Drejtori…

Bilbil Beqiri October 9, 2015 11:53

Drejtori…

Diku në një qytet të vogël të Shqipërise jeton një drejtor. Përpara dy vitesh ai nuk ishte drejtor prandaj s’kishte as makinë as shoqëri as rroba të reja as parfume të shtrenjta, ups ndjesë në fakt as tani nuk ka parfume, po ç’rëndesi ka kjo.

Përpara dy vjetësh drejtori ishte i palumtur, kurse këto kohë po jeton ditet më të bukura të jetës së tij. Në qytetin e vogël ku ai jeton të gjithë i njohin të gjithë, kështu që është e pamundur t’u shpëtosh gojëve të liga. Për drejtorin flasin tyrli tyrli fjalësh. P.sh thonë që ai merr ryshfet për punësimet, dhe e paskan vënë re ndryshimin te makina që drejtori kishte blerë menjëherë pas emërimeve të para.

Në shëtitoren e mbrëmjës ku dalin xhiro qytetarët, drejtori është me i palodhuri, zbret dhe ngjet shëtitoren pa pushim. Në këtë qytet gjendet vetëm një shëtitore prandaj njerëzve u bie të shkëmbehen me njëri tjetrin të paktën 20 herë në ditë.

Të ardhurit nga qytetet e tjera apo emigrantët e kthyer për pushime bien menjëherë në sy, por nuk mund të rrijë pa rënë në sy edhe drejtori për të cilin po flas. Për t’u treguar njerëzve që atë darkë ka ngrënë mish e mban kunjin e dhëmbëve në cep të gojës gjatë gjithë xhiros së mbrëmjes. Kur dikush e thërret ai i ndërron vendin kunjit mes dhëmbëve dhe pastaj kthen përgjigje.

Fytyrën e ka të rreshkur nga dielli por kjo nuk e pengon atë të sillet si drejtor. Madje ai shumicën e rasteve mban kravatë: të gjërë të lidhur shkurt që i qëndron mbi bark.

Makiaton e mëngjesit e porosit gjithmonë në të njëjtën mënyrë, pështynë gishtin tregues dhe i thotë kamarierit, – pa u tharë pështyma në gisht e dua makiaton mbi tavolinë. Ndërsa kamarieri i mësuar tashmë me batuten e drejtorit nxiton t’i sjellë një makiato dhe një raki të mirë: rakinë e ka nga tavolina perballë.

Drejtori është në dijeni të gjërave që fliten në lidhje me të, por nuk shqetësohet për këtë. Ai është i bindur që e bëjnë nga xhelozia për suksesin e tij. Madje ndodh që nga goja e drejtorit të dalë ndonjë e sharë për ndonjërin që ka thashethemuar mbi aftësitë e tij. Po prapë se prapë nuk shqetësohet shumë për këto thashethemet lokale. Stresi i vërtetë për të është kur i vjen dikush i rëndësishëm nga Tirana. Angazhohet me mish e me shpirt t’i lënë të kënaqur vizitorët nga kryeqyteti.

Zhvillimet për prishje koalicionesh dhe thashethemet për rënie qeverie a zgjedhje të parakohshme që vijnë nga Tirana ai i ndjek me shumë shqetësim. -Sa gjeti miza pak gjak e ngriti kali bishtin, – është dëgjuar të ketë thënë drejtori.

Me këto radhë nuk dua kurrësesi t’ju bëj të mendoni gjëra negative për drejtorin, në fund të fundit populli thotë,- mos i shiko gunën por punën. Nëse dëshironi ta bëni një gjë të tillë bëjeni për drejtorin që keni në qytetin tuaj.

Bilbil Beqiri October 9, 2015 11:53
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim