DRENICA

Bedri Islami December 14, 2015 10:27

DRENICA

Në qershorin e vitit 1999 më ndodhi një ngjarje e rëndësishme: Pashë për herë të parë Drenicën, sidomos dy statura të përfytyrimit ndaj saj. Prekazin dhe Shkabajn. Deri asaj kohe unë e kisha parë Drenicën përmes syve të shokëve të mi, kisha ndjerë aq sa mund të ndjejë njeriu diçka nga largësia, por që e bënte gjithsesi më të afërt e gjithë statura politike, njerëzore dhe luftarake e Fehmi Lladrovcit; ashtu si mund ta bënte figura personifikuese e Gruas shqiptare, Xheva Krasniqi-Lladrovci, në shtëpinë e të cilëve dhe tek Ramiz Lladrovci, kisha qenë gjithnjë si në shtëpinë time.

Drenicën e kisha parë përmes asaj që më sillnin afër djemtë e Jasharëve dhe vëllai i tyre i madh, baca Rifat, me atë qëndrimin e tyre stoik, të qetë, edhe kur gjëma ishte jashtëzakonisht e rëndë, dhe, edhe pse për shumë kënd do të ishte dukur e çuditshme, ata e kishin ruajtur ndjenjën njerëzore brenda vetes.

Drenicën e kisha ndjerë përmes fjalëve të qeta dhe mrekullisht të sakta të Iliaz Kodrës, një njeri që kishte në vete të gjithë brumin e mirësisë dhe të forcës, trim dhe i pafjalë, njeri që e dinte se cila ishte rruga dhe që nuk do të kthehej.

E kisha parë Drenicën përmes bisedave me Sami Lushtakun, Selim Krasniqin, Rafet Ramën, pastaj përmes telefonit e kisha ndjerë nga qetësia e zërit të Sulejman Selimit dhe, sado që takohesha, herë haptas e herë fshehtas me Hashim Thaçin, ai megjithëse drenicak, e kishte ndarë mendjen që asaj kohe, që duke u nisur nga Drenica të qeveriste Kosovën.

Atë ditë qershori, kur për herë të parë po i afrohesha Drenicës, kisha pjesë të saj të mëdha në veten time.

Dy ditë më parë, së bashku me familjen Jashari, me bacën Rifat, Lulëzim Adem Jasharin, Murat Rifat Jasharin, Bekim Hamzë Jasharin, ishim nisur nga Mynihu drejt Drenicës. Një rrugë e gjatë, kryq e tërthor gjithë Italisë, pritje e gjatë në Bari dhe kalimi me traget, ku ne, dy më të moshuarit, baca Rifat dhe unë, u nisëm përpara, për të bujtur natën e para Kosovës, ku tjetër, veçse tek shtëpia e profesor Shaban Sinanit.

Banesa e vogël e profesor Shabanit ishte njëra ndër qendrat e para të strehimit të djemve të lëvizjes çlirimtare, njëra ndër strehët që u hap dhe mbeti gjithnjë e hapur, pavarësisht nga trazimet që kishte. Herë pas here, profesor Shabanit i duhej që së bashku me të gjithë familjen, të “braktiste shtëpinë” e tij, të shkonte diku tjetër për të kaluar natën, dhe e gjitha ishte në “duart” e ilegalëve të armatosur.

Asaj nate nuk ishim vetëm ne mysafirë tek Shaban Sinani. Shtëpia ishte plot. Më duhej të punoja në kompjuterin e tij për raportin e Mbledhjes së Përgjithshme, të Lëvizjes Popullore të Kosovës, kuvendi i Organizatës që kishte themeluar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe drejtuar atë, dhe pastaj fjeta në karrike.

Udhëtimi drejt Drenicës nuk ka qenë thjesht njëri ndër udhëtimet e shumta që kam kryer, ai ka qenë për mua, njëherësh një zbulim dhe një mrekulli, që më dha dorë të kuptoja edhe një herë se rruga në të cilën kisha qenë kalimtar kishte qenë e drejtë dhe se njerëzit me të cilët isha lidhur të bënin të vendosje për shumë gjëra.

Drenica u shfaq befas dhe pas një kodre, si në përralla, u shfaq Prekazi. Prekazi i djeshëm, i gjithë shkrumb e hi, me tymrat që dilnin ende nga djegiet e fundit, me tri kullat e Jasharëve të rrënuara, ku ende ishin gjurmët e predhave të tankeve; me shtëpitë e tjera të Jasharëve të tjerë që kishin ngelur si gërmadha të nxira; pak më tej shtëpia e djegur e Iliaz Kosdrës, që ishte vrarë në momentet e fundit të luftës… kodrat përreth, në të cilat kishte aq shumë gjelbërim, varret e të rënëve, oh Zot, aq shumë, 56 varre të sapoçelura, vrarë në tri ditë lufte, me një shenjë të vogël druri sipër tyre dhe, krejt më pas, një ngrehinë e vogël, me një dhomë të vetme, ku dikur Jasharët mbanin veglat e punës, e kthyer në dhomë pritje për njerëzit që vinin për t’u thënë, mirë se erdhët.

Ne rrinim rreth e rreth saj, ndjeja dorën e bacës Rifat mbi gjunjët e mi që kishin marrë dridhje nga emocioni, njerëzit shkonin e vinin, të qetë, ngadhnjyes, por jo me ndjenjën e mburrjes në vete, tymi i duhanit ngrihej sipër nesh si një fillesë resh të hirta, fjalët rridhnin të qeta, askund e askush nuk shprehte dhimbje, megjithëse secili që vinte kishte të vrarë në konakun e tij.

Pastaj më është kujtuar një ngjarje. Një ngjarje e vërtetë, të cilën ma kishin treguar kalimthi, pa asnjë droje se mund të kishte keqkuptim, ashtu si flitet mes miqve.

Lulëzimin, djalin e Adem Jasharit, e burgosën dhe e dërguan në burgun e Mitrovicës. Policët dhe ushtarakët serbë e morën me vete, u nisën drejt Prekazit, pasi mendonin se djali do u tregonte se ku ishin fshehur armët. Kur po i afroheshin fillimit të malit, Ademi, që ishte në pritë, u thotë shokëve të tij qetësisht, si për diçka që dihej dhe që nuk do të mundohej të kthente mendje: “Nëse djali tregon, mos ia bëni hallall, lermani mua, bukëshuem nuk due në shtëpinë time”. Lulëzimi gjeti rastin, u shkëput nga rojet që rrinin paksa larg nga droja e atyre që mund të qëllonin,rrëshqiti nëpër rrëpirat e malit, por fjala ishte e qartë; bukëshuem nuk duam në shtëpinë tonë.

Unë e kam parë Adem Jasharin në një ditë të zakonshme, në pyll, duke luajtur me fëmijët e tij. I dhëmbshur si çdo prind, i kujdesshëm dhe hokatar, e kam parë duke krasitur pemët dhe duke hedhur valle, në atë mënyrë të veçantë që hedhin të gjithë Jasharët. E kam parë në regjistrimet e familjes dhe e kam ndjerë se ky njeri ishte i gatshëm të jepte edhe shpirtin për fëmijët e tij, por edhe do bënte të pabërën nëse do e “shkimte” një fije nderi.

Drenica ishte atyre ditëve e gjitha në lëvizje. Ndoshta ishte zona që kishte patur më shumë të vrarë e më pak të larguar. Dhe, fare pranë Jasharëve, në Drenas, ishte një kodër që kishte emrin “Qëndresa”, vendi ku ishte vrarë, më 22 shtator 1998, Fehmi Lladrovci dhe Xheva, shoqja, bashkëluftarja dhe vizionarja e pashoqe.

Ato ditë që u vra, lajmin e mora nga Ali Ahmeti, miku i tij i vjetër.

Dheu ishte ende i kuqerremtë, bari sapo kishte nisur të dilte mbi varret e të rënëve në Shkabaj, vetëm një palë dushqe kishin rrëshqitur mbi muranat e tyre. Një vit më parë, kisha telefonuar për të ngushëlluar nënën dhe bacën Tush, babain e Fehmiut. Më kishte ardhur, si nëpër mal, zëri i nënës së tij.

“Mos u ngushtoni, mos u ligshtoni. Jena të fortë, hiç merak mos kini. Po nuk u ligshtuat ju, nuk ligshtohena as na. Lufta i ka , do të vazhdojmë…”.

Si e thashë, në vjeshtën e vitit 1999, më ndodhi një ngjarje e rëndësishme: Për herë të parë pashë Drenicën.

Dhe u bë pjesë e imja.

Ndaj më ka ardhur mirë gjithnjë kur më kanë thënë, një drenicak nga Shkodra.

Bedri Islami December 14, 2015 10:27
Komento

7 Komente

  1. Tironci kuq e zi December 14, 11:59

    Rrespekte edhe nderimet me te medhaj per ju zoti Bedri edhe per te gjithe ata burra qe luftuan edhe per ata qe dhane jeten per SHQIPERINE

    Reply to this comment
  2. zefi December 14, 16:37

    Shoku Bedri si gjithemone revolucionar, vete nuk beson ne keto perralla por insiston te besojne te tjeret. Serbia me tere arsenalin ushtarak e policore nuk arriti te nenshtroi Drenicen…. ashtu sine kohen e Azem Bejtes…..

    Reply to this comment
  3. mirel December 15, 04:17

    Lavdi Drenices dhe Heronjve te saj.

    Reply to this comment
  4. Altrebeshina December 15, 10:18

    Lavdi heronjve shqiptar te KOSOVES dhe te SHQIPERISE qe luftuan dhe çliruan Kosoven.
    Shendet dhe jete te gjate heronjve qe jetojne, qe deshmojne me dinjitet inteligjencen, idene dhe perpjekjen kombetare. Falenderim dhe mirenjohje zoti BEDRI ISLAM I.

    Reply to this comment
  5. zefi December 15, 15:46

    Mirel injoranti si shume te tjere, vizitoje Drenicen, Kosoven pastai fol.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*