse të njëjtin potencial si ajo ndërsa tjetri ishte më i fuqishëm. Këtij fakti i shtohej edhe ekzistenca e Anglisë si fuqi detare botërore. Franca dhe Rusia ndikonin sa kishin mundësi për të penguar ngritjen e Gjermanisë si superfuqi.

Pozicioni ushtarako-gjeografik i pafavorshëm i Gjermanisë mund të konsiderohej si nje koeficient tjetër disfavorizues sigurie. Sidomos vija bregdetare, parë nga pikëpamja ushtarake, e vogël dhe e ngushtë, përkundrejt një fronti tokësor tepër më të madh dhe të hapur, ishte e papërshtatshme për të kryer një luftë kundër Anglisë.  Ndryshe është pozicioni i sotëm i Francës: Fuqi e parë ushtarake, pa ndonjë rival të konsiderueshëm në kontinent, në kufirin jugor me Spanjën dhe Italinë e mbrojtur, e siguruar nga pafuqia e mëmëdheut tonë dhe me vijën e saj të gjatë bregdetare e pozicionuar pranë nervave jetike të Perandorisë Britanike.

Jo vetëm për aviacionin dhe bateritë me distancë të largët qitje, këto qendra jetike të Anglisë përbëjnë objektiva me vlerë, por edhe nëpërmjet kryerjes së një lufte me nëndetëse do të bllokoheshin rrugët tregtare të flotës angleze. Një luftë me nëndetëse, e mbështetur mbi vijën e gjatë detare të Atlantikut si edhe mbi vijat dytësore bregdetare të detit Mesdhe në Evropë dhe Afrikën e Veriut do të kishte pasoja të admirueshme”.

Ky ishte një korrelacion kuptimplotë ndërmjet “Mein Kampf”, ku paraqiteshin mundësitë e zgjerimit të bazës operacionale për një luftë kundër Anglisë, duke shfrytëzuar bregdetin francez dhe ngjarjeve reale pas vitit 1939.

Gjithsesi, nuk mund të flitet për një vazhdimësi, e cila mbështet në mënyrë absolute një plan sulmi të orientuar prej mesviteve 1920, kohës kur u shkrua ky libër. Ndonëse historiani Trevor-Roper në monografinë e tij për drejtimin e luftës së Hitlerit shkruan se “kuptimi i vërtetë i «Mein Kampf», si një shpalosje autentike e mirë menduar e luftës së Hitlerit, ideuar prej vitit 1923” shpesh anashkalohet, sa më sipër, Hitleri bën më tepër një vlerësim të saktë të pozicionit ushtarako-gjeografik të Francës.

Shpallja e luftës që Anglia dhe Franca i bënë Rajhut gjerman më 3 shtator, si rrjedhim i sulmit gjerman ndaj Polonisë, përfundoi fazën e parë të zgjerimit të zonës së influencës gjermane, e cila deri në atë kohë nuk kishte hasur ndonjë kundërshtim nga Fuqitë Perëndimore. Kësisoj, deri më 3 shtator Hitleri kishte pasur mundësinë që, hap pas hapi, të shtrinte pushtetin e tij dhe të shkëputej përfundimisht nga kufizimet e shkaktuara nga Traktati i Versajës.

Duke u favorizuar nga dobësia e përkohshme e Anglisë dhe paaftësia e politikës së jashtme franceze për të vepruar dhe duke përfituar edhe nga qëndrimi mënjanë i SHBA-së gjatë luftës së Abisinisë, Hitleri zgjeroi zonën e tij të influencës. Në vitin 1938 ai arriti të kryente bashkimin e Austrisë me Rajhun gjerman dhe në vitin 1939 të merrte nën sundim një pjesë të Çekosllovakisë, duke krijuar “Protektoratin e  Bohemisë dhe Moravisë”.

Hitleri dhe gjeneralët, përfshirë Halder, Keitel dhe Brauchitsch, 1941

Disa nga gjeneralët e Hitlerit ishin skeptikë në lidhje me këto zgjerime territoriale. Në vitin 1938, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Ludwig Beck (Ludvig Bek) paralajmëroi pasojat e politikës ekspansive të Hitlerit.

Ai parashikoi kalimin në një katastrofë botërore e cila do të çonte në rrënimin e plotë të Gjermanisë. Oficerë në Shtabin e Përgjithshëm si Oster (Oster), von Witzleben, (fon Vitzleben) Halder, (Halder) dhe von Stülpnagel (fon Stylpnagel) u përgatitën për t’u ruajtur nga rreziku i luftës.Ndër të tjera, ata parashikonin dhe arrestimin e drejtuesve nacionalsocialistë. Ky skenar ra, si pasojë e sukseseve të shpejta dhe pa humbje të politikës së jashtme të Hitlerit.

Pra, ata tashmë nuk kishin asnjë mundësi të organizoheshin për të rrëzuar regjimin e Hitlerit.

Basil Lidell Hart shkruan në librin e tij “Historia e Luftës së Dytë Botërore” që, diktatori nacionalsocialist i kishte marrë mirë masat dhe vepronte mbi një logjikë të mirë menduar duke e vlerësuar drejt politikën e qeverisë franceze dhe angleze deri në pranverën e vitit 1939: “Pas çdo goditje ata ishin të prirë të shmangnin vështirësitë, të mbanin mbi supe probleme të mëdha, duke siguruar paqen e përkohshme të asaj kohe mbi kurrizin e së ardhmes”, vlerësonte me të drejtë B. L. Hart.

Pushtimi i Protektoratit të mëvonshëm i Bohemisë dhe Moravisë më 15 mars 1939, pasi Sllovakia ishte shkëputur nga Lidhja Çekosllovake, krijonte bindjen se shtetet perëndimore i kishin lënë Gjermanisë dorë të lirë për të vepruar në Lindje.

Me aneksimin e Sudeteve, Hitleri kaloi çdo parashikim dhe gjithashtu theu edhe durimin e Fuqive Perëndimore. Në gjysmën e dytë të marsit 1939, Anglia i prishi raportet politike me Gjermaninë. Duke i dhënë Polonisë një garanci të pakufizuar në rast se ajo do të sulmohej nga Hitleri, Anglia kërkonte të ndalte ekspansionin e Gjermanisë.

Por, a nuk kishte dhënë Anglia një garanci të ngjashme edhe për Çekosllovakinë?

Ky ndryshim kursi në politikën angleze mundësoi një riorientim të politikës gjermane. Lloyd George (Llojd Xhorxh) parashikonte se, dhënia e një garancie të tillë të pakufizuar, pa siguruar më parë krahët e Rusisë do të ishte një gabim fatal. Sipas B. L. Hart, dhënia e garancisë për Poloninë ishte rruga më e sigurt për të filluar një luftë tjetër botërore.

Garancia ndaj Polonisë u shoqërua me tallje, përbuzje dhe kërcënime nga Hitleri. Por, Rajhu gjerman nuk ishte akoma gati të përballonte për një kohë të gjatë një politikë rrethuese. Për të siguruar lirinë e nevojshme të veprimit në Lindje dhe në rast se Fuqitë Perëndimore do të hynin në luftë duke krijuar për Gjermaninë një luftë me dy fronte, ose nëse ndërmerrej një bllokadë ekonomike ndaj Rajhut si në Luftën e Parë Botërore, Gjermania filloi shumëfishimin e kontakteve diplomatike me Bashkimin Sovjetik, i cili nga ana e tij i mirëpriti këto zhvillime, ndonëse Stalini ndiqte një strategji të dyfishtë.

Nga njëra anë BS kryente negociata me Fuqitë Perëndimore për izolimin e Gjermanisë dhe nga ana tjetër u nënshkrua në datën 23 gusht 1939 pakti me Gjermaninë (Pakti Hitler-Stalin). Ky pakt tashmë mundësonte zbatimin e Direktivës së datës 4 prill për pushtimin e Polonisë (Fall Weiss; Rasti i bardhë, ngjarja e bardhë).

Ndonëse “Pakti i Çeliktë” me Italinë i datës 22 maj 1939 kishte çuar në rritjen e resurseve, për Hitlerin ishte e qartë se, lufta ndaj Polonisë mund të fitohej vetëm në rast se Fuqitë Perëndimore nuk do të sulmonin Gjermaninë. Pavarësisht nga kriza për çështjen polake, u krijua përshtypja se, marrëdhëniet politike ndërmjet Gjermanisë dhe Anglisë mund të rregulloheshin.

Sir Horace Wilson, këshilltar i Chamberlain-it i bëri Hitlerit nëpërmjet përfaqësuesit jozyrtar të Ribbentrop-it Fritz Hesse, (Fric Hese) një ofertë për të nënshkruar një pakt dypalësh 25 vjeçar. Ky pakt ishte i vlefshëm për aq kohë sa Hitleri nuk do të ndërmerrte ndonjë veprim tjetër agresor. Ndërkohë Hitleri ishte tepër i fiksuar mbi «Çështjen Polake» dhe nuk dëshironte të besonte se koha e «Appeasement-i» (Politikës së zbutjes) kishte perënduar.

Ndonëse Hitleri nuk besonte shumë në potencialin ushtarak anglez ai siguroi si fillim krahët nëpërmjet paktit me Stalinin. Po ashtu, Hitleri shprehej në rrethin e tij të ngushtë dhe me aleatët e tij, si për shembull përkundrejt kontit Ciano, se ai ishte i bindur që Anglia dhe Franca nuk do të hynin në luftë për hatër të Polonisë.

Në të njëjtën kohë kur Hitleri nënshkroi paktin me Stalinin arriti në Berlin një letër nga Chamberlain-i, ku ai shprehej në mënyrë kategorike se Anglia do të plotësonte detyrimet e veta ndaj Polonisë. Tashmë Hitleri ishte i vendosur për ta pushtuar Poloninë dhe diplomacia nuk mund ta ndalte më atë.

Fushata ushtarake kundër Polonisë

Pushtimi i Polonisë

Wehrmacht-i gjerman e filloi sulmin ndaj Polonisë nga një pozicion i përshtatshëm gjeostrategjik jo në orën 05.45, siç Hitleri kishte deklaruar para deputetëve gjermanë në Kroll-Oper, por në orën 04.45 të mëngjesit.

57 divizione të ndara në 2 Grupime, Grupimi i Forcave Tokësore i Veriut (Bock) dhe i Jugut (Rundstedt), 2 Flota Ajrore me afërsisht 1581 avionë luftarakë (Flota Ajrore 1 “Lindje” (Kesselring), Flota Ajrore 4 “Juglindje” (Löhr) dhe njësitë e tjera ushtarake të Forcave Ajrore që ishin nën komandën direkte të Göring-ut), si edhe forca të tjera të këmbësorisë, shkelën në mëngjesin e 1 shtatorit 1939 sovranitetin e shtetit polak.

Pasi aviacioni gjerman shkatërroi pjesën më të madhe të Flotës Ajrore polake (e vogël në numër dhe e vjetër) që në ditën e parë të agresionit, u krye sulmi, rrethimi dhe asgjësimi i shtatë Armatave polake, gjithsej 40 divizione, 11 brigada kavalerie si edhe 12 divizione të tjera dhe brigada e vetme e motorizuar që kishte ushtria polake, të planifikuara si forca rezervë dhe që ishin përqendruar në rajonin e Radom-it).

Ushtria polake organizoi një mbrojtje të dëshpëruar kundër rrethimit-darë të Wehrmacht-it gjerman, forcat e të cilit sulmonin nga Veriu, Lindja dhe Jugu. Në këtë fushatë ushtarake u përballën koncepte ushtarake 200 vjeçare, ku Wehrmacht-i i motorizuar luftonte përballë një ushtrie të pajisur dhe të ushtruar sipas koncepteve ushtarake të shekullit XIX, në të cilën kavaleria përfaqësonte trupat e vetë lëvizshme.

Me përfundimin e operacionit ushtarak në Kutno më 17 shtator, pra 17 ditë pas fillimit të pushtimit, Polonia ishte mposhtur ushtarakisht.

Hyrja e forcave sovjetike në po të njëjtën ditë në Poloninë Lindore vulosi rënien e shpejtë të shtetit polak. Polonia ishte pushtuar tashmë plotësisht nga forcat gjermane dhe sovjetike, duke u ndarë kështu në dy pjesë, sipas një protokolli të fshehtë shtesë të paktit Hitler-Stalin të datës 23 gusht 1939.

Ky protokoll u zëvendësua në datën 28 shtator nga “Marrëveshja Kufitare Miqësore” ku dimensionoheshin edhe njëherë kufijtë shtetërore të dy shteteve pushtuese.

Me përfundimin e operacionit në Poloni, Hitleri e kishte zgjidhur «çështjen polake» sipas mënyrës së tij dhe nëpërmjet fitores së shpejtë, si fillim i kurseu Rajhut një luftë me dy fronte. Mosveprimi i aleatëve perëndimorë në kufirin perëndimor të Rajhut i siguroi Hitlerit kohë për të përfunduar fushatën luftarake kundër Polonisë sipas planit dhe gjithashtu, të mos kryente ndonjë aktivitet serioz ushtarak në Perëndim.

Përvoja tregoi se, Hitleri nuk ishte gabuar në parashikimet e tij. Në periudhën më delikate të Rajhut, në kohën kur Wehrmacht-i gjerman kishte lidhur forcat e tij më të shumta në Poloni, aleatët perëndimore u mjaftuan vetëm me disa sulme në nivel lokal në afërsi të Saarbrücken-it duke mos i ardhur kështu në ndihmë aleatëve të tyre polakë.

Pa mbaruar akoma fushata ndaj Polonisë, Hitleri e përqendroi vëmendjen e tij mbi veprimet luftarake që po kryheshin në Perëndim, kundër aleatëve.

Marrja e vendimit për sulmin drejt Perëndimit

Pushtimi i Francës

Duke u nisur nga vlerësimi, se raporti i forcave si në këndvështrimin material, psikologjik por edhe kohor nuk premtonte ndonjë përmirësim në favor të Rajhut, ndërkohë që edhe qëndrimi i shteteve neutrale ishte i paparashikueshëm, Hitleri preferonte që sulmi ndaj Francës të bëhej sa më shpejt.

Ky sulm duhej ta gjente Francën sa më të papërgatitur dhe para se Korpusi Ekspeditues britanik që ndodhej në Francë të përforconte mbrojtjen franceze duke u kthyer në faktor vendimtar.

Duke u trembur nga ndryshimi i qëndrimit i shteteve të mëdha përkundrejt Rajhut, dhe duke njohur resurset e Wehrmacht-it, Hitleri vlerësonte se situata strategjike fillestare e Rajhut me kalimin e kohës do të përkeqësohej, nëse Rajhu nuk do të ndiqte plane ofensive në perëndim. Gjeneral Kolonel Halder shënoi në ditarin e tij personal arsyet e dhëna nga Hitleri në lidhje me këtë vlerësim:

[…] Nuk duhet pritur deri sa të vijë kundërshtari, por, nëse nuk ka ndonjë zgjidhje paqësore, atëherë goditje në Perëndim. Sa më shpejt aq më mirë. Nuk duhet pritur që armiku të hedhë hapin e parë, por duhet të kalojmë vetë në sulm. Kjo vlen edhe për Forcat Detare. Koha e humbur nuk mund të fitohet më”.

Sa i përket shanseve të suksesit në rast sulmi ushtarak ndaj Francës, Hitleri nuk ishte shumë i qartë. Ndonëse ai e vlerësoi fushatën ushtarake në Poloni si stërvitja më e mirë, pra si manovër dhe vlerësonte sulmin ndaj Francës jo më të vështirë se ai ndaj Polonisë, kishte përsëri dyshime për një fitore të shpejtë në Francë: “Nëse ne nuk mundemi ta asgjësojmë armikun, atëherë do të ndërtojmë pozicione me mijëra fortifikime betoni. Por qëllimi është asgjësimi i ushtrisë franceze. Synimi i luftës është të ulim në gjunjë Anglinë dhe të asgjësojmë Francën,” shprehej Hitleri.

Më vonë Hitleri konkretizoi mendimet dhe kërkoi nga gjeneralët e tij të mendonin mbi një sulm ndaj Francës rreth datës 20-25 tetor 1939, sulm i cili kishte për qëllim marrjen dhe përdorimin e vijës bregdetare holandeze si bazë ajrore kundër Anglisë, asgjësimin e forcave ushtarake aleate dhe për të zgjeruar sa më shumë të ishte e mundur bazat e tyre ajrore dhe bregdetare në Francën Veriore.

«Sitzkrieg» ose «lufta e rreme»

Në frontin e perëndimit Wehrmacht-i gjerman kishte pozicionuar forca të pakta ushtarake për të mbrojtur kufirin e saj me Francën. Evoluimi i situatës në Perëndim dukej sikur i jepte të drejtë Hitlerit për veprimet që ai kishte parashikuar se do të ndërmerrnin Aleatët.

Në këtë gjendje u krijua një situatë lufte e cila ka hyrë në histori me termin «Sitzkrieg», «Phoney War» ose «drôle de guerre» (lufta e rreme). Me përjashtim të disa aksioneve në nivel lokal pranë Saarbrücken-it, disa operacioneve sporadike për qëllime zbulimi si edhe të dueleve të artilerisë, në frontin e perëndimit të krijohej ideja e mbizotërimit të një paqeje mashtruese.

Pas përfundimit të fushatës kundër Polonisë, Wehrmacht-i zhvendosi pjesën më të madhe të trupave drejt Perëndimit, për të përforcuar forcat e kufirit si edhe për t’u përgatitur për sulmin.

Nën petkun e paqes së rreme

Nën petkun e paqes së rreme, kundërshtarët përgatiteshin për luftën e ardhshme, ndonëse Hitleri në datën 6 tetor, gjatë një fjalimi, i bëri një ofertë për paqe Anglisë. Pas një fjalimi të gjatë për fushatën ushtarake të Polonisë, hedhjen përfundimisht pas krahëve të diktateve të Traktatit të Versajës dhe “përpjekjeve të tij për ruajtjen e paqes botërore”, Hitleri u shpreh në Parlament si më poshtë:

“Në asnjë vend në botë nuk është dëshira për paqe më e madhe se ajo e popullit gjerman. Është një fat për njerëzimin dhe nuk është fatkeqësi që unë arrita pa përdorur ngarkesat e brendshme politike të burrave të huaj të shtetit të eliminoja kërkesat e çmendura të Traktatit të Versajës. Që ky eliminim është në veçanti për disa të interesuar i dhimbshëm, është e vetëkuptueshme. Vetëm, dhe po kaq më e madhe është merita, që me përjashtim të ngjarjes së fundit, ky rregullim në të gjitha rastet e tjera u krye pa derdhje gjaku. Revizioni i fundit i Traktatit duhej të ndiqte po të njëjtën rrugë paqësore… .”

Sipas Hitlerit, ndryshimi apo ndërhyrja në situatën që gjendej shteti polak mund të kryhej vetëm nga Gjermania ose nga BS. Në rast se do të eliminohej një nga këto dy fuqi, atëherë në këtë territor do të krijohej vetëm kaos dhe jo më një shtet i ri.

Si qëllime të Rajhut, Hitleri prezantoi një liste me gjashtë pika, ku pika më e gjatë ishte për “krijimin e shtetit polak, i cili ofronte me ngritjen dhe drejtimin e tij garanci që nuk do të mundësonin më as krijimin e vatrave të reja të nxehta kundër Rajhut gjerman dhe po ashtu nuk do të kthehej më në një qendër intrigash kundër Gjermanisë dhe Rusisë”.

Hitleri kërkoi organizimin e një konference të “kombeve të këtij kontinenti” me qëllim “hartimin e një statuti, pranimin e tij dhe dhënien e garancisë, që të krijohej për të gjithë një ndjenjë sigurie”.

Oferta e Hitlerit për paqe drejtuar Fuqive Perëndimore kishte si qëllim forcimin e pozitave gjermane dhe ruse në Poloni dhe në të njëjtën kohë të merrte për këtë veprim «bekimin» e Anglisë dhe Francës.

“Ruajta e gjendjes së tanishme në Perëndim është e papranueshme” shprehej më tej Hitleri, duke dhënë një pamje të shkatërrimeve që ishin bërë në Perëndim. Njëherazi lëshoi një kërcënim në adresë të Anglisë: Dhe kjo luftë shfarosëse nuk do të kufizohet vetëm në tokë. Jo, ajo do të shtrihet akoma më tej edhe mbi det. Sot ishujt nuk ekzistojnë më.

Në këtë “fjalim për paqen” vërehet më tepër një presion që fituesi bën duke kërcënuar, sesa për një hap të vërtetë drejt paqes. Fuqitë perëndimore, sidomos Anglia, mbajtën një qëndrim të rezervuar ndaj kësaj oferte për paqe të Hitlerit dhe deklaruan se “Anglia dhe Franca nuk trembeshin nga kërcënimet dhe nuk hiqnin dorë nga qëllimi për të cilin ishin futur në luftë”.

As kërcënimi i Hitlerit për zgjerimin e luftës edhe në Evropën Perëndimore dhe as fitorja e shpejtë e Gjermanisë ndaj Polonisë, nuk çuan në mirëkuptim ndërmjet Fuqive Perëndimore dhe politikës së Hitlerit. Ndonëse Hitleri në fjalimet e tij artikulohej me tepër zgjuarsi dhe krijohej ideja se nuk do të kishte më luftë, deklaratat e Anglisë dhe Francës e përmbysën këtë iluzion.

Si pasojë e premtimeve të dhëna më parë nga Hitleri, por që në realitet bëhej e kundërta, ata fillimisht u treguan skeptikë ndaj kësaj oferte dhe në fund e refuzuan atë. Fillimisht u krijua ideja se sulmi i Hitlerit ndaj Polonisë do të krijonte kontradikta ndërmjet Gjermanisë dhe BS. Po ashtu mendohej se, ndonëse BS e miratoi këtë veprim të Hitlerit qëllimet apo motivet e Stalinit ishin të ndryshme nga ky realitet.

Këtu mund të flitet për një përfundim të gabuar të Fuqive Perëndimore, sepse ato nuk ishin në dijeni të marrëveshjes së arritur në protokollin shtesë të Paktit ndërmjet Hitlerit dhe Stalinit. Parë në këtë këndvështrim kjo mund të ishte edhe arsyeja që Anglia dhe Franca i shpallën luftë vetëm Gjermanisë, ndonëse edhe BS e shkeli sovranitetin territorial polak.

Zgjerimi i luftës

“Aktiv dhe ofensiv”

Me refuzimin e ofertës për paqe nga Chamberlain-i më 12 tetor 1939, u shuan përfundimisht shpresat e përfundimit të luftës dhe mos zgjerimit të saj përtej kufijve europianë. Të dy kampet filluan përgatitjet për luftë. Hitleri kishte udhëzuar trupat gjermane nëpërmjet Direktivës Nr. 6 së datës 9 tetor 1939 për drejtimin e luftës, që ata “të vepronin aktiv dhe ofensiv”, për aq kohë sa Anglia dhe Franca nuk ishin dakord të përfundonin luftën.

Gjashtë ditë pas refuzimit të paqes, Hitleri lëshoi Direktivën Nr. 7 për drejtimin e luftës, ku pasqyroheshin parimet bazë të drejtimit të luftës dhe mënyrën se si duhej të vepronte Wehrmacht-i deri në fillimin e operacionit të vërtetë sulmues.

Në këtë Direktivë urdhërohej edhe kryerja e një zbulimi ofensiv mbi territorin e kundërshtarit. Luftwaffe-s (Forcat Ajrore) i ’u lejua menjëherë fluturimi përgjatë kufirit perëndimor gjerman. Në rast se aleatët perëndimore do të mundoheshin ta përdornin Belgjikën për të kaluar trupat e tyre, atëherë Wehrmacht-it i lejohej gjithashtu shkelja e hapësirës territoriale të Luksemburgut. Hë për hë nuk duhej të organizoheshin sulme ndaj qendrave industriale në Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg.

Fillimisht një pjesë e gjeneralëve gjermanë u munduan të bindin Hitlerin të hiqte dorë nga sulmi në Perëndim. Por, Hitleri ishte i vendosur ta përcaktonte fatin e kësaj lufte në Perëndim. Përpjekja e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave Tokësore von Brauchitsch, (fon Brauçiç) duke u bazuar në përllogaritjet ushtarake, të votonte kundër këtij vendimi të Hitlerit, dështoi.

Pasi atentati i organizuar ndaj Hitlerit nga i riu Georg Elser në një birrari në Mynih nuk rezultoi i suksesshëm, ndaluan edhe kundërshtimet e drejtuesve të lartë ushtarakë të Wehrmacht-it ndaj vendimeve ushtarake të Hitlerit.

Më pas situatën e mori në dorë moti, atë çka gjeneralët dhe atentatorët nuk mundën ta bënin: koha e fillimit të sulmit në Perëndim shtyhej herë pas here dhe pasi një major i Luftwaffe-s në datën 10 janar 1940 ngatërroi kursin e fluturimit dhe u detyrua të kryente ulje emergjente në Belgjikë, ndërkohë që kishte me vete planin e plotë operativ të sulmit ndaj Perëndimit, përgatitjet u zhvilluan me një intensitet akoma më të lartë.

Në plan të parë, fillimin e sulmit gjerman ndaj Perëndimit e pengoi moti i keq.

Adolf Hitler dhe Neville Chamberlain

Por si paraqitej strategjia e Fuqive Perëndimore në këtë kohë?

Lufta në Perëndim i gjeti Anglinë dhe Francën jo krejt të papërgatitur. Prej pranverës së vitit 1939 Anglia dhe Franca kishin kryer takime në nivele ekspertësh për drejtimin e luftës dhe në parim ishin marrë vendime mbi “planet strategjike të përgjithshme për drejtimin e saj”. Strategjia kryesore e aleatëve perëndimorë u përcaktua në datën 4 prill 1939:

“Ne (aleatët – M.K) do të përballemi me një kundërshtar, i cili është përgatitur më mirë se ne për një luftë mbi bazë kombëtare, që është superior ndaj nesh në tokë dhe në ajër por që në det dhe në fuqinë e përgjithshme ekonomike është më i dobët. Në këto kushte, ne duhet të jemi të përgatitur të përballemi me një ofensivë të madhe kundër Francës ose Anglisë, pse jo edhe kundër të dy shteteve njëkohësisht. Fillimisht duhet të mbledhim të gjitha forcat tona për të përballuar një ofensivë të tillë dhe në këtë kohë strategjia jonë kryesore duhet të ketë karakter defensiv.”

Në fazën e parë të luftës duhej të përqendrohej vëmendja edhe ndaj Italisë, me qëllim uljen e moralit të saj luftarak. Gjithsesi këto operacione duhej të kryheshin pa kufizuar aftësitë mbrojtëse të Europës:

“Politika jonë (e aleatëve – M.K) duhet të synojë të ndalojë Gjermaninë dhe të veprojë e vendosur kundër Italisë, ndërkohë që ne në të njëjtën kohë forcojmë fuqinë tonë luftarake deri në atë pikë sa të jemi në gjendje të ndërmarrim një ofensivë kundër Gjermanisë. Në këtë kohë nëpërmjet ushtrimit të presionit ekonomik duhet të dobësohet fuqia e armiqve tanë. Ndërkohë, si tani në paqe, por ashtu edhe më vonë në luftë, diplomacia jonë duhet të kryhet në këtë mënyrë, që të fitojë qëndrimin e dëshiruar neutral ose mbështetjen e fuqive të tjera, sidomos të SHBA-së”, planifikonte Anglia dhe Franca.

Në verë u kryen takime të tjera, në të cilat u diskutua mbi rrjedhimet e dala nga garancia që ishte dhënë ndaj Polonisë. Kjo garanci mbarte për kohën dy “përfitime”: E para, nëse Gjermania do të sulmonte Poloninë, atëherë koha e përgatitjes për luftë e Aleatëve do të zgjatej.

Nëse ky sulm nuk do të zhvillohej, atëherë Wehrmacht-i do të lidhte në Lindje një pjesë te trupave (mendohej 30-35 divizione). Për Aleatët ishte ndërkohë e qartë se, nëse Gjermania do të sulmonte, shteti polak do të pushonte së ekzistuari, por gjithsesi ata nuk e panë të nevojshme që si fillim të kryenin sulme në kufirin perëndimor të Gjermanisë.

E gjitha kjo çonte në përfundimin, “se fati i Polonisë do të varet nga përfundimi i luftës, dhe që ky përfundim do të varet nga aftësia jonë për të fituar përfundimisht luftën ndaj Gjermanisë dhe jo nga aftësia jonë për të zvogëluar që në fillim presionin gjerman ndaj Polonisë”.

Në fund të verës 1939, mbrojtja e integritetit territorial francez kishte fituar rëndësinë më të madhe në planet strategjike aleate. “Shpirti Maginot” diktonte mentalitetin francez dhe pengonte dëshirën për të sulmuar. Edhe përvojat e Luftës së Parë Botërore ndikonin në këtë qëndrim. Ndërkohë që ndërtimi i Westwall-it nga Hitleri i çonte francezët në përfundimin se, organizimi i një sulmi ndaj Gjermanisë ishte jo shumë premtues. Westwall-i me sistemet e tij akoma të papërfunduara të fortifikimit, si edhe propaganda e fuqishme gjermane duket se e kishin arritur qëllimin.

Pra, në Francë mbizotëronte një mendim i “përgjithshëm i përparësive që ofronte mbrojtja”, i përforcuar siç u tha më sipër nga “shpirti Maginot”, nga mbivlerësimi i fortifikimeve të Westwall-it, nga përgatitja për luftë e Gjermanisë si edhe nga përvoja e luftës 1914-1918.

Ky mendim përforcohej edhe nga teza e gjeneralit francez Gamelin, i cili manifestonte se “kush sulmon, humbet”.

Rënia e shpejtë e Polonisë, ndërkohë që Aleatët kishin llogaritur me një qëndresë të gjatë të polakëve, nuk çoi në ndonjë ndryshim në strategjinë e Fuqive Perëndimore. Edhe pas fillimit të sulmit gjerman ndaj BS dhe zbatimit të strategjisë së re të depërtimit dhe betejave asgjësuese, duke u bashkërenduar veprimi i gjithë forcave të Wehrmacht-it nuk e ndryshoi këtë qëndrim.

Tashmë bota ishte futur në rrugën e konfliktit të pashmangshëm.

 

*****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

September 5, 2019 18:31
Komento

7 Komente

  1. enio September 4, 23:58

    Po pse na i tregoni kot

    Historine e dine keta bythpambuket e sotem qe flen ne vilat e tyre luksoze dhe bejne pulitiken e madhe

    Reply to this comment
  2. Preng Pjetri September 5, 17:05

    Dje mburrësh si djal e nip komunisti.
    Ofiqe të shumta gezove.
    Sot mbi kokë mbanë kapuq ballisti.
    Me baltë biografinë tëndë mbulove.

    Dje në qafë mbajë shall pionieri.
    Dhe rrihje gjoksin si djalë komunisti.
    Dje per try ishtë legjendar Enveri.
    Sot u infektove me gjak ballisti.

    Dje thurje vargje per luftën çlirimtare.
    Lule mbildhje per çdo pesë Maj!
    Sot çmendurisht sillesh me ata varrë.
    Njëri a rrobot je dreqi ta hajë?!

    Luften çlirimtare bota e njeh.
    Gjakun e deshmoreve bota nderon.
    Si qen i zgjebosur në kotec ballit not leh.
    Askush s’ja ka besen atij që vet veten mohon!

    Reply to this comment
    • Partizani September 6, 03:15

      Te lumte Preng Pjetri se ke shkruar nje poezi plot frymezim dhe me ide!
      Po kujt ia thua?
      Jam socialist,por gjykoj se sot kjo parti i ka tradhetuar idealet e LANC-it,qe sot mbeshtet nje uzurpator si Edi Rama qe ka degraduar shtetin ligjor duke e cuar shtetin ne gremine!
      Rama duhet te shporret nga PS-ja,por ne kete parti te gjithe kreret ia kane shitur shpirtin ketij djalli per nje vend pune!
      Per mua PS-ja ka VDEKUR perfundimisht!

      Reply to this comment
    • ELIOT September 14, 21:29

      Preng qenke nje koqe gomari qe se ka bota ;;;Gomar ke lindur por mos vdise debile mentale ;;;Ne kohen e Enverit njerezit rrenin nga frika se i masakronte i vriste ;;kaq gje se ke kuptur ;;;ose je qorr ;;ose qorr dhe budallah… Ndersa sot nuk kane me frike nga spiunat e qelbet Si ty ;;dhe disa coban fhshatare qe enveri mehmeti i soillen ne Tirone per spiunlleqe ;;;; njerezit qe shprehen sot libre te lire ;;;; kjo quhet demokracie koqe gomari koqe idioti ke ndegjuar ndonjehere cdo te thote liberte ;;;jo sma ha mendja se je nje coban i trashe qe vetem me shetit lopet vichat ke qene ;; merci ;;;tete de bite ;;;

      Reply to this comment
  3. gjermani i fundit September 5, 22:53

    Ne te vertete Hitleri ishte nje koqe kandari. Nje kapter euforik me ambicje te medha, mu si SaliBerisha. U gjet nardndoka me uniforme qe pa gje te keqe hodhi tek kasapi gati 100 milione njerez. Pas tij qendronte ambicja e industrise gjermane per dominim tregjesh. Evropa shkoi ne hale te gomares dhe nga sherri I dy budalleve perfitoi I treti nga pertej oqeanit.

    Reply to this comment
  4. Messerschmidt September 6, 09:18

    Boll me Propaganda Sllavo Bolshevike apo Opinione nga analist edubiose te botes Angleze!

    Reply to this comment
  5. demo September 6, 09:35

    Ne themel te Luftes se dyte boterore ishin demshperblimet skllaveruese qe i vune Gjermanise fuqite fituese te luftes pare boterore.Territore te popullit gjerman,ku kishte jetuar qe ne lashtesi ju dhuruan Francezeve,Polakeve,Cekeve.
    Gjermanise i varen nje gur poshterues ne qafe..
    Populli gjerman kerkonte te kepuste litarin .
    Nje kapterr i panjohur llappte ate qe gjermaneve u vlonte ashtu si nje cope Hajdar e nje malok Vucidoli gjeten tifozerine qe vlonte nga urrejtja per enveristet skllaverues.Ne situata te tilla te ngarkuara,mjafton nje shkendije qe te ndeze barutin.
    Sado te llape tani Berisha,gjeneron ilaritet,skec humoristik,behet personazh humori,komedie.
    Terbimi aktoresk i Berishes nuk mi frymezon me turmat te hidhen ne djegje dhe grabitje.
    Te pakten Hitleri pati kurajon te vrase veten,kurse Berisha megjithese e sheh ne cfare derexheje e katandisi Shqiperine,eshte terhequr si skuth,pergjon nga lap-topi,se mos i vjen prape rasti te behet nuse.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*