Drejtoria nr.3 dhuron gjak për talasemikët, Veliaj: Bashkohuni me ne, dhuroni jetë

August 7, 2018 17:55

Drejtoria nr.3 dhuron gjak për talasemikët, Veliaj: Bashkohuni me ne, dhuroni jetë

 

Fushata për dhurimin e gjakut nga punonjësit e Bashkisë së Tiranës do të vijojë deri në fund të verës, ndërkaq në shtator nismës pritet t’i bashkohen edhe bizneset e kryeqytetit. Punonjësit e Drejtorisë Nr.3 të Punëtorëve të Qytetit dhuruan gjak për të sëmurët me talasemi dhe personat në nevojë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se çdo qytetar që i bashkohet kësaj nisme është duke dhuruar jetë për dikë tjetër, që është në një situatë të vështirë të jetës.

“Kemi kaluar të paktën 1/3 e institucioneve të Bashkisë dhe besoj se deri në fund të verës, të gjitha institucionet tona do kenë bërë dhurimin maksimal të gjakut, që më pas, në shtator, të fillojnë bizneset. Ka sot biznese që kanë më shumë staf se një drejtori e bashkisë dhe nëse si nisma e pemëve, ashtu edhe fushata për dhurimin e gjakut shkon përtej institucioneve, pra në bizneset private, në shoqata dhe dhurues familjarë, atëherë realisht do të kemi një fushatë të suksesshme”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh optimist që është kjo nismë do të mbështetet masivisht nga qytetarët e Tiranës. “Kemi pasur disa fushata që i ngjajnë kësaj të dhurimit të gjakut. Një prej tyre ishte ajo e mbjelljes së pemëve. Të dyja lidhen me jetën. Ndaj, besoj se fati i kësaj nisme do të varet nga sa të përqendruar e të përkushtuar do jemi në këtë fushatë. Ashtu siç nisi me pemët, fillimisht bashkia, më pas u bashkuan sipërmarrjet, pastaj shoqatat, familjarët, çerdhet, kopshtet, shkollat. Besoj se do të ndjekim të njëjtën strategji. Pra, gjatë kohës që njerëzit janë me pushime, Bashkia ka marrë stafetën dhe po mundohemi që në Tiranë të kemi kompletuar nevojat për 20 mijë dhurime brenda një viti”, shtoi ai.

Krahas një çështjeje me rëndësi për shpëtimin e jetës, Veliaj nënvizoi se dhurimi i gjakut është edhe emancipim për shoqërinë. “Kjo është çështje shëndetësore, por sigurisht edhe pak emancipim. Pothuajse si çdo gjë tjetër, si biçikletat, pemët, këndet e lojërave, nuk janë vetëm projekte fizike, janë edhe projekte kulturore. Ndaj, unë besoj se do të kemi edhe një fushatë emancipimi, ku njerëzit të kuptojnë që së pari ata vetë përfitojnë nga dhurimi i gjakut, vetë trupi i tyre rigjeneron rruaza të tjera. Vetëm fakti se një jetë njeriu u shpëtua nga ky dhurim, besoj se do të inkurajonte këdo që të vazhdonte të jepte, duke pasur parasysh që njeriu që shpëtohet mund të jetë fare mirë i afërmi, fëmija yt, kushëriri, dikush që ndoshta do të ta dijë tërë jetën dhe ndoshta do t’i japë këtij vendi një kontribut të jashtëzakonshëm”, përfundoi kryebashkiaku Veliaj.

Më herët, fushatës për dhurimin e gjakut iu bashkuan edhe punonjësit e Policisë Bashkiake dhe Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.

l.h/ dita

August 7, 2018 17:55
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*