Drejtori i Vllaznisë: Surpriza që më bëri Allegri, Ancelotti ishte babaxhan

September 5, 2018 13:28

Drejtori i Vllaznisë: Surpriza që më bëri Allegri, Ancelotti ishte babaxhan

 

Gjatë rrugës së kthimit nga Nioni në Shqipëri, drejtori sportiv i Akademisë së Vllaznisë, Alban Hasani, mund të ketë sharë gjatë gjithë fluturimit.

Nga qëndrimi njëditor me yjet e futbollit botëror do t’i duhet të rikthehet te hallet e ekipeve shqiptare ku duhet të sigurojë uniformat për ekipet dhe të merret me shoferët e autobusëve duke iu lutur të çojnë ekipet në transferta dhe pse nuk janë paguar prej kohësh, pa harruar dhe pronarët e hoteleve.

Në shortin e UEFA Youth League, ai pati shansin të takohej me protagonistë të futbollit botëror si Carlo Ancelotti, Massimiliano Allegri, Jose Mourinho, Diego Simeone e ndonjë tjetër.

Vllaznia do të luajë kundër Astanas së Kazakistanit. Ekip ky shumë herë më i fortë se skuadra shkodrane dhe me një buxhet shumë herë më të lartë.

Në një rrëfim interesant për Telesport, Hasani zbulon disa momente pikante nga shorti, por jep mendimin e tij dhe për kundërshtarin e shkodranëve.

“Shorti nuk ishte me shumë fat, pasi na çoi shumë larg. Astana është një kundërshtar që nuk e njohim aspak. Dimë që kanë një buxhet shumë herë më të lartë se tonin dhe duke parë ekipin e tyre të parë janë të fortë, pasi punojnë me moshat. Kjo nuk do të thotë se do të dorëzohemi, përkundrazi do të motivohemi më shumë dhe përfaqësohemi denjësisht“, – u shpreh fillimisht Hasani.

Delegacioni i Astanës së bashku me drejtorin Alban Hasani

Zyrtari i kuqebluve flet dhe në lidhje me emocionet e shortit, por dhe ndodhitë me yjet e futbollit botëror.

Ishte eksperienca më e bukur e jetës time. Të ‘bashkëjetosh’ për 10 orë me yjet e futbollit botëror është një emocion i madh. Më qëlloi të rri më shumë me Carlo Ancelottin dhe Massimiliano Allegrin. Drekova me ta, pasi di dhe italisht.

Hasani së bashku me Carlo Ancelottin

Me Allegrin bëmë shaka në lidhje me shortin. I thashë se na dërgove në fund të botës. Si kompensim më tha se jam i ftuar në ndeshjen ndërmjet Milanit dhe Juventusit më 11 nëntor. Do të çoj biletën dhe do shkoj”.

“Ancelotti ishte një babaxhan i vërtetë. Fola shumë me të dhe në lidhje me Elseid Hysajn. E mori në telefon në praninë time. Më pyeti se pse kisha zgjedhur të isha drejtor kaq i ri, kur mund të bëja trajnerin. I thashë se nuk më tërheq, pastaj më dha dy këshilla. Për trajningun më tha ta provoja dhe 3-4 vite dhe më pas të vendosja, por më tha dhe një këshillë që do e mbaj mend gjithmonë: ‘Mos fol kurrë kur je i nxehur në ambient sportiv dhe mos premto kurrë kur je i lumtur’. Fjalë të mëdha” – tregon Hasani.

Ai foli dhe në lidhje me trajnerët e tjerë. “Mourinho nuk ishte aq i komunikueshëm sa Ancelotti. Rrinte gjithë kohës duke folur në telefon. Tuchel më la shije të mirë, ndërsa më arroganti ishte Diego Simeone. Nuk fliste me asnjë, rrinte thuajse vetëm gjithë kohën. Nuk dinte as anglisht“, – tregon Hasani.

a.s/dita

September 5, 2018 13:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*