“Drejtësia”, Kuvendi shtyn votimin e 6 pr/ligjeve të reformës

September 28, 2016 12:08

“Drejtësia”, Kuvendi shtyn votimin e 6 pr/ligjeve të reformës

Kuvendi shtyn votimin e 6 projektligjeve të reformës në drejtësi, të parashikuara për seancën e ditës së enjte. Burime zyrtare nga Kuvendi i thanë sot ATSH-së se paketa ligjore nuk është ende gati nga komisioni i posaçëm i reformës, ndaj dhe ato nuk janë më në rendin e ditës së seancës së radhës.

Sipas kalendarit trejavor të punës së Kuvendit, data 29 shtator do të shënonte votimin e kësaj pakete, por që aktualisht nuk është ende gati nga komisioni përgjegjës i reformës. Ky i fundit deri tani ka miratuar 5 nga 6 draftet, ndërsa pritej që të hënën të shqyrtohej pr/ligji “për Gjykatën Kushtetuese”. Opozita nuk ka dhënë dakortësinë e saj për këto nisma, me përjashtim të draftit për ngritjen e organeve antikorrupsion.

Ndonëse të 6 nismat ligjore janë depozituar për shqyrtim në komisionin e posaçëm të reformës në drejtësi, ato i janë nënshtruar procedurave në Kuvend që më 29 qershor. Nga kjo paketë ligjore, vetëm ligji i Vetingut është miratuar në Kuvend, me votat e maxhorancës. Ndërsa opozita megjithëse ka paralajmëruar se do ta ankimojë draftin në Kushtetuese, ende nuk e ka depozituar zyrtarisht kërkesën në Gjykatë.

Paketa ligjore mbështetëse për reformën në drejtësi, e hartuar me mbështetjen e misioneve ndërkombëtare, EURALIUS dhe OPDAT, parashikon organizimin dhe funksionimin e disa prej organeve kryesore të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Për miratimin e saj nevojitet shumicë e cilësuar (84 vota) ose 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Nismat ligjore që pritet ti kalojnë seancës për miratim janë: pr/ligji “Për Gjykatën Kushtetuese”, ai “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”, pr/ligji “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”, ai “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, pr/ligji “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve” dhe pr/ligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”

September 28, 2016 12:08
Komento

1 Koment

  1. toni September 28, 13:31

    Mjaft e masakruat shqipen me barbarizmat “dakordesi” etj.Kemi fjale te bukura shqip: pelqim,miratim.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*