Dritat e uji, si do të bëhet kompensimi për pensionistët pas rritjes së çmimit

August 12, 2017 11:37

Dritat e uji, si do të bëhet kompensimi për pensionistët pas rritjes së çmimit

Rritja e çmimit të ujit në kryeqytet, që do të nisë prej 1 janarit 2018, nuk do të prekë pensionistët dhe familjet që marrin asistencë.

Zbardhet skema e re, mbi mënyrën se si do të veprohet pas vendimit të Këshillit Bashkiak për përjashtimin e disa kategorive sociale nga rritja, ku bëjnë pjesë edhe pensionistët.

VARIANTET

Aktualisht në tryezën e diskutimit janë hedhur dhe po shqyrtohen dy variante.

Së pari mendohet që, sikundër ka ndodhur me dritat pas heqjes së fashës për përdorim deri në 300 kilovatë orë, edhe në rastin e ujit të aplikohet një skemë e ngjashme rimbursimi. Por mundësitë që kjo të vihet në zbatim janë të pakta, duke qenë se nuk ka informacion mbi konsumimin mujor të një familjeje pensioniste.

Varianti i dytë, i cili është edhe më i mundshëm për t’u vënë në jetë, është ai për të lënë të pandryshuar çmimin e ujit për këto kategori.

Pra, po shikohet mundësia që edhe pas datës 1 janar 2018, faturimi i ujit për pensionistët dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike të vijojë të bëhet me të njëjtin çmim, pra 45 lekë/m³ dhe jo 65 lekë, sa edhe do të jetë.

Kjo do të thotë që familje pensionistësh, të cilat mund të harxhojë mesatarisht 30 m³ ujë, do të vijojë të paguajë në fund të muajit 1350 lekë dhe jo 1950 lekë, sa mund të paguante me çmimin e ndryshuar.

Nga rritja e çmimit të ujit me 20 lekë për m³ nuk preken edhe disa kategori të tjera sociale, të cilat janë të listuara në tabelën përbri. Ky propozim u parashtrua në Këshillin Bashkiak të Tiranës dy javë më parë, kur mori dritën jeshile edhe vendimi për rritjen e çmimit të ujit.

DRITAT

Mbi mënyrën se si do të veprohet me kategoritë që “do të mbrohen” nga rritja e çmimit, Bashkia ka një “precedent”, atë të heqjes së fashës për dritat.

Me rritjen e çmimit të energjisë për konsumin nën 300 kilovatë orë, në janar të vitit 2015, qeveria vendosi që të gjithë pensionistët kryefamiljarë me vendbanim në fshat dhe qytet t’i kompensojë 648 lekë në muaj për faturën e dritave.

Të drejtën e rimbursimit e kanë edhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuara, si edhe kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar.

Pjesë e skemës janë po ashtu familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar, të verbrit, si edhe personat paraplegjikë e tetraplegjikë./ Panorama

August 12, 2017 11:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*