Një bilanc për 2014

Erion Habilaj December 28, 2014 14:04

Një bilanc për 2014

Nëse do të kërkonim një përkufizim se si ka qenë viti 2014 për demokratët, shprehja më e afërt do të ishte “viti i kotësisë”. Në selinë blu, ose SHQUP siç mbizotëron emërtimi i zhargonit së fundmi, bilanci i këtij viti nuk ka lënë ndonjë gjë për të shënuar. Betejat e tyre kanë qenë të humbura dhe deri diku edhe pa ndonjë strategji të caktuar.

Partia Demokratike udhëheq në tre institucione që janë jetike për një vend demokratik. Në dorën e saj ndodhet sistemi i drejtësisë, që ka në krye Bujar Nishanin, po ashtu nën drejtimin e saj është bashkia më e madhe në vend, dhe po në dorën e saj është opozita e vendit. Por çfarë ka ndodhur me këto shtylla të demokracisë gjatë këtij viti që po lëmë pas? Si është sistemi i drejtësisë pas një viti, cilat janë punët që janë bërë në bashkinë e kryeqytetit dhe a ka pasur vendi një opozitë që ka mbrojtur interesat e qytetarëve? Le t’i marrim me radhë.

Sistemi i drejtësisë është një pushtet që edhe këtë vit nuk ka bërë ndonjë hap cilësor përpara. Asnjë funksionar i lartë, ministër apo ish-ministër, nuk shkoi përpara togave të zeza. Edhe ata që u proceduan penalisht përfituan nga procedurat dhe hapësirat ligjore. Por po ashtu edhe Bashkia e Tiranës ka bilancin e saj.

Viti 2014 mund të quhet si viti që bashkia nuk ka pasur kryetar dhe kjo me sa duket do të zgjasë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Ndërsa opozita nuk e ushtroi pushtetin e saj në Kuvend, sepse Berisha dhe pasuesi i tij vendosën që të braktisin Kuvendin dhe seancat plenare t’i ndiqnin nga televizori. Një bilanc si kanë punuar demokratët…

Opozita me dy kryetarë

Në vitin 2014 Partia Demokratike e nisi me dy kryetarë dhe e përfundoi po ashtu. Dirigjenca që i bën Berisha partisë nga zyra e tij në “ABA Center”, ka sfumuar fare rolin e Bashës. Opozita e nisi vitin me një frymë konstruktive, duke marrë pjesë në Kuvend dhe duke bërë oponencën për shumë ligje dhe aksione të qeverisë.

Pjesën e parë të vitit ajo arriti të bënte dhe zhurmë, sidomos sa i përket luftës ndaj trafikut të lëndëve narkotike. Në Divjakë ra një avion, i cili po tentonte të trafikonte drogë dhe kjo i vinte përshtat atyre që kishte thënë PD, se po bëhet transport i drogës me avion të ushtrisë nga plazhet apo bazat ajrore. Gjithashtu, PD vendosi që t’i thoshte jo ofertës së mazhorancës për të hartuar së bashku reformën territoriale.

Demokratët e cilësuan atë si një strategji të qeverisë për të fituar zgjedhjet në tavolinë. Në fillim të verës, demokratët vendosën ta braktisin Kuvendin dhe për gjashtë muaj qëndruan në bojkot, duke pasur si pretekst një zënkë mes deputetëve në sallën e parlamentit. Vjeshta kaloi me zgjedhjet brenda llojit, ndërsa nuk munguan dhe protestat antiqeveritare, siç ishte ajo e 22 nëntorit përpara Kryeministrisë.

Bojkoti po zgjatej shumë dhe demokratët po rrezikonin të digjnin mandatet e tyre. Me këmbëngulje ata arritën që të bëjnë zhurmë edhe në Bruksel, ku u angazhuan dy eurodeputetë për të arritur një marrëveshje mes palëve. Marrëveshja u arrit dhe PD u rikthye në Kuvend, ndërsa marrëveshjen e cilësoi si fitore të sajën. Në të 12 muajt e këtij viti PD ka rezultuar me dy kryetarë. Basha nuk ia kthen asnjëherë fjalën Berishës, ndërsa ky i fundit vazhdon të jetë kryetar de fakto.

Ai arriti që edhe familjarët e tij t’i bëjë pjesë të strukturave të partisë, duke kujtuar dhëndrin që u bë anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Gjatë këtij viti Basha ka pasur edhe divergjenca brenda grupit. Pak ditë më parë ato u shfaqën fare hapur, kur deputetë të PD-së kërcënuan se do të shkonin ne Kuvend edhe nëse nuk do i lejonte kryetari. Disa nga kundërshtarët e tij janë ata që njihen si grupi “Olldashi”, por dhe Jozefina Topalli, Genc Ruli, Ridvan Bode etj., nuk kanë një raport të mirë me kryetarin “de jure”.

Bilanci i Bashkisë

Në ditën që Lulzim Basha mori bashkinë me procedurë nga Arben Ristani, bëri vetëm një premtim për të cilin tha se do e mbante me çdo çmim: “Do ta mbaj Bashkinë larg politikës”. Ai premtoi se do të merrej vetëm me punët e qytetit dhe se katër vitet si kryebashkiak do t’ia kushtonte qytetit. Këtë premtim ai e theu në vitin e kaluar, kur iu dhurua partia nga Sali Berisha.

Përveçse nuk e nisi kurrë punën për tramvajin, ai ka mashtruar qytetarët në shumë pika, të cilat edhe pse të gjithë i dinë, po i rendisim më poshtë. Basha premtoi 30 mijë vende të reja pune, por në fakt ka punësuar në bashki vetëm drejtorët e Berishës dhe disa ithtarë të PD-së, ndërsa spastroi në bllok administratën.

Premtoi kalimin e kompetencave tek minibashkitë për dhënien e lejeve për ndërtime të vogla. Premtoi linjën telefonike antikorrupsion në Bashkinë e Tiranës, por bashkia u kthye në qendër korrupsioni. Premtoi se do të ulte çmimet e mallrave dhe ushqimeve dhe se do të hipotekonte të gjitha apartamentet. Po ashtu, Basha ka premtuar uljen e taksave nga 2-5 herë, heqjen e 60 taksave, ngritjen e një task-force për punësimin e të rinjve, financimin e stazhit për ata që mbarojnë universitetin, 70 për qind e atyre që mbarojnë këtë stazh u ofrohet një vend pune etj. Premtoi tramvaj, unazën e madhe, parkingje nëntokësore, parqe, kartën e studentit etj. Lulzim Basha premtoi zhvillimin e 14 qendrave urbane dytësore, premtoi ndërtimin e tramvajit deri në Kombinat, më pak se 30 nxënës nëpër klasa, një Bibliotekë Universitare, heqjen nga rruga të fëmijëve që lypin etj.

Por gjatë këtij viti sigurisht që ai preu në besë qytetarët edhe sa i përket politizimit të bashkisë. Shumë punonjës të bashkisë u katapultuan në Partinë Demokratike, duke u kthyer tashmë në një institucion që më shumë mendon për interesat e kryetarit, se sa për punët e qytetit. Gjatë këtij viti Basha e kaloi shumë pak kohën në zyrën e tij, duke u marrë tërësisht me punët e partisë. Kulmi i kësaj braktisjeje janë edhe mbledhjet e Këshillit Bashkiak, kur Basha prej dy vjetësh nuk shkon më, por dërgon vartësit e tij.

Edhe këtë vit Basha e mbylli pa bërë asgjë të mirë në bashki, më saktë ka bërë diçka që i dha fund edhe hapësirës së vetme të gjelbërt në qytet, siç është Liqeni Artificial, ku do të ndërtohen disa pallate 20-katëshe. Me sa duket, përveç qytetarëve, edhe ai mezi po e pret fundin e mandatit për t’u marrë me punët e partisë.

Beteja e Nishanit me mazhorancën dhe drejtësia
Ushtrimi i detyrës prej Presidenti Bujar Nishani, do të mbahet mend për konfliktin e gjatë me mazhorancën e re qeverisëse dhe për afrimitetin e tij me opozitën. Ashtu siç pritej, kreu i shtetit nuk mundi dot që të kapërcejë edhe dallimet ideore me shumicën e re qeverisëse, duke i kthyer asaj pothuajse të gjithë ligjet e rëndësishme.

Pjesa më e madhe e ligjeve të kaluara nga Presidenti janë vetëm ratifikimet, ndërsa të gjitha nismat e reja ligjore që kanë qenë kyçe për vijimësinë e reformave dhe implementimin e politikës së re, janë kthyer mbrapsht prej tij. Kjo ka detyruar shumicën qeverisës që t’i votojë edhe njëherë në parlament, duke sjellë humbje të rëndësishme kohe. Një prej tyre ka qenë dhe ndarja e re territoriale, që për Nishanin ishte antikushtetuese. Por së fundmi, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë shumicës, duke rrëzuar pretendimet e Nishanit.

Të tjera përplasje të kreut të shtetit me drejtimin e ri prej PS-së dhe LSI-së kanë qenë ato për ILDKP-në, për paketën fiskale, për drejtimin e forcave të armatosura, ligji për Gjykatën e Lartë, shkarkimi i dy anëtarëve të KLD-së etj. Por ajo që ka rënë në sy në ankimimet e Presidencës, të depozituara në Gjykatën Kushtetuese, ishte se argumentet ishin pothuaj identike me ato të parashtruara nëpër media nga Basha dhe Berisha, duke ndezur një debat të fortë nëse Nishani ka mundur që të shkëputet nga ish-partia e tij apo faji ka qenë i këshilltarëve të tij, të cilët janë njëkohësisht edhe në forumet drejtuese te PD-së.

Një tjetër pikë e fortë në përplasjen midis mazhorancës dhe Presidentit kanë qenë dekretet për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Në mënyrë të përsëritur, Nishani shmangu partitë politike nga procedura e zgjedhjes së kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, e për pasojë , të gjithë kandidatët e tij u rrëzuan. Pati edhe raste, siç ishte ai i deputetit të LSI-së, Spartak Braho, që kërkoi dhe shkarkimin e Presidentit Nishani, për shkelje të Kushtetutës.

Përplasje tjetër është ajo për plotësimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe të Guvernatorit të ri. Presidenti kërkonte që Guvernatori i ri të ishte me shtetësi shqiptare, ndërsa mazhoranca shprehej e hapur edhe për një shtetas të huaj, mjaftonte profesionalizmi i tij. Kjo detyroi deputetët e saj që të investoheshin për amendimin e ligjit, duke i hapur rrugën edhe një Guvernatori të huaj.

Gjithsesi, duket se të dy palët kanë gjetur një zgjidhje të mesme. Ajo që duhet theksuar në punën e Nishani është paaftësia për të reformuar sistemin e drejtësisë. Edhe këtë vit lufta ndaj korrupsionit ka qenë në minimumin e vet. Kemi pasur me dhjetëra raste që janë arrestuar zyrtarë të mesëm dhe të ulët dhe janë liruar nga gjykata. Ndërsa nuk ka ende një zyrtar të lartë të dënuar nga gjykatat apo të arrestuar nga prokuroria për korrupsion dhe abuzime, në rang ish-ministrash apo zëvendësministrash.

Erion Habilaj December 28, 2014 14:04
Komento

5 Komente

  1. tradita December 28, 14:59

    nuki pine uje me keto budallalliqe> ne te gjithe botn problem eshte qeveria . ajo ka shume os ete gjitha ne dore. vetem ketu tek ne shtypi merret me opoziten dh i ben lepirje gjithe diten qeverise. turp…turp.. ky eswhte korrupsioni me i madh te shitesh per dy kacille.

    Reply to this comment
  2. shqiptar sharri. December 28, 15:07

    ska,cfar te nodhe kur drejtsin dhe pushtetet kryesore i ka ne qafe te ujkut varun,pra si melcite.Po,ashtu ska te ndodhe asgje me nji mazhoranci impotente,sa dhe viagra prej,500.ml,nuk i ndihmon te cohet ne mbrojtje te nji milion shqiptarve,perderisa mazhoranca,eshte e kapur nga mafia dhe shteti i berishes nuk behet gji jo.Ja,ku e pranon dhe BRACE,se ka grupe te forta interesi nuk e thote mafia,por ineresi kur te liqeno ngihen rrokaqyell dje kerkushi nuk bene ze,e ka qepur rama-meta.brace,pra kjo eshte oligarket dhe mafia bejne logjin,fukarat qe nuk kane leket te pagujne rymen burgosen dhe vetvritendhe oligarket dhe mafiozet e opozites derdhin lotet e krokodillit per ate qe var veten ne rogozhin,po kjo eshte hipokrizia dhe kjo eshte mafia,te vret,naten e te qane diten,me keta frigacak te mazhorances sali serbi me kupolen e ti,sote jetoin mir e ma mire,dote jeoin dhe dote vdesin te pasur,dhe te nderum nga klubi i tyre,belem dhe permendore doti ngren kete kemi me e pare dhe perjetuar.Mjerishte por e vertet eshte,se nuk ka forca ne shqipri qe mundohen per te miren e popullit,por te gjitha forcat mundohen per klubet e tyre mafioze or djale.

    Reply to this comment
  3. Gogua December 28, 15:42

    Ne fakt selia e Xhelil Gjonit ka pasur suksese si ne propogande.Pacavure te tipit Flete -Rrufe sDita i bejne fllad Qeverise e murtajat i drejtojne ka opozita .

    Reply to this comment
  4. Hellas December 28, 19:19

    Kete shkrimin e kuptova qe kishte bente me krtika ndaj opozites po nuk mora vesh pse i beni ditirambe qeverise

    Reply to this comment
  5. info analitike December 28, 19:46

    Ja ta ndihmojme pak edhe ushtarin e rilindur Habilaj qe te mos ngaterroje propaganden me gazetarine:
    http://respublica.al/artikuj/2014/12/28/deshtimet-e-ministrise-se-kultures-me-kulturen.
    Apo mos ka qejf te shkruaje per kete:
    http://www.lapsi.al/lajme/2014/12/25/katastrofa-ekologjike-nxjerr-zbuluar-qeverin%C3%AB-rama-video-foto#.VKBOvf8SDA
    Apo mos valle deshiron te na flase per numrin e bizneseve te vogla qe po falimentojne dita dites.
    Apo deshiron te flase per menyren se si AMSHC preferon ti kaloje fondet OJF-ve sorosiane apo atyre te majta, sigurisht ne frymen e “trasparences” e te “konkurrences”….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*