Drejt modelit që siguron një Shqipëri pa plehra

Nga LAVDOSH FERRUNI May 20, 2013 18:37

Drejt modelit që siguron një Shqipëri pa plehra

Shqipëria është pis.  Cipa e trashë e plehrave bëhet gjithnjë e më e trashë. Cili duhet të jetë modeli Shqiptar për të zgjidhur problemin gangrenë të plehrave? Çelësi i zgjidhjes reale qëndron tek bilanci i thjeshtë midis kostos për menaxhim të plehrave dhe çmimit për frymë  që duhet paguar për këtë  menaxhimin. Duke qenë se standardi i jetesës në Shqipëri e bën të limituar rritjen e çmimit për frymë për menaxhimin e plehrave mundësia e vetme është në krahun tjetër në reduktimin e kostos së menaxhimit të plehrave. Dhe kjo rrugë është ndjekur deri tani. Për të reduktuar koston qytetarët, subjektet private dhe njësitë vendore i kanë hedhur dhe i hedhin plehrat në ambjent të hapur dhe shpesh kanë aplikuar e aplikojnë  djegjen e tyre të lirë.

Tani ka filluar të kuptohet se kostoja mjedisore me këtë përqasje shumë më keq se primitive (në shoqërinë primitive kishte vetëm mbetje organike të dekompozueshme) është aq e lartë saqë rivendosja e balancës mund të jetë e pamundur, si rrjedhojë e kostove shtesë të shkaktuara nga ndotja prej plehrave në shëndetin e njeriut dhe shkontaminimin e zonave të tëra në mbarë territorin e vendit. Duke i dhënë fund njëherë e mirë kësaj përqasje, opsioni i vetëm i reduktimit të kostos së menaxhimit të plehrave mbetet të pakësohet vetë prodhimi i plehrave, që do të thotë çdo individ, çdo familje, çdo biznes, çdo njësi administrative shtetërore të pakësojë prodhimin e plehrave, duke luftuar me konceptin gjoja modern se sa më shumë rritet mirëqenia, aq më shumë plehra prodhohen, pra duhet të ndërrohet modeli i konsumit. Duhet të konsumojmë të mira materiale duke minimizuar në vazhdimësi prodhimin e plehrave.

Mikro-modeli “Social”

Uji, ushqimi dhe energjia janë të vlefshme pa pagesë për cdo qënie njerëzore nëse ato janë prodhuar sipas ligjeve të natyrës dhe jo ligjeve të fitimit. Duke mos shkuar më tej (në këtë shkrim) me diskutimin e sistemeve mbështetur në ligjet e natyrës apo të fitimit, interpretimin si çështje ideologjike apo çështje e mbijetesës kolektive, sot, të paktën për ujin po të dalësh jashtë qytetit mund të gjesh akoma ndonjë burim të paprivatizuar e të parrethuar ku mund ta ndjesh veten për pak çaste se je dhe ti pjesë e natyrës.

Rëndom, qyteti po pushtohet nga miliona e miliona bidona plastikë për të shitur ujin e më pas miliona bidona plastikë përfundojnë hedhur në tokë, në lumë, në det, në oqean për mos t’u tretur për dhjetëra e qindra vjet, duke çliruar gazra e substanca toksike kudo në ambjent.

Nëse shkon në një kafene në qytet vështirë se del prej saj pa paguar për shishen plastike të ujit, që shkon kryesisht si fitim për kompaninë e “plastifikimit” të ujit e cila është e lirë të ndosë mjedisin me plastikën e saj dhe qytetarët duhet të paguajnë përsëri për pastrim të ndotjes që krijon “plastifikuesi”.

“Social” një lokal modest tek Blloku të surprizon këndshëm me modelin e tij të servirjes së ujit. Nëse ulesh në tavolinë në këtë lokal, krahas menusë, e cila nuk përmban asortimentin “ujë” dhe çmimin për të, gjen dhe një shishe qelqi të bardhë 1-litroshe plot me ujë të pastër, të mbyllur me tapë të varur në të, dhe ti mund të pish ujë sa të duash pa pritur kamarierin të marrë porosinë. Ti ndjehesh si në natyrë, ti merr falas atë që Natyra të ka falur dhe Natyra të është mirënjohëse që nuk e ke goditur e lënduar atë në fytyrë me një shishe plastike. Natyra do ndihej mirë nëse do të shmangeshin miliona e miliona goditje që ajo merr çdo moment për shkak të etjes për fitim të “plastifikuesit”.

Makro-modeli “socialist”

Në mijëra e mijëra akuza adresuar sistemit të kaluar të ekonomisë së planifikuar në Shqipëri nuk është dëgjuar ndonjë akuzë që populli të ketë hequr për shkak se kur qytetari ka blerë qumështin, kosin, vajin, ujin mineral, etj i ka blerë këto në shishe qelqi, dhe jo plastike dhe që njëherazi duhet të kthente ambalazhin bosh ose do të paguante një çmim plus të konsiderueshëm nëse nuk kthente ambalazhin bosh për ta ripërdorur.

Populli nuk ka hequr keq për shkak se kur shkonte për pazar merrte me vete një trastë dhe nuk kishte në qarkullim miliarda qese plastike si sot, që kanë shëmtuar territore të tëra, sidomos në akset më turistike të këtij vendi me bukuri mahnitëse.

Por një model të ngjashëm “socialist” e gjen edhe në vende të zhvilluara kapitaliste. Edhe në këto vende të duhet të kesh trastë me vete nëse shkon për shopping, ose do të duhet të paguash jo pak për të blerë një qese plastike. Ujë të ofruar në shishe qelqi të riciklur sheh kudo. Për më tepër ujin mund ta pish të rrjedhshëm e të pastër direkt nga çezma.

Drejt modelit të ri

Që të kemi një Shqipëri të pastër “sekreti” nuk qëndron tek modeli si do  përpunohen plehrat me riciklim, me landfill me incenerim; në nivel komune, nivel qarku apo nivel rajonal.

Në të gjithë variantet kemi ndotje,  veçse herë ndotet më shumë ajri, herë uji e toka, por gjithnjë kemi ndotje të mjedisit. Sekreti qëndron tek modeli i konsumit.  Na duhet, së pari, një model konsumi që prodhon më pak ndotje. Mikro dhe makro modelet e marrë si shembull më sipër thjesht janë elementë ngacmues për të studjuar e kthyer në realitet  qindra mënyra të konsumit të qëndrueshëm që së bashku do të ndryshojnë modelin arrogant  të konsumit që zbatojmë sot.

Modeli i ri kërkon së pari politika të reja dhe natyrisht iniciativa nga çdo aktor i shoqërisë. Edhe nëse gjejmë dhe aplikojmë modelin perfekt të konsumit që gjeneron minimumin e plehrave modeli i menaxhimit të plehrave dhe pastrimi i Shqipërisë është i destinuar të dështojë nëse Shqipëria do të vazhdojë të importojë plehra. Fillimi është tek ndalimi, ndalimi i importit të plehrave, së pari.

Nga LAVDOSH FERRUNI May 20, 2013 18:37
Komento

1 Koment

  1. duro May 21, 19:28

    per plehrat sezoni mediatik eshte ne Gusht kur te fillojne te digjen.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*