Drejt një Bote më të Mirë

September 6, 2016 18:30

Drejt një Bote më të Mirë

Katër ditë punë në javë, nga pesë të tilla. Koha kolektive e punës duhet të reduktohet. Asnjë qindarkë më pak, nuk do të zbritet nga sistemi i pagesave. Ky reduktim, synon emancipimin e qytetarëve, të cilët do të kenë më shumë kohë në dispozicion për jetë sociale, jetë familjare, jetë kulturore, sportive, dhe argëtuese. Kjo është ambicia e socialistëve në Belgjikë, që synojnë ardhjen në pushtet në vitin 2019, duke aplikuar në axhendën e tyre, reduktimin kolektiv të kohës së punës.

Zvogëlimi kolektiv i kohës së punës, ka qenë një përpjekje kolosale historike e lëvizjeve sindikaliste. Me lindjen dhe zhvillimin e industrializimit që prej shekullit të XVIII, dhe krijimin e klasës punëtore, por edhe të mesme, kemi shfaqjen graduale të lëvizjeve të organizuara,  që denonconin kushtet e vështira në të cilat punonjësit ishin të detyruar të punonin, duke përfshirë edhe fëmijët e mitur në moshë. Këto lëvizje, që morën formën e Sindikatave, filluan të fuqizojnë radhët e tyre, të ndikuara sa nga ndryshimet demografike, sa nga ndryshimet ligjore, por në mënyrë të veçantë nga roli i madh që patën rrymat ideologjike, kryesisht socializmi dhe anarkizmi, që ndikuan sa në ndërgjegjësimin e një mentaliteti të një klase që po zgjerohej, por edhe në denoncimin e padrejtësive të një sistemi abuziv kapitalist.

Ky zhvillim industrial, do të shoqërohej edhe me një konceptim të ndryshëm mbi pushtetin e kontrollit të kohës, që punëtori duhet të ketë në dispozicionit të punëdhënësit. Pra, ndryshe nga Mesjeta, deri edhe në dekadat e para të fillimit industrial, ku koha në dispozicion të punës ka pasur karakter sezonal apo agrar, tashmë hyjmë në një epokë, ku koha përkthehet në produktivitet të lartë dhe fitim. Me mekanizimin e mjeteve të prodhimit, hyjmë në një revolucion të vërtetë në botën e punës. Koha dhe administrimi i saj shndërrohen në një faktor qendror të produktivitetit. Industrialistët kuptojnë se, menaxhimi i kohës, ofron një mjet të fuqishëm për të rritur produktivitetin dhe të ushtrojnë mbi punonjësit një kontroll rigoroz. Është ky kontroll mbi kohën që vlerësohet se ka karakterizuar thuajse të gjithë kapitalizmin industrial të shekullit të XVIII dhe të XIX.

Por, kjo kohë që kontrollohej ekskluzivisht nga industrialistët, dhe që shërbente për rritjen e fitimit dhe të ardhurave, jo vetëm që shkëmbehej me pagesa shumë të ulëta dhe kushte punësimi të mjerueshme, por i privonte të punësuarit, familjet dhe fëmijët e tyre, nga e drejta për një kohë njerëzore. Pra, koncepti i pasjes së kohës për arsye njerëzore, sociale, kulturore, apo edhe shpirtërore ishte i pamundur.

Do të jetë ky lloj strukturimi i modelit industrialist, që po inkuadronte brenda këtyre kushteve një klasë të gjerë, që kishte filluar të popullonte mjediset urbane, që nxiti apo hapi shtigjet për përforcimin e lëvizjeve që kundërshtonin këtë lloj strukturimi, sindikatave. Synimi do të ishte çlirimi i punëtorit nga zaptimi industrialist i kohës, në dëm të tij.

Rezultat i kësaj lufte të pandërprerë sindikaliste do të jenë frytet e lirive të pjesshme, në dobi të punonjësve, si e drejta për pushim ditën e diel, ndalim gradual i orëve të zgjatura të punës për fëmijët deri në ndalimin absolut të punësimit të tyre, e drejta për të pasur disa ditë pushim për arsye shëndetësore, e drejta për të pasur pushime një javore të paguara, krijimi i fondeve për asistencën e papunësisë, krijimin e të drejtës për pension, kufizimin e ditës së punës deri në tetë apo shtatë orë në ditë, etj. Janë arritje thelbësore, që i kanë mundësuar punonjësve dhe familjeve të tyre, të përmirësojnë kushtet e punës dhe të jetës së tyre.

Kontrolli dhe e drejta e fiksimit të kohës së punës, ka qenë prerogativë e punëdhënësve, por që u shndërrua gradualisht në një fushë beteje me sindikatat dhe lëvizjet e punonjësve, ku shpeshherë edhe në terrene të përgjakura, pro që ka arritur të fitojë. Duke u shndërruar gradualisht, nga një e drejtë ekskluzive e punëdhënësve, në një të drejtë të negociueshme mes palëve.

Zvogëlimi me katër ditë të javës së punës, është një iniciativë e përhapur në Evropë dhe e shpalosur në vitet ’90, si në Francë, por edhe në Gjermani. Parimi bazohet në një ndarje më të mirë të kohës së punës, duke përfshirë edhe sektorin privat, çka do të çojë në angazhimin e punonjësve të rinj duke ulur papunësinë, por edhe duke iu krijuar kohën e duhur punonjësve për emancipimin qytetar të tyre. E miratuar përkohësisht në Francë (1996-1998) ajo gjen aplikim të segmentuar në një sërë ndërmarrjesh. Politika të tilla ka ndjekur edhe Gjermania, në disa sektorë privatë, por me formula të ndryshme.

Të ardhura bazë për të gjithë

Përtej iniciativës politike të mësipërme, që nuk vjen rishtazi në Belgjikë, por që në forma eksperimentale ka gjetur aplikim edhe në disa vende të tjera, Si Francë, apo Gjermani, një tjetër iniciativë po debatohet në skenën politike, krijimi i të ardhurave bazë të barabarta për të gjithë. Zvicra do të ishte vendi që e kaloi këtë nismë politike në referendum popullor, vetëm para pak kohësh, duke hasur në refuzim. Belgjika, ka hapur debatin mbi ngritjen e këtij sistemi, edhe pse nuk gjen mbështetje të plotë nga klasa politike.

Një model, që ka nuanca utopike, duke mundësuar të ardhura bazë për të gjithë, nga një sistem shpërndarje i barabartë, i ngritur në themel të Drejtësisë dhe jo të Mëshirës. Një sistem, ku kjo shpërndarje e barabartë e të ardhurave, do të mundësojë zhvillim dhe prosperitet, do të largojë varfërinë dhe mundësojë mirëqenien. Një qasje revolucionare, që në parim, duhet të mbrohej nga e majta, apo krahu radikal i saj, por që çuditërisht po gjen mbështetje nga krahu i djathtë i politikës, duke hasur në kundërshtim jo vetëm nga e majta, por edhe nga lëvizjet e sindikatave. Sigurisht këto të fundit, mund ta shohin këtë konceptim të ri të shoqërisë, në dëm të interesave të tyre ekzistencialë apo edhe funksionalë.

Propozimet e hedhura në Belgjikë, nga figura politike të së djathtës dhe ekologjistë, po hasin në rezistencë. Në fakt, një sërë kritikash, aludojnë për rrezikun e ngritjes së një sistemi, ku do të inkurajohet në masë përtacia, dembelizmi duke u zhvilluar paralelisht rënia e dëshirës për të punuar. Por, mbrojtësit e këtij sistemi, shfaqen të sigurt se, të gjitha paragjykimet që do të ngrihen do t’i përngjasin paragjykimeve të shekullit të XIX, ku teksa mendohej të aplikohej dhënia e ndihmës sociale për të mundësuar jetesën me dinjitet dhe integritet të njeriut, këto paragjykime aludonin për nxitje të frikshme të papunësisë, rritje të alkoolizmit dhe abuzim në masë me të mirat dhe kënaqësitë që do të ofronte sistemi.

Ky sistem të ardhurash bazë për të gjithë, nuk është një model i natyrës utopike, pasi ka gjetur zbatim në terren si edhe nga ka njohur forma të ndryshme projektimi eksperimental. Shembulli më i suksesshëm konsiderohet Alaska dhe politika e drejtuesit republikan Xhei Hajmënd (1974-1982), që instaloi një sistem fondesh investimi publike, Fondi i Përhershëm i Alaskës, i ngarkuar për të riinvestuar një pjesë të të ardhurave në fushën e naftës të Gjirit të Pruduosë, më i madhi në Amerikën e Veriut. Synimi do të ishte, kapitalizimi i kësaj të ardhure natyrale në përfitim të brezave të ardhshëm. Me qëllim garantimin e përhershmërisë, ai propozoi që fondi t’i shpërndante një dividend vjetor popullatës. Sistemi zbatohet që prej vitit 1982. Gjatë viteve të para dividendi, ishte rreth 400 dollarë për person, por njohu rritje më pas duke shkuar në nivelin prej 2.069 dollarë në vitin 2008. Me nisjen e krizës financiare niveli do të ulej, por aktualisht vlerësohet në shifrën prej 1.900 dollarë.

Projekte pilote i gjejmë të zbatuar në vende të varfra si Namibi/Indi, ku përgjatë vitit 2008-2009, mijëra të rritur të moshës më pak se 60 vjeç të fshatit namibien Otijivero, merrnin të ardhura bazë nga ky sistem, prej 100 dollarë namibien. Projekti ishte i financuar nga krahu gjerman i Misionit të Bashkuar Evangjelik. Ndërsa, eksperienca tjetër vjen nëpërmjet UNICEF, në shtetin indian të Madhya Pradesh, mes viteve 2011-2012. Në këto fshatra të zgjedhur të rriturit merrnin një të ardhur bazë të pakushtëzuara prej 200 rupi, dhe fëmijët prej 100 rupi. Jeta sociale pësoi ndryshime të ndjeshme, varfëria u zvogëlua dhe përfituesit në vend që të akomodoheshin në pritjen e radhës të ndihmës, rimorën në dorë fatet e tyre.

Përtej zonave të varfra të mësipërme, Evropa do ta eksperimentojë këtë skemë, në Holandë dhe Finlandë. Projekti i Holandës do të kryhet në Urtrecht, vitin e ardhshëm. Eksperimenti do të kryhet mbi një kampion vullnetarësh, që do të marrin një të ardhur bazë prej 960 euro në muaj nëse është beqar dhe 685 euro për secilin partner në një çift. Eksperimenti do të shtrihet edhe ndaj grupeve të tjera të shoqërisë që janë nën sistemin e një asistencë (papunësie, etj) duke i hequr atyre detyrimin për përmbushjen e kritereve për marrjen e tyre. Ndërsa qeveria e djathtë në Finlandë, synon të testojë këtë sistem gjithashtu vitin e ardhshëm./im.ta/DITA

September 6, 2016 18:30