“Drejtësia pa vonesa”, Manjani: Ku ka vonesa ka edhe korrupsion

May 25, 2016 12:41

“Drejtësia pa vonesa”, Manjani: Ku ka vonesa ka edhe korrupsion

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani tha nga Shkodra, ku u prezantua nisma “Drejtësi pa vonesa”, se gjykatat duhet të veprojnë me shpejtësi, pasi ku ka vonesa sipas tij, ka edhe korrupsion.

“Nëse shohim si gjykatat tona gjykojnë sot, sidomos shkalla e parë duket sikur Franc Kafka është shqiptar. Reforma në drejtësi është nëna e të gjitha reformave dhe që kjo nënë reformë të mos katandiset si nëna e dreqit duhet të ketë gjykata proaktive. Gjykata duhet të shërbejë shpejt”, tha Manjani.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, bashkë me USAID-in dhe Agjencinë Austriake të Bashkëpunimit për Zhvillim, prezantuan sot fazën e re të nismës “Për një drejtësi pa vonesa” në Shkodër, me synim rritjen e efikasitetit të proceseve gjyqësore, duke pakësuar vonesat e panevojshme.

Gjyqtarët dhe personeli ndihmës, nën drejtimin e Prezencës, USAID-it dhe partnerëve vendorë, do të analizojnë shkaqet rrënjësore të vonesave në gjykatën e tyre dhe do të përkushtohen për të përmirësuar planifikimin dhe administrimin e çështjeve, duke forcuar bashkëpunimin me palët gjyqësore, përfshi këtu edhe institucionet shtetërore. Kështu, gjykatat përfitojnë nga dobitë e teknikave të menaxhimit aktiv të çështjeve dhe qytetari përfiton qasje më të mirë në drejtësi.

“Gjykatat kanë shënuar progres të konsiderueshëm në pakësimin e numrit të seancave dhe kohëzgjatjes mesatare të procedimeve gjyqësore, pa ndryshime në legjislacion dhe pa burime buxhetore shtesë”, theksoi Ambasadori Florian Raunig, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

“Kjo arritje, jo vetëm që ishte e dobishme për palët gjyqësore në ato rrethe, por shënoi një hap të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të cilësisë së drejtësisë anembanë Shqipërisë. Ajo shfaq potencialin e qartë që gjithë shqiptarët të përfitojnë një drejtësi efikase në të gjitha gjykatat e shkallës së parë në mbarë vendin”.

Ambasadori austriak, Johann Sattler, deklaroi se “shtrirja e projektit ‘Për një drejtësi pa vonesa’ tashmë synon të rrisë besimin e qytetarit te gjyqësori”. Kjo nismë zbatohet nga Prezenca e OSBE-së dhe Projekti i USAID-it “Drejtësi për të Gjithë”, me financimin e Agjencisë Austriake të Bashkëpunimit për Zhvillim.

 

May 25, 2016 12:41
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*